Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Podrimja: Shënime për librin “Perëndim me pak natë” të Sadik Bejkos

 

 

 

1.

Tek shkruaja për labirintin e një libri rrëqethës për kazamatet tona isha pajtuar, se ne mjerisht kishim çuar dashuri më se një gjysmëshekulli me fatkeqësinë tonë. Megjithëse, fytyrën ia grithnim, “dashuria e saj” shpesh na bëri tokë. Gati këtë e përjetoi dhe Sadik Bejko. Predikonim, se çdo e mirë fillon me ne, bile edhe qytetërimi e ai Njeriu i ri migjenian.

Se ne nuk kishim asgjë të përbashkët nga historia e kultura me shtete e popuj që i përkisnin bllokut ideologjik, kishte habitur edhe ata që na njihnin mirë. Në hijen e një fuqie demoniane vazhdonim të “…shkruanim rreshtin e fundit në kode”. E çfarë na ishin këto, e dinte Monomani që humbiste kontrollin mbi çdo gjë, mbasi kërkonte të ishte mbi të gjithë. Nuk bën të na çuditë se vendi ishte shndërruar në teatër antik dhe njeriu ishte bërë lodër, “në njeri burgu”. Brenda universit të zymtë sillej ai rreth shpellës imagjinare Aram të poetit, figurë kjo ndër më domethënëset për diktaturën, i ngjante “një zoti të egër”. Murgari (lexo poeti) kapte detaje hulumtonte qeniesoren dhe me një cinizëm të akullt e zhvishte të ligën. Fytyra “engjullore” e dashurisë dikur zu të grithej. Shenjë se diktatura bëhej me nishana dhe kthimi i dinjitetit njerëzor, meritorë të së cilës ishin krijuesit dhe intelektualët, që Shqipërinë e shihnin ndryshe.

 

2.

 

Poeti Sadik Bejko e kishte kuptuar se nuk ishte kohë e tiradave dhe se fjalët duheshin zgjedhur për të çkoduar të keqen; ato grithje në fytyrën “engjullore” të postohen në kujtesë dhe të lexohen; se në to fshihej udhëtimi apokaliptik i shoqërisë shqiptare. Poezia Letër Hamurabit nga Murgari i shpellës Aram është akuzë, artikulim tronditës drejtuar Hamurabit të largët, që në realitet është Monomani. Përmes narracionit tronditës nis rebelimin i pakënaqur me shpellën e tij, atdheun. Diktatura kishte shkuar larg sa “për ta s’ka nënë, mik e të dashur”. Reagime dinjitoze hasim dhe në pjesën dërrmuese të poezive të shkruara nga vitet ’90 e që nuk e ngazëllen aq as triumfi demokratik. Vepra e tij poetike ngritet në sintezë dhe të ligën e përjetuar e elaboron si tragjedi kolektive dhe na e ofron mjeshtërisht tek i jep dimensione njerëzore, kohore. Poshtërues i dukej shndërrimi i njeriut në mjet vrasës; nuk mund ta paramendonte të izoluar, të topitur nga ndjenjat, të frikësuar nga vetja dhe gjaku i tij, as ta shihte si një ishullar që përballej dhe me mallkim. Në një kohë të zymtë dhe hapësirë të tkurrur “liria vret”, thotë Fatos Arapi. Por, çfarë lirie na është ajo, kur dëgjohet vetëm një zë? Hapësira ku linte gjurmë poeti ishte “…vend i thyerjeve… i nëpërkëmbjeve, i pështymave gri”. Cinizmi i atij arrin pikën kulminante: “mbi ish njerëzit”, poshtërim dhe hegjemonizëm i yllit të “perëndive” të Stepës, që etika krijuese nuk mund t’i përulej. Diktatura shkonte edhe më larg, ata të shpellës Aram i konsideronte të perënduar, copa nate, që nuk ishin ngritur ende nga shpella. Ndërsa titulli i përzgjedhjes Perëndim me pak natë është ekuivok e me mesazhe tejet të sofistikuara, të thëna përmes një realizimi mjeshtëror. Leximi i veprës së Sadik Bejkos nuk zgjon vetëm kërshërinë e lexuesit-recepientit. Njohësi i mirë i poezisë së këtij poeti, akademik Ali Aliu, mbështet se të lexuarit e tekstit poetik të Sadik Bejkos është kënaqësi estetike, emocionuese, me tensionim të lartë të dramacitetit poetik.

 

3.

Sadik Bejko u shfaq në vitet ’70, kur në Kosovë botohej manifesti i parë letrar në letrat shqipe kundër dogmës pansllave, realizmit socialist dhe kur një grup krijuesish u ishin nënshtruar të sharave e përndjekejve nga Qendra gri dhe kuazikrijuesit. Vox clamantis in deserto (Zë i humbur në shkretëtirë), botuar më 2 tetor 1971 në gazetën Rilindja, u kundërvihej tiradave, servilizmit krijues, apologjisë, transparencës, skematizmit … Kërkesat ishin dinjitoze, mbronin vlerat e njëmendta, dinjitetin e lirinë krijuese dhe nuk mund të thurnin himne për ata që kishin vrarë e nëpërkëmbur një kulturë. Kështu artikulimi i “voksistëve” u bë pakëz i mistershëm, eliptik, i pakapshëm për regjimin e ish-bashkësisë, e cila me dyshim shikonte afrimin e tyre me shkrimtarët sllovenë e kroatë; se ishte koha të mendohej ndryshe nga ajo që ofronte regjimi represiv. Në vitet ’70 diktatura në Shqipëri kishte zënë t’i lexonte krijuesit përmes thjerrëzës krijuesit, të cilët frymonin mes jetës e vdekjes. Se, zymtësia kapej edhe përmes një pasthirrme, edhe përmes një fjale, vargu, tregimi a vepre që arrinte të “lirohej” nga kazamatet.

Pas përmbledhjeve Rrënjët (1972) dhe Si vdes guri (1994), ku dominojnë tema nga vendlindja, për të afërmit dhe ndonjë flirtim rinor me nuance bukolike, por hija e së keqes zgjatej deri aty, ku poeti ndiente ftohtësinë që e përthekonte. Në imagjinatën e tij ishte shfaqur ishullari, ku veten e shihte si murgar të shpellës shqetësuese, e poeti nuk mund të shkonte më larg se ta thoshte nemën. Mençuri ishte të shënosh të keqen e të shpëtosh kokën në një kohë vrastare, se në hapësirën e bardhë të letrës kishte vend edhe për shumë bëma e dhembje. Inkuadrimi i tij si krijues e njeri në antidiktaturë ishte më se i kapshëm për ata që dinin të lexonin tekstin letrar.

Poeti nuk di e kishte lexuar Borhesin dhe dinte diç për këshillën mbi letërsinë “të vështrosh më lart e më larg”. Ikjet nga motivet e përditshmërisë, kërkimi i formave të reja, krijimi i fjalorit karakteristik të shenjave, të eliptizmit, braktisja e skematizmit, kthimi kah miti dhe leximi i poezisë metaforë, tekstit të ngjeshur me mendim, bredhjet në lashtësi, bile dhe në Lindjen e Largët e që ishin mbulesë në poezi, mbasi problemet ishin shqiptare, fuqizojnë kredon e artikulimin e tij prej poeti modern, i cili di ç’kërkon nga fjala e teksti, çfarë ofron e ç’fsheh dhe pse është diskret.

Të gjitha fshehtësitë poetët e njëmendtë nuk i tregojnë. Lexuesin e shëtisin nëpër fjalë e ide, por nuk ia tregojnë çelësin. Këtë përshtypje e kam edhe pas përzgjedhjes “Perëndim me pak natë” që është ogur i mbarë jo vetëm për poetin. Së pari, çel horizonte të reja dhe pasuron poezinë shqipe me forma teknike, le të themi dhe së dyti, thua se dëshiron të na bindë se fjala shqipe mund të bëjë mrekulli në dorë të mjeshtrit; se kjo nuk del deri në Majë të Tomorit as zdirgjet vetëm në Fushën e Mëllenjave, por shkon tutje edhe në Lindjen e Largët e zbret thellë në Mesjetë; në meskohë nuk ia kënda ta shohë. Duke sajuar këtë përzgjedhje kam vërejtur se Sadik Bejkon e shqetëson teksti, të cilit i rikthehet shpesh. Kjo është veti e krijuesve seriozë. Kujtoni variantet e Lasgushit, Kadaresë dhe të shumë shkrimtarëve të huaj.

 

4.

 

Poezia e Sadik Bejkos, sidomos i librave të fundit Letër Hamurabit (1997) dhe Psalm për atin (2003), na përkujton për të mirë ca poetë anglo-saksonë për tekstin dinamik e me imazhe, ka afri dhe me poezinë e Azem Shkrelit. Sidoqoftë, vepra e këtij poeti lexohet si metaforë e udhëtimit të rëndë të shoqërisë shqiptare. Vlen të përmendet poemthi Orakujt e mbrëmjes. Ali Aliu e pranon këtë si kryevepërz në poezinë tonë moderne. Të pesëmbëdhjetë poezitë “artikulohen si tërësi semantike”.

Detyra e recepientit është që të propagandojë mesazhet e vlerat kombëtare edhe në metropole. Në vitet ’90 në Kosovë ishte botuar një novelë e një shkrimtari të nderuar nga Tirana, i cili kishte përjetuar kazamatet. E pata marrë në udhëtimet e mia në Europë dhe me të lexuar ia pata propozuar për botim botuesit tim austriak, i cili ishte pajtuar. Veten e pata ndier të nderuar se lexuesit gjermanofon i ofrohej një vepër nga letërsia shqipe, shkruar nga një i ndëshkuar. Pas një kohe kishte pyetur njëri nga metropoli: shkrimtari i nderuar mos ka shkruar poezi për Stalinin? Nëse ka shkruar, paska aktruar me fatkeqësinë në teatrin antik të diktaturës. Mjerisht, në njëfarë mënyre, thuaja të gjithë përjetuam poshtërimin dhe ndëshkimin se mbi kokë na rrinte Monomani. Por guximi intelektual e krijues nuk prajti. Kjo vërehet edhe në përzgjedhjen “Perëndim me pak natë” të Bejkos.

Mirëpo, dallimi mes Poetit dhe Monomanit qëndron te dinjiteti dhe madhështia njerëzore.

 

Ulpianë, 7.10.2004

 

Marrë nga libri me ese “Sfidë harresës”. Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

Please follow and like us: