Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Pushteti i frikës, tirania dhe dashuria në romanin “Qorrfermani” të Kadaresë

Të lexosh një vepër letrare është akt i kënaqësisëqë të jep arti, bota e re që ti e zbulon, ndërkaq të marrësh përsipër të shkruash për të është përgjegjësie ndërlikuar dhe kjolidhet me raportin që krijon teksti me autorin, veprën dhe lexuesin. Pa dyshim të shkruash për një autor të madh, për një univers letrar, siç ështëIsmail Kadare, është përgjegjësi e dyfishtë. E para e punës, shkëlqimi artistik i veprës së tij ka tejkaluar qëmoti kufijtë e mundshëm dhe komunikon universalisht me statusin e artit të përjetësishëm. Në këtë mënyrë, vepra e tijështë përtej mundësive që afron mendimi për letërsinë, qoftë edhe ai më i përparuari.

Duke u nisur nga kjo sfidë dhe përgjegjësi, studiues të ndryshëm të letërsisëjanë rrekur të trajtojnë përgjegjësitë që kanë, në këtë rast, lexuesit, përballë një vepre letrare, sidomos ata që shkruajnë për të. Njohësit e letërsisë flasin për validitetin e interpretimit dhe mundësitë e leximeve më të mira, (E. D. Hirsch, JR), si dhe për kërkesat etike që shtrohen përpara lexuesit (DerekAttridges).

Për shembull, studiuesi i letërsisë, Derek Attridges, pyet për përgjegjësitë që ka lexuesi karshi veprës letrare, për faktin e thjeshtë se asnjë vepër nuk mund të kuptohet pa marrëdhënien e ndërligjshme që ajo e krijon me lexuesin, sidomos me ata që i përkasin fushës së letërsisë; të tillët që, me tekstet e tyre për shkrimtarë a vepra të caktuara, marrin qëndrime publike, pra i riartikulojnë“mesazhet” e autorit dhe të veprës.

Mirëpo, mendimi për letërsinë, deri më sot, nuk ka arritur të tregojë se cili është leximi më i miri i letërsisë apo i një vepre letrare. Në hullinë e shumë shkollave, metodave, qasjeve, lexuesi ka ndodhur të bie“pre” e yshtjeve të kritikëve, për të parë dhe gjykuar një vepër nga një këndvështrim specifik, i ngushtë që, realisht, mund të jetë përtej qëllimeve të autorit dhe ndonjëherë përtej asaj çfarëështënjëvepër letrare si e tillë.

Sa herë flitet për këto raporte, mua më pëlqen ta citoj Oscar Wilde‒in, i cili shkruante: “Për ne që merremi me art, nuk mund të pranohet asnjë teori për të bukurën, në këmbim me vetë të bukurën”. Duke u nisur nga ky parim, atëherë, një lexim semantik dhe artistik i një vepre letrare për mua ngjason me një shtegtim, thënë ndryshe, me një udhëtim, në një botë të panjohur, në një botë ku ndeshim katedrale madhështore, ura dhe humnera, fusha, male dhe lumenj, njerëz të bukur dhe të shëmtuar, që bien në dashuri e ndahen, sisteme politike të çmendura që tkurrin njeriun në botën e frikës, ndeshim dashuri dhe urrejtje të çmendura, ndërtesa të punuara me shije dhe njerëz që jetojnë në to, me halle e tendosje shpirti, por që dinë edhe të cakërrojnë gotat e lumturisë të mbushura me verë dhe të kënaqen me bukuritë e pafundme që afron jeta, pra, e gjejmë një jetë nëtotalitetin e saj të mundshëm. Pikërisht pse një vepër është njëtotalitet, është e pamundur t’ia paraqitësh lexuesit gjithë këtë përmasë.

Arti i madh i Kadaresë, para lexuesit shfaqet si hapësirë e pafund semantike, gjuhësore dhe kohore, ku përplasen dhe dyzohen, e keqja dhe e mira dhe ku autori, përmes gjuhës alegorike dhe simbolike, thërret të hiqet qafe e shëmtuara dhe të jetohet e bukura. Këtë thirrje letrare e hasim në mënyrë të shkëlqyer te romani “Qorrfermani”, i cili, “ndonëse u shkrua në vitin 1984, për shkak të subjektit tepër delikat dhe të analogjisë së ngjarjes që ndodh në Perandorinë Osmane, me një fushatë spastrimesh tipike staliniste, aq shumë të njohura në të gjitha vendet ish‒komuniste, vepra nuk ishte e mundur të botohej në Shqipëri dhe botohet vetëm pasi autori kishte kërkuar strehim politik në Francë”. Kjo e dhënë jashtëletrare, por parasëgjithash tematika dhe shtjellimi i ngjarjes, e përforcojnë mendimin se, letërsia e Kadaresë, në esencë është një jehonë e fuqishme antitotalitare, një kamp lirie kundër totalitarizmit dhe të gjitha formave të egra të manifestimit të tij.

Në këtë roman magjepsës, lexuesi i Kadaresë e ndien peshën reale të një realiteti tejet dramatik, të vendosur në një perandori të mynxyrshme, në të cilën shqiptarët e pësuan keq. Autori i vë lexuesin përpara makthit të verbimit, pra, të çsyzimti, në një rrëfim mbresëlënës, të mbushur me pikëllim, dhembje, tension, tronditje, dashuri. Kjo prozë është e shkruar me stil rrëmbyes, ndërkaq lexuesi, duke parë si zhvillohet kjo dramë letrare, e ndien fuqinë dhe peshën e frikës së errësirës, skëterrës, që vjen nga verbimi, por më shumë e ndien frikën që përhapin regjimet totalitare. Në një atmosferë të pashpresë, autori e tërheq lexuesin nga e bukura, ngaqë, duke folur për terrin, pra për çsyzimin e njerëzve të dyshuar si sykëqij, në të vërtetë, ai flet për sytë, për dritën, për atë kandilin që rri ndezur përherë dhe i thërret njerëzit kah liria, andejkah e shpien të vërtetë lexuesin kjo prozë e sofistikuar.

Kadare, në këtë roman, edhe njëherë na vë përballë pyetjeve esenciale: çfarë është vërtet bota në të cilën jetojmë dhe cilat janë raportet e pushtetit me njerëzit e një vendi apo me njerëzimin në përgjithësi?

Këto dilema janë shtruar nëpër kohë të ndryshme, nga shkrimtarë, filozofëdhe njerëz të shquar të historisë dhe janë tema të përhershme të letërsisë, e të cilat, te vepra letrare e Kadaresë, zënë vend të veçantë dhe shfaqen në variante të ndryshme kuptimore: si kujtesë njerëzore, prej së cilës ai vjel përherë gjëra të bukura, që shëmbëllejnë me realitetin e vendit të tij dhe gërshetohen me kontekstin kohor në të cilin u shkrua vepra e tij. Në të vërtetë, arratisja e autorit në histori, mite, me një fjalë, nëtë kaluarën e largët, të cilën nuk kishte si ta zotëronte ndokush, janë paradigma letrare, të cilat atij i mundësuan ta formësonte dhe ta tipologjizonte botën autentike letrare, të mbështjellë me një pushtet të përtejmë; pushtet ky i cili ishte përtej mundësive mizore të tiranit dhe ai nuk kishteforcëta mposhte dhe ta mbizotëronte, meqëbëhej fjalë përgjëra të përjetshme.

Kjo arratisje imagjinare, kësisoj, duket si strategji letrare që autori e ka përdorur, për t’i treguar lexuesit për tmerret që u vijnë atyre nga tiranët, pikërisht siç ngjet në këtë roman, ku madje tmerri bie edhe mbi Vezirin e madh dhe me këtë element letrar, Kadare tregonte se, pushtetet sajojnë marrëzira, për të arsyetuar çmenduritë e tyre, duke thënë: “Ja, pra, edhe të mëdhenjtë e pësonin njëlloj si të vegjlit”. Njësoj e pësojnë poetë dhe njerëz të pafajshëm, siç është rasti me poetin e shquar, Tasin Kurtogllu, të cilit i kërkohet llogari “për disa vargje që kishte botuar, si dhe për ca fjalë që kishte lëshuar andej‒këndej me miqtë e tij”. Ndonëse të gjitha akuzave poeti u përgjigjet me jo, duke thënë se ato “ishin shpifje e trillime të sivëllezërve të tij smirëzinj”, ai për një fije qime i shpëton verbimit. Poeti, në fund përfiton nga “zemërgjerësia” e shtetit, i cili mjaftohet me qortim, fakt ky që nuk e kënaq turmën e zemëruar, që kërkon nga zyrtarët verbimin e tij.

Në romanin “Qorrfermani”, Kadare shkruan edhe njëherë për natën e errët shqiptare, për Perandorinë Osmane, ndërkaq, për subjekt ka një familje shqiptare, siç ngjet me romanin e madh, “Pallati i ëndrrave”, me të cilin ky roman ka një lidhje semantike dhe kuptimore.

Pra, në këtë prozë, Kadare rrëfen për një dekret të sovranit të perandorisë, për një dekret të madh, por që kishte emër të shkurtër, “Qorrferman”. Ky dekret absurd, i çuditshëm, por i tmerrshëm, arsyetohet kështu: Meqenëse kohëve të fundit ishin shpeshtuar rastet e goditjes së syrit të lig dhe meqenëse sykeqoja(fjala ishte nxjerrë prej një fjalori të vjetër të shekullit gjashtëmbëdhjetë), kishte rrezik të kthehej në stuhi të vërtetë, shteti, për të mbajtur po aq vetveten, sa edhe shtetasit prej këtij rreziku, detyrohej të ndërhynte me një sërë masash.

Nuk dënoheshin me vdekje, si dikur sykëqijtë, por vetëm u hiqej mundësia e krimit. Dhe kjo bëhej duke u hequr armën dëmtuese, që ishin sytë e ligj.

Pra, dekretohej nxjerra e syve të këtij të të gjithë atyre që do të vërtetohej se ishin të tillë.

Por, pyetja e makthshme që shtrohet është si do të kryhet çsyzimi

Dekreti, siç mund të kuptohet, ishte i makthshëm për të gjithë shtetasit e Perandorisë Osmane, të cilët ndodheshin përpara çsyzimit, pra, heqjes së syve. Dhe, si çdo dekret i madh, edhe ky kishte format e manifestimit dhe të ekzekutimit. Pra, ishin përcaktuar edhe mënyrat e nxjerrjes së syve: bizantino‒veneciane (me hekur me dy gjilpëra), tibetianen (me shtypje gurësh mbi zgrof për të shkaktuar daljen e kokërdhokëve), mënyra vendase (me thartirë gërryese), romano‒kartagjenase (me tepri drite) dhe atë europiane (me mungesë drite), ndërkaq, për të gjithë ata që lajmëroheshin vetë, kishte lehtësira.

Përballë një atmosfere të tillë, njerëzit janë të trullosur, të humbur, të trishtuar dhe të pushtuar nga frika. Në të vërtetë, efekti i parë i këtij dekreti mizor ishte mbjellja e frikës, pra frika nga shteti. Kadare këtu luan mjeshtërisht me logjikën si funksionojnë tiranëtdhe pushtetet e tilla, pushtete që ngulitin frikë te qytetarët, përmes formave të ndryshme të përhapjes së terrorit, siç ngjet në këtë roman. Autori kështu e përshkruan frikën:

Një gjë e njohur, disi e harruar që prej vjetësh, nisi të notonte në erë: frika. Ishte një frikë e veçantë, fare e ndryshme nga ato që përftonin sëmundjet, kusarët, fantazmat apo vdekja: frika prej shtetit. E akullt, pa përmasa, me një zbrazëti të madhe tejpërtej, por që mbushte megjithatë gjithçka, ditë për ditë e orë pas ore, nisi të përfshinte në qerthullin e saj qindra‒mijëra njerëz.

Dekreti për të cilin rrëfen Kadare, natyrshëm dhe habitshëm, shkakton pasiguri, konfuzion, ndjenja ankthi dhe tmerri dhe krejt këtë tendosje shkrimtari e përshkruan, duke rrëfyer në dy nivele: efektet e tij të jashtme, ato që janë publike, dhe ato që ndodhin në një familje shqiptare, që janë personale, dhe lidhen me familjen e Aleks Urës.

Në mënyrë që të arrinte efektin e plotë ky dekret, duhej një fushatë e menduar mirë. E përgatitur mirë, dhe ku përfshiheshin të gjitha instrumentet e shtetit. Fushata kundër sykeqojës zhvillohet shpejt, furishëm dhe,efekti i vërtetë ishte, seflitej hapur për larje llogarish dhe luftë për pushtet midis klaneve politike. Kjo atmosferëkaq e tendosur, me të gjitha karakteristikat e veta, lexuesit i duket sikur kandodhur në Shqipërinë totalitare dhe me personazhe lehtë të identifikueshëm. Të duket sikur verbimi për të cilën rrëfehet është ai i kohës së shkrimit dhe, ç’mund të bënte më shumë një shkrimtar që nuk i shpëtonte syrit të diktatorit, sesa të arratisej në histori dhe të tregonte ferrin osman dhe kështu, analogjinë për ferrin komunist.

Ky roman, ashtu sikurse “Pallati i ëndrrave” dhe shumë romane të tjera, duke përftuar nga e kaluara e shqiptarëve nën pushtimin osman apo ajo e popujve të tjerë, flet për portat ferrit, përpara të cilëve ndodheshin të gjithë dhe brenda të cilit mund të përfundonte secili që vihej në kurthin e syrit të sovranit, që vëzhgonte çdo gjë dhe çdo kënd, me syrin e tij të mbrehtë dhe shpatën e tij të gatshme e mizore për të goditur në çdo kohë. Ndërkohë që kjo furtunë e sovranit bënte punën e vet, “një valë spastrimesh, që të gjithë e ndienin se ishte e fundit, kishte përfshirë gjithë shtetin. Njerëzit s’mendonin veçse si të shpëtonin nga kjo valë, e cila, ngaqë ishte e fundit, ngjante edhe më e hidhur”.

Si në të gjitha veprat e mëdha letrare, edhe në këtë roman, lexuesi ndeshet me dritën dhe errësirën, me pushtetin e frikës dhe të dashurisë së njerëzve për jetën, rrjedhimisht, për dritën. Por fatet e njeriut dhe të një kombi, shteti, perandorie, në regjime të egra, përcaktohen nga çmenduritë e sovranit. E ky mund të jetë një tiran i kohëve të lashta apo i kohës së autorit, që rri në qerthullin e vet dhe nuk brengoset për njerëzit, për ata që bien në pusitë e jetës. Dhe, pikërisht të drejtëve, të mirëve, ua prish ëndrrat, siç ngjet me dy personazhet kryesorë të këtij romani, Marie Urën dhe të fejuarin e saj, Xheladini, të cilët, teksa po përgatiteshin të fluturonin në qiejt e lumturisë, përpara u shfaqet qielli i zi, i cili ua errëson ëndrrat, të ardhmen, shpresat dhe përfundimisht i hedh në humnerë.

Këtë dramë të thellë njerëzore, sidomos momentin kur Maria e kupton nga i dashuri saj se është pikërisht ai në radhën e atyre që duhet të verbohet, shkrimtari e përshkruan duke përshkruar gjendjen shpirtërore të tyre, por edhe kontekstin politik:

‒Po përse? Përse?‒ gati s’klithi ajo.

Vështronte sytë e tij me atë rrjetë të imët bojë hiri, si të kërkonte në të vjegën që mund tëkishte shërbyer si fillim i së keqes.

‒Ti pyet përse, ‒tha ai, duke shkaktuar në fytyrë një nënqeshje të hidhur.‒ Nuk po e fus veten ndër sytë e ndritur, ata që shohin më qartë dhe më larg, në tëardhmen dhe që janë të padëshiruar për çdo pushtet tiranik.

‒O Zot, mendoi ajo. Babai i saj një mbrëmje ikishte thënë pothuajse të njëjtat fjalë.

‒Pra, nuk e fus veten në radhën e mendjeve të ndritura, ‒vazhdoi ai.‒Megjithatë, ka njëarsye që sytë tanë duhet të zhbëhen, zhdukja e gjurmëve.

‒Si? Nuk të kuptova, ‒thotë ajo.

‒Është e thjeshtë,‒ u përgjigj ai.‒Ne jemi dëshmitarë të shumë gjërave qëduhet të harrohen.

‒Kush ju?‒pyeti ajo.

‒Ne që gjer dje kemi shërbyerne komisionet e verbimit. Sytë tanëkanë parë shumë gjëra që s’duhet t’i shihnin, më kupton?

Pra, “Qorrfermani”, pasi mbërrin efektin dhe komisionarët kryejnë punën e përcaktuar nga lart, një ditë, vetë ata duhet të zhduken, që të zhduken gjurmët.

Ironia me të cilën autori e qesëndis këtë ferman, përshkruhet në faqet e fundit të librit. Pasi që dekreti pushoi së ekzistuari, njerëzit më nuk kishin makth e lemeri prej tij, atëherë për të gjithë të prekurit prej tij u shtrua “Dreka e pajtimit”. Ajo u “shtrua në sallën mbretërore të kuajve, ndërtesë që mund të nxinte tryeza për mijëra të ftuar”.

Ç’ironi therëse, ofshan lexuesi!

Të verbrit vërshuan nga të gjitha anët drejt ngrehinës. Pa dyshim, në këtë drekë ka fjalime, ku zyrtarët me patos flasin për të mirën e shtetit, por kulmi është momenti kur lexohet letra e sovranit, i cili fton të gjithë të harronin ç’kishte ndodhur e t’i mbeteshin besnik shtetit.

Kur mbërrin në këto faqe, lexuesi e ndien peshën e madhe të absurditetittë veprimeve të tilla, situata këto që i përjeton në çdo kohë.

Kadare, përmes kësaj proze, tregon se, të gjithë tiranët e të gjitha kohërave, përndizen nga dëshira që të bëjnë zullum, tëpastrojnë terrenin nga“sykëqijtë”, prandaj, të tillëve, të çmendur, nuk duhet duartrokitur.

Kadare, në këtë libër, lexuesit i flet për Perandorinë Osmane, sovrani i të cilit, me një pushtet të pakufizuar dhe të pakontrolluar, donte të pastronte botën nga sykëqijtë. Në të vërtetë, lexuesi i kultivuar këtu e ndien realitetin universal, dhe nën petkun e sovranit sheh dhjetëra tiranëtë tjerë të kohëve dhe kombeve të ndryshme. Secili lexues, kur të përfundojë romanin, e kupton ç‘lemeri shkakton totalitarizmi, të cilin autori e përshkruan përmes ikjes në kohë e hapësirë dhe me një nëntekst të sofistikuar, për t’i dhënë status universal.

Natyrisht, si në gjitha rrëfimet letrare, këtu ka intriga, mashtrime, trille, habi dhe lojë të pafund. Kadare me virtuozitet dhe me stil elegant e përshkruan dramën e personazheve të tij, në një atmosferë mjegullnaje e zymtësie, ku secili mund të mendonte për tjetrin: po sikur ai të dyshonte tek unë. Dhe kjo mjaftonte që ai tëverbohej. Pra, në këtë atmosferë, askush, përveç të verbërve, nuk ishte i sigurt se mund të ndodhej jashtë veprimit të dekretit, dhe siç e kuptuan shumë shpejt të gjithë, këtu mbështetej pikërisht fuqia hijerëndë e Qorrfermanit, shkruan Kadare.

Shkrimtari, me nota tejet delikate dhe njëkohësisht lirike, e përshkruan dramën nëfamiljen e Aleks Urës, aty ku vajza e tij,Marie Ura, përgatitej të martohej me Xheladinin, zyrtarin turk.

Maria është një personazh fantastik. Plot jetë dhe gjallëri, ajo përshkruhet si vajzë e dëlirë, e çiltër, plot hire dhe pa kurrfarë hezitiminoton nëpër ujërat eëmbla të seksit, ndonëse ende e pamartuar. Skenat që përshkruan autori përbrenda mureve të shtëpisë së saj, janëpeizazhemahnitëse letrare. Maria mbyllet në dhomën e vet, zhvishet dhe me orë të tëra provon të brendshmet e saj para pasqyrës, dhe kur ka fatin të ketë të dashurin aty, provon ëmbëlsinë e seksit, si njëndjenjë fisnike njerëzore. Ajo e pasionuar nuk ëndërron për asgjë tjetër, nuk çan kokën për politikë, pos që pret të martohet dhe të rrijë me orë të tëra me burrin e saj të zhveshur, siç ka dëshirë. Por kjo ëndërr i këputet, sepse burrit të saj të ardhshëm, pak kohë para se të martoheshin, i jepet vendimi që të çsyzohet, pra atij do t’i hiqen sytë, do të verbohet. Drama është e madhe, e pamatshme, e papërshkrueshme, është dramë e shpirtit të tronditur që, duke ëndërruar qiejt e lumturisë, përnjëherë bie në skëterrë. Skenat që jep Kadare në roman, lexuesit i mbesin gjatë në kujtesë. Sidomos momenti tejet tragjik, kur Maria, në kulmin e kënaqësisë, e kupton se kështjella e saj po shembet.

Xheladini është personazh tragjik, që ka fatin e qindra e mijëra viktimave të sistemit. Ai i duhet sistemit për t’i zhdukur gjurmët, prandaj duhet të dënohet. Lexuesi ndien dhembje për të, si dhe mefatin e tij, që rrëzohet përtokë.

Romani “Qorrfermani” është shkruar me mjeshtëri, ku përshkruhet me nota dramatike pushteti i frikës që buron nga tirania, por aty ndeshim gjithashtu pushtetin e dashurisë së madhe dhe të heshtave vdekjeprurëse që e godasin atë. Vetëm një mendje gjeniale si ajo e Kadaresë, me një talent të pashoq, ka mundësi që me kaq mahnitje, tension, pasion dhe dhembje, të krijojë një roman kaq dridhmues dhenjëkohësisht, të shkruar kaq bukur.

Autori, edhenë këtë roman, siç ngjet në shumicën e veprës së tij, ka provuar suksesshëm fuqinë e epërme të letërsisë, si gjuhën dhe mendimin, për të treguar ekzistencën tonë dhe sfilitjet përballë pushtetit dhe formave të tij të egra, kur ai stërkeqet dhe tenton të kontrollojë gjënë më të çmuar të njeriut: lirinë.

Letërsia e Kadaresë përpara lexuesit shfaqet si hapësirë e pafundme ëndjesh e ardhjes. Autori e arratis lexuesin në histori dhe e rikthen në aktualitet, përmes fuqisë së rrëfimit, letërsisë dhe veprave të shkruara me sqimë dhe gjenialitet. Vepra e tij shfaqet si zbulim mahnitës, ndërkaq, shkrimtari, me erudicion letrar, përherë arrin t’ia paraqesë lexuesit një botë të veçantë, me bukuridhe shëmti dhe ku kufijtë e të mundshmes dhe të pamundshmes shfaqen e zhduken, si portat e ferrit dhe të parajsës. Padyshim nëpër këso labirinte artistike, mund të shpie vetëm imagjinata e një shkrimtari pa caqe gjuhësore dhe me imagjinatë pa kufij.

Please follow and like us: