Albspirit

Media/News/Publishing

Imami Bekim Jashari, zëri kosovar kundër ekstremizmit fetar

Mund të ketë gjithmonë një kohë më të përshtatshme për të folur më hapur. Ndoshta më shumë për konformistët dhe më pak për idealistët e religjionit. Bekim Jashari ka zgjedhur të flasë tash. Ai është njëri nga ata në grupin e vogël të predikuesve që nuk heziton të përfshihet në debatin publik.

Para se ta udhëheqë ceremoninë e faljes së xhumasë në xhaminë e Ballovcit në Podujevë, Jashari ka zgjedhur për ligjëratën e së premtes disa elemente esenciale të besimit mysliman. Derisa xhemati pret thirrjen e tij për përulje para Zotit, ai u citon atyre dy pjesë të rëndësishme të Kuranit: njëri thotë se “nuk ka dhunë në fe” e tjetri “ne fenë tonë, e ju fenë tuaj”.

Por, kush është imami llapjan që ka nxjerr çështjen e religjionit edhe jashtë xhamive dhe thirrja e tij po kumbon përtej ezanit poshtë dhe lartë minareve.

Jashari kryeson Bashkësinë Islame në Podujevë, një ndër regjionet ku ka numër të madh të xhamive të ndërtuara apo renovuara me financim të organizatave arabe, ndikimi i të cilave pas luftës së vitit 1999 u forcua si asnjëherë më parë.

Ai është imam në xhaminë e cila është ndërtuar nga një fondacion i Kuvajtit, dhe është emëruar së voni “Dëshmorët e Kombit”. Xhamia është ndërtuar kryesisht bazuar në arkitekturën saudite.

Me një xhemat të ri, shumica nën 35 vjeç, që nuk shkon përtej 200 personave në pikun e ritit të së premtes, imami nga Obrangja e Podujevës e ka parë të udhës të vendosë edhe një platformë online.

Për ta bërë këtë më të qasshme për masën e cila është në mjegull sa i përket informacionit që duhet ta konsumojë në aspektin fetar, nisma e tij tashmë është shpërndarë nëpër billborde rrugëve të qyteteve të Kosovës.

44 vjeçari prej dy vitesh udhëheq portalin “Fol Tash” me idenë për t’u kthyer në një zë për fetarët dhe laikët.

“Nuk mund të mohohet fakti që në Kosovë e sollën një islam ndryshe, një Islam që ka shenjat e qarta të radikalizmit”, thotë ai.

Me këtë ai pretendoi të sjell një alternativë të komunikimit fetar.

“Nuk mu duk mjaft të mbetem vetëm këtu në xhami. E themeluam një portal dhe jemi në terren…”, thotë ai.

Ai ka mbledhur disa imamë që punojnë për këtë portal në përpjekje “për të krijuar një kundërmesazh ndaj një rrjedhje të fuqishme propaganduese të islamit radikal që ka vërshuar sidomos mediat sociale”.

Pavarësisht qëllimit, Jashari shfaq ndjesinë se veprimi i tij nuk u mirëprit nga udhëheqja e Bashkësisë Islame, kushtetuta e së cilës nuk rregullon krejtësisht këtë çështje.

Në vitet kur vendi është kthyer në eksportues të mbi 300 luftëtarësh në Siri dhe Irak dhe ekstremizmi islamik ka bërë goxha strehë në vend, Jashari po i bie fort nevojës për të forcuar mburojën e islamit tradicional.

Por çfarë duhet të jetë marrëdhënia mes Islamit dhe shtetit në pikëpamjen e këtij imami?

“Ne i përkasim një modeli të mirë ku feja është e ndarë nga shteti dhe kështu duhet të jetë”, thotë ai.

Në fakt bashkë me shfaqjet anti-ekstremizëm, kreut të Bashkësisë Islame në Podujevë iu rritën kërcënimet. Thotë se u bë cak i kërcënimeve nga elementët që ai i identifikon si fetarë radikalë. “Të qenit kundër ekstremizmit fetar përbën një kërcënim”, thotë ai.

Në fillim të viteve 1990, Jashari ishte një nga të rinjtë që tregoi interes për Islamin dhe politikën. Ai ishte ndikuar shumë nga shkolla e Medresesë “Alauddin” në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollës në Kosovë, ai i vijoi studimet e shkencave islame në Jordani e më pas studimet post-diplomike në Liban. Këto, ai i quan si shkollat më liberale të Islamit.

“Edhe në Islam ka pluralizëm, por deri në një masë që nuk cenon të tjerët”, thotë ai.

Megjithatë përfshirja e liderëve fetarë në diskursin publik jo çdo herë është parë si diçka që ushqen debatin shoqëror.

Jashari, një imam produkt i shkollave arabe, mendon se komunikimi mes segmenteve shtetërorë dhe fetarë në “një formë pa përplasje kontribuon në demokratizimin e vendit”.

I rritur në një regjion ku mejtepet kanë qenë shkollat e para, ai po shpenzon më shumë nga koha e tij duke predikuar për bashkëjetesën midis feve dhe etnive.

Në bindjen e tij, ndërveprimi midis shtetit laik dhe religjionit nuk ka pse të jetë një konfrontim.

Pranvera Arabe që nisi disa vite më parë si revolucion popullor ndaj diktaturave në disa të vende të Lindjes e cila kulmoi në konfliktin në Siri, nxori në shesh një monstër religjioze, siç përshkruhet Shteti Islamik, ndërsa në Kosovë zgjoi një ideologji radikale në rritje.

Në debatin për ndikimin e religjionit në marrëdhëniet midis fesë dhe politikës përtej agjendës së Bashkësisë Islame në Kosovë, Jashari thotë se ligjërimet jashtë objekteve të kultit kanë nxitur islamin radikal, antiamerikanzimin dhe antisemitizmin.

“Islami nuk synon mbizotërimin. Ka zëra fetarë dhe elementë politikë që synojnë shtetin islamik. Këta burojnë nga ideologjitë ekstremiste që luftojnë ta kthejnë këtë vend në xhihad”, thotë ai.

Xhemati brenda rrethojave të xhamisë, imamin që përdor rrjetet sociale dhe mediat online për t’u përfshirë në debatin shoqëror e vlerësojnë si një “imam i vërtetë “.

Duke bërë shenjë kah një flamur shqiptar i varur në minare, një nga ndjekësit e riteve në xhaminë e Ballovcit, Shemsi Humolli, thotë se Bekimi “është një imam për të gjitha moshat e xhematit”.

Veprimtaria dhe ligjëratat e tij nuk i pëlqyen të gjithëve. Ai u kërcënua përmes një video të cilën e kishte pranuar në portalin e tij që ka përmbajtje kundër ekstremizimit. Pak kohë pasi u kërcënua, Jashari ishte bërë pjesë e një kampanje të shoqërisë civile për vetëdijesim kundër ekstremizmit fetar, nëpër disa shkolla në regjionin e Podujevës dhe Prishtinës.

Por një ditë vjeshte të 2016 broshurat e tij përfunduan duke u hetuar në polici. Përmbajta në shqip e tyre rezultoi të ketë qenë e pakuptueshme për një mësimdhënëse në Podujevë që kishte lajmëruar policinë për “përhapje e propagandës fetare”, ndonëse ato flisnin për të kundërtën. Broshurat ishin pjesë e një kampanje kundër ekstremizmit. Në qendër të saj është mesazhi se “pjesëmarrja në luftëra dhe konflikte të huaja të shkatërron ty, familjen tënde dhe dëmton vendin”.

Gjatë viteve të tij të hershme ai nuk i ka parë mediat si diçka në duart e imamëve që formësojnë bindjet dhe ndikojnë te besimtarët. Tani ai shpreson ta hapë një kanal televiziv për të zgjeruar edhe më shumë luftën kundër ekstremizimit.

Ai e sheh një rrezik për islamin.

“Islami politik është kërcënim për vetë Islamin”, thotë ai.

Ai është aktiv edhe në debatin publik që bëhet për ligjet që prekin fenë. Prej dy vitesh Qeveria nuk ka mundur të kalojë ligjin për fetë, me të cilin për herë të parë komuniteti mysliman ndahet në dy organizime dhe Tarikatet nuk do të jenë më nën ombrellën e Bashkësisë Islame. “Ndarja e Tarikateve tregon frymën jo unifikuese brenda BIK. Kjo nuk është dashur të ndodhë”, thotë Jashari

Në tavolinën stërmbushur të zyrës së tij në Prishtinë, shkresat e fletushkat që luftojnë ekstremizmin fetar, tingëllojnë gjithashtu si një kundër-narrativ ndaj piramidës kontroverse të religjionit në vend. /Kallxo.com/

Please follow and like us: