Albspirit

Media/News/Publishing

Gustav Flaubert, mes shqiptarëve dhe prostitutave

Floberit i pëlqente shumë Orienti, madje, siç shkruajnë në kujtimet e tyre shkrimtarët Edmond dhe Jules de Goucourt, nganjëherë, atje në Croiset të Normandisë, ai vinte çallmën dhe vishej me rroba orientale, thjesht për t’u argëtuar me ata

Një nga udhëtimet më mbresëlënëse të Floberit ishte ai drejt Egjiptit dhe Orientit që ndërmori bashkë me mikun e tij, shkrimtarin Maxim du Camp. Floberi kishte studiuar për Drejtësi, ndërsa Du Camp për Mjekësi. Ai e çmonte shumë mikun e tij. “Floberi lexonte shumë shkruante ai, – dhe kishte një kujtesë të jashtëzakonshme. I ngjante një fjalori të gjallë”.



Ata u nisën në fund të tetorit të vitit 1849, ku në Kajron e Mehmet Aliut qëndruan gjatë tetë muajve. Arnautët e thërrisnin “Abu sherrep”, që do të thoshte “babai me mustaqe”, pasi Floberi i shëndoshë tregonte i madh në moshë. Në Kajro vizituan dhe pallatet e vezirit të lavdishëm. Arnautët ishin ngado, pasi ata ishin pjesa më luftarake e gardës së Mehmet Aliut. I gjeje ata në portat e qytetit dhe sheshet kryesore, siç i shohim të pikturuar dhe në shumë nga tablotë e Leon Gerôme, i cili disa herë e vizitoi Kajron në këtë periudhë.

Në letrën që i dërgonte doktorit Jules Cloquet nga Kajro, ai i shkruante se këtu “njëherësh sheh popin grek, arnautin me një xhaketë të qëndisur, koptin me një turban të zi apo beduinin e shkretëtirës të veshur me të bardha dhe me fytyrën e tij ngjyrë kafeje që ecën ngadalë”… Por Floberi dhe Du Camp do të zbrisnin drejt Nilit për të parë Karnakun dhe Luksorin; ai e rrojti kokën dhe u vesh si arab.

Në jug, ata ndaluan dhe në Esneh, i njohur atëherë për prostitutat e famshme që ishin mbledhur atje, meqë Mehmet Ali Pasha i kishte dëbuar ato nga qytetet e Kajros dhe të Aleksandrisë, që ta ruante kryeqytetin nga shthurja. Dihet që një nga imazhet më ekzotike të Egjiptit në atë kohë, veç piramidave dhe tempujve të vjetër të faraonëve, ishin dhe valltaret e kafeneve dhe mejhaneve, të cilat në gjuhën arabe quheshin “almée”, pra “a’ualem” që donte të thoshte “e ditur”, pasi ato luanin një valle në striptiz. Ishin valltare dhe prostituta, të cilat me një dekret të posaçëm, ishin degdisur përgjatë Nilit, drejt Egjiptit të Sipërm, pra drejt qytezave në mes të shkretëtirës, tutje drejt Karnakut, Beni Suef, Esnah etj.

Do të ishte vërtet një skenë e mahnitshme filmi përzënia e valltareve të bukura dhe dëbimi nga qytetet e tyre të dashura e plot klientë perëndimorë. E megjithatë, “almée”-të, herë arabe, herë kirkize, armene etj., nuk e kishin humbur gëzimin e jetës dhe nuk kishin rënë në dëshpërimin pa fund. Ato përsëri do të kërcenin dhe shpesh nëpër kafene, spektatorë dhe klientë të tyre do të ishin dhe ata arnautë të ashpër dhe të pafjalë që ishin bërë zotër të Nilit dhe të shkretëtirës.

Më 1 dhjetor 1849, Flober i shkruante mikut të tij, Louis Bouilhet: “Pardje ishim te një grua që na solli dy femra për t’i pasur në shtrat. E bëra atë punë mbi një cohë, ku më parë kishin qenë disa mace, një e bërë e çuditshme, pasi shikonim njëri-tjetrin dhe s’flisnim. Vështrimi dyfishohej nga kureshtja dhe pataksja. Por nuk bëra dhe aq qejf. Seksi i tyre ishte i rruar çka të krijonte një efekt të çuditshëm. Por megjithatë, mishin e kishin të fortë, si bronz. Ajo imja kishte vithe të mrekullueshme…” Dy francezët shkruanin çdo ditë në ditarët e tyre përshtypjet e udhëtimit. Du Camp kishte shënuar se «pamja e një shqiptari bënte të zhdukeshin të gjithë nga Nubia». Në Luksor, Floberi shkruante për arnautët:

“Esneh. E mërkurë 6 mars. Mbërrijmë në orën 9 të mëngjesit. Qyteti është me shtëpi prej balte, si gjithë qytetet e tjera. Në shesh, një kafene me arnautë… Madje një arnaut përpiqet të ngjitet me gjithë kalin në një shkallare”. Pikërisht në Esneh, në një han, ata kishin qenë të pranishëm në vallet e këtyre prostitutave që i quanin «almé» apo «ghaëazie», ku mes tyre ishte dhe Safiah, ish e dashura e Abaz Pashës, djalit të Mehmet Aliut, si dhe e famshmja Kuçuk-Hanëmi, (apo ndryshe princesha e vogël), trupat e të cilave ishin me tatuazh dhe duart e krahët plot byzylykë.

Vonë në mbrëmje, kur Kuçuk Hanëmi kërceu “vallen e bletës”, e cila përfundonte nudo, atyre që u binin veglave u mbylleshin sytë. Në një tablo të Gérôme, duken arnautët që ndjekin vallen e tyre. Ja si e përshkruan ai skenën kur kishin ndalur në shtëpinë e Kuçuk Hanëmit: “… Bashkë me delen e saj, Bambeh na prin duke shtyrë portën dhe ne hymë në një shtëpi me një oborr të vogël, ku përballë portës shquhen disa shkallë. Ballë nesh, në atë mjedis të rrethuar dhe nën një copë qielli blu, shfaqet një grua, me ca pantallona ngjyrë rozë e cila qëndron në këmbë, me torsin e saj të mbështjellë me një garzë në ngjyrë vjollcë të mbyllët. Sapo ka dalë nga banja dhe nga gusha e saj shpërndahet një aromë terebentine…

Ajo nis të na parfumojë duart me një lloj kolonje. Hyjmë në katin e parë dhe kthejmë në të majtë të shkallares, drejt një dhome katrore, të zbardhur me gëlqere ku ka një divan, dy dritare, njëra që shikon nga malet dhe tjetra nga qyteti… Kuçuk hanëmi është një krijesë e gjatë, tepër e bukur dhe më e bardhë se arabet. Është nga Damasi dhe lëkura e saj, veçanërisht trupi, ka një ngjyrë të kafenjtë. Kur ulet, anash, në ije, i duken disa palë lëkurë në ngjyrë bronzi. Sytë i ka të zinj dhe të mëdhenj, qerpikët të zinj, flegrat e hundës të holla, supet të fuqishme dhe gjinjtë e bëshme në formë molle. Mban një «tarbush» të gjerë në ngjyrë blu, e cila zbukurohet ne majë nga një lloj disku në ngjyrë ari në majë të të cilit dallohet një gur jeshil që i ngjan një emerodi. Topthi i tarbushit të saj blu që është shpalosur si një freskore, zbret duke i përkëdhelur supet…

Na pyet nëse duam të kënaqemi. Që në fillim Maksimi kërkon të kënaqet së pari me të dhe bashkë zbritën në sallonin poshtë në të majtë të hyrjes së oborrit. Pas zotit Du Camp ishte radha e zotit Flober. Pastaj erdhën muziktarët. Filluan të luajnë me një lloj violine të rrumbullakët me dy qime kali, e cila përfundon me një shufër hekuri që mbështetej në tokë… Kuçuk hanëmi dhe Bambeh nisën të kërcejnë. Vallja e Kuçukut është brutale dhe me goditje vithesh. Ajo e shtrëngon grykën me veshjen e saj në atë mënyrë që dy gjinjtë lakuriq t’i afrohen dhe të ngjiten me njëri-tjetrin. Për të kërcyer, ajo vendos një lloj brezi të lidhur, një shall të errët me vija ngjyrë ari dhe tri xhufka të varura…

Tek Kuçuk hanëmi rivijmë një ditë tjetër. Katër gra të ulura radhazi në divan këndojnë. Zbres poshtë me Sofia Zungarah, një femër qejflie tepër e shkathët, si një tigër i vockël. Por e bëj pis divanin. Pastaj më vonë zbres poshtë edhe me Kuçuk hanëmin. Duke e puthur në shpatull, në dhëmbët e mia ndiej gjerdanin e saj të rrumbullakët. Seksi i saj me lapra në ngjyrë veluri më bëri të shkrihem fare dhe të përlyhem. E ndjeva veten si një përbindësh. Kuçuku na kërceu «vallen e bletës». Ajo u zhvesh duke kërcyer dhe ashtu lakuriq mbante veç një copë lecke. Në fakt, kërceu për pak kohë dhe nuk donte t’i harxhojë forcat në këtë valle. Pastaj me Kuçukun ramë të flinim.

Donte të rrinte në cep të shtratit. Trupi i saj ishte me djersë, meqë kishte kërcyer. Kishte ftohtë. Pas një përpëlitje, bëmë dhe një seks tjetër. Pastaj ajo fjeti me dorën e saj në timen, me gishtërinjtë e futur ndër të miat. Gërhiste… Në orën 2 e treçerek të natës ajo u zgjua dhe përsëri bëmë seks. Gjithë ngrohtësi shtrëngonim duart. Mendoj se të paktën ne duheshim”. Në një letër që Floberi i dërgonte mikut të tij, Louis Bouilhet më 13 mars 1850, nga brigjet e Nilit, për Kuçuk hanëmin ai shtonte: «E thitha atë gjithë tërbim: trupi i saj ishte me djersë. Ishte e lodhur nga kërcimi i gjatë. Kishte ftohtë. E mbulova me peliçen time dhe ajo fjeti me gishtërinjtë në duart e mia. Sa për mua, as që vura gjumë në sy. E kalova natën me ëndrra të pafund…»

Por aventura me arnautët nuk do të mbaronte këtu. Floberi do të pikëtakohej përsëri me ata në Jerusalem, siç shkruan ai në ditarin e tij, më 11 gusht 1850. “Kohë më kohë ndonjë arnaut i armatosur duket që zbret në rrugët e tatëpjeta dhe bosh”. Më pas ata nisen drejt Jeriko-s, siç shkruante Du Camp: “Në një fortesë të hallakatur u pritëm nga Muhamet Aga.

Të nesërmen, të shoqëruar nga tre sheikë dhe katër arnautë, të gjithë të armatosur gjer në dhëmbë, u nisëm drejt lumit Jordan dhe ndaluam në një manastir murgjish ortodoksë të quajtur Mar-Sabah, ku në një bodrum ruheshin kokat e priftërinjve të masakruar nga beduinët”. Të nesërmen, siç shkruante Du Camp, ata u nisën: “Përpara, konsulli francez, Jozef, pastaj Du Camp, Flober, Muhameti dhe shqiptarët… Dy orë më vonë mbërritëm në brigjet e Detit të Vdekur për t’u drejtuar pastaj në malet e luginës Cedron.

Pasi ndoqëm shtratin e një lumi të shteruar e me shkëmbinj të thepisur dhe arritëm në këmbët e një fortese. Një kokë murgu u shfaq dhe pyeti nëse kishim ndonjë letër për patriarkun. Pastaj ai lëshoi një kosh dhe ne futëm letrën. Disa çaste më vonë, porta u hap. Ishte manastiri Mar-Sabah. Ishin murgj grekë dhe në një bodrum ruheshin kokat e priftërinjve të masakruar nga beduinët shekuj më parë». Në kthim nga Jerusalemi, në Mandra të Dafni-it të Greqisë, në janar të vitit 1851, Floberi ka shtuar: “Para se të mbërrijmë, para nesh shtrihet një ullishte dhe përroi i thatë. Në këtë fshat me shtëpi guri flitet shqip…” Edhe kur kalon në fshatin Kryekuq, ai përshkruan shtëpitë dhe thotë se “ky fshat banohet vetëm nga shqiptarët” dhe se “veshja e fëmijëve është tepër e hijshme”. Kur mbërrijnë në Korfuz, në ditarin e tij ai shtonte: “Tutje, retë nderen në tokat shqiptare…”.

Floberit i pëlqente shumë Orienti, madje, siç shkruajnë në kujtimet e tyre shkrimtarët Edmond dhe Jules de Goucourt, nganjëherë, atje në Croiset të Normandisë, ai vinte çallmën dhe vishej me rroba orientale, thjesht për t’u argëtuar me ata. Në datën 29 mars të vitit 1861, ata kanë shkruar: “Floberi është ulur në divanin e tij me këmbët e kryqëzuara alla-turke. Ai flet për ëndrrat e tij, për projektet dhe romanet që do të shkruajë.

Ai na foli për dëshirën e madhe që kishte pasur, nga e cila nuk kishte hequr dorë, për të shkruar një libër mbi Orientin e sotëm, Orientin me roben e zezë. Dhe ai tregon me entuziazëm skena kontradiktore që ndodhin në Paris, Kostandinopojë apo mbi Nil, për skena të hipokrizisë europiane dhe skena të egra që ndodhin atje larg… Flet për koka të prera për një dyshim apo thjesht për një humor të keq…” /Shqip

Please follow and like us: