Albspirit

Media/News/Publishing

Tregime dhe skica nga Ali Podrimja

ORA E BJESHKËVE TË NAMUNA

 

Gadimsi për dy tre muaj ishte plakur për nja dhjetë vjet. Por nuk mund të mos e kallëzoj ëndrrën e tij. Një natë, thotë ai, gati kishte rënë Ora e Bjeshkëve të Namuna në dritaren e tij. Por, ç’Orë? E bardhë si bora. Isha zgjuar ngadalë dhe e hap. Po ç’bën more, na mërdhive, ishin zgurdulluar grua e çikë. Flini! – u kisha bërtitur. Ka ardhur Ora e Bjeshkëve të Namuna. Dua ta fus në dhomë. – Mos ke luajtur! Kishte thënë në vaj gruaja… E zbrazi edhe një birrë, mbylli sytë fort: A di çka, poet? Në ëndërr e shoh çdo natë se Kosova do të çlirohet. Dhe besoj në gjakun e derdhur… E di edhe pse, të gjithë frikacakët kanë ikur nga atje… Loti iu rrokullis faqes së rjepur, mbi buzën e çarë iu ndal dhe i piku mu në gotë…

Dikur prajti kur nën dritaren time u thye një saksi nga një mace. Kishte rrëshqitur nga pjergulla ajo. Copat e saksisë i mblodha në mëngjes. Megjithatë, unë nuk besoj në fatin qorr edhepse macja ishte e bardhë…

(Aachen, 1994).

 

VAJI I BURRIT

 

Pas kthimit të shqiptarëve në rrënoja kishte shkelur njëri pak më vonë. Në cilën derë kishte trokitur, të njëjtat fjalë i kishtë thënë: gëzohem që ju shoh gjallë, gëzohem që ju shoh gjallë… gëzohem. Dhe ishte ulur dikur pranë një pragu e kishte qarë…

Kallëzojnë refren më madhështor nuk ishte dëgjuar moti në Kosovë.

(Ulpianë, 2000).

 

PASQYRA

 

Nuk ishte parë as dëgjuar, por kishte lakmuar të jetë dikushi më në fund. Vendos ta bëjë spirra-spirra. Aty ishte mbyllur dhe veten e kishte parë tepër të frikshëm. Pasqyra derdhet para tij dhe derdhet ai para thërmijave të saj. Veten tevona e kishte kërkuar, por mungonte ajo. Nuk mund e shihte veten aq të vogël. Nëpër thërmijat, që i kishte mbledhur, megjithatë, veten nuk e shihte tamam. Kishte veneruar atë hijen, që iu kishte dukur tepër gërditëse. Përfytyrimit i mungonte drita, tërësia.

Unë kisha qenë spektator rasti. Kisha shikuar këtë palaçiadë. Më vonë historianët këtë do e quajnë me gjithfarë epitetesh, ndoshta edhe farsë shqiptare. Por detyra ime e parë ishte të krijoj Pasqyrën e re. Së pari, nuk ka nevojë ta shohë veten aty; së dyti, përpjekjen për të kthyer qetësinë, nishanin, zgataraqjen time të lirë është punë e shenjtë. Njeriu ka nevojë të ngulë në dheun e vet më shumë se të rrijë varur në një karrige ajrore të dikujt. Dhe kur mendoja se i kisha kryer të gjitha, kërkova të nderuarin, që e kishte bërë spirra-spirra Pasqyren.

Hafijet e hyqymetit kishin lajmëruar Kapon se ai që kërkohej, e kishin parë të varur majë një lisi në karadakllëk. Nuk i kishte frikësuar shumë luhatja e tij në ajër sa figura e tmerrshme e një ulkoje, që ishte kacavarur për atë trup të pashpirt, nga i cili ëndërronte se do të lindte një trim më të çartur. E kishin shkoqur me rrëmbim. Kapoja me dorën e vet ia kishte prerë me një të rënë haletet e viktimës. Gruaja, që i ngjante ulkonjës, ishte lëshuar karadakllëkut, duke këlthitur se do të lindë atë të vërtetin. Në Vilajet dikujt iu kishte kujtuar Sefë Kosharja, por nuk ia kishte mbajtur ta thotë. Të varurin e kishin mbështjellë në një lëkurë gale dhe e kishin hedhur në hon. Flitet se Homeri plak ishte përpjekur t’i gjejë vend në poemat e tij këtij trimi dardan, që hija i luhatet ende në degë. Nuk di më tutje se ç’është bërë me atë ulkonjën: ka lindur apo jo. Rrëzë atij lisi një udhëtar kishte lënë një Ditar. Aty shkruante edhe këtë: azgan, po budalla. Unë iu tregova vetëm shkakun se të dalë nga Pasqyra, vetja iu kishte gërditur atij. Do ta krijojë kush Pasqyren, ku të shihemi tamam?

 

TRAGJIKA E NJË FJALE

 

Skaj Lëndinës së Lotëve, ndoshta, por nuk dihet te cila piramidë, ishin takuar befas dy veta pas shumë dekadash. Rreth njëri-tjetrit ishin sjellë frikshëm, nën vetulla duke u shikuar, pastaj ishin parë drejt në sy. Duke marrë frymë thellë, kishte pyetur i tejmi: Shqiptar? Shqiptar. Ishte gjegjur i këtejmi. Do të thotë, nuk qenkemi vetëm. Kishte thënë njëri.

Edhe pakëz ishin shikuar. Piramidës iu kishin sjellë edhe nja dy herë. Dikur kishin zënë vend rrëzë një lisi të çarë. Kishin ndërruar nga një cigare. Njëri fitilin prej duhanit kaçka, tjetri tarabosh. Kishin nisur t’i shpeshtojnë fjalët. Kishte pyetur i tejmi: Si i thoni bukës? Bukë. Iu kishte gjegjur i këtejmi. Po kripës? Kripë. Ujit? Ujë.

Dhe pas çdo pyetjeje e përgjegjeje, i këtejmi çudshëm kishte shpëluar dhëmbët, pakëz të nxirë nga nikotina e duhanit të sertë, të cilët ia kishte veneruar i tejmi sapo ia kishte hedhur fitilin. Më vonë iu kishte çaraveshur fytyra, iu kishin shpëluar tërë dhëmbët kur i tejmi kishte pyetur diç banale, që nuk i shkon logut të kuvendit. Si i thuani kësaj? Dhe kishte vënë dorën aty ku nuk e vë burri. Ishte matur e çmatur i këtejmi ç’përgjigjeje t’i jepte. Një tis terri i kishte rënë syve. Mezi ishte dëgjuar: Zuzë. Zuzë, bythës? Po, Zuzë. Prapë disi ia kishte theksuar fjalën i këtejmi. Do të thotë, zuzë? Vërtet, zuzë! Bash zuzë! Zuzar, demeke. Nga Zuzaria. Ashtu! Vendi? I këtejmi kishte lëvizur dorën ç’i merrte syri.

Një gaz i madh ishte derdhur tevona luginës së thellë e ishte ngjitur kreshtave e prapë ishte rrokullisur tatëpjetë Grykës e ishte fundosur diku atje poshtë te një ujë i akullt. Kishin qeshur të dytë aq shumë, pa e ditur asnjëri se pse qeshnin. Më vonë si me shpatë ishte prerë gazi. Kishin pirë edhe nga një fitilaq. Kishte rënë një qetësi thuaj se asgjë nuk kishte ndodhur pak më parë. Prapë fjala zuzë ishte zënë ngoje dhe komentime gjithfarësh rreth saj. Mendueshëm kishte thënë njëri: Eh, nënën e nënës, na paskan vënë në mes gurin e vdekjes për një fjalë! Sy më sy rreptas ishin shikuar e besatuar pastaj.

Në këmbë kishin brofur tërë zjarr. I ishin sjellë edhe njëherë piramidës aty skaj Lëndinës së Lotëve ndoshta, ose te Kepi i Vashave. Ishin shikuar flakas në sy: Shqiptar qenke? Më duket se po. Kishte shtuar tjetri. Ishin përulur nga guri i vdekjes. Krisma ishin dëgjuar e zjarri kishte rrahur shpate e lugina. Qetësia bërë fije fije. Nuk dihej nga cila anë dëgjoheshin ato: Shqipëri këndej, Shqipëri andej e guri i vdekjes mes tyre. Njëri aty kishte mbetur shakullë. Tjetri e kishte hedhur në shpinë. Ishin lëshuar nuk dihet nga, se në të dy anët toka e tyre. Nga larg ia kishin parë njërit këmishën e bardhë prej vekut si merrte ngjyrën e kuqe. Më vonë lulekuqin e këputnin apo ia zdishnin rrobat trimit. Pakkush e dinte.

Thonë i vdekuri kishte kaluruar të gjallin nga guri i vdekjes e tëhu, që na kishin vënë në mes për shkak të një fjale, që nuk ma zë goja ta them…

(Ulpianë, 1995).

 

KOHË QENI

 

Ai ishte krekosur mirë e mirë para pasqyrës. Ishte kthyer vrik në drejtim të kolltukut me një buzëqeshje triumfuesi.

– Vdekja të mos ishte nuk do e lëshoja kurrë – kishte pëshpëritur. Me dorën e djathtë e kishte lëmuar lëkurën e zezë, që e kishte mbështjellë fundekrye dhe me dorën e majtë kishte paluar edhe një ble flokësh në anën e djathtë të kokës së vogël. Çuditshëm e kishte shikuar truproja, zëri i të cilit mezi kishte arritur te veshi i Bajraktarit.

– Lartmadhëri, vdekja të mos ishte nuk do uleshit aty.

Bajraktari e kishte shikuar tërë i mërdhezur. Me dorë kishte urdhëruar pastaj t’ia sjellë kafenë e mëngjesit dhe fjalët pakëz më të imta. Tek përbinte gëllënjkën e parë, kishte vrapuar nga jashtë roja tjetër pa frymë.

– Lartmadhëri, ra zjarri në Vilajet!

– Nuk ka ç’na bën – ishte përgjigjur pa i luajtur qerpiku i syrit dhe me dorën e djathtë kishte zënë një mizë. Vetmevete kishte qeshur pastaj.

– Ra zjarri në mëhallë, Lartmadhëri – kishte alarmuar tjetri, duke rënë hundebuzë.

– Le të bjerë ore – ishte dëgjuar prapë Bajraktari tek humbte më thellë në kolltukun e mbështjellë në lëkurë të zezë. Dhe nga gishtërinjtë pis kishte fshirë edhe ca gjak të mizës, që e kishte mbytur pak më parë.

– Na ra zjarri në shtëpi, burro – ishte dëgjuar Henëmshahja topolake tek rrokullisej shkallëve të Vilajetit të Errët.

Syzgurdulluar kishte brofur Bajraktari nga kolltuku. Kishte fërkuar duart disa herë: Kjo është ëndërr e keqe! E pashë apo ma tregoi kush? Pas ca hapave, përpak ishte shtangur. Njërën dorë me dhembje e kishte lëvizur nga pjesa e prapme e trupit.

– Këtu të mos bjerë…

Dikur rrapëllimë të forta ishin dëgjuar në dyer të hekurta të Kështjellës së lashtë dhe zërat e paartikuluar bëheshin gjithnjë më të fortë. Zbraztësira e sallonit të madh e kishte tmerruar. Vraponte i lemeritur. Kërkonte vrimë ku të fshihet. Por nga xhamat e thyer të dritareve vështirë përbirohej:

– Vdekja! Vdekja paska ardhur… pasha musafin!

Në fund të sallonit truproja, që tërë jetën e kishte përcjellë gjatë kohëve të përjargura, për herë të parë ishte zgërdhirë. Gazi i tij më së paku i ngjante gazit të njeriut:

– Pasardhësi… Çlirimtari. Ose ndonjë zagar më i madh.

Nga brenda kishin rënë dyert. Kolltuku i mbështjellë në lëkurë të zezë, që i ngjante lëkurës së përcëlluar të njeriut, luhatej i zbrazët në krye të sallonit të çrregulluar e të frikshëm. Më vonë ishin dëgjuar hapa në drejtim të tij dhe një gaz histerik. Hijet thyheshin e ndërroheshin, dendësoheshin e blindoheshin. Nuk ishte parë dikur asgjë…

Se ç’ndodhi pastaj, e kuptoni më mirë po qe se e lexoni sërish këtë kallëzim të zi. Më dhemb shpirti t’ua them fundin. Bën kohë qeni.

(Ulpianë, 1996).

 

Marrë nga përmbledhja me tregime “Fundi i mitit”. Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

Please follow and like us: