Albspirit

Media/News/Publishing

Tefik Çaushi: Ana e Ismail Kadaresë

 

 

Që të veprojë e drejta për të dashuruar, kjo dhunti që natyra u ka dhënë qenieve njerëzore, është e domosdoshme që ajo të respektohet jo vetëm nga shoqëria nga tërësi, por sidomos nga çdo pjesëtar i çiftit. Dashuria nuk është diçka që diktohet, ajo nuk kërkohet, nuk detyrohet, nuk përvetësohet, nuk qortohet, nuk … nuk … Kur një vajzë nga një shemër që e dashurojnë, bie në dashuri me njërin prej tyre, nuk ka pse ta ndiejë veten të fyer, të përbuzur a të papërfillur, e aq më pak nuk duhet t’u drejtohet hakmarrjes, urrejtjes, egërsisë. Në dashuri nuk ka qejfprishje. Njeriu i kulturuar dallohet jo vetëm nga pushteti i arsyes, por edhe nga fisnikëria e shpirtit. Duke e çmuar këtë si një nga tiparet thelbësore të koncepteve të reja për dashurinë dhe erotikën, Kadareja i ka kushtuar një tregim të vogël, që është tërheqës dhe të vë në mendime. Titullohet: “Që të mbetet diçka nga Ana”. Takimi i rastësishëm i rrëfyesit me shoqen e fakultetit, Ana Vuksani, i ngjall kujtimet e dikurshme, kur ushqente një ndjenjë dashurie për të, ndërsa ajo nuk e çoi atë lidhje përtej kufijve të miqësisë dhe u fejua me shokun e tij Viktorin. Por befas, rrëfyesi merr vesh nga Ana se ditët e saj janë të numëruara; ajo ka një gjëndër kanceroze në rrëzë të krahut, për çka i lutet ta shoqërojë deri në spital, për të bërë një vizitë mjekësore. Atmosferë pikëllimi dhe tragjizmi. Ndërsa është duke pritur Anën të dalë nga vizita, ai kalon si në një film marrëdhëniet e tij më të, dhe marrëdhëniet e saj me Viktorin. E gjykon rëndë veten për qejfprishjen që i ka ngelur nga ajo kohë dhe për vendimin që kishte marrë për të mos shkuar në dasmën e tyre. Duke kujtuar se Ana do të ndahet një ditë nga kjo jetë, ai ndërton në mendje lloj-lloj projektesh për ta bërë të lumtur atë, për aq sa ajo të rrojë. Është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të. Mungesa e Viktorit në këtë vizitë i ngacmon mendimin se ndoshta ai e ka braktisur. Atëherë … atëherë, po të dojë Ana ai mund  dhe të martohet me të, që ajo të lindë një fëmijë e të mbetet diçka prej saj. Por I gjithë ky shqetësim dhe alarm treten, kur Ana del nga spitali e gëzuar, sepse gjëndra nuk paske qenë veçse një masë dhjamore … Kush i ka lexuar krijimet e Kadaresë, me siguri do t’I kujtohen personazhet e Ana Krasniqit e të Skënder Bernemës, të cilët kufijtë e së drejtës për të dashuruar ia lënë zemrës t’i caktojë. Që të dy janë të pranishëm në romanet “Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncert në fund të stinës”. Simpatik dhe i dashur paraqitet veçanërisht portreti i Ana Krasniqit. Është rasti për të thënë se kishte lindur për të qenë femër. Autori flet për bukurinë e saj, por jo aq për të na e shfaqur sesa për të na ngacmuar që ta përfytyrojmë. Lexuesi e shikon atë si të thuash prapa kabinës së dushit, ku avulli dhe pikat e ujit herë i qartësojnë dhe herë i mjegullojnë hiret e trupit të saj dhe atëherë kur ti pret që ajo të dalë ashtu lakuriq që të fshihet, ajo zhduket si me magji dhe në retinë të mbetet vetëm shëmbëllesa e saj. Nuk është kjo ajo që e bën interesante, por psikologjia e saj femërore. Si shumica e grave ajo do të donte që të jetë një grua tek e cila ngelen sytë e burrave dhe që ajo të jetë e lirë të zgjedhë ndër ta. Ajo është romantike e prirur ndaj dashurive, të cilat mund të dyshohet jo përherë janë platonike. Për të nuk ka kurrfarë rëndësie pamja e jashtme e meshkujve dhe po kështu, nuk ka rëndësi nëse realizohet apo jo takimi me njeriun që do. Kryesorja është që ajo të pëlqejë dikë, të tjerat janë të dorës së dytë. I urren grindjet, vuajtjet dhe psherëtimat e të dashuruarve. Kur një ditë e motra Silva i tregon një histori të rëndomtë dashurie me një arkeolog, midis një mullari, të shoqëruar me shpjegime ndershmërie etj., etj., Ana i thotë: Mjaft, m’u mërzitën këto vuajtjet e tua teatrale. Sikur ta përfytyrojmë këtë ngjarje me kokëposhtë, domethënë që të ishte Ana në vend të Silvës, ajo s’kishte për të dhënë aspak shpjegime e përbetime të tilla, sepse ajo që kishte ndodhur s’kishte të bënte aspak me ndershmërinë, madje kjo nuk hynte fare në fjalorin dhe logjikën e saj. Kjo, s’do të thotë se Ana është e pamoralshme, siç mund ta damkosë ndonjë lexues që vuan nga paragjykime fanatike. Rreth saj dhe shkrimtarit të dëgjuar Skënder Bernema ka një thashetheme të përhapur gjithandej, por s’ka asgjë ta vërtetojë, sepse s’ka asgjë që të ketë shijen e skandalit. Është stili i tyre i të dashuruarit, siç e thamë pa dramë. Që të dyve aq u bën që të tjerët të nxjerrin përfundime me aforizmin ku ka zë s’është pa gjë. Dashuria e tyre është në logjikën e tërheqjes së poleve seksuale, burri do të bëjë dashuri me atë grua që është e bukur dhe seksuale, ndërsa gruaja me atë burrë që është dikush, që e duan edhe gratë e tjera, që mundësisht është në qendër të vëmendjes. Gjëja që urren më shumë në jetë është xhelozia. Por edhe këtë e përballon pa drama. Harruam të themi se ajo është e martuar. Burri i saj, Frederiku, që ka psikologjisur tipin e gruas së vet, ia shfaq herë pas here xhelozinë. Deri këtu mund të jetë e pranueshme, por xhelozia e tij Anës i duket banale, sepse në kundërshtim me mënyrën e saj të të dashuruarit, ajo është plot emra, data dhe vende të qena e të paqena. Megjithëkëtë ajo nuk e urren atë. Ana Krasniqi nuk e njeh as urrejtjen, as hakmarrjen. Faqet e fundit të biografisë së saj mbyllen me një njohje të rastësishme me Besnik Strugën. Tipi i tij e ngacmon fantazinë e fantastikes Anë. Ajo është njëkohësisht aq realiste sa të dijë, gati me siguri, se rruga e saj do të takohet prapë me atë njeri. Dhe kështu ndodh: pas ndarjes me Frederikun martohet me Besnikun. Morali: Lëre zemrën të trokasë si do ajo. Personazhet që kanë koncepte të tjera nga baballarët e tyre për dashurinë dhe erotizmin gjenden te romani “Qyteti pa reklama” që, për çudi, ndonëse bëhet fjalë për vitet pesëdhjetë, pra kur faktori kohë ende nuk do të kishte ushtruar pushtetin e vet në emancipimin shpirtëror të shoqërisë, bash aty marrëdhëniet mashkull-femër janë më të çlirëta. Me sa duket, do të kenë qenë faktorë të tjerë, mosha njëzetetrevjeçare e autorit dhe mjedisi rus me vajzat e bukura e pa paragjykime, që i kanë dhënë veprës atë atmosferë (romani është shkruar në Moskë). Një nga personazhet, Gjon Kurti, shtron pyetjen, përse nuk është lejuar që njerëzit të përkëdhelen edhe në rrugë dhe kudo? Përse të mos puthësh një vajzë në rrugë? Kërkesa është ekstravagante, mund të thoshte dikush atëherë, por edhe tani. Por kaluan dyzet vjet dhe kërkesat e Gjonit mund të mos duken të tilla. Tani të rinjtë puthen në mes të ditës, në mes të rrugës. (Është fjala për puthje thellësisht erotike dhe jo përkëdhelje.) Takon që edhe bllokojnë trotuarin apo ndonjë shteg të ngushtë, sado që mund t’u thuash, me leje mund të kaloj pak. Tekefundit, mund të thotë ndonjë çupkë nuk është ndonjë hata, më e shëmtuar është kur puthen burrat, madje buzë më buzë. (Meqë na doli në shteg puthja ndërmjet burrave, para pak kohe, një gazete kishte bërë një anketë, nëse kjo dukuri qëndron apo lipset edhe në këtë çështje t’u ngjajmë sadopak europianëve. Përmbledhësi i përgjigjeve, pasi e dridhte belin herë majtas herë djathtas, përfundonte se diçka e tillë ka hyrë në traditën e jetës shqiptare e s’mund të bojkotohet. Lind pyetja, në cilën traditë, atë të importuarën apo autoktonen? Etnografët do të na thoshin se në malësi veç sa çokin duart dhe lehtësisht afrojnë dy anët e kokës. Ishte vetëm një parantezë). Ndërsa pyetja që shtroi mësuesi Gjon Kurti nuk cenoi kurrkënd, në jetën e tij personale ai theu një tabu: u dashurua me nxënësen e vet. Tani jemi ne që pyesim: Ishte apo dhe është tabu që edukatori të bjerë në dashuri dhe të hyjë në marrëdhënie seksuale me një nxënëse të shkollës së mesme. Mbetet për t’u diskutuar. Mund të shfaqen gjykime të drejta, por mund të jenë dhe paragjykime. Ndërkaq, vetë jeta e ka dhënë dhe po e jep përgjigjen përditë, sepse siç thamë, zor se mund t’i vësh kufi dashurisë. Shengenin më së pari duhet ta ketë vendosur vetë ajo.

Please follow and like us: