Tregime nga Silke Liria Blumbach
Kaos
Ishte mesditë dhe asgjë nuk ishte gati.
Mbetjet e drekës ngjiteshin në enët. Në dyshemenë e dhomës së fjetjes ishin shpërndarë ca triko e pizhama, dy pantallona, një batanije, qesja me të cilën kishte bërë pazar dhe tri brekë të pista. Dhoma e ndjenjes as nuk përmendej.
I dhimbte koka. Shtëpia sikur dëshironte ta bezdiste. Shtëpia nuk e donte, ndryshe nuk do t’i kryente kaq vështirësi, por do të bashkëpunonte me të në përpjekjet për të vendosur pak rend dhe rregull, gjë që ishte edhe në interesin e vetë shtëpisë. Por shtëpia ishte rebele. Nuk bindej dot. I bënte qëndresë heroike rregullimit duke ia prishur banores së re jetën shoqërore, sepse nuk pret mysafirë në një shtëpi të tillë.
Dhe sot ajo kishte edhe më pak kohë. Vetëm një çerek ore derisa të nisej autobusi i fundit për në aeroport, për ta kapur në çastin e fundit aeroplanin, në të cilin një vend ishte i siguruar vetëm për të, për ta bartur në një vend që gjithashtu ishte bërë enkas për të, i ëndërruar, i përmalluar, i largët. Por para kësaj kënaqësie në ajër gjendej edhe një pengesë e madhe: mbushja e valixhes. Shpejt, sepse ishte mesditë dhe asgjë nuk ishte gati.
I mblodhi trikot, pantallonat dhe një nga pizhamat e shpërndara nëpër dyshemenë dhe i hodhi vrik e vrik në një valixhe të zbrazët mbi shtratin, natyrisht pa i palosur rrobat. Për këtë luks të kotë nuk kishte kohë. Brekët e përdorura nuk i preku fare, por nga sirtari nxori ndërresa të freskëta. Tashti vetëm një palë këpucësh, edhe pesë libra, katër kaseta, ditarin dhe dhuratat e blera ditën përpara duke përfshirë sheqerkat për fëmijët e rrugës. Futi në xhep edhe ca dollarë. Me zor e mbylli valixhen e vogël, kapi çelësin e derës dhe doli nga shtëpia pa e rregulluar – kjo ishte hakmarrja e saj ndaj kësaj shtëpie të pabindur.
Me t’iu afruar aeroportit, i ra në mend se mbi tryezën e kuzhinës, mes pjatave ku ngjitheshin ende pak makarona dhe salcë domatesh që do të kalbeshin ose të mykeshin, mu atje e kishte lënë pasaportën.
Hijet
Hijet vinin nga pyjet përreth, nga shpellat e maleve, nga fundi i lumit dhe i liqenit për t’u derdhur nëpër rrugët dhe rrugicat, për t’u futur në hapësirën e ngushtë midis pallateve. Përhapeshin më shpejt se murtaja. Kudo që shihnin dyer a dritare te hapura, hynin brenda. Si hyrje shfrytëzonin gjithashtu vrima çelësi dhe të çara të holla ku dyert apo dritaret nuk mbylleshin mirë. Vinin në kuzhinat me gaz ose shtufë elektrike për të skuqur një kokërr veze duke zier njëkohësisht një çaj mali. Hynin në sallat dhe odat, shikuan lajmet dhe mbështilleshin në tymin e mysafirëve. Edhe në banjot pa ulëse vinin për t’u larë me ujë të derdhur nga enë prej plastiku me ngjyra të forta. Më në fund depërtonin në dhomat e fjetjes, ku dashuria dhe krimi nganjëherë ishin dy faqet e së njëjtës thikë, dhe përgjonin çdo fjalë të pëshpëritur dhe çdo ofshamë.
Ishin murtaja moderne. Njerëzit i frikësonin sepse në kundërshtim me hijet që i njihnin që nga fëminia, këto hije nuk kishin sende të cilave u ishin ngjitur. Ishin hije absolute, dhe ky absolut e tmerronte popullatën jashtë mase.
Ishte një djalë i vogël, por jo tepër i vogël, që kishte mësuar spanjisht duke lexuar për aventurat e një kalorësi bashkë me një bujk, të cilët talleshin për shekuj me radhë. Megjithatë ishin trima. Talljet, si buzëqeshjet dhe të qeshurat, ishin përpirë nga hijet. Mbetej trimëria dhe Klodi i vogël dëshironte të bëhej po aq trim sa ata.
Meqë nuk kishte mullinj në vendin e tij me të cilët Klodi i vogël mund të kishte luftuar si shembulli i tij i madh, por vetëm një mokër në restaurantin më të mirë të qytetit, Klodi i hipi kalit prej druri për t’u dalë zot hijeve të pafitueshme.
Natyrisht nuk ngadhnjeu, sepse kundër hijeve nuk fitohet dot me shpata dhe lopata ose kuaj druri. As nuk e humbi betejën. Por ndodhi një gjë tjetër, që e shtangu në vend duke i prishur të gjitha ambicionet heroike.
Hija e tij, e cila deri më tani ishte rritur e urtë në këmbët e tij, iu shkëput trupit të tij dhe u bë e pandashme nga hijet e tjera, të cilat vazhdonin shëtitjen e tyre frikëpjellëse.
Kur askush nuk shikoi
Dikur, një herë, kur askush nuk shikoi, Marinela kishte zgjatur dorën. Ishte veshur me fustanin e ri kuq-e-bardhë për të dalë në shëtitje bashkë me dajën, dhe po të sillej mirë, do të shkonin bashkë tek lodrat, dhe ajo mund t’i hipte kalit të drunjtë, që nuk galoponte deri në Trojë, por përshkruante gjithmonë rrethin e njëjtë. Asaj here ajo nuk kishte qenë e urtë, por këtë nuk e dinin as daja as shitësja e ëmbëlsirave. Sepse asnjëri prej tyre nuk vuri re se si Marinela e vogël zgjati dorën, e mbylli përreth një bonboni të kuq në formë të një luleshtrydheje dhe fët-fët e futi shijshmërinë në gojë. Për të mos u zbuluar, u përpoq ta mos përtypte, ta mos fuste mes dhëmbëve dhe faqes dhe të lëvizte gjuhën dhe nofullën me shumë kujdes. Vendi më praktik për ta fshehur bonbonin e vjedhur qe nën gjuhë.
Këtë vjedhje kënaqësie e kujtoi Marinela në kinema kur zgjati prapë dorën si ne atë ditë fëmijërie. Askush nuk shikoi as sot, të gjithëve u ishte thithur vëmendja prej ekranit të madh, ku hajdutët e zgjasnin dorën vetëm për ta vrarë njëri-tjetrin. E mbështjellur në pallton mbrojtëse të errësirës në sallën e vogël të kinemasë, Marinela e zgjati dorën. Sytë e djalit pranë saj vezulluan si xixëllonja kur gishtërinjtë e saj nisën për udhëtimin e ndaluar.
Prapa kapakëve
Jeta kishte kaluar si një lumë i madh i cili, i trashë si një sirenë, derdhej në ndonjë gjiriz përfundimtar. Rëndë peshonin kapakët e syve, që ishin të fildishtë si stoli prej ari, por që u ngjanin më shumë kapakëve arkivoli se mbyllësve të syve njerëzorë.
Ndërkaq metastazat kishin zbuluar dhe pushtuar autostradën e kolonës vertebrore. Liza u kishte zili metastazave të veta. Në fillim ishin aq të vogla saqë futeshin kudo. Liza donte të udhëtonte bashkë me to nëpër qumështin e limfës, ose nëpër gjakun me një trap të rehatshëm prej një rruaze të kuqe.
Por tani ishte vonë për udhëtime të tilla, vonë edhe për aventura të tjera. Gjithë botën e kishte udhëtuar … me përjashtim të trupit të vet. Liza i njihte Indinë dhe Patagoninë me klimën, me vegjetacionin, me zakonet. Ndërsa klima e trupit nuk ishte gjë tjetër veç një bisede mes mjekësh, vegjetacionin e trupit e injoronte sepse ai e neveriste, dhe zakonet prej vjetësh nuk i vinin më.
Nën kapakët e fildishtë, diçka do t’i mungonte përgjithmonë.
Ndoshta në boten tjetër përtej kapakëve, Liza do të bënte të gjitha ato zbulime. Ndoshta do ta shihte veten në ëndërr, me trup të plotë, me asnjë sekret të pazgjidhshëm më. Ndoshta në atë ëndërr – vëlla i gjumit – më në fund do të ishte vetvetja.
Ditëlindja
Plakat turke me shallvare të gjera, kalamaj të pistë dhe mallra për të mbushur çantat e turistëve dhe tenxheret e veta i shikonin me rrudha qortuese në ballë. Në krye të ditës mu në Ramazanin e shenjtë po pinin raki në mes të xhadesë dymijëvjeçare!
“Gëzuar! Gëzuar! U bëfsh njëqind! T’u plotësofshin të gjitha dëshirat!”
Uji i rëndomtë dhe uji i festave u përzien në një gotë plastiku pas tjetrës në një lëng të bardhë, që e humbi tejdukshmërinë. Qumësht asllanësh. Dielli sikur të kishte ndjerë mëshirë për atë krijesë në pragun mes vajzërisë dhe moshës së gruas së rritur, e cila e kremtonte këtë tranzicion në dhe të huaj, larg familjes, larg shokëve, e rrethuar vetëm nga një grup turistësh. Në atë vend ku për ndonjë rastësi torturuese i kishte rënë koka, dielli kurrë s’do ta kishte ngrohur në ditëlindjen e saj.
Turistët e tjerë e mbaruan rakinë, kundruan gurët antikë dhe blenë sy të kaltër. Ciceronja turke e puthi ish-vajzën dhe ende-jo-gruan dhe i dorëzoi dy kukulla të vogla tradicionale prej plastiku. Barinj. Një bari dhe një bareshë, si në përrallën e vjetër që dikush ia kishte treguar para një kohe të gjatë. Baresha nanuriste një çilimi. Gati-e-rritura, që ndihej si vajzë e përhershme, kishte parë një foshnje shumë të lezetshme në ëndërr. Një fillim i mbarë do të thoshte kjo, një zhvillim i brendshëm.
“Kjo xhade e lashtë është rruga e tranzicionit tim, dhe kjo portë madhështore në fillimin e saj, ku sapo kam kaluar, shënon fillimin e këtij tranzicioni, – mendoi ajo me një zemër solemne.
“Shiko një herë!” Një turiste i dha një dylbi. Vajza ktheu kokën. Në një kamare të portës antike ishte strukur një buf. Nuk lëvizej dhe gati nuk dallohej nga blloqet e ngurta. I përgjumur picërroi sytë mes krahëve të vet.
Zogu i Athinës! Vajza-gruaja buzëqeshi. Bufi e ruante Portën e Tranzicionit. Athina e madhe ia kishte dërguar asaj enkas për këtë ditëlindje të rëndësishme. Koha e re do të ishte nën shenjën e Athinës, nën mbrojtjen e saj, me bekimin e saj. Athina, hyjnesha e zanatit, e biznesit, mbrojtësja e grave që punonin, e grave intelektuale, që dilnin në shesh jo vetëm për të bërë pazar. Athina dukej se e donte shumë krijesën e saj në tranzicion.
Gruaja e re e vazhdoi rrugën e shtruar prej atij populli që i lutej Athinës së madhe dhe që madje ia kishte përkushtuar kryeqytetin. Ajo nuk e ktheu më kokën sepse kishte mësuar nga shembulli i Orfeut. Në fund të xhadesë, të asaj toke të askujt midis kohërave, ajo kaloi nëpër portën e dytë për ta vulosur tranzicionin e kryer, me kukullat dhe raki në çantë.
Tani e tutje bufi do të ishte kafsha e saj totemike.
Tiranë 2000