Sotir ATHANASI: Sfida e një përkthyesi adoleshent (2)
Qe muaji prill. Pemët kishin çelur dhe bari ishte rritur goxha. Një grua plakë kulloste lopën këtyre djerrave. S’ishte fshatare, por qe bërë e tillë. Ajo na pa nga larg tek po vareshim tatëpjetë atij shtegu dhe i tërhoqi litarin kafshës që të shkonte në anën tjetër të asaj njomishteje joshëse.
Livadhi i djerrë qe tokë mbujake. Kafsha parapëlqente ajkësinë dhe s’fryhej së ngrëni deri në harbim. Prandaj me vrik lëvizi kokën rrëmbimthi dhe e moshuara sakaq ra në ledh. Shtizat me gjithë thurjen e çorapeve gati e shpuan dhe si dy shigjeta iu kryqëzuan në gjoks për të formuar një kryq. Plaka tha diçka të pakuptueshme që përfundoi me fjalët, o Zot. Mbase mund të ketë parë kryqin dhe ka kërkuar ndihmën e Zotit, për ta marrë në krahët e tij, se lutej për të. Lëmshi prej leshi, që i ra nga xhepi i përparëses, u rrokullis një a dy metra dhe u gjend përpara gojës së kafshës, e cila në çast e ndali kullotjen. Ktheu kryet nga e zonja dhe, si të ishte kone e mbërtheu lëmshin me dhëmbë dhe e bindur erdhi te njeriu i saj si fajtore. Dhe nisi ta lëpijë me gjuhë. Se lopa s’kishte viç. Edhe plaka s’kishte djalë.
Kafsha zgjati qafën mbi trupin e së moshuarës dhe kjo, si luftëtar i plagosur, vuri duart mbi atë zverk dhe u ngrit në këmbë.
Qe një mënyrë e përsëritur se si lopa dhe e zonja i kryenin këto veprime në mënyrë të tillë, që tregonin se nuk bëhej për herë të parë ky zakon e ky ndërveprim.
Plaka si rregulloi shtizat në gjoks dhe si tërhoqi litarin, u nis përpara. Barngrënësja, si ndonjë shqerkë manare, i vajti pas e bindur. Midis tyre qe vendosur harmonia.
Ne ngadalësuam hapat dhe i lamë kohë që ajo të kalonte në anën tjetër të kullotës. Babai ndezi një cigare. Mamaja u kujtua të heqë këpucët me taka dhe veshi një palë të sheshta. Se e dinim: plaka nuk dëshironte të takonte njeri. Nuk i pëlqente të bisedonte me kërkënd. Gjithë ditën merrej me lopën, të cilën e milte çdo mëngjes. Qumështin ua shpërndan-te me shishet e tyre komshinjve. Në gardhin e gjithkujt, ajo bënte nga një shenjë me bixhak, duke hequr pak lëvozhgë nga druri, që në fund të javës të numëronte shenjat e ato t’i kthente në të holla. Kjo ndodhte të dielave dhe të nesërmen shkonte te dyqani i ushqimeve të paguante veresiet. Qe shumë e rregullt. Ashtu, kryeulur, çapitej e fliste me vete. Ndodhte rrallë, shumë rrallë, të këmbente me dikë refrenin e saj të zakonshëm si përgjigje të pyetjes:
– Ç’bën, mëmë Marie?
– Ç’të bëj, ja s’po mbaroj dot këto çorape, – thoshte, – vjen dimri e nipat s’kanë çfarë të veshin.
Kërkush nuk dinte se për ç’nipa bënte fjalë. Se asnjë nuk mund të thoshte se ia njihte ata. Për të dihej se dhjetë vjet më parë e kishin sjellë këtu në një kasolle të braktisur, e cila, dikur, kishte shërbyer për të shitur zarzavate. Dhe se të shoqin e të dy djemtë ia kishin burgosur për politikë. Thuhej se mirë burri që i vdiq në burg, por djemtë ç’iu bënë?! E zonja nuk fliste. Ajo kishte kaluar me muaj të tërë në spitalin psikiatrik dhe shtrohej shpesh pesë vitet e para. Më pas iu bë kronike dhe nisi të gjejë karar me lopën. E kishte marrë mëshqerrë nga tufa në kohën kur po i shpinin në thertore për plan mishi. Dikush kishte thënë se është më mirë “për shoqërinë t’i japim një kafshë të merret me të sesa ta ushqejë kolektivi duke i paguar raportet”. Atëherë sapo kishte filluar të flitej për tufëzat dhe arëzat, këtë perestrojkë allashqiptare. Vonë u dëgjua të thuhej se dy djemtë e plakës kishin ikur në Greqi sapo qenë liruar nga burgu me ardhjen e demokracisë. Por për mëmë Marinë ata ishin martuar, bile ishin bërë edhe me fëmijë. Prandaj ajo përgjigjej:
– Ç’të bëj, s’po mbaroj dot këto çorape se vjen dimri dhe nipërit s’kanë çfarë të veshin…
Dhe po t’i thoshe se presim beharin, nënë Mari, ajo do të përgjigjej:
– E, për ç’behar thua, moj nuse, mua më therin kockat e pritet shi. Ja, shikoje, është nxirë tutje. Dimri i sivjetëm e hëngri beharin. Ai më parë ikën se vjen. Po mall që u rrit bari dhe lopa më jep qumësht.
Dhe po të hidhje shikimin tutje e të vëreje lart kaltërsinë, atëherë do të bindeshe se qe nxirë shpirti i kësaj fatkeqeje, jo qielli.
Thoshin edhe se gjatë natës e shthurte atë që plekste ditën. Nuk flitej gjë për shkakun. Por nuk qe e vështirë të merrej vesh arsyeja. Qe një Penelopë e kohës sonë. Ajo e grekëve priste me durim Odisenë, i cili më në fund do të kthehej. Thjesht mëmë Marinë e gënjente mendja në atë pritje. E, kështu shtynte tutje ato vite-vetmie e në shoqëri me lopën, me të cilën ushqenin njëra-tjetrën, në një bashkëtingëllim të përsosur zoonoz.
3.Qëndronim të heshtur përpara portës metalike të oborrit.
Nga krahu i kundërt i shtëpisë dëgjohej një magnetofon, melodia e të cilit shkëputej që të luhej nga dikush me klarinë. Siç duket muzikanti kërkonte ta mësonte këngën nga kaseta e regjistruar. Melodia qe shumë e bukur dhe në atë vegël ajo merrte një ngjyrim tejet rrëqethës. Se dhe teksti i këngës ishte i goditur dhe jetësor:
KUR NË GJI NA MBANTE NËNA
Kur në gji na mbante nëna
Dhe në djepe duke tundur,
Gjumin e bënte me ëndrra,
Mos qante ndonjë nga çunat.
Dhe refreni vetëm me klarinë, pastaj teksti si ndriçues:
O vëllazëri, e ke kuptuar vonë,
Paske lindur për kusure,
Si një qyqe mbeti nëna jonë,
Pranë oxhakut si kërcure…
Mamasë sime i mbeti dora pezull, si copë akulli e ngrirë, te butoni i ziles në portë. Ajo ktheu kryet nga im atë dhe vështrimet e tyre thanë shumë. Për një shkak të ngjashëm i kishte thirrur tezja, por edhe fillikat ky refren i dhimbshëm mjaftonte të të trondiste për atë çfarë do të bisedohej aty. O Zot, ç’kohë po përjetonim!
Porta u hap dhe ndërsa motra e vëllezër u takuan e u përshëndetën si në mort me njëri-tjetrin, unë u ndala te vajza e dajës. Ajo ishte tetë vjeçe dhe m’u hodh në qafë me një libër të ilustruar në dorë.
– Liza në botën e çudirave, – më tha – është i bukur, xhaxhi Shpëtim?
Kështu më thërriste ajo, megjithëse unë për të isha djali i hallës. Për shkak të moshës ajo më fliste në emër dhe kishte kujdes të shtonte përpara edhe fjalën “xha”.
– Pse, s’e ke lexuar ende? – e pyeta.
– Jo, sapo e bleva, sot.
– Shumë i bukur, – i thashë vogëlushes.
Porta e madhe qe ende e hapur e ndonëse klarina stononte këtu e atje, teksti i këngës vinte pastër e dhimbshëm në veshët e mi, në shpirtin tim. Dhe si të mos mjaftonin gjithë këto uvertura, ja tani na shfaqet dhe Liza…
Kuturisa të merrem me diçka edhe për të mos zhgënjyer njomëzaken, por edhe për ta mposhtur atë dhimbje e pështjellim që po më zinte fytin, shkul e nga një shkul, si ai i së moshuarës, mëmës Mari. Prandaj e pyeta pa qenë shumë i përqendruar:
-Ti e di si e quajnë autorin?
– Po, xhaxhi Shpëtimi, Levis Karol. Ja ku është shkruar, – dhe ajo tregoi librin.
– Bukur, – thashë unë fjalën më parazitare që e përdorja sa herë zihesha gafil, derisa të përqendrohesha te thelbi i bisedës. – Atëherë mua s’më mbetet veçse të të shpjegoj se ku e ka marrë autori frymëzimin për të shkruar këtë libër kaq të veçantë.
Ajo e kuptoi se kjo nuk mund të thuhej ashtu, shpejt e shpejt e në këmbë dhe më tërhoqi me nxitim në cepin e një stoli të madh në oborr. Sytë i ndrisnin nga gëzimi. Dhe kishte të drejtë: do tumirej me diçka që nuk ishte shkruar në libër. Dhe një gjë e tillë do të lumturonte këdo në moshën e saj. Do të mësonte një gjë që s’e dinte askush nga shoqet e shokët e shkollës. Mbase edhe mësuesja mund të mos e dinte. Pse çudi iu duket? Xhaxhi Shpëtimi qe vetëm i saj. Dhe ajo e kishte atë djalë halle dhe se kur të shkonte në shkollë do të thoshte: djali i hallës, që edhe shkruan tregime, më ka thënë se…
– Mirë, pra, – fillova unë.
Në Afrikë është një ishull që e quajnë Mauricius. Tre shekuj më parë aty ka jetuar një zog që quhej Dronti. Anglisht: Dodo. Ky zog ishte si mjellmat. Fluturonte si ato, por me kalimin e kohës, për arsye ende të panjohura, krahët e tij nisën të zvogëlohen dhe… kjo racë zogjsh e humbi aftësinë për të fluturuar. Prandaj detarët që zbrisnin në ishullin Mauricius të parën gjuajtje që bënin për ushqim të freskët (pasi ata në det hanin vetëm konserva) ishte zogu i bukur Dronti. Dhe filluan t’i vrasin lehtësisht. Pa mëshirë. Një sot e një nesër. Një tani, një pastaj. Kështu, për ditë e javë të tëra. Se të shkretët zogj nuk mund të fluturonin e t’i shpëtonin masakrës. Kjo bëri që raca e fluturakut të bukur Dronti, më në fund, të zhduket fare.
– Dhe?
– Dhe shkencëtarët mezi kanë mundur të gjejnë e të ndërtojnë skeletin e tij. Një i tillë është në Oksford. Muzeu i këtij universiteti me famë ndodhet në Londër. Shkrimtari Levis Karol, që i donte kaq shumë zogjtë dhe pëllumbat, i prekur nga fati i tyre tragjik, shkroi librin: “Liza në botën e çudirave”.
Ledi kishte mbetur si e nemitur dhe sytë iu mbushën me lot. Unë e lashë në ngashërimin e saj, por nuk më shkonte mendja që ajo do të shpërthente me një pyetje asgjësuese:
– Pse janë kaq të këqij të rriturit, xhaxhi Shpëtimi? Pse janë kaq pa turp?
Unë u befasova. Nuk e di si do të reagonit ju përballë kësaj fëmije.
Please follow and like us: