Albspirit

Media/News/Publishing

Poezi të Kiki Dhimoula nën shqipërimin e Arqile Garos

VOGELUSHI IM

 

 

Vogëlushi im,

një prapësi të rëndë bëri përsëri.

Në pezulin e universit u kacavarr,

shkundi me dorën e tij

pjatën e kuqe

që ish varur

në murin qiellor

dhe derdhi mbi vete gjithë atë dritë.

 

Zoti shqeu sytë

kur pa diellin

të veshur me rroba foshnjore

tek zbriste nxitimthi

shkallët e fantazisë sime

e rendte drejt meje.

 

E unë tani rri

dhe qortoj rreptë

vogëlushin tim,

ndërsa fshehurazi vjedh

diellin e derdhur mbi të.

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, shkurt 2014.

 

NUMERI SHUMES

 

 

Erosi,

emër i përveçëm,

i rasës esenciale,

të numërit njëjës,

i gjinisë as mashkullore as femërore,

i gjinisë së pambrojtur.

Numëri shumës,

dashuri të pambrojtura.

 

Tmerri,

emër i përveçëm

fillimisht i numërit njëjës

e pastaj i shumësit:

tmerret.

Tmerre,

për të gjitha ato ç’ ka vijnë që tani e tutje.

 

Memorja,

emër i përveçëm i trishtimeve,

i numërit njëjës

vetëm i njëjësit,

i palakueshëm.

Memorja, memorja, memorja.

 

 

Nata,

emër i përveçëm i gjinisë femërore,

i numërit njëjës.

Numëri shumës,

netët.

Netët që vijnë që tani e tutje.

 

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janinë, prill 2013.

 

MOMENT PREZANTIMI

(Statujë gruaje me duar të lidhura)

 

 

Të tërë përnjëherë të quajnë statujë,

e unë të prezantoj si grua vetëvetiu.

 

Ti zbukuron një park.

E për së largu të ngatërron.

Të mendon secili të mbështetur lehtë

si për të risjellë në mend një ëndërr që ke parë,

thuaj se vrull po merr e do ta rijetosh.

Por për së afërmi qartësohet ëndrra:

duart e tua mprapa të lidhura janë

me një litar prej mermeri,

dhe pozicioni yt rrëfen dëshirën

që dikush të të ndihë për t’ i shpëtuar

agonisë së robërisë.

Kështu të porositën te skulptori:

robinjë.

E nuk mundesh një vesë shiu ta peshosh në dorën tënde,

as të ledhatosh një margaritë.

Të lidhura janë duart e tua.

E nuk qenka mermeri, a vetëm Argosi.

Në qoftë se diçka do të ndryshonte,

në marshimin e mermerëve,

në qoftë se statujat do ngrinin krye,

për të drejta e liri

si skllevërit,

të vdekurit

dhe ndjenja jonë,

ti do të çapiteshe

në mes kaosit të mermertë,

përsëri duarlidhur, robinjë.

 

Të gjithë vetëvetiu të quajnë statujë,

e unë të thërras përnjëherësh grua.

Jo sepse grua të dorëzoi

në mermer skulptori

dhe premtojnë ijet e tua

mbarështrim statujash,

bollëk monumentesh të ngrirë.

 

Për duart e tua që të lidhura i ke

në kaq shumë shekuj që të njoh,

të quaj grua.

 

Të quaj grua

pse skllave je.

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, gusht 2014.

 

KONFLIKTUALE

 

 

Gjithë vjershat e mia për pranverën

mbetën përgjysëm.

 

E ka fajin vetë pranvera që ngutet të shkojë,

apo fajtor është frymëzimi im që vonon të vijë?!…

 

Ndaj detyrohem,

pothuaj çdo vjershë për pranverën

me një penelatë vjeshtore

ta përfundoj.

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, maj 2013.

 

 

Please follow and like us: