Matteo Mandala, një libër surprizë studiuesit arbëresh për ditëlindjen
Në kuadër të 60-vjetorit të tij të lindjes u prezantua dje në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave “Matteo Mandala dhe albanologjia sot”. Për studiuesin libri ishte një surprizë, përgatitur nga Francesco Altimari, Gëzim Gurga dhe Shaban Sinani
Francesco Altmari
Me origjine arbëreshe, i formuar pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike të Universitetit të Palermos nën udhëheqjen e albanologut të shquar prof. Antonino Guzzetta, Mandala gjatë karrierës së tij universitare u interesua për fusha të ndryshme të studimeve humanitare si ato historiografike, letrare dhe filozofike, duke thelluar bashkë me to studimet e mirëfillta albanologjike me karakter filologjik dhe gjuhësor që përfaqësojnë fushën e privilegjuar të zotimit të tij universitar dhe akademik. E filloi punën si pedagog i shqipes pranë katedrës albanologjike të Palermos nga fundi i viteve ’80, për ta vijuar formimin akademik si kërkues shkencor i gjuhësisë së përgjithshme pranë Universitetit të Pizës nën drejtimin e prof. Riçardo Ambrosini, duke u kthyer pastaj në fushën e albanologjisë, me transferimin e përkohshëm në Universitetin e Kalabrisë në vitin akademik 1996-97 dhe si profesor i asociuar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në vitin akademik 1997-98 pranë Universitetit të Barit ku interesin për albanologjinë e kishin mbajtur gjallë nga vitet ’50 deri në mesin e viteve ’80 disa studiues, si arbëreshi papas Zef Ferrari dhe shkodrani dom Jak (Luigi) Marlekaj. Aty kontribuoi me veprimtarinë e tij të shumanshme (didaktike, por edhe botuese dhe kulturore), duke ripërtërirë mësimdhënien e gjuhës dhe të letërsisë shqipe për t’u transferuar pastaj në Universitetin e Leçes, ku shqipja filloi të aktivizohej në vitet ’90.
Në fund të shekullit të kaluar, nga viti akademik 1998-99, u transferua në Universitetin e Palermos, pranë Fakultetit të Shkencave të Edukimit, ku në vitin 2001 mori drejtimin e katedrës albanologjike, pasi fitoi konkursin e shpallur një vit më parë pranë Universitetit të Romës. Gjatë viteve 2000-2004 vijoi të jepte lëndët e gjuhës dhe të letërsisë shqipe pranë degës së re të shkencave dhe teknikave të ndërkulturalitetit mesdhetar në Fakultetin filologjik të Mesinës. Krahas veprimtarisë së zakonshme të mësimdhënies, në këto 30 vitet e fundit Matteo Mandala ka organizuar pranë Universiteteve ku zhvilloi aktivitetin e tij didaktiko-shkencor (në Palermo, por edhe në Bari dhe në Leçe) një sërë konferencash të rëndësishme albanologjike ndërkombëtare, si edhe ka marrë pjesë aktive në shumë konferenca, tubime dhe seminare ndërkombëtare me karakter albanologjik dhe ballkanologjik, të organizuara nga universitete italiane (Palermo, Trieste, Bolonja, Roma III, Potenxa, Kozenca, Bari, Leçe etj.) dhe shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni), duke ligjëruar në Universitetet e Tiranës, Shkodrës, Prishtinës, Gjirokastrës, Elbasanit, Vlorës, Korçës, të EJL të Tetovës, të Shkupit dhe pranë Akademive të Shkencave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë, por edhe pranë katedrave të tjera albanologjike në Gjermani (Konstancë, Mynih) dhe në Rusi (Shën Pjetërburg).
E dendur dhe e frytshme ka qenë në këto vite veprimtaria e tij kërkimore, që dallohet për një spektër të gjerë fushash – nga historia deri në gjuhësi, në letërsi dhe në filologji – me një qasje ndërdisiplinore që i përtëriti në mënyrë domethënëse disiplinat tona disi të shabllonuara, jo vetëm për shkak të ndikimit të ideologjisë totalitare në qendrat albanologjike të Ballkanit, duke sjellë një frymë të re metodologjike, por edhe duke u ofruar studiuesve tanë lëndë të re me botimin e dorëshkrimeve të shumta që solli në dritë me një “punë prej murgu”, siç e quan miku im Shaban Sinani. Rezultat i kësaj pune të jashtëzakonshme kërkimore-shkencore janë botimet e shumta që Matteo Mandala solli në dritë, duke u marrë me autorë pak ose aspak të njohur në Shqipëri, sepse ishin censuruar nga regjimi totalitar. E kam fjalën për figura të shquara letrare si Zef Skiro, për të cilin Mandala përgatiti të parin studim të thelluar kritik “La Diaspora e il Ritorno; mito, storia e cultura tradizionale nell’opera di Giuseppe Schiro”, Palermo 1992, si premisë e botimit në vitin 1998 të “Opera Omnia” në 9 vëllime, që në vitin 2004 doli në një version më të shkurtër në Prishtinë për publikun shqiptar; si edhe për Martin Camajn me studimet “Palimpsest” (1993) dhe “La vita di un uomo in un palinsesto mai scritto”, Ëiesbaden 2010. Ishte pikërisht ndërmarrja madhore shkencore e Matteo Mandalasë me botimin e veprës së plotë të Skiroit që na shtyu pas ca vitesh, në 2003, me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së De Radës, të merreshim me ndërmarrjen simotër të botimit të veprës së plotë të Poetit tonë të Madh, që fillimisht doli në Itali në 12 vëllime, pastaj edhe në Tiranë në një botim të përmbledhur në 6 vëllime.
Është e pamundur të kujtojmë këtu të gjitha botimet e Mandalasë që dolën në këto 20 vitet e fundit, pasi vështirë të gjendet një autor i traditës sonë letrare arbëreshe, por edhe shqiptare, që të mos jetë bërë objekt i interesit kritiko-letrar dhe filologjik të studiuesit tonë të shquar. Merita e parë që albanologjia duhet t’i njohë Matteo Mandalasë është rishikimi pothuajse i tërë traditës letrare arbëreshe të Sicilisë dhe për një pjesë të mirë edhe të asaj të Kalabrisë. E kam fjalën sidomos për angazhimin e tij të frytshëm që me rastin e 200 vjetorit të De Radës e bëri të rishikonte me sy kritik tërë veprën letrare të këtij poeti duke e inkuadruar atë në një rrjedhë të re shqyrtimi dhe interpretimi. Lista e gjatë e kontributeve kryesore të Mandalasë përfshin “Kodikun e Kieutit” (1736-1739), veprën e Nikollë Filjes (1995), disa vepra të Nikollë Ketës (2005), “Këngën e sprasëme të Ballës” të Gavril Darës të Riut (2007) dhe sidomos kryeveprën e tij filologjike, botimin e veprës së parë letrare arbërisht: “E mbsuame e krështerë” të Lekë Matrëngës (1592), më parë në versionin italisht (2004), pastaj në një botim të rafinuar shqip (2012) që dallohet sot si një model ekdotik për t’u imituar nga ata që duan të merren me studimet filologjike shqiptare dhe arbëreshe.
Veprimtaria shkencore e Matteo Mandalasë nuk u kufizua në këto tridhjetë vjet vetëm brenda një albanologjie akademike dhe elitare, por u rrezatua në botën kulturore të Arbërit, këndej dhe përtej brigjeve të detit, në Itali dhe në Ballkan, duke e bërë të mundur dhe të dukshme një albanologji tjetër, të ndryshme nga ajo e mbyllura në “Kullën e fildishtë” të dijes që ishim mësuar të njihnim, të vëmendshme vetëm ndaj kërkimit të një të vërtete të lartë, por shpesh edhe të largët, që u linte dorë të lirë amatorëve të shumtë të një tradite dogmatike dhe të gënjeshtërt me rrënjë të thella ndër bijtë e Shqipes. Ky vizion modern dhe ky mision i ri i albanologjisë u bë i mundur përmes tri cilësive të Matteo Mandalasë si: formimi i tij i gjerë dhe poliedrik intelektual, që shpjegon shtrirjen e madhe të interesave në lëmenjtë e albanologjisë; karakteri civil dhe demokratik i angazhimit të tij kërkimor, që e vë shpesh në qendër të debateve të ndjeshme shkencore dhe qytetare; aftësia e tij për të punuar së bashku me studiues të tjerë, përmes një “rrjeti” lidhjesh të ngushta dhe të forta, miqësore dhe shoqërore, nëpër rrugët e reja të albanologjisë. Vitet e fundit në qendër të vëmendjes shkencore të Matteo Mandalasë është vënë vepra letrare e Ismail Kadaresë.
Kujtoj këtu studimet e tij të shumta që merren me ‘Ismailandin’ siç Mandala e quan Shqipërinë imagjinare, Mëmëdheun letrar të ndërtuar nga Kadareja. Vepra e Kadaresë pati jashtë Shqipërisë dy fate të mira: fati i parë është se gjeti një përkthyes të jashtëzakonshëm si Jusuf Vrioni që përmes frëngjishtes e bëri atë të njohur në mbarë botën; fati i dytë është se gjeti sot një studiues si Matteo Mandala që me këtë qasje kritike gjithëpërfshirëse i dëfton botës letrare vlerat e vërteta të letërsisë së tij madhore për herë të parë jo copa-copa, por me një vizion global dhe me një interpretim kritik të gjerë dhe të thellë që e lidh atë me majat më të larta të letrave dhe të letrarëve bashkëkohës. Së fundi, ‘last but not least’, le të kujtojmë angazhimin e Matteo Mandalasë në disa shoqata shkencore dhe akademike të mirënjohura, si: AISSEE (Associazione Italiana di Studi del Sud-est Europeo) që përfaqëson degën kombëtare italiane të AIESEE (Association Internationale d’Études du Sud-est européen), zëvendës-president i së cilës prej vitit 2009 është pikërisht Mandala; Sodalizio Glottologico Milanese prej vitit 1999; Fondacioni Universitar “Francesco Solano” që prej vitit 2009; drejtor i revistës albanologjike italiane “Res Albanicae”, Anëtar Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2016); Anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (2017). Ndër titujt më prestigjiozë dhe më domethënës që i janë dhënë kohët e fundit Matteo Mandalasë nga institucionet shtetërore dhe universitare shqiptare, mund të përmendim këtu titullin “Nderi i Kombit”, urdhri më i lartë ndër vlerësimet që jepen në shkallë kombëtare në Shqipëri, akorduar nga Presidenti i Republikës (2014), Diploma e nderit “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës (2017) dhe Diploma e nderit “Honoris Causa” nga Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali” (2018).
Anila Omari: Mandala na solli Zef Skiroin dhe mitet arbëreshe
“Prof. Matteo Mandala është sot ndër majat e albanologëve italianë dhe një figurë përfaqësuese për shkencën filologjike shqiptare. Formimi i tij në radhë të parë gjuhësor e filologjik, i ndërthurur me njohuri të thella në fusha të tjera të domosdoshme për filologjinë e të lidhura ngushtë me të, si letërsia arbëreshe e shqipe, kritika letrare, historia, antropologjia kulturore, etnografia, kombinuar këto me mprehtësinë e intuitën e shkencëtarit dhe me përkushtimin e zellin e pasionuar të studiuesit, ka sjellë kontribute që kanë ndikuar ndjeshëm në atë zhvillim të madh që ka arritur vitet e fundit filologjia arbëreshe. Me një bagazh të tillë ndërdisiplinor ai ka përballuar me sukses punë madhore si botimin e veprave të Zef Skiroit, botimin kritik të veprës së Lekë Matrangës, një kryevepër e tij filologjike, pastaj veprën novatore “Mundus vult decipi: mbi mitet në historiografinë arbëreshe”, botimin kritik të “Këngës së sprasme të Balës” e punime të tjera të panumërta që kanë sjellë arritje të reja në zbërthimin dhe interpretimin filologjik e historiko-kulturor të fenomeneve të veçanta të letërsisë arbëreshe e shqipe. Nga ana tjetër studiuesi ynë shquhet për modestinë dhe etikën shkencore: ai jo vetëm citon në mënyrë korrekte studiuesit pararendës, por edhe e çmon punën e tyre udhërrëfyese dhe tregon mirënjohjen duke u kushtuar mësuesve më të shquar punimet e tij, si Francesco Solanos studimin për De Radën apo Shaban Demirajt atë për Darën”.
Shaban Sinani: Mandala, kapërcimi i një shekulli punë
“Modeli i punës së Matteo Mandala-it në zgjidhjen e ekuacioneve grafematike, në stabilizimin e konteksteve të tyre në lexim, shënjon kapërcimin prej gati një shekull pune vullnetmirë, por anekdotike, në një metodologji krejt të shkencorizuar, me ekdotikë të ngritur mbi parime të drejta. Megjithëse autori ka preferuar ta titullojë librin e tij “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, (Tiranë 2012), kemi të bëjmë me një vepër që kërkon rishqyrtime kritike për gjithë historinë e letërsisë shqipe, duke përfshirë periudhizimin e saj, ndryshimin e kalendarëve, karakterizimin e dukurive dhe zhvillimeve kulturore e letrare, prekjen e status quo-së së deritashme, funksionimin e një sistemi letrar që mbështetet mbi njësinë e gjuhës, historinë e gjinive letrare, historinë gjenetike të veprave, vështrimin krahasues të varianteve të tyre. Mbi të gjitha, duke iu referuar parimit se është humbje kohe të kërkosh për diçka që dikush tjetër e ka zgjidhur më së miri, mund të pohohet me bindje se filologjia shqiptare, filologjia e re shqiptare, siç kuptohet në epistemologjinë perëndimore, e ka një adresë: Matteo Mandala, Universita degli Studi – Palermo, ose edhe më thjesht: Matteo Mandala, Piana degli Albanesi, Palermo, Itali. Për fat, kjo adresë, me kontribute filologjike të dy dekadave të fundme, që u takojnë: F. Altimarit, R. Ismajlit, V. Belmonte-s, A. Omarit, B. Demirajt, G. Gurgës, I. Fortinos, G. Abazit, M. Brucit, po bëhet shpresëdhënëse se më në fund letërsia shqipe do të botohet, se botimet do të jenë si në vullnetin e autorit dhe se mbi këtë bazë do të shëndoshet gjithë procesi i studimit të saj”.
Aurel Plasari: Mandala “u tregon vendin” të gjitha miteve me origjinë arbëreshe
“Libri “Mitet e historiografisë arbëreshe”, i dijetarit arbëresh Mateo Mandalà është një libër që “u tregon vendin” pothuajse të gjitha miteve me origjinë arbëreshe me të cilat është përkundur ndër shekuj shoqëria arbëreshe, veçan në shekujt XVIII e XIX. Libri përbën një tekst tej mase të qartë, të shkruar me një logjikë që s’të fal, me një aparat metodik bashkëkohor, duke shtënë në punë metodat historiografike, semiologjike, filologjike, me një fjalë një epistemologji të tërë, që e bën të pagoditshëm nga cilado anë që mund të doje ta sulmoje. Vetë titulli “Mundus vult decipi” nuk është veçse pjesa e parë e motto-s latine që e plotë tingëllon: “Mundus vult decipi, ergo decipiatur”. Shqip po e them: “Bota ka qejf që të gënjehet, pra, le të gënjehet”. Libri në fjalë ngjan më fort me një vepër teorike që historinë e miteve të origjinës arbëreshe e ka përdorur si shkas për të dhënë një shembull shkencor të çmontimit të “teksteve mitologjike” si fenomenologji. Është një shembull i cili na rikujton që gjuhëtarë, historianë, antropologë etj. – po vijoj duke përmendur dijet me ndikim më të drejtpërdrejtë nga kjo fushë – e kanë detyrë t’i çmontojnë mitologji të tilla, përveçse në qofshin në shërbim jo të dijeve, por të ideologjive”.