Kadareja dhe shpirti rebel i ditëve tona
Albatros Rexhaj
Si gjimnazist, atëbotë ende fanatik i njomë i idesë se RPSSH-ja mishëronte diellin e të gjitha arritjeve historike të popullit shqiptar, prej të cilit buronin rrezet e shpresës për ne shqiptarët e mbetur jashtë kufijve, edhe pse i dehur me esencën e Kadaresë si një mit i gjallë, e kam përjetuar shumë rëndë largimin demonstrativ nga atdheu të shkrimtarit tim të preferuar. E ndjeva si shmangie nga përgjegjësia e kapitenit moral të anijes që po mbytej.
Natyrisht, si shumë të tjerë asokohe, ende nuk kisha informacion të gjithanshëm për atë se çfarë vërtet ishte RPSSH-ja dhe rrjedhimisht e kisha krejt të pamundur që të kuptoja shumanshmërinë e motiveve që e patën shtyrë shkrimtarin drejt këtij veprimi ekstrem, vetëm pak kohë para se regjimi totalitar të jepte shpirt njëherë e mirë. U deshën të kalonin dy dekada e gjysmë të dramave të pareshtura të peripecive shqiptare, të ndërvarura në një cikël vicioz shkak-pasojë në turbinën e tranzicionit të pafund, që të sintetizoja një ide të kthjellët mbi shkaqet e këtij veprimi.
Sot jam i bindur se me veprimin e tij, Kadareja u bë pararendës i rënies së regjimit, për shkak se arratisja kuptimplotë e shkrimtarit – që për dekada kishte shërbyer si reklamë ndërkombëtare e regjimit, por që, në të njëjtën kohë, pati qenë edhe i adhuruar nga masat, të cilët te vepra e tij gjenin një shteg të rrallë lirie – shënoi falimentimin përfundimtar moral të një regjimi që moralin kolektiv e kishte ngritur në piedestalin më të lartë, pavarësisht se në vetvete ishte thellësisht amoral.
Komoditeti i distancës kohore na jep mundësinë që të pohojmë se Kadare u arratis vetëm disa muaj para se të binte regjimi dhe të spekulojmë për motive të mundshme jofisnike, por, pavarësisht ngjarjeve të 2 korrikut të po atij viti, atëherë rrallëkush nga shqiptarët e kishte sigurinë të guxonte të shpresonte se regjimit vërtet do t’i vinte fundi brenda një kohe të shkurtër. Largimin e Kadaresë nuk dua ta mistifikoj me nuanca profetike, por nuk mund t’ia mohoj dot sensin e largpamësisë, që realisht përbën një virtyt themelor të artistëve që shënjojnë epokën e tyre.
Në një rrafsh krejt njerëzor, gjykoj se, i vetëdijshëm për rolin e tij si reklamë ndërkombëtare e regjimit, në një kontekst krejt personal, ikja shënoi aktin e divorcit, në të gjitha nivelet, me sistemin monist të kohës. Reagimi i regjimit ndaj këtij divorci unilateral, sidomos ajo pjesa e shoqëruar me një përdëllim patetik me nuanca mallëngjyese, përngjante me reagimin tipik të bashkëshortit të dhunshëm që më nuk mund ta fshehë natyrën e vet mizore. Vlerësoj se nuk është detyrë e artistit që të mbajë qëndrime politike, por një artist duhet të frymëzojë perceptuesit e artit të tij. Ikja e Kadaresë, si një akt që tejkalon suazat e një veprimi privat, pati përbërë një kushtrim të qartë zgjimi për të gjithë ata që akoma hamendeshin nëse duhej të ngrinin krye kundër regjimit.
Konsideroj se thurja e kohëpaskohshme e teorive konspirative, si dhe akuzat për flirt me regjimin janë të pabaza dhe tërësisht jashtë kontekstit. Edhe shqiptari më naiv e di fort mirë se regjimi nuk linte shumë hapësirë veprimi dhe të gjithë, pa dallim, përveç atyre që dergjeshin në burgje, bashkëjetonin me regjimin. Një intelektual i kohës, kushdo qoftë, është dashur të bëjë kompromise, shpeshherë të dhembshme, për të qëndruar në sipërfaqe, aq më tepër të krijojë art dhe letërsi të mirëfilltë. Parashtroj pyetjen: Sikur të mos ishte ajo që sot disa e cilësojnë si “flirt” me regjimin, a thua do ta kishim Kadarenë si shkrimtar të përmasave botërore çfarë e njohim sot?
Personalisht, mua më intereson vetëm shkrimtari, vepra dhe veprimet që ndërlidhen me trashëgimin e tij artistike dhe jo jeta private, përfshirë edhe ato detajet jopërmbajtjesore, krejtësisht personale, tipike për njëvdekatar si çdo njeri tjetër. Është jo etike që të rrekemi të gjykojmë trashëgimin artistike të kujtdo, aq më tepër të Kadaresë, mbi bazën e historive dhe detajeve për gjëra nuk kanë të bëjnë fare me veprën. Konsideroj se marrja me jetën private, tërheqja e vëmendjes drejt çështjeve të tjera, tërësisht jashtë kontekstit artistik, paraqesin vazhdimësi të logjikës së kohës së regjimit kur “mëkatet” private dhe njerëzore janë përdorur për të rrënuar autoritetin e dikujt, në mënyrë që t’i zhvlerësohet vepra apo trashëgimia. Fushatat e pamungueshme, një tymnajë e një histerie idiopatike, prodhim tipik vendor, kundër Kadaresë, paraqesin një hakmarrje, të shtrirë në kohë, të eksponentëve dhe ithtarëve mendjengushtë të së shkuarës. Fatkeqësisht, një pjesë e elitave tona aktuale, të mbytura në dritëshkurtësinë e tyre, nuk pranojnë që ne botërisht të njihemi si vendi i dy fituesve të çmimit “Nobel”, Kadaresë dhe i Nënë Terezës, por vetëm si “popull trim dhe liridashës”.
Një çerekshekulli pas rënies së regjimit: Kadareja iku, sipari ra, diktatura u shkërmoq, por mendësia totalitariste ende frymon ndër ne. Dhe në këtë mbrëmje të ftohtë, pak të pazakontë për një fundshtatori, ndërsa shkruaj këto rreshta, e ndiej se, edhe pse i kamufluar me petka progresiste, për shqiptarët “Pallati i ëndrrave” vazhdon të jetë një makth edhe sot. Personalisht, si një bashkëkohës modest i letrave, vijoj të gjej te Kadareja shkëndija të filozofisë së domosdoshme të rebelimit, të cilat, në krijimtari, më janë mveshur si një lëkurë e dytë.
Revista Saras, tetor 2015.