Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Sami Repishti: Në Shqipëri, mungon shoqëria civile aktive

Ridgefield.CT.- Me shumë përpjekje, informohem mbi gjendjen dhe zhvillimin e atdheut shqiptar nga lajmet e marruna prej vizitorëvet të shpeshtë shqiptarë, por kryesisht nga shtypi. Kjo nuk mjafton! Për këte mangësi me karakter objektiv, unë kerkoj falje, sepse në mënyrë të paevitueshme krijohet mundësia e gabimit.
Pse shkruej? Shkruej, sepse e due Shqipërinë dhe vuej!
Vuej nga ajo që ndigjoj, vuej nga ajo që lexoj! Vuej sepse nuk ndigjoj zanin e matun dhe të arsyeshëm të shoqënisë civile që karaktarizon çdo vend të qytetnuem. Shkruej sepse shoh në këte heshtje dekurajimin e përgjithëshëm, dhe mospjesëmarrjen në proceset demokratike, konditë esenciale për demokracinë. Por ndigjoj kudo zanin e zemrimit, pakënaqsisë, dhe të deshprimit!
E ndigjoj kudo këte za të mbrapshtë: në Kuvend, në shtyp, në transmetimet televizive, në rrugë, në shkollë dhe në fqinjtë që shumë herë nuk flasin njeni me tjetrin, sepse nuk mbajnë kontakt. E ndigjoj nga zyrtarët, nga udhëheqsit politikë të të gjitha partive politike dhe organizatave qeveritare. Toni ashtë i ashpër dhe ultësia e shprehjes, nji rrugaçëri e shkallës së fundit (ndigjoni diskutimet ,qe veç diskutime nuk jane, në Kuvend!) E ndigjoj nga familjet që vuejnë për bukën e gojës, dhe nga katundet që po zbrazen nga të rinjtë që kërkojnë nji rrugëdalje në emigracion. Ndigjoj këte za që thrret në shkretinën shqiptare, pa zemër, pa mend, e vuej!
Nji vizitor amerikan që posa u kthye nga Shqipëria dhe Kosova, shkruente: “Pakënaqsitë janë të përgjithëshme, dhe të theksuara. Duke filluar nga kamerierët, shoferët e taksive, e deri tek pronarët në gjendje të mirë ekonomike, por sidomos të rinjtë dhe të rejat janë me të shgënjyrët dhe shohin emigrimin si të vetmen alternativë….Pakënaqsia në rradhët e shqiptarve ndaj zhvillimeve në vend, kudo në trojet shqiptare nuk përcaktohet nga mbështetja që ata mund të kenë për një parti ose për një tjetër…”.
Pakënaqsia ashtë e përgjithëshme në nji kohë kur Shqipëria ashtë zhytë në nji konflikt politik, objektivi i të cilit ashtë shkatërrimi i kundërshtarit, jo shpëtimi i atdheut nga vorfënia dërmuese dhe nga frika e bandave….!
Këto ditët e fundit, duket se edhe “shteti” ashtë i frikësuem nga bandat kriminele dhe drogistët me shumicë. Simbas shtypit vendas, ka kaos në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Prokurori i çeshtjes merr “leje të gjatë” për “arsye shëndetsore”. Dhjetë prokurorë të tjerë kan evitue marrjen e përgjegjsisë nga frika e bandave, dhe po u nënshtrohen “një hetimi disiplinor”, njofton “Zëri i Amerikës”. Ashtë nji opinion i perhapun se gjykatësit janë disa nga personat ma të korruptuem, prandej mbas vitit 1990, ata u vuen në sherbim të mshehtë ndaj ish Sigurimit të Shtetit në veprimtarinë e tij për të pengue vendin dhe çdo veprim demokratik të udhëheqjes së re të ardhun në fuqi me 1992.
Në opinionin publik ashtë formue bindja se baza e nji kaosi të këtill ashtë frika nga bandat, dhe korrupsioni që pothuejse ashtë zyrtarizue. Trafiku masiv i drogës, krimi i organizuem, shkatërrimi i administratës publike, ngecja në reformën për drejtësi, dhe ate të zgjedhjeve vendore dhe kombëtare, kerkojnë ndërhymjen energjike të autoritevet të rendit publik dhe reagimin e fortë të shoqënisë civile shqiptare KJo ashtë dëshpruese; heshtja që mbahet për arsye të ndryshme rrezikon vdekjen e shoqënisë civile shqiptare, shpresën e funidt të ringjalljes sonë. Kjo formë heshtje masive na kujton thanjen e diktatorit fashist: “Sot, detyra e nji Italjani të mirë ashte mospasja e nji opinioni”. (Mussolini)
Procesi i vettingut në drejtësi ka verifikue vetëm 57 gjykatës nga nji numër prej 800 syresh, tue meritue kritiken e ardhun nga Gjermania, Franca, e Holanda, vende kyçe të Bashkimit Europian. Para nji gjendje të këtill, në qoftë se zgjedhjet vendore të vitit 2019 do të zhvillohen simbas ligjit të vjetër zgjedhor, në përgjithësi nuk shihet asnji shans real për hapjen e negociatave për anëtarsim në BE në vitet e ardhme.
Sepse sistemi zgjedhor në Shqipëri që nga viti 2005, ashtë formue simbas dëshirave të dy partive kryesore të vendit, Akoma ma keq: ai përfaqson pushtetin e plotë të udhëheqësve partiakë, dhe mohon zgjedhjen e lirë të kandidatëve direkt nga populli, ashtu si premton Kushtetuta. Sistemi i sotëm ashtë illegal në substancë dhe imoral në formen e tij. Ai duhet ndryshue menjiherë!
Pak ditë ma parë, Partia Demokratike në opozitë dhe aleatët e saj politikë përcaktuen kërkesat e tyne: “… për nji dekriminalizim të plotë të strukturave qeveritare nepërmjet të nji procesi të vettingut të të gjithë politikanëve të shoqënuem me krimin, për ‘çlirimin’ e sistemit gjyqsor nga kthetrat e (KM) Rama, për zgjedhje të lira e të nderëshme, dhe për nji ekonomi të çlirueme nga presionet e monopoleve, oligarkëve, dhe korrupsionit qeveritar”, simbas shtypit shqiptar. Për habinë e të gjithëve, KM Rama pranoi me zgjanue rrjetin e vettingut tue përfshi të gjithë politikanët dhe zyrtarët e naltë të Qeverisë, dhe shtoi se ai ishte gati me bashkëpunue me opozitën me qellim që të përmirësohet jeta e qytetarëve në vend. Dhe, gjithçka përfundoi në dosje! Akuzat dhe kunderakuzat vazhdojnë.
Çdo përpjekje që shqiptarët do të bajnë me ndertue nji të ardhme premtuese duhet të filloj me bisedime të ndershme mbi të kaluemen e me pastrimin e atmosferës helmuese që shkatërron gjithçka. Sot Shqipëria përballet me nji fenomen të paparashikuem, por shumë damtues. Ashte aftësia e ish komunistëve me u kthye në pushtet mbas disfatës së vitit 1991, pa u gjykue për krimet e së kaluemes. Të pasunuem me grabitjen e pamëshirë të pasunive shtetnore gjatë ditëvet të fundit të kolapsit komunist, dhe me eksperiencë të fitueme në lamin politik të demokracisë, këta kameleonë pa ndërgjegje janë transformue sot me ndjenjën e nji narcisizmi, të bindun se Shqipëria u takon atyne, dhe vetem atyne, dhe me nji mendjemadhësi (“hubris”) të cilën ata janë kryenaltë me e shpalosë në jetën e tyne të përditëshme dhe me suksesin e femijëve të tyne në pozitat kyçe te Adminsitrates. Shqipëria në vitin 1944,, shkruente nji vrejtues i vemendshëm, zevendsoi nji okupacion të huej me nji tirani vendëse që ngriti urrejtjen në mes të qytetarëve në sistem, dhe pruni degjenerimin e mbrendshëm të vetë politikës dhe pushtetit. Këtu ka burimin degjenerimi i sotëm.
Jo kështu në botën e qytetnueme! Në vitin 1977, me qellim të simbolizimit të kalimit në demokraci, Spanja deklaroi nji amnesti për krimet e kryeme gjatë luftës civile (1935-38). Por jo të gjithë e pranuen këte akt!. Gjykatësi i njohun spanjol. Senor Garzon, e kundërshtoi, me këte argument:“Simbas ligjit ndërkombëtar, nuk mund të shpallet nji amnesti për krimet kundër njerëzimit, sepse zhdukjet e viktimave – me mijëra tani akoma në gropat e pazbulueme – përfaqësojnë vazhdimësinë e krimit të kryem”.
Komunizmi në Shqiperi ka qenë, dhe mbetet, nji krim kunder njerëzimit, nji fakt kokëfortë që duhet të pranojmë!
Shqipëria vazhdon me vuejtë sepse ka akoma diferencat e saj politike, tribalistike, fetare, dhe krahinore, ndoshta edhe ma shumë se vendet tjera për rreth . Akoma edhe ma me randësi, Shqipëria nuk e mësoj kurr sa duhet randësinë e mjanimit të këtyne diferencave dhe me u përqendrue në ndertimin e bazave solide për nji komb zot i vetes, paqësor dhe punëtor, me tregëti, e superstrukturë të mirë, kapital njerëzor të shëndosh, dhe veçanërisht respekt për shtetin ligjor e marrëdhanje miqësore me të gjithë, tue krijue kështu konditat me qene nji vend i lirë nga frika dhe i lirë nga uria.
Shqipëria duhet të mësojë e të siguroje për popullsinë e saj instrumentet që plotësojnë potencialin e kësaj popullsie.

*******
Sot, nuk mund të kthejmë mbrapa vitet e humbuna me praktika e programe zhvillimi të gabueme. Sot, na mundemi me reflektue dhe me përfitue nga gabimet e së kaluemes tue mos i përsëritë. Sot, na mundemi me rindertue vendin tonë me mënyra të reja, praktika dhe programe të reja. Sot kemi mundesi me i tregue, vetes dhe botës mbar, se vlerësojmë si duhet peshën e randë të gabimeve tona dhe meritojmë mirëbesimin publik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Integriteti moral dhe aftësia e jonë profesionale – me ndërtue nji shtet ku popullsia të jetë në gjendje me jetue e lirë dhe pa frikën e papunësisë dhe vorfënisë që ajo sjellë- janë në balancë.
Seria e gjatë e dështimeve politike të njimbasnjishme duhet ndërpre. Kemi nevojë për nji sukses real, jo fiktiv, jo slogane propagandistike e formula të mbështjelluna në ideologji të falimentueme, ose të pavertetueme. Me thjeshtësin e nji filloristi kemi nevojë për paqë e bukë në nji Shqipëri të lirë! As ma shumë, as ma pak!
Frika e vorfënia kane lodhë të gjithë. Duhet të lirohemi nga ato, njiherë e përgjithëmonë. Ky duhet të jetë angazhimi i jonë, i të gjithëve, i dy “gjysmave politike” që përbajnë nji të tanë: shoqëninë tonë shqiptare. E ardhmja e jonë ashtë në balancë: të mbijetojmë të gjithë pa asnji dallim, ose të përfundojmë të gjithë me turp në oqeanin e harresës!
Sot, na duhet riformimi i nji koshience kombëtare kolektive me sensitivitet të ngritun për llogari-dhanje – konditë esenciale për demokratizim!- që nga rradhët ma të ulëta të strukturës shtetnore deri në kulmin e Administratës. Na duhet manifestimi i nji kuptimi ma të mirë të mungesës së kësaj llogari-dhanje si nji smundje shoqënore e jona e cila pret përgjigjen tonë sot, e jo nesër!
Na duhen ekspertët që i kanë kushtue djersë e studime njohjes së situatës së krijueme, dhe që kanë vullnetin me e përmiresue me çdo kusht. Mjeku nuk reparon maqinat; as mekaniku nuk sherben në spitale. Na duhen mendje të ndrituna që nuk “ndezen” nga flaka e propagandës partiake, as nuk “ftohen” nga dështimi i përpjekjeve t sinqerta, mendje të qendrueshme nen presion, dhe të afta me veprue pa u dekurajue nga mospërfillja e mosmirënjohja. Na duhen kuadro të pjekuna dhe me pervojë të njimendtë, pavarësisht nga bindjet dhe orientimet e tyne personale idelogjike; teknologjia dhe eksperienca afariste nuk kanë parti. Ata kanë njohunitë e domosdoshme. Nuk ashtë e nevojshme të jeshë socialist ose demokrat kur bahet fjalë për sherbim ndaj Shqipërisë. Mjafton të jeshë njeri i ndershëm dhe shqiptar i kushtuem.
Na duhet planifikimi dhe fillimi i nji procesi të drejtë, neutral, e të sajuem me shumë kujdes; hollësitë e ktij procesi që përjashton “aktin spontan”, duhet të përgatiten me qellim sherbimi planit të përgjithëshëm të zhvillimit të balancuem të vendit, e jo kapriçeve të “udhëheqësve” që frymëzohen me veprue nga hopet e “stinëve elektorale”, e që përfundojnë në rrenimin e mijëra jetëve te pafajshme qytetarësh të denuem me vuejtje, në vorfeni e papunësi afatgjata.
Në situata të këtilla, interesi i përgjithëshëm kërkon integritet moral nga të gjithë me qellim që, së bashku, të luftojmë korrupsionin e krimin e organizuem që bren shëndetin e shoqënisë sonë. Kryesisht, na duhet të sigurojmë konditat për nji sistem gjyqsor që vepron me legjitimitet, e jo për interesa personale ose partiake që damtojnë shoqëninë tonë shqiptare. Dhe kjo arrihet me kuadro profesionale dhe të ndërgjegjëshme kombëtare.
Miqtë tonë ndërkombëtarë na këshillojnë; na duhet të ndigjojmë. Por puna kryehet, dhe duhet te kryehet nga ne, me mendjen dhe krahët tonë, punë dinjitoze që na mbushë me krenari. Mos të harrojmë se vetëm puna e kryeme me djersë ashtë ndershmëni!
Pa qellim dramatizimi, unë e shikoj Shqipërinë si nji vend në udhëtim të gjatë, sot në nji udhëkryq. Nga larg, unë ndigjoj vetëm britma e jo zane të qetësuem, grindje dhe jo bashkëpunim, nepotizëm ekstrem dhe jo profesionalizëm, akte spontane dhe jo vendime të marruna nga ekspertët, partizani politike e jo sherbim për atdheun, grupime elementësh me interesa personale që afrohen të tërhequn nga përfitimet vetiake, jo grupime teknikësh të grumulluem me sherbye interesat e popullsisë, sidomos të atyne zonave ku mbrapambetja ashtë literalisht mbytëse….!
Jemi para nji momenti historik vendimtar!
Strategjia e deritashme e zhvillimit ekonomik dhe rindertimit të nji shoqënie shqiptare të çlirueme nga ankthi i diktaturës së kuqe nuk dha frytet e duhuna. Tendenca me fajësue të kaluemen komuniste ka humbë peshën e madhe politike të dekadës së parë, si rrjedhim i konfuzionit politik, korrupsionit moral dhe ekonomik, dhe krimit të organizuem. Status quo që jetojmë sot dermon vendin me vorfëni e mungesë shprese. Ajo ashte ba e padurueshme për të gjithë –perveç spekulatorëve dhe drogistëve që gjinden kudo.
Autoriteti moral e ligjor i Administratës duhet të rifitojë respektin dhe bindjen qytetare që në kondita të përshtatshme, e meriton. Sabotimi i vazhdueshem i Kuvendit nga nji parti ose nji tjeter nuk ndihmon dhe ashtë nji papërgjegjsi ndaj votuesve që presin zgjidhje të problemeve jetësore. Nuk fitohet gja nga kaosi i gjithanëshëm, thirrjet për rrëzimin e qeverisë pa votime,(ose me votime te vjedhuna si ma pare!), demonstratat e panevojshme, mos respektimi i ligjit, mospjesëmarrja në votime, mos pagimi i taksave të arsyeshme, dhe nga përvetësimi i pasunisë së paligjëshme.
Akoma sot, tri dekada mbas shkërmosjes së murtajës komuniste në Shqipëri, mijëra qytetarë e katundarë shqiptarë, nuk janë në gjendje me riposedue pasunitë e tyne të grabituna gjate 45 vjetëve të diktaturës, e vërdallen nga nji zyrë në tjetrën nga nëpunës të korruptuem që zbatojnë akoma “porositë e shokut Ramiz” për krijimin e nji atmosfere të përgjithëshme pakënaqsishë në vend- me gjithë ndërhymjet e institucioneve europiane…..në nji vend që shpreson hymjen në Europë!
Autorja anglo-italiane, Iris Origo, në nji libër mbi jetën nen fashizëm gjatë L2B, shkruen: ”A ka mundësi me hjedhë nji popull në luftë kundër traditave të tia historike, kundër instinkteve të tia natyrale, dhe kundër karakterit të shumicës së banorëve të vendit dhe me shumë mundësi edhe kundër interesave të vetë atij populli? Siç duket (nga ekspeprienca) ka mundësi!”
Kjo ashte pyetja e ime sot rreth tragjedisë gjysëm shekullore komuniste në Shqipëri: si ka qenë e mundun? Ashte akoma e mundun?
Dhe përgjigja duhet të jetë: “Na nuk mund të lejojmë nji pakicë zhurmëmadhe me mashtrue përsëri shumicën e katër milionë shqiptarëve !” Kjo ashtë detyrë qytetare për nji shoqëni civile të aktivizueme./ylliria press/
——————————————————————————————–

Autori ashtë qytetar amerikan me kombësi shqiptare.

Please follow and like us: