Albspirit

Media/News/Publishing

ALEANCAT E SHQIPTAREVE NE BALLKAN

Engjell GISHTI

Sprovë mbi gjeopolitikën dhe dipllomacinë shqiptare.

Profesori ynë i nderuar Shaban Murati – një pasuri kombëtare në fushën e diplomacisë, fatkeqësisht i pavlerësuar nga politika jonë –  botoi së fundi një shkrim ku na shpjegon rendësinë strategjike që ka për ne shqiptarët aleanca  me Turqinë sot në skakierën e ndërlikuar ballkanike! Ai vë në dukje dy faktorë kryesorë:

1. Turqia nuk ka asnjë cm2 pretendim territorial ndaj Shqipërisë dhe

2. Turqia është vendi më i fuqishëm ballkanik nga pikëpamja ekonomike, ushtarake, dipllomatike etj. Ai thekson se edhe “shenja e njëjtë fetare” na bën shumë të afërt me Turqinë! “Ne nuk mund të mos e kemi Turqinë aleatin tonë kryesor në Ballkan” – përfundon prof Shaban Murati!

Dhe padyshim që Turqia duhet të jetë një aleat i cmuar i shqiptarëve të rrethuar nga fqinjë armiqësor të cilët nuk duan e nuk duan të vendosin një marrdhënie miqësore apo paqësore, apo së paku menefregiste ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Jo! Për ata, marrdhënie “normale” është vetëm një marrdhënie nënshtruese e Shqipërisë dhe shqiptarëve në cdo aspekt të jetës; duket se ata kanë si objektiv gjynjëzimin e këtij populli!

Aksionet e tyre reversive nuk kanë të sosur dhe vazhdimisht ja arrijnë të dëmtojnë jo pak interesat e kombit tonë; vazhdimisht ata ja kanë arritur të kenë influenca shumë të larta në politikën shqiptare aq sa të arrijnë që nëpërmjet tyre, qeveritë shqiptare, të ndërmarrin veprime e vendime që shpesh më shumë kënaqin fqinjët tanë se sa ne shqiptarët. Shpesh qeveritë tona duken si zgjatim të shërbimeve inteligjente të fqinjëve tanë jodashamirës.

Në këto kushte, padyshim që neve na duhen aleatë strategjikë dhe nese ka të tillë në Ballkan, të cilët nuk kanë asnjë lloj pretendimi ndaj vendit tonë e ne nuk rrezikojmë që ata ti bëjnë presione nga më të ndryshmet politikanëve tanë, kjo do jetë një vlerë apo aset që duhet kapur e nuk duhet lëshuar kurrë. Një nga këta aleatë është padyshim Turqia e madhe dhe e fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht e cila sic thekson prof. Murati nuk ka pretendim territorial për asnjë cm tokë shqiptare.

POR…..

Padyshim që edhe për ju i nderuar prof., diversiteti i mendimit është pasuri dhe vlerë ndaj me lejoni i nderuar prof të bëj prognozën time të ndryshme e qoftë edhe kundërshtuese me qëllim gjithmonë interesat e kombit tonë!

Sic e thamë, duam apo nuk duam, Turqia, që nga viti 1916 (jo më herët) e në vazhdim duhej të kish qënë një aleat strategjik i shqiptarëve në Ballkan. Por kështu nuk ka qënë; dhe kjo jo aq për faj të shqiptarëve se sa të interesave turke në Ballkan, të cilat e shtynë Turqinë që gati për të gjithë shekullin e kaluar të bënte marrëveshje me Serbinë dhe Greqinë në dëm të rendë ndaj interesave të shqiptarëve në Ballkan! Dhe ju e dini shumë më mirë se unë i nderuar prof se diplomacia pa histori është amatorizëm.
Sidoqoftë, sot, kur Shqipëria gjendet në një situatë të keqe ekonomike, sociale, shpirtërore, ushtarake, diplomatike,etj, e rethuar nga shtete të stabilizuara ekonomikisht dhe politikisht si Serbia e Greqia, e që mbi të gjitha kanë shekuj që kanë garantuar aleanca të rendësishme gjeopolitike, e që sikurse e thamë më lartë vazhdojnë të kenë politika të caktuara në dëm të interesave tona kombëtare, Turqia duhet të jetë padyshim një aleat i rendësishëm i shqiptarëve në Ballkan . Eksperienca botërore tregon se aleancat ruhen në shekuj, dhe edhe kur një lider i njërit apo tjetrit vend i prish ato, lideri pasues menjëherë ndërhyn për rivendosjen e ekuilibrit. Këto aleanca janë të domosdoshme për jetën e cdo shteti dhe kombi! Le të kujtojmë këtu se më1913 ne u coptuam vetëm sepse nuk kishim ndërtuar aleanca. Ndaj aleancat ruhen përherë e madje shikohet të shtohen përherë!

Por… asnjë aleancë nuk ndërtohet (aq më pak ato strategjike) me një ndjenjë inferioriteti e përulësie deri në lepirje sic (nuk e di pse) bëjnë politikanët tanë ndaj të gjitha aleancave që ata krijojnë, përfshi edhe atë me Turqinë! Kjo është një sëmundje e vjetër e politikës sonë e filluar me Esat Toptanin, për crrënjosjen e së cilës ne shqiptarët nuk kemi punuar kurrë. Asnjëherë nuk dëgjojmë analiza politike nga dipllomatët tanë që të trajtojnë pikërisht këtë temë! Dhe kjo ndjenjë e cuditshme inferioriteti  është armiku kryesor që ka dëmtuar politikën dhe interesat kombëtare të shqiptarëve në këto 100 vite, në cdo skaj ku ata shtrihen! Me këtë lloj qendrimi lëpirës që të vjen të hash duart kur e shikon si në Shqipëri, në Kosovë e më gjerë, ne shqiptarët, takim pas takimi ndërkombëtar, shkojmë vetëm nga dështimi në dështim! Nuk e di se përse politikanët tanë kanë këtë psikozë ysmeqari e skllavi e cila po kthehet në një mallkim për kombin tonë! Nuk e di se përse atyre u duket se duke mbajtur këtë qendrim të nënshtruar, ata na bëkan një figurë më të mirë në sytë e botës! JO! Kjo nuk është mënyra se si i shërbehet kombit! Kjo është vetëm mënyra se si ju e poshtëroni kombin tuaj!
Politikanët tanë duhet të marrin shembull nga qendrimi i Vucic, i Cipras etj që edhe pse janë në vështirësitë e akuzës për krime e gjenocide, dinë ta mbajnë kokën lartë e madje të kenë edhe pretendime; apo edhe pse kanë një shtet të falimentuar financiarisht, dinë ta shtrijnë dorën e ndihmës me personalitet! Por ne duhet të hedhin sytë edhe nga historia e hershme e të shikojmë p.sh qendrimin e princ Nikollës të Malit të Zi, të cilët edhe pse ishin tmerrësisht të varfër sa ai vetë “kërcënonte” se do shkonte emigrant në Amerikë, asnjëherë nuk ndërtoi politika lëpirëse ndaj të tjerëve; përkundrazi ndërtoi politika agresive dhe pati suksese!
Por liderat tanë të sotëm mund ti hedhin sytë edhe nga ajo klasë politike që ne kishim në fundin e Rilindjes kur fëmijtë e bejlerëve tanë të shkolluar në Europë, jo vetëm që nuk u shkonte mendja të ndërtonin politika lëpirëse me fqinjët, por me kulturën dhe erudicionin e tyre habisnin politikanët më në zë të Europës, duke ligjëruar në oborret e saj në nivele aq të larta sa linin vetëm impresionime pozitive.
Ndërsa liderat tanë sot janë vetëm disa intrigantë të paformuar, dipllomatë amatorë që nuk e kanë idenë e politikëbëries, sidomos në arenën ndërkombëtare! Ata të gjithë kanë nevojë të hyjnë në shkolla e të mësojnë si të sillen politikisht. Kjo sepse ato shkolla që ne kemi sot mbi diplomacinë, janë shkolla mjerane ku vetë profesorët e tyre kanë një përgatitje mjerane! Shqiptarët (politikanët) kanë nevojë urgjente të organizojnë seminare e kurse nga profesora shqiptarë me peshë (si prof Murati, Tarifa, Kleanthi etj), por edhe të huaj. Eksperiencat e veprimeve dipllomatike të Ali Pashës, Ismail Qemalit, Mitat Frashërit, Faik Konicës, Nolit etj kanë peshë mësimore edhe sot për politikanët shqiptarë që po lënë nam me amatorizmin e tyre. Pa folur pastaj për leksionet e shembujt që mund të na japin dipllomatët e huaj mbi eksperiencat botërore.

Leksione të tilla do i ndihmonin shumë politikanët shqiptarë edhe në kuptimin dhe përcaktimin e forcave dhe vendosjen e aleancave apo ekuilibrave në planet strategjike. Pra le ta ribëjmë pyetjen: kush janë aleancat strategjike të shqiptarëve sot?
Askush nuk e vë në dyshim aleancën strategjike me SH.B.A-në (përvec ndonjë të shituri).
Askush nuk e vë në dyshim aleancën me BE ku sidomos pas vitit ’90, me ndryshimin e pozicionimit në një sens mjaft pozitiv të Anglisë dhe Gjermanisë ka bërë që e gjithë balanca europiane të jetë përgjithësisht shumë dashamirëse ndaj vendit tonë.
Në fakt, ne shqiptarët, cështjet i kemi më të ndërlikuara kur vijmë në realitetin ballkanik. Aty lozen ende lojëra dhe intriga bizantine nga të cilat Europa ka gati shekuj që është larguar! Janë këto intriga (dhe sidomos fajet e vetë shqiptarëve) që nuk e lënë të ngrejë kokë këtë vend. Ndaj dhe pikërisht në këtë terren, merr një rendësi edhe më të madhe cështja e ngritjes së aleancave strategjike. Në këtë realitet, prof Shaban Murati na propozon Turqinë dhe na thotë se  “me Turqinë ne kemi një shenjë të njëjtë fetare” duke e vlerësuan këtë fakt si një aset pozitiv. Ai na bën thirrje të mos jemi islamofob!
Por ja që, i nderuar profesor, ka shumë shqiptarë si puna ime që e mendojnë pak më ndryshe; dhe kjo nuk ka lidhje me islamofobinë, por me realitetin historik.
Shqiptarët janë populli me historinë më të lavdishme të mbrojtjes së kulturës së krishterë dhe europiane dhe ky është një aset që ne shqiptarët, sot, ende nuk dinë ta shfrytëzojnë sa e si duhet; ne ishim populli  simbol në rezistencën kundër muslimanizmit. Shqiptarët janë populli që u persekutua më shumë në Europë nga muslimanët turq.  Shqiptarët janë populli i vetëm në Europë ndaj të cilit muslimanët turq bënë xhihad, pra kërkuan me qëllim shfarrosjen totale të tij, dhe e shfarrosën në një masë majft të madhe!  Ndaj edhe kur shqiptarët u detyruan me shpatë të merrnin besimin musliman, ata shpikën besimin islam më tolerant në botë. Muslimanizmi shqiptar është një muslimanizëm minimalist, krejt i ndryshëm nga ai i botës muslimane, është më sakt një kriptokrishterim, apo si të thuash një besim i krishterë i veshur me kostum musliman! Për këtë arsye krejt i kundërt nga ai turk apo arab! Këtë gjë e dinë shumë mirë edhe ata që po sjellin muslimanizmin radikal në Shqipëri në këto 28 vite! Shqiptarët, edhe pse u deklaruan muslimanë, ditën të ruajnë një kostitucion shpirtëror europian shumë të ndryshëm nga ai musliman! Njëjëzimi i shqiptarëve si popull musliman me turqit muslimanë, në gjykimin tim, është dëmi më i madh që mund ti bëhet jo vetëm politikës dhe dipllomacisë shqiptare, por edhe formëzimit dhe identitetit shqiptar. Kjo sepse në shpirt, shqiptarët nuk janë një popull musliman, në ndryshim nga Turqia që është e tillë. Pra personalisht unë do e vija në diskutim formulimin “shenjë e njëjtë fetare”, si një të pavërtetë historike.

Duke patur parasysh këto fakte historike, shqiptarët duhet ti rikthejnë sytë nga aleatët e vjetër sic janë Austria e Italia të cilat edhe gjeografikisht janë shumë më afër se sa Turqia; dhe ka shumë pak rendësi nëse bëjnë apo nuk bëjnë pjesë gjeografikisht në Ballkan. Pesha e tyre ekonomike e ushtarake, dhe akoma më shumë gjeopolitike, është shumëfish më e rendësishme se ajo e Turqisë; dhe do ishte në ndihmë të Shqipërisë shumë herë më tepër se sa aleanca me një vend si Turqia që cdo ditë e më tepër po rrëshqet drejt diktaturës dhe është e keqparë nga rrethet europiane dhe amerikane. Dhe jo vetëm kaq!

Shqipëria, me amatorizmin e vet, “ka haruar” edhe aleatë të tjerë shumë të rendësishëm në Ballkan për të cilët “cuditërisht” pothuaj nuk flitet fare. Për këta aleatë mbahet kaq shumë heshtje sa edhe lexuesit të nderuar shqiptar duhet ti kujtosh se shtetet e përmendur në shkrimin e prof Shabanit nuk janë të vetmet vende ballkanike; ku ka edhe shtete të tjera jo pak të rendësishme. Të tillë janë vende si Kroacia dhe Sllovenia me të cilat dipllomacia shqiptare, në vend që të punojë në mënyrë intensive për forcimin e marrdhënieve dhe ndërtimin e aleancave (edhe si kundërpeshë të aleancave ortodokse ballaknike që përmend prof Shabani), mban një raport dipllomatik pothuaj afër zeros. A keni dëgjuar ndonjëherë të flitet se sa është shkëmbimi tregtar Kroaci – Shqipëri? A keni dëgjuar ndonjëhëerë të flitet për ndonjë aksion dipllomatik të përbashkët me Kroacinë dhe Slloveninë?! Ska nevojë për përgjigje! Ky është një turp për dipllomacinë shqiptare! Madje shumë më shumë se turp, është faj e pothuaj një krim!
Kroacia dhe Sllovenia janë aleatët më të natyrshëm (dhe shumë herë më të afërt se sa Turqia) për shqiptarët në Ballkan, por politikanët tanë janë të verbër për ti parë! Marrdhëniet ekonomike, sociale, kulturore, diplomatike etj etj me këto vende mund dhe duhet të disaherëfishohen e madje në një aks të tillë perëndimoro-ballkanik, katër shtetet tona duhet të synojnë të fusin edhe Malin e Zi dhe Bosnjen. Kjo do ishte kundërbalanca jonë gjeopolitike në Ballkan, por do ishte edhe një rivendosje e raportit historik që dikur arbërit e kishin ndërtuar dhe vepronin me sukses në këtë zonë në aleancë me Europën. Le të hedhim sytë nga historia jonë e lavdishme e të shohim se edhe Kryetrimi ynë luftoi i mbështetur pikërisht nga ky aks Ballkano-perëndimor dhe ai europian. Le të shikojmë pak më gjerë se vetja e të kuptojmë se për 500 vite Austria, u përpoq të ringjallë këtë aks kaq të rendësishëm Ballkano-perëndimor. “Historia magistra vitae est!”. Dhe ne nuk mund ta fshijmë historinë me një të rënë të lapsit!

Pra, në gjykimin tim modest, historia na mëson se ky do duhej të ishte sot Projekti Strategjik i shqiptarëve në Ballkan dhe jo Turqia që arriti të ngrejë në këto 27 vite më shumë xhamia se sa kishte ngritur ne 500 vite; ndërsa miliona euro investime i con në Serbi! Le të mos harojmë se aleanca Turqi – Serbi ka qënë historikisht një aleancë shumë herë më e fuqishme se mardhëniet Turqi – Shqipëri; le të mos harojmë se deri jo shumë kohë më parë, këto dy vende, vazhdonin marrëveshjet dhe projektet për shpërnguljen e shqiptarëve nga Ballkani, nëpërmjet të cilave Turqia i shiste shqiptarët si derat në pazar! Le të mos harojmë se edhe Turqia, edhe pse nuk ka pretendime territoriale ndaj nesh, ajo  ende nuk heq dorë nga gllabërimi mendor e shpirtëror i shqiptarëve. Pra le të kujtojmë se falë edhe  pozicionimit lëpirës të politikanëve tanë, pozicioni i Turqisë ndaj nesh, duket se nuk ka ndryshuar esencialisht! Dhe kjo duket esencialisht edhe ne shkrimin e historisë që ata vazhdojnë ta ndërtojnë në dëm të historisë së vërtetë të shqiptarëve! Dhe kjo nuk është islamofobi!

Ndaj, përfundimisht, ne jemi pro aleancës me Turqinë si një aleat i domosdoshëm në ekuilibrat ballkanikë, por jemi kundër ekspasionit musliman që imponon Turqia. Ne jemi për ndërtimin e një raporti cilësisht të ndryshëm me Turqinë mbi bazën e reciprioritetit. E mbi të gjitha, ne mendojmë se shumë më të rendësishme për ne shqiptarët janë aleancat me Kroacinë dhe Slloveninë, të dyja anëtare të BE dhe NATO, si dhe aleanca me Italinë dhe Austrinë. Kjo është korniza ose “vallja” që duhet të hedhë Shqipëria dhe Kosova në arenën ballkanike e më gjerë, pa haruar kurrë Amerikën dhe BE-në!

Please follow and like us: