Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: UDB rekrutonte shqiptarët dhe i përdorte kundër regjimit të Hoxhës

CIA ka deklasifikuar disa dokumente, ku tregojnë se si shqiptarët që arratiseshin drejt Jugosllavisë rekrutoheshin nga UDB. Në dokumente tregohet se një pjesë shkonin me dëshirë, ndërsa pjesa tjetër me detyrim. Ndaj tyre kishte kërcënime dhe ndëshkime. Po ashtu jepen detaje se si Shqipëria tentonte të rikthente në atdhe ata që ishin arratisur.

Mars 1955, Politikat jugosllave ndaj refugjatëve shqiptarë

Lidhja e refugjatëve shqiptarë të Jugosllavisë (Komiteti i Prizrenit) është organizuar nga qeveria me qëllim bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një grup të vetëm pa dallime politike apo fetare. Në fakt Komiteti i Prizrenit drejtohet vetëm nga shqiptarë neo-komunistë që janë të besuar të Titos, kjo situatë ka sjellë një atmosferë mosbesimi dhe hezitimi në pjesëmarrje mes shumë refugjatëve, të cilët kanë ndjenja të forta anti-komuniste. Në kontrast me frymën e supozuar demokratike të kushtetutës së Komitetit të Prizrenit, zgjedhja e kandidatëve të komitetit në fakt u manipulua nga Dushan Mugosha dhe ndihmat e tij nga UDB. Komiteti i Prizrenit njihej më shumë mes shqiptarëve të Jugosllavisë si “Organizata Lume” pasi përbëhej kryesisht me shqiptarë të ardhur nga zona e Lumes, por ironia kryesore ishte se ajo zonë njihet për njerëz të korruptuar dhe të gatshëm të shiteshin te kushdo për një çmim. Disa shqiptarë nga Luma janë Ramadan Spahiu, Lufti Spahiu, Islam Domi, Sabri Domi dhe Bardho Leka. Në edicionin e fundit të gazetës së Komitetit të Prizrenit “Flamurit të Lirisë” bëheshin referenca jo ofensive ndaj Shqipërisë dhe sloganet e mëparshme që kërkonin bashkimin e popullit shqiptar kundër Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, kësaj radhe ishin hequr. Komentet e rregullta të propagandës anti-shqiptare gjithashtu nuk dukeshin më. Refugjatët shqiptarë që punojnë nga afër me oficerët e UDB nuk i japin shumë rëndësi Komitetit të Prizrenit. Megjithëse zyra e tij kryesore është në Prishtinë, presidenti Hajrulla Ishmi jeton në Prizren dhe zv. presidenti Nik Sokoli jeton në Pejë. Për më tepër pagesat e anëtarësisë nuk u mblodhën në dhjetor. Ka sinjalizime se Komiteti do të shpërndahet për të formuar një grup të ri më të suksesshëm dhe ndoshta dhe publikimi i “Flamurit të Lirisë” do të ndërpritet.

Politika e Jugosllavisë

Politika aktuale e Jugosllavisë ndaj refugjatëve shqiptarë është e lidhur me politikën ndaj vetë Shqipërisë, ku Beogradi kërkon të demonstrojë se është i gatshëm të prishë organizatat që janë armiqësore ndaj Shqipërisë. Vendi ndoshta kërkon të krijojë përshtypjen si në Lindje dhe në Perëndim se do të eliminojë çdo grup politik agresiv kundër fqinjëve të saj. Kur Jugosllavia mësoi se shumica e refugjatëve shqiptarë dëshironin të largoheshin nga vendi, autoritete të shumta shkuan në kampet e tyre për t’i bindur duke përdorur kërcënime, para dhe premtime të tjera, për t’i detyruar të tërhiqnin aplikimet e tyre për viza. UDB përdor gjithashtu shqiptarë për agjitacion mes refugjatëve, ose për t’i bindur të mos largohen. Personave me influencë ose ish-guerilasve, oficerët e UDB u thonë të mos insistojnë për vizat e daljes se përndryshe do të përfundojnë keq. Ky është një qëndrim i qeverisë jugosllave që ka habitur dhe shqetësuar shumë anëtarë të Komitetit të Prizrenit. Bato Karafili, i ngarkuari me punë në ambasadën shqiptare të Beogradit, megjithëse nën mbikëqyrje të ashpër të UDB, ka përhapur fjalë se Shqipëria i mirëpret të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të kthehen, madje edhe ata që kanë qenë përfshirë në rezistencë aktive ndaj regjimit në të kaluarën. Një natë në fillim të janarit 1955, një refugjat i paidentifikuar nga Luma i cili dëshironte të kthehej në Shqipëri, shkoi në mënyrë demonstrative në ambasadën shqiptare në Beograd, ku u prit mirë dhe iu ofruan ushqim dhe pije. Ai më pas ishte përhapësi i fjalës se kushdo që dëshironte të kthehej në Shqipëri do të pritej mirë dhe se ambasada do ta ndihmonte për kthimin. Raportohet se rreth 640 shqiptarë që dëshirojnë të largohen nga Jugosllavia janë transferuar në një kamp refugjatësh në Slloveni.

20 gusht 1954, Memorandumi, Projekti OBDURATE

Projekti i mëposhtëm i divizionit SE ju paraqitet për miratim në shumën totale prej 9120 $, për periudhën 1 korrik 1954 deri në 30 qershor 1955. Ky projekt përfshin ndërlidhjen tonë me inteligjencën detare italiane për të shfrytëzuar mundësitë e grupit të emigrantëve shqiptarë në Romë. Me anë të ndërlidhjeve tona në po përgjojmë burimet e grupit të shqiptarëve për informacione mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në Itali e Jugosllavi. Ne po punojmë gjithashtu për infiltrim në legatën shqiptare të Romës.

Personeli

Agjenti ynë është anëtar i vjetër i Bllokut Kombëtar Indipendent (BKI) dhe ka burime informacioni për Shqipërinë. Disa nga këto burime janë në Jugosllavi dhe kontaktohen me postë. Ndërsa agjenti …, një tjetër anëtar i njohur i BKI është një prej burimeve më të mira për rekrutim agjentësh, për operacione të drejtuara nga CIA në veri të Shqipërisë. Dy agjentët kanë të dy motivim të fortë ideologjik dhe bindjen se SHBA është e vetmja fuqi botërore që mund të përkushtohet mjaftueshëm për të sjellë një çlirim dhe integritet territorial të Shqipërisë. Asnjëri prej tyre nuk dëshiron që bashkëpunimi i tyre të bëhet i njohur te italianët.

Konteksti

Disa aspekte të këtij projekti ishin përfshirë më parë në projektin OBSTACLE të prillit 1954. Me aprovimin e projektit të ri kontributet tona për BKI bëhen me anë të liderit të saj në Nju Jork. Aq sa mund të përcaktohet, financimet për këtë grup janë vetëm në shërbim të projektit dhe operacioneve nga baza e Romës.

Periudha dhe kostot e aprovuara

Periudha e aprovuar është 1 korrik 1954 deri në 30 qershor 1955, me një kosto prej 9120 dollarë, të detajuar si më poshtë: Pagesa për liderin me anë të agjentit … 5280 dollarë, pagesa direkte ndaj … nga oficeri i CIA, 3840 dollarë.

Rekomandime

Komentet e degës tregojnë për objektiva të “Prioritetit 5”, siç reflektohen në direktivat e misionit për Italinë, aktualisht nën shqyrtim por mund të ngrihen në “Prioritet 4”. Planet detajojnë se projekti është në linjën e direktivave të aprovuar për Shqipërinë. Zonat e veprimit: Itali, Shqipëria Veriore, Jugosllavi. Ky projekt do të vazhdojë për një vit me mbledhje informacionesh raportime për aparatin shtetëror. Ai ka si qëllim shfrytëzimin e burimeve të informacionit në Shqipëri për aktivitetet e shqiptarëve të Jugosllavisë dhe aktivitetet e shqiptarëve të Italisë. Refugjatët shqiptarë në Jugosllavi llogariten nga katër deri në shtatë mijë, dhe mjaftojnë për të formuar një forcë paramilitare që mund të përdoret nga UDB për operacione të shkallës relativisht të gjerë, kundër Shqipërisë. Kjo mundësi shikohet me shqetësim nga Departamenti i Shtetit dhe nga qeveria e SHBA. Në të kaluarën janë mbledhur shumë informacione mbi aktivitetet shqiptare në Jugosllavi, nga burime të vjetra të atjeshme duke përfshirë edhe agjentë të hershëm të misioneve tona që u detyruan të dilnin përsëri nga Shqipëria. Megjithëse shumica e informacionit është marrë me anë të letrave dhe postës në Romë, informacioni konsiderohet sekret. Klientët tanë rrallëherë kanë marrë informacion të tillë nga burime të tjera. Oficeri që drejton këtë projekt në terren, ka si detyrë kryesore të ruajë bashkëpunimin besnik të burimeve dhe përmirësimin e cilësisë së informacioni që vjen në rrjetin e tij. Që prej raportimit të tij direkt te CIA, masa e bashkëpunimit të tij nuk duhet dhe ai është duke rrezikuar vitet e tij të karrierës me autoritetet italiane duke u hequr si një prej agjentëve kryesorë të projektit. Është me rëndësi ruajtja e besimit dhe bashkëpunimit të … që është një lider i rëndësishëm i BKI dhe burimi ynë kryesor i rekrutimit të agjentëve për operacionet e CIAs në veri të Shqipërisë. Të vazhdojë zhvillimi e zgjerimi i kontakteve mes anëtarit të BKI dhe punonjësve të ambasadës shqiptare në Romë. Bashkëpunimi i saj me agjencitë italiane të inteligjencës ka sjellë ftute në të kaluarën, duke përcaktuar politikat e qeverisë italiane në lidhje me Shqipërinë dhe grupet shqiptare të emigracionit.

Personeli

Individët e përdorur në këtë operacion si informantë janë shumë për t’i numëruar këtu. Kontaktet ruhem në formë letrash nga rreth dhjetë anëtarë të ish-misioneve tona që u detyruan të largoheshin drejt Jugosllavisë, si dhe nga mbështetës të grupit politik BKI, të shpërndarë në zonat veriore të Shqipërisë. Ky paragraf do të kufizohet te agjentët kryesore me të cilët oficeri ynë ruan kontakte në Romë: Ky subjekt është lideri kryesor fisnor në veri të Shqipërisë që ka trashëguar kodon e ligjeve fisnore për zgjidhjen e debateve mes katolikëve dhe muslimanëve. Megjithse nuk ka qenë në Shqipëri që prej vitit 1945, eksperienca jonë tregon se ai ka ende influencë të madhe në popullsinë malësore të veriut të Shqipërisë. Pozita e tij në Shqipëri është e ngjashme me atë brenda radhëve të BKI në Itali, dhe në grupe të tjera emigrantësh. …Ky subjekt nisi karrierën e tij si intelektual dhe është bërë një prej poetëve më të njohur në gjuhën shqipe, si dhe mbi origjinën e gjuhës shqipe. Pas interesimit të tij me politikën, ai u bë simpatizant i bashkimit të Shqipërisë me Italinë për arsye të studimit në Itali dhe fesë katolike. Megjithë bashkëpunimin e tij me Italinë, ai mbetet një figurë e rëndësishme për veriun e Shqipërisë.

Mbrojtja: Dy agjentët tanë janë liderë të grupit BKI dhe jetojnë hapur në Itali duke gëzuar dhe mbrojtjen e qeverisë italiane, prandaj nuk ka nevojë për mbulim. Kurse oficeri i CIA njihet nga subjektet e mësipërme me emrin e tij të vërtetë dhe si përfaqësues i agjencisë. Kontaktet e tij kanë qenë gjithmonë të sigurta megjithë kohëzgjatjen e madhe të operacionit (prej mesit të vitit 1948)

Komunikimet

Kontaktet mes oficerit tonë dhe subjekteve zhvillohen në një vend të sigurt në Romë. Kontaktet mes … dhe burimeve të tij në Jugosllavi shumicën e kohës bëhen me anë të postës së thjeshtë. Por kemi marrë edhe disa raportime klandestine nga refugjatë që janë larguar nga Jugosllavia, me mesazhe dore nga burime të atjeshme.

Mbikëqyrja

Çdo mundësi kontrolli mbi agjentët vjen prej bindjes së tyre ideologjike dhe motivimit të tyre se SHBA është i vetmi shtet që i përkushtohet mjaftueshëm çështjes së çlirimit dhe ruajtjes së integritetit territorial të Shqipërisë. Një tjetër masë kontrolli mbi agjentin është fakti se ai nuk dëshiron të bëhet i ditur te italianët fakti i bashkëpunimit të tij të plotë me agjencinë tonë, pasi kjo do të cenonte pozitën e tij me autoritetet atje. Një tjetër mjet kontrolli edhe pse indirekt, është përfshirja e partisë së tij politike (BKI) në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë (NCFA). Përfaqësimi i tyre është kërkuar prej vitesh nga BKI dhe u arrit vetëm me këmbënguljen e agjencisë në vitin 1954. Për këtë agjenti ynë është mirënjohës dhe pranon se situata aktuale do të vazhdojë vetëm me aprovimin e qeverisë së SHBA.

Financat

Kostoja totale pritet të arrijë në 9120 dollarë, teksa pagesat mujore do të bëhen në lireta italiane në shumën prej 275 000. Pagesat totale 760 dollarë në muaj.

Please follow and like us: