Veprimtari të Tetorit Gjerman, 9-12 tetor 2018
Filmi: “I riu Karl Marks” nga Raoul Peck (2017) (gjermanisht me titra shqip) E martë, 09.10., ora 19:00, Kinema Millennium, Tiranë E mërkurë, 10.10., ora 18:00, Kinema Millennium, Shkodër Hyrja e Lirë!
Paris, viti 1844, në prag të Revolucionit Industrial: 26-vjeçari Karl Marks (August Diehl) jeton në mërgim në Francë bashkë me gruan e tij Jenny (Vicky Krieps). Kur Marks prezantohet me të riun Friedrich Engels (Stefan Konarske), ai, i njohur si një baba i falimentuar ekonomikisht, ka vetëm përbuzje për borgjezin e krekosur dhe djalin e një pronari fabrike. Por Engels është copëza e fundit e puzzle-it për një përshkrim pa rezerva të krizës nga Marksi. I RIU KARL MARKS është një film historik mbi takimin e dy mendimtarëve, që donin të ndryshonin botën dhe të kapërcenin shoqërinë e vjetër. Trajtuar me imazhe të mëdha dhe me shumë ndjeshmëri, regjizori Raoul Peck tregon historinë e lindjes së një ideje të njohur botërisht, që edhe 200 vjet pas lindjes së Marks-it ende mund të nxisë për të menduar, si portret i një miqësie të ngushtë.
|
Bota e vajzave midis traditës dhe modernitetit Performancë muzikore dhe diskutime në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave E enjte, 11.10., ora 19:00, Tulla – Culture Center, Tiranë Hyrja e Lirë! Aktiviteti do të zhvillohet në gjuhën shqipe.
Pavarësisht konventave ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, shpesh bota e vajzave mbetet e padukshme. A mund të kontribuojë muzika që vajzat të fitojnë një zë dhe të drejtat e tyre të dëgjohen? Çfarë roli luan gjuha për këtë? A mundet që muzika dhe gjuha të krijojnë botë të reja për vajzat? Ekziston një traditë e gjatë në këngët folklorike shqiptare, që ndër brezat e grave transmetojnë zakone patriarkale, sipas të cilave vajzat në moshë adoleshente martoheshin kundër dëshirës së tyre, nuk arsimoheshin dhe nuk kishin mundësi të vendosnin vetë për jetën e tyre. Këngëtarja ANDRRA, emri artistik i Fatime Kosumit, i performon këto këngë me mjete moderne muzikore dhe i sjell ato në situatën e tanishme të shumë vajzave të reja, të cilat në një shoqëri të karakterizuar akoma nga patriarkalizmi, detyrohen të martohen në moshë të hershme dhe të largohen nga shkolla. Në aktivitet do të prezantohen këngë dhe do të zhvillohen biseda me këngëtaren ANDRRA dhe me studiuesen për çështjet gjinore Delina Binaj me pjesëmarrjen e publikut. Gjithashtu Fatime Kosumi do të bashkëbisedojë me nxënësit dhe nxënëset e Liceut Artistik “Jordan Misja“ paraditen e dt. 11.10. në kuadër të një seminari ku ajo do flasë mbi procesin krijues të këngëve të saj dhe mesazhin e tyre.
|
Shënime për Adenauerin – një portret i Adenauerit nga Hans-Peter Schwarz E premte, 12.10., ora 13:00, Universiteti Europian i Tiranës, Holli qendror Hyrja e Lirë! Fondacioni Konrad Adenauer (KAS) dhe Universiteti Europian i Tiranës (UET) prezantojnë botimin në shqip të librit “Shënime për Adenauerin”. Hans-Peter Schwarz, njohësi më i mirë i Konrad Adenauerit, eksploron në esenë e tij të shkëlqyer biografike personalitetin kompleks dhe arritjet politike të këtij themeluesi të Republikës Federale të Gjermanisë. Me origjinë nga shtresa e mesme shoqërore, Konrad Adenaueri arriti të bëhet në vitin 1917 kryebashkiaku i vendlindjes Këln. I liruar nga detyra prej nazistëve, në vjeshtën e vitit 1944 ai ishte i burgosur dhe priste ekzekutimin e tij. Në vitin 1949, në moshën 73 vjeçare, Adenaueri u bë Kancelari Federal dhe qëndroi në këtë detyrë për 14 vjet. Hans-Peter Schwarz hedh dritë mbi fazat e jetës dhe arritjet politike të Konrad Adenauerit dhe përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes se si ai arriti të udhëhiqte Republikën e re Federale në komunitetin e demokracive perëndimore. Schwarz shqyrton angazhimin vizionar të Adenauerit në një Europë të bashkuar, dhe në të njëjtën kohë pyet për “anët e errëta” të jetës së tij politike. Libri shoqërohet në fund edhe me dy ese nga Prof. Dr. Adrian Civici dhe Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa.
|
Ekspozitë “Ruth Wolf-Rehfeldt: Kolazhe dhe Edicione” Hapja e ekspozitës: E premte, 12 tetor 2018, ora 19:00, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 12.01.2019 në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë. Ruth Wolf-Rehfeldt, e lindur në vitin 1932 në Wurzen (Gjermani), punoi në kufirin e poezisë vizuale dhe artit abstrakt. Në fillim të viteve 1970, ajo filloi të krijonte grafika me makinë shkrimi. Nën duart e saj, shenjat e zeza dhe të kuqe të makinës së shkrimit Erika kthehen në valë dinamike, rrjedha simbolesh dhe struktura poezish të ndërtuara me presje, pikëçuditëse e shkronja. Ajo i shpërndau veprat e saj tek artistët e “Mail Art” në mbarë botën. Puna artistike e Ruth Wolf-Rehfeldt është e lidhur me historinë e ndarjes së Gjermanisë. Duke jetuar dhe punuar në ish-Republikën Demokratike të Gjermanisë (RDGJ), ajo shprehu gjithashtu shtypjen e perceptuar prej saj përmes grafikave të makinës së shkrimit, të cilat si motive kanë ndër të tjera kulla dhe kafazë. Studio e saj në Berlinin Lindor u kthye në një vend takimi për artistët vendas dhe ndërkombëtarë. Me rënien e murit në vitin 1989, Wolf-Rehfeldt vendosi t’i jepte fund prodhimit të makinëshkrimeve. Sipas saj, nuk ekzistonte më nevoja për to. Veprat e Ruth Wolf-Rehfeldt vijnë për herë të parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ekspozita është kuruar nga Sven Spieker dhe arkitektja Johanna Meyer-Grohbrugge. Me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Shqipëri, ekspozita do të hapet më 12 tetor në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë në kuadër të Tetorit Gjerman dhe mund të vizitohet deri më 12 janar 2019.
|
Youth 4UM E premte, 12 tetor 2018, Hotel Tirana International
Western Balkans Youth Cooperation Platform (WBYCP) është një platformë rajonale e të rinjve, e cila u themelua në vitin 2017 nga “Cooperation and Development Institute” me mbështetjen e Fondacionit Hanns Seidel.
Kjo platformë është e bazuar në partneritetin e gjashtë organizatave ombrellë të WB6, të cilët kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi. Kjo e bën WBYCP një iniciativë unike bashkëpunimi që përfaqëson më shumë se 400 organizata rinore dhe gjimnaze në rajon. WBYCP shpalli një konkurs për të rinjtë nga rajoni të moshës 16 deri 24 vjeç të titulluar “Tre arsye për të qëndruar në vendin tim”, i cili u zhvillua nga dt. 21 maj deri më 2 korrik. Dy fitues nga secili vend janë ftuar javën e dytë të tetorit të marrin pjesë në një program rajonal shkëmbimi të të rinjve në Tiranë si dhe në një Youth4UM ku ata të shprehin pikëpamjet e tyre dhe perspektivat për zhvillimin e vendit si dhe të shkëmbejnë mendimet e tyre me kolegët e rinj dhe përfaqësues të BE-së, institucionet rajonale dhe kombëtare.
|
DIHA-Oktoberfest 12 dhe 13.10, ora 19:00, Mak Tirana
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) organizon edhe këtë vit Oktoberfestin e saj tradicional, e cila sjell në Tiranë atmosferën autentike të “Wiesn”. Në Oktoberfestin e DIHA-s ju ftojnë jo vetëm birra gjermane, ushqimi i bollshëm e me shije dhe sharmi bavarez. Në të dyja netët do të luajë edhe grupi muzikor origjinal i Oktoberfestit në Mynih “Gaudi Blos`n“, i cili do kujdeset për një atmosferë autentike dhe të çlirët. Në sallën e dekoruar bardhë e blu, ju presin çdo ditë rreth 500 vende në tavolina, një pistë e madhe kërcimi dhe një hapësirë e jashtme! Biletat do të shiten duke filluar nga data 05.10.2018 përmes DIHA-s. Informacione të mëtejshme mund të gjeni në faqen www.diha.al (email: info@diha.al). |