Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Maria Polidhurit nën shqipërimin e Arqile Garos

Si heshtin sonte…

 

 

Si heshtin sonte gjërat, sa mahnitshëm,

dorëzuar në vetmi.

Mbart qetësia diç nga retë, përzishëm,

një zbrazëti.

 

Valvitet gjithësia ëmbël, madhërishëm.

Diku një melodi mezi dëgjohet.

E thellë në shpirtin tim një uverturë ngadhnjyeshëm,

po nis e zgjohet.

 

Dhe nuk di më, se ky mesazh nga po më vjen,

plot nostalgji, vajtim.

(Harrova krejt, se unë e para e lashë pa dhënë

betejën pa kuptim).

 

Por sonte në mes heshtjes së habitshme që rënkon,

një ëndërr më cfilit, një paranojë.

Oh, kurrë mos ditsha k’të mesazh kush ma dërgon,

siç erdhi, le të shkojë.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, janar 2014.

 

Shiko e dashur…

 

 

Shiko e dashur, është shumë larg korijë e ëndërruar

gjynah, s’u bë ende agim e ne duhet të vemë?!

Do ta dërrmojë rruga pa udhë, mallkimi i dëshpëruar,

gëzimin tonë tërë ngazëllim, dëshirën dhe harenë.

 

Pse të mos zëmë një qoshkëzë rrugës atje mbi bar,

nën një ulli, te hij’ e tij – o ç’ hije e mrekulluar?!

Dhe mbaje mend se me freskinë e puthjeve plot zjarr,

shpirtin me lule do ta mbush, moj mike e adhuruar!

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, maj 2013.

 

O nëna ime

 

 

Oh nënë, sa dhimbshëm ndihet ky rënkim

i fatit tënd mbi gjoksin tim të brishtë.

Ngulçim që mblidhet por si lëmsh i trishtë,

qarkon kujtimin tënd me pikëllim.

 

Mua që nën yje  linda e bekuar

sepse u bëra krejt e jotja shëmbëlltyrë,

le të më qasë si një mëkat të pafytyrë

ky memoriali yt, martir i shenjtëruar.

 

Oh fatit tënd, që e njoha unë tek vetja,

i ofroj mendimin tim të çoroditur.

Por thellë në shpirt veç unë kam për ta ditur

sa dashuri vërshon ng’ata që i merr vdekja.

 

O nënë, më grryen malli,sa të dua,

tani që mugëtira në terr po shndërrohet

në jetën time të mjeruar që sfumohet…

oh, sa më duhesh  nënë e dashur… mua.

 

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janinë, mars 2013.

 

Një mbrëmje në stacion

 

 

Oh ç’pikëllim mbart një stacion,

momentin që një tren sapo ka shkuar.

Një çast më parë, ai këtu

mbi shina madhërishëm kish qëndruar

e venin vinin me nxitim e ngut

pamendërisht të qeshur udhëtarët.

Ata që mbetën rri e i vështroj

ndryshuan e s’ janë më ata të parët.

Ai vendi bosh e heshtj’ e thellë

brenda stacionit që i iku treni.

Ata që s’ ikën treten me nxitim

me hap të sigurt që den baba deni

i ndjek një fat si  hije, një mjerim.

Çdo herë diçka u ikën, u largohet,

e ata mbeten rishtaz në stacion

më një vështrim pa jetë që mjegullohet.

 

I kthehen prapë rutinës me guxim

gjoja dhe shpina kërruset porsi hark.

– Ndarje, të rëntë një rrufe

dhe ty të dashurova këtë darkë.

Se “lamtumira” e ëmbël qe

sa dora çante ajrin n’ errësirë

edhe shami e bardhë si re

porsi zambak që tretej n’ hapësirë,

e unë që pata rastin të shikoj

imazhin tënd kaq të gëzuar,

Buza më dridhet emrin kur shqiptoj.

Ndarje, ti qofsh përherë e stërrmallkuar!

 

Gare du Nord, Paris 1927.

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, nëntor 2013.

 

Në rrugën që më gjeti të vetmuar…

 

Në rrugën që më zuri në vetmi,

nuk di se si, ç’ është e vërteta,

gjeta thellë meje një shpirt krejt të ri,

sa shumë ëndrra të reja gjeta.

 

Në gjysëm errësirë, sa i ëmbël ish

lastar i porsambirë i shpresës,

që ngjante si dhuratë prej perëndish,

si bulëz shpëtimtare e vesës.

 

Sa ëmbëlsi kur zemra lulëzonte

në thellësi të kurmit tim të ri.

Në sythe syri këndshëm lumturonte,

një vrull që bëhej gaz e melodi.

 

Dhe mendja fluturonte. Çmendurisht

duart e mia flatra imagjinarë,

ja dashuria po më fton me gisht,

e më dërgon pëllumba lajmëtarë.

 

Ja dashuria me një drapër vezullor,

më vjen e më rri pranë,

dhe pasi ç’ kam të freskët prapë ma korr,

vetëm më lë, mënjanë.

 

Shqipёroi: Arqile Garo, Janinё, dhjetor 2014.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Please follow and like us: