Albspirit

Media/News/Publishing

Poetë grekë nën përkthimin e Arqile Garos

 

Thanasis Kostavaras: Fati i një brezi

 

Zëri ynë

një letër e zhubrosur që era e merr dhe e flak tej.

Si zogj të vrarë, të shurdhëta vargjet tona.

E megjithatë, dikur, arritëm diçka.

Dhe besuam se ende kemi borxhe.

Ndaj, qoftë edhe me gjuhën të prerë

pa zë

nuk pushojmë

së kënduari.

Pa këngë, njeriu

nuk është veçse një bishë e friguar.

Me këngën, zëmra e tij rreh në mënyrë më njerëzore.

Ndez hënat e fshehta mbrëmjeve të errëta, të shkreta,

u mban shoqëri të huajve, të përndjekurve,

u jep kurajë të deshpëruarve.

Le ta përsërisim edhe një herë: pa Poezi

nuk e di në ka shpresë mbi planet.

Gjithsesi pa këngë

Bukuria është e vdekur.

 

 

Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, dhjetor 2012.

 

 

Tasos Livadhitis: Të pres ngado

 

Dhe në ardhtë dikur një moment që të ndahemi, e dashur,

mos e humb kurajën.

Virtyti më madhor i njeriut, është të ketë zemër.

Por madhështor ai bëhet kur lind nevoja

të mënjanojë zemrën e vet.

 

Për dashurinë tonë nesër, do këndojnë fëmijët në librat e shkollës,

pranë emrave të yjeve dhe detyrave të shokëve.

Po të më falnin përjetësinë pa ty,

do preferoja veçse një moment krah teje.

Do kujtoj gjithmonë sytë e tu, plot dritë e flakërimë,

si dy ditë dashurie, në vorbullën e luftës civile.

 

Oh! Po, harrova të të them, se kallinjtë janë të artë e të pa fund,

sepse unë të dua.

 

Kyçe shtëpinë. Lërja çelsin një gjitoneje dhe nisu.

Aty ku familjet ndajnë një bukë në tetë pjesë,

aty ku rrokulliset hija e madhërishme e të pushkatuarve.

Në çdo vend të botës, në cilëndo orë,

aty ku njerëzit luftojnë e vdesin për një jetë të re…

atje të pres, e dashur!

 

 

Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, dhjetor 2012.

 

 

Righas Fereos: Kushtrim

 

Gjer kur or kapedanë, do rrojmë në këtë humnerë,

si ujqër të vetmuar, të ndjekur e të mjerë?

Të gdhihemi në shpella, me drizat shoqëri,

të ikim nga kjo jetë, me dert e në robëri?

 

Së gjalli ndarë nga tanët, nga vëllezëria, miqtë,

nga shokët, farefisi, atdheu e çiliminjtë.

Më mirë jeto një orë, si shqipja në liri,

sesa një jetë të tërë, në burg e skllavëri.

 

Më thoni ç’vlerë ka jeta, kur çizmen ke në fyt,

njëlloj si të të pjekin, në prushin që të mbyt.

Po dhe zotëri në qofsh, vezir a draguman,

tirani të pret kokën e llogari nuk mban.

 

Rropatesh ditë e natë nën urdhërat e tij,

po jo, s’paska të ngopur dhe gjak kërkon të pijë.

Ja, Suxhua, Muruzi, Petraqi, Skanivejtë,

Gjika dhe Mjekërziu, që ju i njihni vetë.

 

Sa trima kapedanë, priftërinj apo laikë,

sa agallarë janë therrur, po nga e njëjta thikë.

Me turq e të krishtërë, nuk paskan numërim,

ata që humbën jetën, nderin dhe pasurinë.

 

Vëllëzër, erdhi koha mos presim duarkryq,

eni të lidhim besën, së bashku mbi këtë kryq.

Të vemë në krye burra të urtë e patriotë,

që të ujdisin punët, siç thotë i madhi Zot.

 

Ligji të jetë i pari, ai të na drejtojë,

edhe atheun, vetëm një burrë ta komandojë.

Sepse dhe anarshia, ngjason me sklavërinë,

të bën të rrosh si bisha, pa rregull, pa dallim.

 

Drejt qiellit përkushtuar, pëllëmbët ti drejtojmë,

e me besim tek Zoti, me zemër të premtojmë.

 

“O mbret i gjithëpushtetshëm, besën e jap tek Ti,

me hasmin, asnjëherë mos bie në ujdi.

Të mos mashtrohem kurrë, për të të mos punoj,

premtimet edhe lajkat ti flak e ti përçmoj.

Qëllimi im i vetëm, mbi këtë dhé sa rroj,

do jetë, që pa mëshirë, ta ndjek e ta luftoj.

Besnik ndaj memëdheut, dhe i lirisë ushtar,

nën urdhërin e të parit, nga shokët i pandarë.

Po nuk e mbajta besën, po shkela këtë betim,

u djegsha nga rrufeja, u bëfsha pluhur, tym”.

 

Nga lindja e perëndimi, nga jugu në veri,

me një dëshirë në zemër, me një vullnet në gji.

Në fe të tij secili, të rrojë e të besojë,

porse lavdinë e luftës, të tërë e ndajmë njësoj.

 

Grekër edhe Bullgarë, Armenë e Shqiptarë,

të zinj edhe të bardhë, me vrull e të pandarë,

Për një Liri të madhe të ngjeshim jataganë,

dhe trimëria jonë le të çudisë dynjanë.

 

Ata që nuk duruan e ikën në kurbet,

është ora që të kthehen, sekush në vend të vet.

Dhe kujt daulle e luftës në vesh sot i kumbon,

hakmarja ndaj tiranit, në istikam e fton.

 

Rúmeli  ju hap krahët, me mall e dashuri,

u jep troje dhe grada, nderim e pasuri.

Boll më, nën mbret të huaj, zabit e mercenar,

kthehu në vendin tënd e bëhu zot, i parë.

 

Tё vdesësh pёr atdheun, ёshtё nder dhe krenari,

shpatën në derën tënde, ta varësh me lavdi.

Ata qё do pendohen, do ti pranojmë si shokë,

vëllëzër me fe tjetër, në luftë e paqe tok.

 

Sakёn ama, atyre qё do na rrinё pёrballё,

dhe gjaku ynё në qofshin, asnjë mos ngeltë i gjallë.

Suliotё edhe Manjatё, ju luftëtarë me nam,

boll ndenjët nëpër shpella, tash dilni nё mejdan.

 

Shqiponja tё Olimpit, tigra nga Mali i Zi

stёrnipa Agrafiotёsh që bëni histori.

Ju trima Maqedonas, vёrvituni mbi ta,

e mbi hordhitë armike, bëni kërdi, hata.

 

Nga Sava e Danubi, vёllёzёr tё Krishterё,

nё dorё rrёmbeni armёt dhe çoji pёrnjёherё.

E le t’ju ndizet gjaku nga ky tërbim i drejtë,

derdhuni  mbi armikun, e me çlirim të shpejtë.

 

Po ju trima të çartur, andej nga Deti i Zi,

akoma do duroni, torturë e barbari?

Llazënj të papërkulur, nuk keni ç’prisni më,

o burra, në bugaz dhe ju bashkë me ne.

 

Dhe ju delfinё tё detit, tё ishujve zgalemё,

turruni si rrufeja, bini si anatemё.

Të Kretës e të Hidrës, dëgjoni zogj detarë,

atdheu ju bën thirrje, ndaj gjegjuni  krenarë.

 

Sa jeni ndënë urdhër, në flotë si marinarë,

e drejtë e luftës sot, urdhëron ti vini zjarrë.

Me ne dhe ju Maltezë, bashkoji dhe me vrik,

para, të heqim qafe, sundimin tiranik.

 

Kushtrim lёshon Greqia, me dhimbje na kёrkon,

me ankthin e njё nёne, nё sakrificё na fton.

Dёgjon or Pazvanxhiogllu, ngrehu edhe merr dhenё

si shqipe drejt Ballkanit, hidhu, ndёrto folenё.

 

E mos u merr me bufёr, me korba e gjithё ç’ka janë,

tё sigurt ke fitoren, kur bёhesh me rajanё.

Silestra e Braila, Smajel e Kilinxhi,

Bendёri dhe Hotini, shpresёn e kanё tek ti.

 

Tё gjunjёzuar falen, qё tu dёrgosh ushtri,

nё kockё mbёrriti thika, nuk mbajnё mё robëri.

Gjurxhi, zgjohu nga gjumi e nisu me nxitim,

nё do tё ngjash me Prushёn, mos bёj tjetёr mendim.

 

Dhe ti, që në Halab, mendon se rron i qetë,

pasha, mos e humb kohёn, po dil nё selamet.

Çoju, gatit taborёt, nisu për luftë e shko,

firmanët e Sulltanit, grisi, mos i beso.

 

Luanër të Misirit, një punë ta bëni vetë,

gjeni një beun tuaj, të emëroni mbret.

Haraç që nga Egjypti, Stambollit mos i mbërijë,

dhe ujku para ngordhjes, do nisë të ulërijë.

 

Së bashku, me një zemër, një mend e një qëllim,

ti biem tiranisë, përndryshe s’ka shpëtim.

E flaka që do ndezim në tërë Perandorinë,

tek niset që nga Bosnja, të zgjojë dhe Arabinë.

 

Me shpirtin tek liria, me kryqin në bajrak,

porsi një grusht i vetëm, yxhym, të marrim hak.

Mos e mendoni kurrë armikun më të zot,

se lepurin në bark e ka tash e sa mot.

 

Një grusht me Gërxhallinj, i dhanë që të kuptojë,

se topi përballë zemrës, nuk mund  jo, të fitojë.

Andaj mos u mendoni, e rrini si të mpirë,

mes jush mos u përçani, të ligj edhe të mirë.

 

Si kur, të parët tanë, stërgjyshër legjendarë,

që për lirinë e vendit hidheshin dhe në zjarr.

Ashtu dhe ne vëllëzër, të rrokim armët sot,

edhe atdheut djema, ti dalim vetë për zot.

 

Ti ngulim thikën bishës, që ndënë zgjedhë na mban

që s’pyet për të Krishterë as për Muhamedanë.

Mbi tokë e nëpër dete, kur kryqi të ndriçojë,

përballë me drejtësinë, armiku do qëndrojë.

 

Bota do të çlirohet, nga ky kancer i ndyrë,

dhe ne të gjithë vëllezër, do rrojmë mbi dhe të lirë.

 

Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, Shkurt 2012.

 

 

Polyvios Dimitrakopoulos: Erosit

 

O i mallkuar! qё dynjanё tё tёrё nё dorё e vure!

Pёr ty shpёrthen çdo shamata, pёr ty zbrazen kobure·

e katandise kёtё tokё njё ndyrёsi, lanete,

e bёre mё tё poshtёrёn ndёr yje dhe planete.

 

Ty monumente tё blatojnё mbarё popujt hera herёs

gjithё ata lolo e dordolecё qё i thonё vetes njerёs,

dhe porsi bagёti pёr ty vriten e luftra nisin,

nё vend qё dёrmёn tё tё vёnё, nё djall tё tё degdisin!

 

Ti ndeze flakёn nё çdo anё, ngado ushton gjёmimi·

e çove deri n’ atё pikё sa brirёve u ra çmimi·

ti bёre gjёmёn, llahtarinё, humbet qeni tё zonё

e gjel’ i ngratё qё nuk merr vesh pёr cilёn pulё kёndon.

 

I bёre pulat tё mos dinё se ku e kanё folenё,

tёhu lёshojnё tё klithurat, gjetiu  kokovenё.

Dhe mendj’ e femrave  pёr ty, yrysh pas berihait

e nis sfumohet dalёngadalё tёrё raca e babait.

 

Pёr ty dhe djali lё shtёpinё dhe ikёn e merr dhenё

edhe humbet nёna fёminё,  fёmija  ngel pa nёnё·

pёr ty dhe shtamba niset shkon nxitimthi drejt burimit

e shko e eja, eja shko, harron rrugёn e kthimit.

 

Pёr ty dhe uji qё ёshtё ujё, gulçon tek nxjerr merakun,

e merr tenxherja rrokullimnё të vejë të gjejë kapakun.

 

 Shqipёroi Arqile Garo, Janinё, korrik 2013.

 

 

Pandelis Bukalas: Dallkaja

 

Erosin ta thom me një fjalë, dërsij dhe sëkëlldisem,

kam bindjen se i shkon më mirë ta quajmë thjesht, sevda,

as dert e as siklet or mik. Po vuaj, po kërdisem,

se veç lanetja dashuri s’ do llafe të mbëdha.

 

Ajo virane s’ është dilemë, është ulërimë e kujë,

kur e përmend e kur të dhemb e brinjë më brinjë të therr.

Sepse nuk është një pellg i qetë por lumë, që në rrëmujë

të merr yrysh e të heq bran e s’dihet ku të nxjerr.

 

Ja pra e gjeç llafin, sevda, llahtarë që egërsohet,

me foljet që sofistikon ushton, sajon muzikë

e kur përleshet n’ hapësirë në hone kur lëshohet,

paçka se vetë fort mirë e di që mbetet plagë dhe pikë.

 

Dallkaja e sevdaja bashkë e derti dhe sikleti

– eh, shqipja jonë sa dorë të jep, tërë nur e bujari.

Por veç aromë e dashurisë të gjitha gjuhët gjeti,

– i bëri tok, u dha kuptim në heshtje e dhëmbshuri.

 

 

Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, qershor 2013.

 

 

Nikos Kavadhias: Grua

 

Përmbi të peshkaqenit krah vallzo, porsi stuhia.

Tallu me erën edhe shko, pse ti e di sa dhemb.

Gjetiu të quanin Xhudith,* këtu të thonë Maria.

Smerna me gjarpërin e zi shkërmoqen mbi një shkëmb.

 

Shpesh në rini nxitohesha, por tash jo, mikja ime.

Pse një sirenë më orjentoi mbi botë e fishkëllen.

E jotja dorë që ledhatoi thinjat mbi kokën time,

për një moment më gjunjëzoi, por më nuk më gënjen.

 

Matësi i kohës na u kris, spiranca na u thye.

Ngrije sofranë or djalë i mbarë, në radë do dalim prapë.

Cili bir bushtre na mallkoi që fati ynë u kthye

dhe gjithë mileti rreth e qark na shohin si zullapë?!

 

E lyer. E lër të të ndriçojë feneri i kuq si flakë.

Veshur me alga e lule rozë porsi hyjni amfibe.

Kaluar mbi një kalë pa shalë, kapistër, e bajrak,

për herë të parë në Altamirë, në shpellën si kolibe.

 

Një pulëbardhë me salto rreh delfinin të hutojë.

Pse më shikon? Po ta them unë, vendin ku jemi parë.

Mbi rërën e pafundësisë të shtrirë në paranojë,

natën që Piramidave u vihej guri i parë.

 

Murin Kinez shëtitëm bashkë nën vapën e korrikut.

Ca marinarë një skaf të ri ishin duke montuar.

Mes shpatave të zhveshura në luftën e Granikut

ti, Maqedonasit në plagë i derdhje vaj të vluar.

 

E gjelbër. Shkumë e dallgëve në ngjyrë vishnje të thellë.

Nudo. E veç një brez i artë të vezullon rreth belit.

Ndajnë sytë e tu shtatë meridianë dhe yllin që më ndjell,

në ateljenë e larë me famë të Xhiorxhio Barbarelit.

 

Duket se gurë i hodha prapë e nuk më do më lumi.

E çfarë të bëra që më zgjon me vrull ende pa gdhirë.

Nata e fundme në stere haram s’ bëhet nga gjumi.

Një mëkatar që nuk gëzoi, një i pafaj i dlirë.
E lyer. E lër të të ndricojë një rrez’ e zbehur reje.

Etje për ar. Merre, kërko, thinju në numërim.

Unë i ngurosur do të pres, sa shekuj vallë pranë teje,

që të më bëhesh Fat e Mort e Gur’ i varrit tim?!

 

Oqeani Indian1951

 

 

Xhudithi* – Grua Izraelite, që për të shpëtuar atdheun e vet, joshi gjeneralin armik Olofernin dhe, duke përfituar nga gjumi i tij i preu… kokën.

 
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, mars 2014.

 

 

Nikos Kambas: Liqeni

 

Vallёzonin vashat mbrёmanёt ndёn krua,

lule tё brishta si e ujit  shkumё,

oh! qё tё tёra i desha, e m’u kujtua,

se paskam vend nё zemёr pёr mё shumё.

 

Gjynahun tim e them, madje me bujё,

tё shkojё kjo bukuri e unё tё flё?!

Ja pra! unё ngjaj me tё liqenit ujё,

ç’ do gjё qё shkon njё gjurmё e lё mbi tё.

 

Liqeni veç qё vizaton gjithçka,

sa ikёn kjo edhe piktura shkon.

Pёrveç tё qiellit kaltёrsi q’ e mban

pёrherё mbi tё e kurrё nuk e largon.

 

Lёrmёni mua tё mё thonё tё marrё,

dhe ti moj mike gjithё inat mos rri.

Nё jam liqen, e pёr tё tёra i mbarё,

si qiell mbi liqen shkëlqen veç ti.

 

Shqipёroi Arqile Garo, Janinё, korrik 2013.

 

 

Michalis Kacaros: Testamenti im

 

Vijuni pёrballё

atij qё ndёrton njё shtёpizё tё vockёl

dhe thotё: mirё jam kёtu.

Rezistoni

ndaj atij qё u kthye pёrsёri nё shtёpi

dhe thotё: Lavdi Zotit.

Kundёrvijuni

tapetit Persian tё shumёkatёshve,

njёriut gjytyrym tё zyrёs,

kompanisё sё import eksportit,

arsimit shtetёror,

taksёs

edhe mua akoma qё po ju rrёfej.

 

Vijuni pёrballё

atij qё pёr orё tё tёra pёrshёndet nga tribuna

parakalime tё pafund,

asaj zonjёs sё shtёrpёzuar qё ofron

libra shёnjtorёsh, livan e balsam

edhe mua akoma qё po ju rrёfej.

 

Kundёrvijuni pёrsёri gjthё atyre qё quhen tё mёdhenj,

kryetarit tё Apelit kundёrvijuni,

muzikave, tamtamёve e paradave,

tё tёrё kongreseve madhorё ku llokoçitin

pinё kafera delegatё e kёshilltarё

pranё ngrohёses dimёrore,

mes lajkave, urimeve, pёruljeve,

tё zyrtarёve frikalashё, pёr udhёheqёsin e ndritur.

 

Kundёrvijuni  zyrёs sё emigracionit

dhe pasaportave,

flamujve tё tmershёm tё shteteve e diplomacisё,

fabrikave tё prodhimit tё armёve,

atyrё qё quajnё lirizёm fjalёt e bukura,

himneve,

kёngёve ёmbёlashe me vajtime,

spektatorёve,

erёs,

gjithё indiferentёve e tё mёnçurve,

atyre cave qё ju hiqen si miq,

deri edhe mua, edhe mua akoma qё ju tregoj,

m’ u kundёrvini.

 

Vetёm kёshtu mund tё shkojmё tё sigurt drejt

Lirisё.

 

Shёnim i mёpastajshёm

 

Testamenti im para se tё lexohet

– sepse tash u lexua –

Ishte njё kalё i gjallё, gjakpastёr.

Para se tё lexohet,

jo trashёgimtarёt qё ishin nё pritje

por uzurpatorёt pushtuan lёndinat.

 

Testamenti im pёr ty e pёr tё

me vite u struk thellё nё sepetet e kohёs

prej zyrtarёve dinakё e noterёve.

I ndёrruan fraza thelbёsore,

pёrkulur mbi tё tё tmerruar me orё,

i zhdukёn pasazhet me lumenj,

oshёtimen e re nёpёr pyje,

gjёmimin e erёs e vranё –

tani po kuptoj se ç’ kam humbur

e kush ёshtё ai qё tё mbyt.

 

Pra edhe ti

qёndron  ashtu memec duke u dorёhequr

nga zёri,

nga buka,

nga kali,

nga shtёpia,

qёndron neveritshёm memec, si i vdekur:

 

Liri invalide rishtaz tё premtojnё.

 

 

 Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, nёntor 2012.

 

 

Menelaos Ludemis: Ftesë erotike

 

Eja pranë meje, nuk jam zjarr.

Zjarret i shuajnë lumenjtë.

I mbytin shtërngatat.

I ndjekin  thëllimet.

Nuk jam pra, nuk jam zjarr.

 

Eja pranë meje, s’jam erë e marrë.

Erërave ua presin vrullin malet.

I shurdhojnë bulçimat.

I përfshijnë përmbytjet.

Nuk jam pra, nuk jam erë.

 

Unë s’jam veç se një shtegëtar,

një rrugëtar nga udha i dërrmuar

që u mbështet në rrënjën e ullirit

për të dëgjuar këngën e bulkthëve.

Po deshe, eja t’i vemë veshin bashkë.

 

Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, gusht 2012.

 

Please follow and like us: