Poetë grekë nën përkthimin e Arqile Garos
Maria Polidhouri: Eja me mua…
Eja me mua, pёr sa deshe tё mё ndiqje
nё kёtё majё mali tё vetmuar mbi humnerё.
Veç mos e sill ndёr mend tё shkretёn ikje,
njё kthim, hiç asgjёkundi nuk tё nxjerr.
Merakun mashtrimtar do ta paguash
jo si dikur, me prishje dhe zhgёnjim.
Kёtu pёr herё tё parё duhet tё vuash
edhe tё fundmin ndoshta ёndёrrim.
Atёhere nuk do ketё fuqi magjia.
Do mbetemi tё dy nё shkretёtirё.
Ç’ ka na qarkon do marrё ngjyrёn e tia
dhe trupat tona varur nё errёsirё.
Dhe tё dy duart veçse flokёt tona
do ledhatojnё nё humbёtirёn e pashpresё.
Si erё e marrё qё kthen njё mijё jehona
gulçimi ynё do jetё gjoja pengesё,
ndёrsa nё fjalёt tona agonia
e ndrysur thellё nё guvё tё shpirtit tonё.
(Por, miku im, do jetё aty rinia
e do ketё plot stoli, nё mbrёmjen tonё!)
Shqipёroi Arqile Garo, Janinё, korrik 2013.
Kostis Palamas: Kassiania
Imzot, një grua mëkatare qenkam vetë,
të shumta e të rënda kam gjynahet unë si femër.
Por, Zoti im, shkëlqimi yt kur nis më flet
shkon drejt në zemër!
Imzot, para se tok’ e ftohtë të të mbulojë
unë agut rrezeartë lulet ia mblodha,
tërë adhurimin që një shpirt mund të burojë,
livan ta hodha.
Pasion epshor, tundues, më sfilit… E natë
pa yje e pa hënë˙ e errët më qarkon,
kjo mugëtira mëkatare flakë e zjarrtë
më djeg, më përvëlon.
Ti që nga detet ujët ngre e lartëson
e i kthen në re, m’i merr, si dashuria,
tek rrjedhin lumë, si llavë që gurgullon,
lotët e mia.
E më shiko. Se shpirti dhemb e drithma ndjen!
Pranomë dhe mua Ti, në mbretërinë hyjnore,
nga ku jehona qiellore gjer në tokë sa vjen,
ringjallet prore.
Në gjunjë po të përulem Zoti im,
të puth më adhurim këmbët e dlira,
me flokun tim do të t’ i fshij më përdëllim,
më marrtë e mira.
Dhe Eva q’e dëgjoi ndaj mbrëmje vonë
dritë e parajsës tek po ndrinte, reflektonte,
me tmerr vajti u fsheh… Dhimbjen më shton,
shpëtomë ti sonte.
Shpirtçlironjës mëkatesh oh, popull i shkretë.
Turbullirën kush mund ta qërojë përnjëherë?
Me mëshirë pa kufi veç një Zot më thërret.
Gjykim’ i mjerë.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, mars 2014.
Kostas Varnalis: Ciganërisht
Bjeri dajresë me ngazëllim, o trimi im i dehur!
Fjongo të kuqe po të lidh përqark zurnasë së egër!
Dhe një flori të vë mbi gjoks, ti kërcimtare e zbathur!
që belin ëmbël valavit e gjoksi gjëmon bukur
gjerdanet e hazdisura, të sertat byzylyqe.
Se shkrepëtin ai syri i zi, i madh e lodërndjellës
dhe vallja jote shpërndan epsh, dëshira zgjon të natës!…
Mustakun tonë rebel e ters në verë lëre të mbytet!
Hej, ti or babë, or mik i mirë! Përrallën sonte çupa,
do ma rrëfejë ciganërisht me kokën tek jastëku!
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, mars 2014.
Kostas Uranis: Erotikë
Nuk jam ai që jetën tënde
erdha si diell ta ndriçoj:
drita që sheh në sytë e mi,
është thjesht ajo që më jep ti
dhe unë, e reflektoj!
Botën magjike në është se
e gjeta fantastike,
çelsin e artë veç ti ma dhe,
me dorën tënde mike.
E nëse ng’ ajo letargji
u ngrita i lumturuar,
e ndjej e dashur thellë në gji,
se po, tek ti jam zgjuar!
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, maj 2013.
Kostas Karyotakis: Dashuri
Unë isha zhytur në errësirë.
Unë isha vetë errësira.
E më zbuloi një rreze.
Fytyrë e saj si vesa mëngjesore
e unë një shkurre e tharë dhe e rronitur.
Oh, si më shkundën lodërzat rinore
si qeshi buza ime e zhuritur!
A thua sytë e saj më thanë se si
më nuk do jem i mjerë e i vetmuar,
dhe u përgjunja n’ atë brishtësi,
unë, që nga dhembja qeshë i shfytyruar.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, nëntor 2013.
Konstandinos P. Kavafis: Dionisiane
I shkrehur nga kjo rrokopujë ku bota rrokulliset,
brënda një gote gjëj rahat, n’daç gdhihet apo ngryset˙
shpresë edhe jetë e ç’do pasion veçse këtu i ndjej ˙
ma mbush ta kthej.
Këtu larg turbullirave, furtunave, rrëmetit,
si marinari që shpëtoi nga zëmërimi i detit,
shkela në tokë, gjeta liman, karar e ngrohtësi,
ma mbush ta pi.
Oh! embëlsia e rakisë qysh m’ i dëbon të tëra
kujtimet e pa këndëshme. Mëkatet e pa bëra,
urrejtjen, smirën, djallëzinë e ç’do mendim të keq˙
ma mbush ta heq.
As të vërtetën lakuriq, nuk e shoh më të gjorën.
Në dynja tjetër kisha qenë, por tash ja morra dorën˙
mes ëndrash të bekuara, në qiellin plot mjegull –
ma mbush me rregull!
Dhe po qëlloi se del farmak, e po më zu belaja
e tek zbulova lumturinë të më pllakosë hataja,
gjithë ky dëfrim e çmenduri prej hundësh do më dalë˙
ma mbush, or djalë!
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, gusht 2012.
Jorgos Seferis: Shtëpia buzë detit
Shtëpitë që kisha m’ i morën.
Qëlluan vite të mprapshta, luftra, prishje, kurbete,
ndodh ndonjëherë që gjahtari bie mbi zogjtë që shtegëtojnë
e hera herës nuk i gjen, gjahu
nuk vajti keq në vitet e mia, saçmat kapën shumë
të tjerët vijnë vërdallë ose lajthitin nëpër kazerma.
Mos më fol për bilbilin e as për kanarinën
as për vogëlushin trumcak
që numra vizaton në dritë me bishtin e vet
unë përgjithësisht nuk marr vesh nga shtëpitë
di vetëm se kanë fisin e tyre, asgjë më shumë.
Fillimisht të reja, porsi foshnjat
që luajnë në luadhe me kroshet e diellit,
qëndisin kanata shumëngjyrëshe e dyer
gjithë shkëlqim brënda ditës
e kur ikën arkitekti ndryshojnë,
rrudhosën a buzëqeshin ose edhe mbajnë inat
me ata që mbetën me ata që ikën
më të tjerë që po të kishin mundësi do ktheheshin
ose që humbën, tani që u bë
bota një hotel i paanë.
Përgjithësisht nuk marr vesh nga shtëpitë,
mbaj mend gëzimet dhe hidherimet e tyre
ndonjë herë, tek sa qëndroj akoma
ndonjë herë, pranë detit, në dhoma të zhveshura
me një krevat hekuri pa kurgjë timen
duke soditur merimangën mbrëmësore rri vras mendjen
se dikush bëhet gati të vijë, se e ngjeshin
me rroba të bardha e të zeza e me stoli të çmuara tërë ngjyra
e rreth e qark flasin ndën zë zonja edhe arhonde
me flokët të bardha e dantela të errëta,
gatitët që të vijë e të më japë lamtumirën
ose një grua vetulldredhur belshtrënguar
duke u kthyer nga limane jugore,
Smernë Rodos Syrakuzë Aleksandri
nga qytete të mbyllura si përvazet e ngrohta të penxhereve,
me aroma frutash të arta e bimesh ekzotike,
që i ngjit shkallët pa i venë re
ata që fjetën ndënë shkallë.
Nuk di a më kupton shtëpitë tërbohen kollaj, kur i zvetënon.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, mars 2014.