Një dashuri e madhe për një botë të largët dhe të afërt shqiptare
Luan Rama
Kur e kisha pyetur një ditë poeteshën Venus Khury-Ghata se kur kishte filluar të shkruante, ajo më tregoi një histori të dhimbshme, pasi ajo e adhuroi poezinë kur një nga vëllezërit e saj më të mëdhenj shkruante poezi. Dhe një ditë, ai ishte nisur drejt Francës që të bëhej i njohur dhe të botonte poezitë e tij. “Por ai u kthye i trishtë dhe i shkatërruar. Askush nuk pranoi t’i botonte poezitë e tij.
Atëherë, në Bejrut, ai filloi të drogohej. Im atë, në vend që të kujdesej për ta shëruar, e mbylli në një çmendinë ku dhe vdiq më vonë. Ishte 28 vjeç kur vdiq. Dhe meqë unë i adhuroja poezinë që shkruante atëherë, zura vendin e tij në poezi. Fillova të shkruaja në fletoret e tij dhe më vonë u bëra poete…”
Që nga ajo kohë ka kaluar një jetë e tërë. Në vitin 2015, për romanin e saj “E fejuara mbi kurriz të gomarit”, ajo u nderua me çmimin “Renaudot”, ndërsa në vitin 2011, ajo u nderua me çmimin “Goncourt” për gjithë veprën e saj letrare. Çdo vit botohet një libër i saj, vëllim poetik apo roman. Ajo jeton me letërsinë, shkrimin. Një vepër interesante është dhe romani Shtatë gurë për gruan adulter, të botuar më 2007.
Venus Ghata (Gjata) është një shkrimtare dhe poete mjaft e njohur në Francë dhe në botën frankofone. Shkak i pikëtakimit të parë me të ishte interesimi që kisha për të njohur dhe shkruar mbi Jean Ghata (Gjata) një shkencëtar me origjinë shqiptare i panjohur për ne dhe me një histori tronditëse familjare. Gjithë adoleshenca dhe rinia e tij kishte shkuar duke bredhur pas të atit, një diplomat shqiptar, nga Damasku në Liban e Turqi, e ku më së fundi kishte përfunduar në Paris. Por gjithnjë ai kishte mbetur me një mall të vazhdueshëm për ta parë një ditë Shqipërinë, atë vend për të cilin i ati i kishte folur aq shumë.
– Kur jam njohur me të, – më tregonte ajo në shtëpinë e saj, rrethuar nga tablotë e miqve piktorë, – isha në Bejrut, e martuar me një nga njerëzit më të pasur të Libanit dhe kisha katër fëmijë. Sapo kisha botuar librin tim të dytë poetik kur Jean Ghata (Zhan Gjata, i cili në fakt ishte Nuri Gjata, nga Tirana) erdhi në Bejrut për një konferencë shkencore në Fakultetin e Mjekësisë.
Atë kohë isha gazetare dhe s’di pse m’u kërkua nga gazeta të intervistoja shkencëtarin francez, i cili ishte mjaft i bukur dhe shumë i sjellshëm. Kur e takova për herë të parë, në një darkë që u shtrua për nder të tij, ndjeva se diçka po ndodhte me mua. I dhashë dy librat e mi poetikë dhe shpejt nisi një korrespondencë e madhe që përfundoi me fjalë dashurie. – Kaq shpejt u dashuruat? – e pyeta unë. – Po, gjithçka ndodhi shumë shpejt. Ai erdhi disa herë për të më takuar. U dashuruam si të çmendur. Pastaj unë shkova në Paris. Ai ishte shumë i mirë, një njeri intelektual dhe tepër i ditur, një shkencëtar…
“Dua të kem një fëmijë me ty”, më tha një ditë. – Duhej të ishte shumë e vështirë për ju, në gjendjen që ndodheshit? Katër fëmijë…- E vështirë, por jo e pamundur… Atëherë ai punonte në një laborator të quajtur “GAMA”, në “Rue Solferino”, pranë “Notre-Dame”. Ishte bashkë me disa biologë të tjerë. Aty dhe flinte. Më pas ata vendosën të ngrinin një klinikë të tyre, e cila u vendos në Thiais, dhe u quajt “La Clinique du Sud”.
Atë kohë, kur u ktheva ne Bejrut, kërkova të divorcohem dhe të marr fëmijët në Paris, por im shoq ishte një njeri me influencë dhe shumë i pasur, pra ai nuk m’i la. S’kishte dhimbje më të madhe të lija fëmijët, por unë isha e dashuruar. Ika me shpresë se shpejt do t’i merrja ata. – Pastaj erdhi lufta…- shtova unë. – Po, më 1974 përfitova nga gjendja e luftës dhe munda t’i marr fëmijët e mi në Paris. Më pas lindi Jasmina, vajza jonë e përbashkët, për të cilën ai përgjërohej… »
Mbi tavolinë ajo më tregoi fotografi të panumërta ku mes të tjerash shquhej imazhi i një fotografie me shije. Ai gjithnjë fotografonte, në të gjitha udhëtimet e tyre të përbashkëta, në Europë, Afrikë, Azi, brigjeve të Bosforit, në Amerikë dhe Meksikë.
Venusi ka sy të bukur. Shumë vite kanë kaluar që nga ajo kohë, por për të gjithçka dukej se kishte ndodhur dje. Gjithçka, çdo detaj, ishte ngjitzur nëk ujtesën e saj.
– Ju e dinit që ishte shqiptar? – Sigurisht. Ai kishte një dëshirë të çmendur për të parë Shqipërinë. Ndiqte me vëmendje çdo lajm që mund të depërtonte nga Shqipëria e izoluar në mënyrë hermetike. Shqipëria ishte dhimbja e tij e madhe.
I ati i tij, Faro Gjata, dhe ai, e kishin të ndaluar të ktheheshin nga regjimi i Hoxhës… edhe pse Faro dikur diplomat, shef misioni në Athinë, njihej personalisht me Hoxhën, pasi dhjetë vjet rresht dhe ai kishte qenë profesor i historisë e gjeografisë në Liceun francez të Korçës. Njëherë miku ynë i afërt, Alain Bosquet, do të ftonte për darkë një shkrimtar shqiptar që sapo kishte mbërritur në Paris. Ky ishte Ismail Kadare dhe në atë natë u njohëm me të në shtëpinë e Bosquet. Im shoq u çmend nga gëzimi që takoi një intelektual shqiptar.
Ndërkohë, Venusi kërkon nëpër raftet e bibliotekës së saj, ku në krahë qëndrojnë piktura të piktorëve të mëdhenj si, Miro, Derain, Mata etj.
– Shumicën e dokumenteve dhe të fotografive m’i ka marrë Jasmina, ime bijë. Ajo kërkon tashmë të gjejë rrënjët e saj, të mësojë prejardhjen dhe origjinën e familjes së saj. Çuditërisht edhe ajo ka të njëjtat shije si të Nuriut: i pëlqen shumë muzika, piktura, tradita arkitektonike e popujve primitivë, etnografia.
Tani studion në “Ecole du Louvre”. Çudi me një trashëgimi të tillë. Madje dhe në librin e saj “Mortemaison”, të botuar në “Flammarion” pesë vjet pas vdekjes së Nuriut, më 6 tetor 1981, në moshën 55-vjeçare, ajo shkruan gjithashtu dhe për këtë lidhje të fortë atë-bijë, mbi historinë e tij familjare. Në atë libër janë kujtimet që pushtojnë jetën e një gruaje pas një burri të vdekur, të cilin ajo e kishte dashur aq shumë.
– Histori e çuditshme, – i them Venusit, e cila tregohet aq shumë e përkushtuar për të folur për burrin e saj, shqiptarin Gjata…. Për atin e tij që la Shqipërinë dhe bashkë me djalin e vogël u nisën drejt Orientit. Shkuarja në Siri te dy motrat e tij, pastaj Libani… gjithë këto udhëtime, të ngarkuara me vetmi dhe brerje.
– Dy motrat e Faro Gjatës ishin martuar në Damask, njëra me një gjeneral dhe tjetra me vetë Kryeministrin e asaj kohe. Por shpejt atij nuk i pëlqeu ai vend dhe u nis për në Bejrut ku njihte një mik të tij, me të cilin kishin studiuar bashkë shkencat politike në Perëndim, një prift jezuit të quajtur Père Paul. Kështu, Nuriun e vogël e futën në një kolegj jezuitësh për të mësuar. Shpejt ai do të konvertohet në katolik, bashkë me të atin, i cili endej në Orient edhe nga frika mos njerëzit e gruas i rrëmbenin djalin e vetëm të tij.
Pra Faro u quajt Pier dhe Nuriu, Jean (Zhan). Edhe kur erdhi në Paris, kontaktet e para Nuriu i mori me misionin e “Saint-Paul de Vence”, të cilët atë kohë bënin shumë vepra humanitare pranë njerëzve të varfër e të lënë në mëshirën e fatit. Atje ai u njoh me “magët”, të cilët merreshin me magji. Njëherë më ka treguar se si në laboratorin e tij vinin shumë gra që i dërgonin priftërinjtë, që t’i ndihmonte për të lindur.
Ishte periudha kur u njoh dhe lidhi miqësi të madhe me piktorët Miro, Bran van Velde e piktorë të tjerë. Ai e pëlqente shumë pikturën moderne. – Po nga muzikantët? – Pëlqente veçanërisht klasikët: Schubert, Vivald, Mozart. Madje kur kishte ndonjë koncert të madh në Nju Jork, shkonte atje vetëm për hir te koncertit, p.sh. për të dëgjuar Menuhin apo Zubi Meten. Pëlqente gjithashtu artin tradicional. Ishte një koleksionist i çmendur qilimash, të cilat sa herë shkonte në Bosfor i kërkonte nëpër dyqanet turke.
Vlerësonte gjithashtu artin e Islamit, artin oriental në përgjithësi, madje dhe kur bënte ndonjë konferencë shkencore, nuk mungonte të fliste gjatë dhe për kulturën orientale, të cilën e njihte mjaft mirë. Në Paris, kishte miqësi dhe me piktorin e shquar me origjinë shqiptare, Abedin Dinon, dhe shumë nga pikturat e tij i kishte në shtëpi.
Ndërkohë, Venusi i telefonon Jasminës për të verifikuar një datë apo ndonjë dokument që kërkon të ma tregojë. Nga ana tjetër e telefonit, Jasmina, nuk mungon të shprehë lumturinë e saj që më së fundi një shqiptar interesohej për të atin e saj. – Jasmina ka gjithçka të të atit dhe i ruan me një fanatizëm të pashoq, – më thotë Venusi.
Ajo vazhdon të më tregojë fotografitë e tyre familjare, fotografinë e dasmës së tyre, fotografi të shumta me Jasminën, fotografi të tij në vende të ndryshme të botës. Portreti i tij sepse më ngjason me atë të Ejzenshteinit: një fytyrë e gjerë, ballë i hapët, sy të ëmbël dhe një vështrim tepër të thellë e paqësor.
Një figurë e mençur dhe plot mirësi. Nga Venusi kisha dëgjuar kohe më pare se në rininë e tij, për vite me radhë ai luante violinë dhe më vonë iu fut studimeve të ethshme për mjekësinë dhe biologjinë, gjersa u bë doktor i Shkencave Mjekësore të Fakultetit të Mjekësisë të Parisit. Në diplomën e tij ishte shkruar emri i gjatë: Jean Bey Faro Ghata, lindur në Bejrut më 1927.
Në fakt, në dokumente të ndryshme janë tri vendlindje të tij: Tirana, Stamboll (Belerbej) dhe Bejrut, dhe kjo për faktin se i ati gjithnjë kishte frikën e rrëmbimit të të birit nga njerëzit e gruas, të cilët ishin mjaft të fuqishëm në Shqipëri dhe në Turqi dhe gjithnjë e kishin kërcënuar.
Jean kishte punuar me një pasion të jashtëzakonshëm jo vetëm në fushën e biologjisë, por edhe në fusha të tjera, si diabeti, fizika, e veçanërisht me proceset që ndodhin në trupin e njeriut, pikërisht në prishjen e ritmeve biologjike, në kohë e hapësirë, studime mbi proçeset metabolike, termo-dinamika e brendshme e njeriut lidhjet mes fiziologjisë, biokimisë, biofizikës e biokimisë molekulare, mbi funksionet hormonale, bioperiodicitetin etj.
Në shumë nga botimet e tij në revistat më në zë shkencore europiane apo dhe amerikane, flitet p.sh. për sinkronizimet socio-ekologjike, për ritmet “circadiens”, “ultradiens” apo “infradiens”, për raportet e gjumit dhe të qenit zgjuar te të sapolindurit, për ndryshimet që pëson njeriu në gjendje “koma”, etj. Në vitet ‘70, Jean Ghata (Nuri Gjata) njihet si një personalitet në zë në fushën e kronobiologjisë (chronobiologie). “Doctor en Medecine” ai ishte profesor dhe në katedrën e mjekësisë në Universitetin e Gjenevës, ku shkonte për konferencat e tij çdo të shtunë.
Ishte mik i afërt i profesor Jacques Ruffie i “College de France”. Kërkimet e tij shkencore e bënë atë të dëgjuar edhe jashtë Francës. Shoqëria amerikane e avionëve “UTA” e angazhoi në studimet që ndodhnin gjatë fluturimeve të aviatorëve dhe fenomenet biologjike që ndodhnin. Vazllë për sa kohë ishin të aftë të udhëtonin aviatorët? Po kështu ai u angazhua për studime shkencore nga “Aerospace Medical Association” dhe fluturimet e njeriut në hapësirë, ndryshimet që pëson njeriu në kozmos etj.
Janë të njohura gjithashtu studimet e tij për diabetin, menstruacionet e femrave atlete, mbi endokrinologjine ( studime këto të kryera në Danimarkë), mbi kancerin (për këtë ai shkoi gjer në Macao, koloni e vjetër e portugezëve, ku studioi për influencën e një lloj peshku në zhvillimin e kancerit të banorëve të kësaj zone). Që më 1963 Jean Ghata ishte anëtar i “The New York Academy of Sciences”. Por fatkeqësisht jeta e tij do të ishte tepër e shkurtër për një shkencëtar si ai. Ai vdiq nga zemra në moshën 53-vjeçare.
– Askujt nuk i kishte thënë se vuante nga zemra. Nuk donte të ndërpriste punën e ethshme shkencore, – thotë Venusi. Në atë kohë në “College de France” po përgatitej hapja e katedrës së kronobiologjisë dhe për këtë mendohej të vihej pikërisht ai. Ai vit ishte një vit tepër i sforcuar e i lodhshëm. Udhëtime të pareshtura, konferenca, punë e lodhshme laboratorike. Madje shkoi dhe në Abruçia të Italisë së Jugut ku do vazhdonte kërkimet ndër shqiptarët arbëreshë mbi gjenetikën e tyre dhe fenomenet që rridhnin nga martesat brenda të njëjtit komunitet. Ishte në “Piana degli Albanesi”, kur e zuri bora.
Si duket u ftoh rëndë dhe menjëherë një avion i posaçëm e mori atje dhe e solli urgjent në Paris. Mua më tha se kishte pasur një krizë astme. Madje dhe doktorin e kishte porositur të mos na tregonin gjë. Nuk donte të na shqetësonte. Pak javë më vonë u nis për në Macao… Pastaj erdhi kriza e tij, spitali, dhe vdekja e tij e papritur…
Jeta e tyre e përbashkët mjerisht do të ishte e shkurtër. Megjithatë, lidhja e tyre do të mbetej e fortë dhe mbresëlënëse edhe pas vdekjes së tij, çka e shtyu Venusin të kërkonte gjurmët e historisë së jetës familjare të tij. Vdekjen e tij, ajo e ka përshkruar në romanin Mortmaison (Shtëpivdekura), por kujtimeve të jetës me të, ajo i u rikthye dhe në një nga librat e saj të fundit “Shtëpia e hithrave”, (La Maison des orties), një roman biografik i mrekullueshëm.
Disa vjet më parë kisha botuar një shkrim të gjatë për historinë e veçantë të burrit të saj, Jean Ghata, një homazh për shkencëtarin e vdekur papritmas, në mesin e jetës së tij dhe në kulmin e lumturisë. Sa herë takohesha në Paris me Venusin, në shtëpinë e saj në “Avenue Raphael”, ngjitur me pyllin e Boulogne-s, në atë shtëpi gjithë dashuri e mikpritje, biseda do të vazhdonte gjithnjë për Jean Ghata-n, për të kaluarën, për historinë e familjes së tij.
Madje kjo histori jetonte në një farë mënyre dhe në letërsinë e saj, pasi gjithnjë, ajo kishte diçka të re për të thënë rreth tij. Edhe te “Shtëpia e hithrave”, ku përshkruan jetën e saj të një gruaje të ve përballë vetmisë dhe mungesës, kujtimet e zgjojnë vazhdimisht.
Gjithnjë historia e atij njeriu që e kishte tronditur jetën e saj që me takimin e parë. Historia e të atit të tij, ish-diplomat, që dikur ishte pleksur në një atentat kundër mbretit Zog dhe që në fundin e Luftës së Dytë Botërore ishte gjendur konsull në Shkup, ishte një roman më vete, plot shtegtime e fshehje nga një vend në tjetrin. Por siç shkruan ajo, gjyshi i tij, që mbeti në Tiranë, i kishte shkruar të birit se me ndryshimin e regjimit në Shqipëri ai ishte bërë i padëshirueshëm.
“Shko të shohësh mikun tim, Nesib Bey, në Belerbey, në Stamboll“, e kishte këshilluar i ati që kishte mbetur në Tiranë. “Martohu me një nga vajzat e tij. Ai do të gjejë një punë siç duhet, sipas dijeve që ke. Nëse kthehesh në Shqipëri, vdekjen e ke të sigurt. Monarkistët i vrasin të gjithë. Ti konsiderohesh armik i këtij vendi”.
Kështu, ai ishte detyruar të shkonte në Stamboll, ku dhe ishte martuar e kishte përjetuar një histori të hidhur me motrën e gruas. Menjëherë pas kësaj ngjarje, duke rrëmbyer djalin 6 vjeçar, ai ia kishte mbathur në Damask e pastaj si tregtar duhani ishte vendosur në Bejrut. Për ta fshehur të birin, ai e kishte futur atë në një kolegj jezuitësh, me emrin kristian Jean Ghata.
Vite më vonë, Jean erdhi student në Paris dhe u vendos në Rue Solferino, dhe vetëm atëherë ai i kishte shkruar të ëmës, Rikat Kunt, një kaligrafisteje të njohur, që më së fundi të takoheshin. Dhe në vitet 60’, pas një mungese kaq të gjatë, nëna kishte ardhur të takohej me të birin.
Bashkë kishin parë muzetë e Parisit, lagjet e vjetra pariziane, Versajën, kishin shëtitur buzë Senës dhe kishin kujtuar vitet e fëmijërisë së tij…
Venusi është një poete e lindur. Vargjet e saj kanë ngjyrën e dheut dhe aromën e mjaltit, shndrisin në diell dhe përkujtojnë dhimbje e nostalgji, fëmijëri të zbathur në një fshat të largët dhe hijen e një nëne të vdekur, që nuk i rivjen më. Vargjet e saj i këndojnë botës, dashurisë, tokës që pret të mbarset.
I këndojnë njeriut anonim dhe gjithënjerëzor, njeriut me shkronjë të madhe “NJ”, jo për nga emri, por për nga thellësia e shpirtit dhe gurgullimës së dhimbshme dhe dehëse që ngërthen. “Janë dy si vetulla të së njëjtës fytyrë / dy roje zbaticash / që godasin muret tanë në çdo ekuinoks / dhe bëjnë të rrjedhin plagët e nënës dhe të shegës…“
Vargjet e saj janë metaforë e trupëzuar në objekte të thjeshta që rrethojnë qenien, në diej që shkojnë të pikëtakojnë dikë: janë siç shkruan ajo në një poezi “dy gjethe dhjozë në vend të syve/dy kokrra kafeje në vend të dy gjinjve/ dy petale në vend të gojës…
Veç romaneve të botuara në shtëpitë e mëdha botuese të Francës si në “Flamarion”, “Mercure de France“, “Actes Sud”, “Belfond”, “Seghers”, “Lattés”, etj., ajo është dhe autore e shumë romaneve dhe vëllimeve poetike të vlerësuar nga kritika franceze dhe ajo e huaj, përmes disa çmimeve letrare si “Prix Apollinaire” (Hijet dhe klithmat e tyre), “Prix Mallarmé” (Një hap i gabuar i diellit), “Prix Jules Supervielle“ (Antologji personale),”Grand Prix de la Société des Gens des Lettres” etj., apo libri i saj më i fundit, romani i botuar në “Mercure de France“, “Gruaja që s’dinte t’i mbante burrat“, 2015.
Para disa kohësh ajo më dha një fotografi të rrallë të saj, ku kishte dalë me të dashurin e saj të përjetshëm, Jean Ghata-n, ditën e tyre të martesës në Paris. Një fotografi që kishte tingëllime poetike, poezi e shkruar në sy të lumtur… dritëshkronjë të dashuruarish! Më dha dhe një libër poetik të botuar nga “Mercure de France”, ku në shumë poezi, çuditërisht, vargjet nuk kishin shenja pikësimi. Gjithçka shkonte si në një fllad…
Por një lumturi të veçantë ajo ndjen për të bijën që po ecën në gjurmët e saj, në botën e shkrimit dhe të librave. Pas romanit të saj të parë, « Nata e kaligrafëve », e cila më pas u përkthye në 13 gjuhë të ndryshme dhe u nderua me çmimin « Grinzane Cavour », ajo vazhdoi me botimin e disa romaneve të tjerë. Por kujtimet e të atit, që e la të vogël me vdekjen e tij, ajo do ti shkruante në librin e saj.
«Ato që s’flasin », pasi ajo vdekje, midis nënës dhe bijës i la ato pa frymë, pa fjalë, për një kohë të gjatë, me ëndrrat e tyre në kërkim të njeriut të dashur. « Ndoshta nga pafajësia apo vrazhdësia, nuk di pse pyeta nënën time: – A do të vijë babai sot?… Në moshën 6 vjeçare, të bësh gjoja të paditurën, kur e ke kuptuar fare mirë gjithçka, është diçka e veçantë. Të vdesë, një at nuk e pengon të vijë në shtëpi. Të vdesësh është një akt, si çdo ngjarje tjetër… Vallë ishte zhdukur? Ku vallë? Mos kishte ikur me një grua tjetër?… Jetoja me nënën, pa fjalë.
Fjalët s’kishin vend në dialogun mes nesh. Deti shkumbëzonte bordurat e fjalëve dhe i prishte fjalët e panevojshme. Zhdukja e babait tim më kishte frymëzuar poezitë më të bukura… E shikoja nënën time të tretej çdo ditë e më shumë. E kisha pranë kur flinim. Kapesha pas saj, ngjeshur pas gjoksit të saj, me këmbët pleksur tek njëra-tjetra. Caste bashkimi që më mbushnin të tërën, gjer natën tjetër.
Dhe përsëri kapesha pas saj duke i pështjellë trupin me pulpat e mia ngjeshur tek të sajat, siç rrethojmë tokën për të thënë se ajo është jona, se na përket ne. Rregulloja barkun pas tupit të saj dhe me kofshët e mia rrethoja çdo gjymtyrë të saj. Ajo ishte e imja, veç e imja, raporte ekskluzive dhe të pakushtëzuara. Ne kështu kishim zëvendësuar atin, ajo dhe unë…»
E kështu, ati, bota shqiptare qëndronte si një lloj gjithnjë ndezur në shpirtrat e tyre. Nënë e bijë… shkrimi dhe dashuria për njeriun që e kanë dhe nuk e kanë më.