Tedi Papavrami: Të panjohurat e Enver Hoxhës
Në familjet shqiptare thonë që po ta shohësh atë në ëndërr të sjell fat dhe mbarësi. Emri dhe fjalët e tij mbizotërojnë me shkronja gjigante muret e qyteteve dhe fshatrave të Shqipërisë, hyrjet e uzinave, shkollave, spitaleve. Gjatë udhëtimeve ato dallohen me kilometra larg, të shtrira në shpatet e maleve, ku i kanë shkruar duke radhitur gurë të bardhë, të mirëmbajtur me kujdes. Nuk ka shkollë ose çerdhe ku të mos gjendet busti ose portreti i tij. Vargjet e para të një fëmije që po mëson të flasë i kushtohen lavdisë së tij të përjetshme. Është ati ynë mbrojtës, prijësi i ndritur i Atdheut tonë të lavdishëm, i shtrenjti ynë, Xhaxhi Enver!
Edicioni i lajmeve i kushtohet pothuaj tërësisht atij. Aty ai shfaqet elegant, me kostumin bezhë, po aq i nderueshëm sa edhe rinor, fytyrën të kredhur në një ëmbëlsi që mund të krahasohet vetëm me vetë pafajësinë e tij. Flokët e bukur të thinjur, vështrimi i tij i ngrohtë e plot shkëlqim jetojnë brenda secilit prej nesh. Si për femrat edhe për meshkujt, ai është modeli absolut i bukurisë dhe hijeshisë.
Ëmbëlsia e buzëqeshjes së përsosur i largohet vetëm një herë në vit, në momentin e parakalimit të trupave ushtarake më 1 maj ose kur sulmon ashpër armiqtë tanë të betuar në fjalimet e kongresit. Për të rimarrë sakaq pamjen e tij të qeshur në momentin e brohoritjes së turmës, që thërret duke duartrokitur me ritëm metronomik: “Par-ti-En-ver-je-mi-ga-ti-kurdo-her’!”. (Për një kohë të gjatë, kur në skenë publiku kërkon që unë ose një artist tjetër të kthehet për të luajtur prapë, do të dëgjoj këtë rimë entuziaste shoqëruese të duartrokitjeve, fillimisht kaotike e të rrëmujshme e që pastaj përmblidhen në një ritmikë të ngjeshur).
Është një kremtim i popullit për udhëheqësin e tij, kremtim të cilit, sigurisht, as unë nuk i shpëtoj. “Xhaxhi Enver, gojë ëmbël si sheqer!” këlthisja në moshën dyvjeçare në mikrofonin e magnetofonit të prindërve të mi. Për më tepër, edhe pse nuhasja turbullt në familjen time një mosbesim që i afrohej përçmimit ndaj vendit dhe qeverisë, respekti ndaj tij nuk dukej të përmbante kurrfarë ironie. Merret me mend entuziazmi im kur më thanë se ashtu si dhe Klodi, do të merrja pjesë si solist në koncertin e “dekadave të majit” që do të zhvillohej në Pallatin e Operës, ku Enver Hoxha, Sekretari i Parë – dashuria e të cilit për fëmijët njihej nga mbarë vendi, – do të ishte i pranishëm. Si fëmijët e tjerë, edhe unë shpesh ndieja zili për fatosat dhe pionierët e dalluar pranë të cilëve ai dilte në fotografi ose në televizor, dhe që dukeshin sikur i sillnin ngazëllim edhe më të madh se fshatarët e punëtorët tanë të mrekullueshëm. Disa i puthte, të tjerë, ulur mbi gjunjët e tij, i rrëfenin ndodhira ose i recitonin vargje që ai i dëgjonte me ëndje.
Nuk e di saktësisht çfarë prisja nga koncerti, por prania e Tij – qoftë nga larg, nga lozha e Tij, të cilën e kisha parë gjithmonë të zbrazur në koncertet e tjera ku kisha marrë pjesë – hidhte mbi këtë ngjarje një dritë të mbinatyrshme, që më shoqëroi për javë me radhë. Xhaxhi Enver do të ishte atje dhe unë do të luaja për të. Vetëm kjo kishte rëndësi. Aq më i hidhur qe zhgënjimi. Befas, disa ditë para shfaqjes, ëndrra ime u thye: nuk do të merrja pjesë në dekadat e majit. Prindërit e mi u përpoqën të më ngushëllonin duke më shpjeguar se isha ende i vogël, ndërsa Klodi ishte pranuar sepse ishte dy vjet më e madhe. Duke mos kuptuar gjë dhe duke e ndier se diçka tjetër më fshihnin, isha i pangushëllueshëm, edhe pse në thellësi dyshoja se nuk kisha punuar aq sa për të merituar të luaja para Xhaxhit Enver. Ndërkohë, prindërit e mi kësaj here dukeshin çuditërisht të hidhëruar, gati fajtorë, dhe në ndryshim me atë që prisja, nuk përfituan aspak nga rasti për të hedhur idenë se Klodi do të luante në dekadë ngaqë studionte më mirë se unë. Jo, përfundimisht këtu kishte diçka që nuk po arrija ta kapja dot.
Ditën fatale të koncertit, gjyshërit, për të më ndryshuar gjendjen shpirtërore, më çuan në kopshtin zoologjik, prapa liqenit të Tiranës. Mes ujkut, ariut dhe dhelprës, trishtimi m’u fashit aq sa m’u duk sikur e kisha harruar krejt. Por gjatë kthimit, kur autobusi kaloi përmes sheshit përpara Operës dhe pashë dritaret që atë natë farfuritnin me një shkëlqim të pazakontë – shenjë që atje po zhvillohej një aktivitet i rëndësishëm – dëshpërimi im u ripërtëri.
Arsyeja e mënjanimit tim lidhej me një histori të rriturish. Unë në atë kohë nuk e kuptoja statusin e familjes sime në Shqipërinë komuniste. Në këtë vend ku rendi i klasave të vjetra ishte përmbysur, të qenit një familje intelektuale ose dikur e pasur na shënjonte me një vulë të pashlyeshme që, si shumë të tjerë, na bënte herë pas here objekt ndëshkimesh ose pengesash. Shpesh arbitrare dhe të paparashikueshme, ato mund të na kundrejtoheshin në çdo moment, edhe pasi qenë zhdukur për një farë kohe.
Ndryshe nga Klodi, unë nuk vija nga një familje “proletare”, siç pikërisht quhej edhe mamaja e saj; në mendjen time fëmijërore kjo fjalë, edhe pse e shkruar në të gjitha muret e qytetit, ishte po aq e pakuptueshme sa edhe origjina e familjes sime, e konsideruar si “borgjeze”.
Por një aktivitet tjetër me veti edhe më ngushëlluese se vizita në kopshtin zoologjik më ndihmoi të harroja shpejt trishtimin tim: leximi. Kisha mësuar të lexoja me gjyshen që para se të hyja në shkollë dhe kjo më lejonte të hapja librat që gjeja në shtëpi që i vogël, pa patur nevojë për të. Që atëherë e tutje një botë e re u shpalos para syve të mi.
Gërmoja shpesh në bibliotekën tonë, nga ku dhe nxirrja vepra të ndryshme, në mënyrë rastësore, nisur nga pamja e kopertinës, titulli ose figurat. Leximi i parë i një libri ishte vetëm paradhënie e kënaqësisë që do të më sillte më vonë: ishte rileximi i ardhshëm dhe rikthimi i pareshtur te pjesët më të pëlqyera që më sillte një ëndje vazhdimisht në rritje.
Kur kënaqësia venitej e lija mënjanë pjesën e zbehur dhe e zëvendësoja me të tjera, në pritje që ajo të mbushej përsëri me magji. Lexoja edhe në tryezën e ngrënies, gjë që nervozonte shumë gjyshen dhe mamin, të cilat më qortonin se nuk arrija të shikoja se çfarë po haja. Ndërsa për mua ishte pikërisht e kundërta: kur kisha një ëmbëlsirë 20-lekëshe ose një gurabije me sy parapëlqeja të veçohesha për ta shijuar bashkë me pjesën më të bukur të një libri të përzgjedhur me kujdes. Kjo e dyfishonte kënaqësinë time.
Përpija gjithçka që më ndizte kureshtjen dhe shumë shpejt kuptova se kënaqësia e shfletimit të librave të rinj të blerë në librari, ndryshonte nga ajo që më jepnin ata me faqe të zverdhura e me kopertina të vjetruara ose të grisura që i gjeja në bibliotekat e familjes, si: “Till Eulenspiegel”, “Udhëtimet e Guliverit”, “Tom Sojeri”, “Përrallat e Andersenit”, “Robinson Kruzo”, “20 mijë lega nën det”, “Dhëmbi i Bardhë”, ose libra të tjerë për fëmijë të shkrimtarëve sovjetikë. Me sa dukej, sa më i vjetër ishte libri, aq më shumë thesare përmbante, si në rastin e “Pinokut”, të cilin e zbulova në bibliotekën e gjyshërve nga mamaja, ku shkoja ndonjë të diel për të luajtur me kushërinjtë. Çdo libër ishte për mua si një vazo që ruante ekzemplarin e vetëm të shumë parfumeve që nuk gjendeshin askund tjetër. Si pjesët muzikore.
Duke qenë i abonuar në shumë revista shqiptare, rrallë më shpëtonte ndonjë shkrim për fëmijë në një botim kombëtar, të cilët për më tepër nuk ishin të pafundmë. Historitë dhe tregimet e ilustruara të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare, e cila kudo në botë njihet me emrin Lufta e Dytë Botërore, zinin pjesën më të madhe të këtyre botimeve, me partizanë heroikë, ushtarë gjermanë të zymtë, por fshehtësisht të admiruar, italianë frikacakë dhe ballistë qesharakë. Sigurisht që pjesë e tyre ishin edhe aventurat e Skënderbeut, një farë Moisiu kombëtar, statuja e të cilit ngrihet në qendër të Tiranës. I rrëmbyer dhe i rritur nga armiqtë tanë otomanë, ai u hodhi hi syve të tyre dhe sapo u kthye në vendlindje nisi një luftë të pashpresë kundër pushtuesit tonë. Herë pas here babai më këshillonte të lexoja këtë apo atë libër, si “Tartarini i Taraskonit”, përkthimi i autorizuar i të cilit sapo kishte dalë, ose “Romen Kalbri” i Hektor Malosë, libër që fliste për qytete me emra të çuditshëm si Diep ose Lë Avrë… Përpjekjet e mia për t’i përfytyruar këto qytete më çonin në mjedise gjysmerrësire, ku pamjet e trishtuara dhe si të dala boje gërvishteshin vazhdimisht nga një shi i kudondodhur.
Marrë nga libri ‘Fugë për violinë’