Si do ndahet deti me Greqinë?
Sa e prek Shqipërinë nisma e qeverisë greke për të përdorur konceptin e 12 miljeve në hapësirën territoriale të saj në det? Kjo është pyetja që lind pas deklaratës së kryeministrit Alexis Tsipras dhe ish-ministrit të Jashtëm, Kotzias këtë të shtunë në Athinë.
Top Channel ka mësuar se mbi cilën linjë do të punohet. Ndërkohë që Greqia do të zgjerojë hapësirën e saj me 12 milje nga toka në det me Shqipërinë, aplikimi i kësaj norme është i pamundur, kjo për shkak se pavarësisht ligjit të brendshëm të një vendi, për ndarjen e kufirit mes dy vendeve vlejnë konventat ndërkombëtare.
E drejta e 12 miljeve është e drejtë ndërkombëtare në zbatim të konventës UNCLOS të vitit 1982. Shqipëria dhe Italia e kanë zgjidhur shpejt çështjen e hapësirës detare, kjo për shkak se janë dy shtete përballë dhe hapësira mes tyre është më e madhe se 24 milje, kjo bën që mos të ketë mbivendosje të së drejtës së 12 miljeve. Por, Shqipëria dhe Greqia janë shtete në krah dhe këtu situata është më e komplikuar.
Në këtë pikë hyjnë negociatat dhe grupet negociatore tashmë janë përgatitur me argumentet. Disa prej argumenteve të palës shqiptare i ka mësuar edhe Top Channel.
Dy grupet, pasi të marrin edhe lejen nga instancat më të larta, në rastin e Shqipërisë nga Presidenti Ilir Meta do të ulen të flasin mbi konventat. Kjo për shkak se për të ndarë detin Konventa nuk merr parasysh sa e ke gjerësinë e detit territorial me ligje të brendshëm, pra nëse e ke me ligj të brendshëm 0 milje, 6 milje apo 12 milje, konventa të thotë që pavarësisht gjerësisë që ti ke me ligjin tënd, kur të negociosh do përdorësh vijën e mesit, vija me distanca të barabarta nga vijat bazë të bregdetit të dy shteteve, por kjo vijë më pas modifikohet, duke pasur parasysh edhe rrethanat e veçanta të konfigurimit të bregdetit.
Ky modifikim nuk u mor parasysh në draft-marrëveshjen e vitit 2009, por u aplikua në atë kohë vetëm vija e mesit. Top channel ka mësuar edhe se cila është zona që do të ndahet sipas vijës së mesit. Është e gjithë hapësira me ngjyrën e verdhë që ndodhet e përcaktuar në këtë hartë. Me marrëveshjen, e re vija e mesit do të modifikohet për rrethanat e veçanta të konfigurimit të bregdetit duke i dhënë Shqipërisë avantazh në det territorial. Distanca nga brigjet midis Shqipërisë dhe Greqisë është më pak se 24 milje në të gjithë gjatësinë e detit territorial mes tyre, madje në Kanalin e Korfuzit ajo varion nga 1 deri në 6 milje detare.
Në këto kushte, gjerësia prej 12 miljesh e detit territorial të dy vendeve nuk gjen zbatim, pasi këtu Konventa thotë që ndarja bëhet sipas vijës së mesit me distanca të barabarta nga bregu, por që do të modifikohet për rrethana të veçanta.