Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: HESHTJE VARRI, NË AKADEMINË E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË…!

 

Na ishte një herë, mora pjesë, në Akademinë e Shkencave, në promovimin e librit të studiuesit kroato-shqiptar, Aleksandër Stipçeviq “ARBNESHËT E ZARËS”, përkthyer nga Prof. Sadri Fetiu, i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Librin ma kishte dhuruar disa muaj më parë, shoku im Syle Kasumaj, kështu kisha patur kohë ta lexoja.

Atë ditë u takova dhe ndejta pranë me Prof. Pëllumb Xhufin i cili në një intermexo i hodhi sytë nga emblema e akademisë së Shkencave dhe më pyeti: A e di çfarë është ajo shenja e vendosur në mesin e Shqiponjës?

E vështrova në distancë, me syzet e mia dhe i thashë se mund të ishte, shkronja greke EPSILON ose SIGMA.

Ajo më tha profesori i nderuar, është Sigma dhe është fillimi i fjalës greke, SOFI që do të thotë dituri.

Deri këtu na kanë hyrë, shërbëtorët e Greqisë.

Në dhjetor të këtij viti mbushen tre vjet nga ajo ngjarje e papritur dhe e paharruar për mua.

Jam përpjekur shpesh herë të jem pjesë e aktivitetit të këtij institucioni të rëndësishëm për vendin e veçanërisht kam shkuar në ato aktivitete që lidheshin me lëvizjen kombëtare shqiptare.

Gjithmonë e kam parë Akademinë e Shkencave si një tempull të dijes e të atdhedashurisë, për të gjithë shqiptarët, në rajon, e kam parë si një qendër të kulturës dhe historisë sonë kombëtare.

Kam kthyer sytë gjithmonë, nga Akademia Shqiptare dhe kam pritur fjalën e saj, për zhvillimet në trojet shqiptare e veçmas, për zhvillimet në Kosovë e në Maqedoni, ku rrezikojmë të humbim edhe ato arritje që shqiptarët i siguruan me luftë e me sakrifica të mëdha.

Problemi i demarkacionit me Maqedoninë, me Malin e Zi, kufiri detar me Greqinë e tani së fundmi debatet e rrezikshme për ndarjen e Kosoves, krijimi i ASOCIACIONIT artificial të komunave serbe atje, nuk janë probleme vetëm të Kosovës por probleme kombëtare, gjithë shqiptare.

Edhe problemet më të fundit në Maqedoni, referendumi për emrin, marrëveshja liqenore e Prespës, zyrtarizimi i vetëm i maqedonishtes si gjuhë zyrtare në Maqedoni, vendosja e shqiptarëve shtetformues, në një rresht me turqit, romët e të tjerë, pa konsideruar prezencën e tyre, me mbi 50 për qind në këtë republikë artificiale e shumë të tjera si këto, kanë patur nevojë, për veprimin dhe jo për heshtjen e Akademisë Shqiptare të Shkencave.

Jam i hidhëruar kur krahasoj, akademinë tonë me homologet e saj në Mal të Zi, Maqedoni e veçanërisht në Greqi e Serbi.

Në këto vende, këto institucione janë në ballë të punëve e në mbrojtje të politikave të tyre kombëtare të cilat në shumë raste, kanë prekur interesa ekzistenciale të shqiptarëve në Ballkan.

Kanë pritur shqiptarët që nga Akademia jonë e Shkencave, nga kjo QABE E DIJES, të dilnin, letra, memorandume, kërkesa të argumentuara për opinionin publik dhe për personalitetet e politikës botërore, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare, të rrezikuar më shumë se kurrë, në historinë e vet mijëravjeçare.

Kemi pritur siç presim edhe sot, pa shpresë, nga Akademia e jonë e mosqënë e vetëm heshtje varri, kemi marrë.

Ashtu si qindra e mijra të tjerë, bashkëqytetarë të mi edhe unë, vetëm keqardhje ndjej…!

Please follow and like us: