Poetë grekë nën shqipërimin e Arqile Garos
Dhimitrios Kambouroglou: Krevati vajzëror
U bë vonë e më zu nata,
tek shtëpia e një miku,
me ca verë e muhabet,
e s’ bëntë vaki të ikja,
zu një breshër! bu, çfarë shiu!
brrr, një erë, një kijamet!
Më sajdisën e më mbajtën,
e më shtruan që të flë,
në një shtrat fort madhështor,
kunupjera rreth e rrotull,
e çarçafe të mëndafshta,
mu duk vetja, perandor.
U shtriva i sekëlldisur,
pa çka, thashë le ta provoj,
të fle si amerikan,
befas ndjej një të pickuar,
që kërceva i tmeruar,
sa desh preka në tavan!
A thua më ishin turrur,
njëmijë pleshta të urritur,
mijra çimka e mushkonja,
vërvitem i lemeritur,
ku te vete, ku të futem,
nga t’ia mbathja, ku të shkonja?!
Po çu bëra, vallë, çfarë patën,
vrava mendjen dhe e gjeta,
shkakun tepër natyror,
gjithë këta shejtanë zullapër,
që mu hodhen të më shqyejnë,
janë të seksit mashkullor.
Edhe der’ sa janë mësuar,
për natë duke ledhatuar,
trup të ëmbël vajzëror,
me të drejtë u revoltuan,
që mbështeta mjekrën time,
në jastëkun virgjëror.
Nis e kontrolloj jatakun,
po kur s’gjeta një, për besë,
mbeç mu si Xhaferi* i shkretë …
Pasi nuk e gjeja shkakun
dhashë karar që k’to mënxyra,
i bëka krevati vetë!!
O ju miq, uratë më paçi,
në rastistë në jetën tuaj,
e të lipset gjetkë të flini,
Zot i math le të kujdeset,
të mos ndodhë, mos u çoftë fati,
në krevat vajze të bini!
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, shtator 2013.
*Xhaferi – me demek mbeti si Xhaferi kur humbi simiten… Kush e di këtë çështjen e Xhafo qosurit me simiten lerë të na e thotë që të sqarohemi edhe na të tjerët.
Athanasios Christopoulos: Hani, pini e këndoni
Eni miq tё vjelim rrush,
mos mbeftё pa festuar kush,
jehon fyelli nё pllajё.
Vjeshta nis e gurgullon,
valle hedh edhe na fton,
tё vjelim vreshtat e saj.
Ma vini verёn nё gurrё
tё fladitet tё marrё nur,
edhe uli, bёni rresht
kёmbёkryq ore trimosha,
ndёnё hij’ e pёrmbi kosha,
ndanё burimit qё nuk resht.
Merrni gjethe, mblidhni fjera
ashtu siç bёni ngahera
dhe mbi to me mjeshteri,
mishin e qingjit na shtroni,
vjeljen e rrushit filloni,
rrofsh e qofsh o kushuri!
Pije njё gllenjkё verё or djalё,
nё fillim nise ngadalё,
paskёtaj si tё na vijё,
dozёn pak nga pak e shtojmё
gjersa kokёn ta dёgjojmё,
tё gjёmojё e t’ ulёrijё.
E kur tё na bjerё zalija
pёrmbi bar e ndёn hardhija,
zogut kёngёn ja dёgjojmё,
e i mbajmё iso tё shtruar
gjersa gjumi i stёrbekuar,
tё na marrё e ta gёzojmё.
Shqipёroi Arqile Garo, Janinё, gusht 2013.
Aristidhis Vallaoritis: Lugati
(Thanas Vaja)
“Pse rri në këmbë Thanas, më thuaj
ngrirë si lipsanë, si një i huaj?
Përse Thanas, nuk gjen qetësi?
Hadesi s’qënka rehat për ty?
Tash e sa vite që je në varr…
Me errësirën s’gjete karar?
Të lutem shko. Dua të flë.
Më lerë të qetë siç unë të lë.
Mëkati jot më ndoqi pas.
Më sheh si jam? Shko pra Thanas!
Të tërë më ndjekin, porsi kolerë.
Vejushës tënde s’ju çel një derë.
Qëndro më larg… Pse më tmerron?
Thanas, ç’të bëra që më mundon?
Pse jeshilon? Vjen era dhe…
Si nuk je tretur, Thanas ende?
Mblidh pak qefinin mbërtheje mirë…
Krimbat të bredhin përmbi fytyrë.
O i mallkuar, pa shih kërcejnë
po vijnë drejt meje, do të më gjejnë.
Thuamë nga vjen brënda në terr?
Dëgjon se ç’bëhet? Llahtarë e tmerr.
Nga fundi i dheut pse dole vallë?
Ku do të shkosh? Pse vjen vërdallë?”
“Në varrin tim thellë në errësirë
i mbyllur isha, natën, i shtrirë
e tek qefinin bëra të shtrija
i kruspullosur s’doja të rrija,
një kukumjaçkë sipër nga maja
zë e këlthet: – Dil, Thanas Vaja
njëmijë të vdekur të presin ty
do të të marrin, t’i çosh aty!”
Dëgjova thirrjen dhe emrin tim.
Kockat mu drodhën me fërgëllim.
Fshihem, përpiqem të hyj më thellë
në gropën time, në honin shpellë.
“Dil edhe shfaqu, o Thanas Vaja
eja të rendim në fusha e pllaja!
Dil mos ki frikë, po vimë si miq.
Tregona rrugën për në Kardhiq”.
Si të harbuar me ulërimë
turren vdekësirat mbi varrin tim.
Me thonj e dhëmbë me këmbë e duar
gërmojnë, gërmojnë si të tërbuar.
Posa më gjetën më hoqën zvarrë
nga muzgëtira sipër në varr,
qeshin, gajasen, e më mbërthejnë
aty ku thanë duan të venë.
Fluturojmë e rendim, qielli gjëmon,
botën kthen mprapsht hordhia jonë.
Si re e zezë që shungullon
tërmet e flakë, për nga kalon.
Qefinët fryhen nga erë e madhe
si vela duken përmbi livadhe.
Eshtra që shqiten, kokalla bosh
udhës kërcejnë e hiqen osh.
Zog’ i mallkuar prin në ograja,
gjithmonë duke klithur – “hej Thanas Vaja”.
Kështu mbërritëm në atë oborr,
ku qindra thera më këtë dorë.
Oh çfarë torture! O gjëmë, o tmerr!
Mallkime të egra si në skëterrë!
Gjakun e mpiksur ma dhanë ta pija.
Shikoma gojën, s’ka ikur shija.
E tek më shkelin, me mua fshijnë sheshin.
Dikush bërtet … ndalojnë, vënë veshin.
“ Mirë se të gjejmë Vezir Ali!”
Shtyhen e futen brënda n’ avli.
Hidhen mbi të me gjullurdi.
Mua më lanë… Nuk mbet’ njeri.
Fshehtas u ika nëpër thëllime,
erdha të flë me gruan time”.
“Thanas dëgjova, por është më mirë
në varrin tënd të jesh i shtrirë”.
“Në varr të ftohtë për shoqëri
tre puthje dua!… M’i jep tani!”.
“Kur po të hidhnin vaj tok me dhe
unë fshehtas puthjen ta dhashë atje”.
“Kaloi shumë kohë e atë puthje…
Ma morën djajtë ma hodhën tutje”.
“Më trëmb me sytë e dalë nga gropa.
Mishi i kalbur, të bie copa.
Hiqu, fshih duart, dridhem nga frika.
Të karkallosura, duken si thika”.
“Eja moj zëmër, s’jam unë ai,
që përqafoje tërë dashuri?
Pse neveritesh, Thanasi jam”.
“Hiqmu nga sytë se do lë nam!”
Hidhet mbi të dhe e mbërthen
me buz’ të tij, gojën i gjen.
Rrobat e trupit fillon i gris,
fantazma sterr, e egër, pis.
E zhveshi krejt… edhe me ngut…
Dorën në gjoks kërkon të futë
Ngel si mermer. Si gjarpër ngrin,
dridhet i tëri gjuhën përpin.
Hungërin si ujk, dridhet si kartë…
Më gishta preku kryqin e artë.
E shpëtoi të gjorën, ajo hajmali,
nga gjoksi i saj del tym i zi.
Atëherë fort ndihet nga pllaja,
një zë që çirret – “Dil Thanas Vaja!”
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, gusht 2012.
Aristomenis Provelengjios: Vdekja e poetit
U shtri atje buzë detit t’ adhuruar
dhe la frymën e fundit po atje.
Pranë, lirë e tij. Një valë lodron malluar,
yjet shkëlqejnë në qiellin pa re.
Dhe vijnë nga thellësi e dallgëzuar,
dhe e qarkojnë të detit shtojzovalle,
prehrin e tyre i ofrojnë për ta qetuar
vasha të lindura nga shkuma gjëmëmadhe.
Nuk e vajtojnë e nuk e qajnë me ligje,
veçse një këngë të ngrohtë e plot magji
bardit të tyre i këndojnë me nostalgji,
një melodi nga Oqean’ i thellë, pa brigje:
“- Ne jemi fryma jote, e detit shpresë
ëndërrat e tua, e jotja krijesë.
Ne jemi shpirti i harmonisë hyjnore
që nga e ëmbla lirë e jotja sapo doli
dhe thellësisë pa fund me këngë i foli
e nga shkëmbinjtë vërshon e ngjallet prore”.
Mbërrijnë Nerajda lart nga pyjet e nga malet,
si era, me kurorat bërë n’ ograjë,
aroma lulesh mbledhur n’ atë majë,
ku flutura veçse i ledhaton e s’ ndalet.
Me ligje nuk e qajnë, asnjë s’ vajton,
një uverturë që ngjan me erën tek rrënkon
si mërmërimë e ujit që ndën hije gurgullon
bardit të vdekur këto fjalë rrinë e i thonë:
“- Ne jemi fryma jote, e malit shpresë,
ëndërrat e tua, e jotja krijesë.
Ne jemi shpirti i harmonisë hyjnore
që nga e ëmbla lirë e jotja sapo doli
e në lugina u derdh, ndër pyje foli
burimet, pemët ngjall e vërshon prore”.
Vegime ëndrrash, lart nga yjet e praruar,
kurora drite plot shkëlqim që mbajnë në duar
thurrur me rreze Galaktikash të paanë,
vijnë tek Poeti e i ulen pranë.
Me ligje nuk e qajnë, asnjë s’ vajton,
pafundësia rrezendritur shekullore,
me himne serafimesh ëngjëllore
bardit të vdekur këto fjalë rrinë e i thonë:
“- Ne jemi fryma jote, e qiellit shpresë
ëndërrat e tua, e jotja krijesë.
Ne jemi shpirti i harmonisë hyjnore
që nga e ëmbla lirë e jotja sapo doli
ndër yllësi, konstelacione, veçse foli
si një ekstazë, si himn e lutje prore”.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë, shtator 2014.
Achileas Paraschos: Dashuri e dyzuar
Çdo zemёr mundet njё Hyjneshё ta çmendё e ta lajthisё
mjafton njё gotё mbushur farmak e mendja majё çatisё˙
veç zemra ime s’ ёshtё kёsoj, mё ka tjetёr namuz˙
se helmin thith nga njё Leshverdhё e tё Syzezёs buzё,
njёra mё puth edhe mё vdes, e tjetra vjen atёherё
e me njё puthje mё ringjall e prapё mё çon nё ferr…
Njё trëndafil jetёn ma merr, njё trëndafili ma ruan˙
zjarri ma ndez zemrёn e gjorё, e flaka vjen ma shuan˙
nё krahё tё vdekjes ujё i shenjtё simbol pavdekёsie
e tok me ujin pi farmak qё vdekjen prapё mё bie.
Rroj edhe vdes· nё çdo agim qё zbardhёllon nё terr,
vdekja nё qiell mё dёrgon e qielli nё skёterrё…
Oh, ç’ ëmbёlsi, vdekja mё gjen qarkuar me ylbere,
netёt e mia leshverdhojnё e ditёt janё esmere˙
sa del Leshverdha nё agim çel ngjyrat e pranverёs
dhe qiellin dhe diellin dhe mrekullitё e erёs˙
por dhe syzeza virgjëreshё kur nis edhe afrohet,
nё qiell yje vezullojnё dhe reja turbullohet.
Si nёnё e dhёmbshur qielli stolis Leshverdhёn time˙
i fal ndriçimin flakёror, tё diellit agime,
e perëndime gjithё lezet i vesh nё gushё e faqe
freski nё gji, rreze flori, flokёt si manushaqe.
Veçse rrufenё k’saj vasheje nёna nuk ja dhuron,
pse vetё vështrimi i saj rrufe si vetёtimё ndriçon!
Por tek Syzeza ime veç si mbi njё yll tё shkruar,
Hadesi tok me qiellin duart i kanё bashkuar˙
njёri katranin i blatoi nё atё sy tё shkretё,
nё vetulla e nё qerpikё, nё flokё e nё gёrshet.
Por ndёn atё shikim, o Ζot, shkëndijё qё xixёllon˙
agimi falet nё errёsirё e natёn pёrgjёron!
Kur nis Leshverdha e kёndon iso i mbajnё bilbilat,
aromat kёndshёm psherёtijnё, buzёqeshin karafilat˙
po kur Syzeza buzёt hap e kёngёs ja merr shtruar
me sy tё hapur ëndёrroj, e gjoksi rreh malluar…
Shpirti tek buzёt lehtё e puth, e kёnga gurgullon
siç uji puth tokёn me afsh e pema lulёzon!
Pa del Leshverdha buzagaz, krahёhapur, gjokszbuluar
e me dёshirё e gaz më pret˙ tjetra e dashuruar,
kur mё shikon qё rri mёnjanё e sytё mё mbushen lot
vjen e afrohet tёrё merak, me lajle e lule bot…
Buzёqesh me flokun e argjentё, pёr sytё e zeza qaj,
me yjet netёve gёzoj, me agimet ëndrra ndaj.
Kё dashuroj? tё dyja tok… ky shpirti im i do,
nё ferr tё digjet pёrvëlim, ndanё qiejve, ngado˙
se qё tё dyja mё mungojnё kur njёrёn nuk kam pranё˙
mungon nga dhembja ç’ do gёzim e gazi dhembje s’mban˙
e mua mё pёlqen tё thith veç nga njё gotё trazuar,
tёrё shkumёn e pavdekёsisё, dhembjen me gaz bashkuar!
Shqipёroi Arqile Garo, Janinё, korrik 2013.
Aleksandros Papadhiamandis: Nënës
Oj nënë, unë qënkam i pafat, trumcak në mugëtirë,
që e rreh era me tërbim e shiu pa mëshirë.
I gjori! ngado që të vejë, kudo nga kokën kthen,
nuk gjen një gur ku të qëndrojë, një degë të flejë nuk gjen.
Varkë e vetmuar qënkam nënë, një varkëz e mjeruar
në det të hapur, në stuhi, mbi valë të shkumëzuar,
luftoj me dallgët pa timon, pa busullë, pa pëlhurë
e tjetër veç bekimit tënd nuk kam një shpresë, ogur.
Në prehrin tënd të ëmbël shumë do doja, nënë, të vija,
para se deti të më tretë, të prehesha, të rrija.
Do doja nënë, të ikja larg, kurbetit t’ i marr erën
e prej së largu shortit tim ti shihja pragun, derën.
Në mbretërinë e fateve mbushur me pikëllim,
të gjeja e t’ i lutesha përgjunjur shansit tim.
Ti them: mbi shpinë ti më ke shtënë mundime e derte shumë,
porsi një rrjetë që mbledh, zvarrit lëmyshqe, rërë e llum˙
ndaj kam një fat të poshtër pis, të ndyrë, të lemeritur,
që ka mohuar Shënmërinë, një ters të neveritur.
Ai u ul edhe m’ u gjegj, ai përgjigjen gjeti:
“Dita, fatzi, që linde ti ishte një ditë rrëmeti˙
të tjerët morën lulëzat e ti veç rrënjët more˙
kur Perëndia të latoi nuk ish dhe fort gaztore”.
Shqipëroi Arqile Garo, Janinë korrik 2014.