Albspirit

Media/News/Publishing

Foto V. MALO: GJIROKASTRA NË SYRIN E KADARESË (4)

HISTORIKU I RINGRITJES SË SHTËPISË SË SHKRIMTARIT

 

Agron Doraci ishte qysh në fillim partizani i flaktë për ringjalljen e ngrehinës së shkatërruar dhe kthimin e saj në identitet. U ndesh me vështirësi, komunikoi hap pas hapi me shkrimtarin, shkoi posaçërisht në Paris ta takonte e të këshillohej me të. Për shtëpinë, thotë shkrimtari, ka patur fotografi me të cilat u këshilluan dhe specialistët, dhe arkitekt Agroni, i cili ka një arkiv të madh me skica, projekete dhe harta.

rkitekt Agroni na tha që herët se shtëpia e shkrimtarit do të ribëhet siç ishte, e përpiktë dhe e bukur. U plotësua projekti fillestar, me harqet që i japin hijeshi të veçantë. Shkallët prej druri që dikur kërcisnin, sot janë prej guri dhe me një shtresë druri në shkallaret. Druri për tavanin është lëndë suedeze, kurse druri i shkallëve është nga Mali i Zi. (Një njësi shitje me lëndë druri nga Suedia, është përfund fshatit Lazarat). Ndoshta mund të ishin vendosur në mur edhe disa gurë të nxirë nga djegia, ose edhe dy-tre dërrasa në tavan, që të na kujtojnë fatkeqësinë që pësoi ngrehina.

U zvarrit ca si shumë rindërtimi i shtëpisë (“Duro, zemër, të durojmë, siç duron mali dëborën…”) dhe autori kishte të drejtë të kërkonte plotësimin e vendimit sipas premtimit dhe grafikut. Mund edhe të kishte zbrazur me sarkazëm mllefin e llojit: “Këta pushtetarët e rinj dinë vetëm korrupsion e jo të zhbllokojnë çështjen e të mbarojnë punë”, por u përmbajt dhe priti me durim.

Përurimi i punimeve rindërtuese u bë nëntë vjet pas djegies. Nënta – një numur baladik fatal, dhe periudha nga djegia deri në përurimim kaloi harkun kohor të gjashtëmbëdhjetë viteve. Dhe kthimi i shtëpisë në identitet, brenda, kërkon ende punë dhe kohë, dhe mendim krijues, sepse, p.sh., nuk mjafton një dhomë “pritje” a muze, me disa stenda e fotografi.

Ndërkohë, përkundër kësaj vonese të madhe, shkrimtari vazhdoi t’i shtojë një kat ngrehinës së vet letrare, “Çështje të marrëzisë”, “Darka e Gabuar”, “Mosmarrëveshja”, “Mëngjeset në kafe Rostand”, “Kukulla”, dhe ndonjë tjetër. Janë krijime e libra shumica me Gjirokastrën në qendër, ku autori arrin të ndriçojë anë të reja, madje edhe brenda shtëpisë së vet.

Dikur plakat në dritare pinin kafe dhe shikonin me dylbi, ndaj, siç e përcakton shkrimtari, quhej kafe me dylbi. Ngjan se nga ajo kohë shkrimtarit i kanë mbetur në dorë dylbitë…

Janë me dhjetra ndërtesa të vjetra, karakteristike të braktisura nga pronarët e nga kujdesi i domosdoshëm shtetëror. Kështu, kostoja e neglizhencës dhe pamjaftueshmërisë financiare qindfishohet. Nga një pikë, kalbet e bie çatia, e cila nga ana e saj zë nën vete gjithë ndërtesën, muratura prishet e bie, ndërtesa bëhet gërmadhë. Kështu, duke i paraprirë së keqes, me shpenzimet për një ndërtesë do të mund të mirëmbaheshin dhjetra të tjera. Nevojiten drejtues dalëzotës, pa harruar se ata që shkaktuan dëmet e keqtrajtimit në vazhdimësi një ditë duhet të përgjigjen.

Në vjeshtën e vitit 2015 nisi restaurimi i shtëpisë prindërore të shkencëtarit Eqerem Çabej, e cila rrezikonte të shembej. Edhe këtu punës i prin arkitekt Agroni. Shpresojmë që ndërmarrja e re të zgjasë sa më pak, dhe Gjirokastrës t’i shtohet një tjetër shtëpi-muze.

***

Gjirokastra e shekullit të kaluar rëndon në historinë shqiptare përmes figurave që nxori. E. Hoxha është politikani e burri i shtetit që u largua nga skena në prill 1985, kurse I. Kadareja është shkrimtari dhe intelektuali që vijon rrugën e vet ngjitëse, “kohërat duke sqaruar, situatat duke kapur…”.

Ngjan se ka patur një bashkekzistencë e dualitet disi fatal midis dy gjirokastritëve me emër: E Hoxhës dhe I. Kadaresë. Ish diktatori ishte i pranishëm në bustet e rënda vendosur në hyrje të institucioneve dhe veprave të mëdha nga Veriu në Jugë të vendit, edhe në sallën e mbledhjeve të LSHA në leximin (dhe studimin masiv) të “veprave” të tij. Përmes Atij, qoftë edhe tërthorazi, i ishte e pranishme Gjirokastra. I. Kadare dëshironte të kishte vetëm një domen (“pashallëk”) letrar, kurse E. Hoxha ishte i plotfuqishmi që bënte shi e diell, kontrollonte gjithçka, mund të vendoste mbi këdo. Ai dhe bashkëshortja e tij. Ai dhe organet e njerëzit në segmennte të cakruara, sidomos të Sigurimit të Shtetit. Ky është mendimi dhe pozicionimi i vetë shkrimtarit, edhe në intervistën më të re të tij, në “News 24” orë.

Kadare e “përjetësoi” atë në disa krijime poetike, në vargje, dhe si figurë qendrore në romanin e tij të njohur (1972, 1977). E shkroi atë roman, siç pohon vetë, për të larë hesapet me fjalën parti, mungesën e së cilës dashamirët e quanin me pasoja në rrugën e tij krijuese. Nga vepra në vepër shkrimtari vazhdoi provokacionet dhe opozicionin e pjesshëm estetik – politik, deri sa një ditë shtatori të vitit 1990 u arratis në Francë, për të nxitur me mungesën e vet proceset demokratizuese, siç pohon në një intervistë të kohëve të fundit.

Me arratisjen u hap një kapitull i ri në jetën dhe veprën e shkrimtarit. Nisi epoka e divorcimit të plotë dhe publik, dhe kundërvënia njohu caqe të reja. Pozicionimi i tij strategjik u përvijua në libra si, “Intervista me Alen Boscue”, “Nga një dhjetor në tjetrin”, “Piramida”, “Biseda në Paris”, “Kohë barbare”, “Zhdukja e “pashallarëve të kuq” të Kadaresë” (M. Velo), “Një dosje për Kadarenë” (Shaban Sinani) intervistat në gazeta e në televizion.

Gjirokastra e sotme zyrtare përpiqet ta nderojë posaçërisht shkrimtarin e shquar. Në mjedisin gjirokastrit është diskutuar për figurën e Enver Hoxhës dhe të Ismail Kadaresë në një rrafsh krahasues por edhe me kundërvënie.

Shkrimtari i së ardhmes sapo kishte lindur, kur Enver Hoxha 28 vjeçar, më 29 korrik 1936, disa ditë pas ardhjes nga jashtë shtetit, mbajti një fjalim ambicioz mbi varrin e Bajo Topullit. Një tjetër fjalim mbajti ai me rastin e sjelljes nga Shkodra të eshtrave të Çerçiz Topullit, vrarë atje tok me Muço Qullin, nga malazezët. Fjalimi i djaloshit Hoxha përshkohej nga ideja e ndërgjegjësimit dhe zotimit të djalërisë që po mëkëmbej për t’u dalë zot fateve të atdheut. Që këtu spikati talenti i tij oratorik. Disa vjet më parë, më 25 korrik 1930, në varrimin e Bajo Topullit, pati mbajtur një fjalim intelektuali i ri gjirokastrit, Eqerem Çabej, i cili e quajti Bajon (Bajram) “mësues dhe edukator të kaq brezave shqiptarë”. Fjalimi i parë u mbiquajt programatik, fjalimi i dytë mbeti në hije një jetë të tërë…Edhe shkrimtari i ardhshëm u zotua me mënyrën e vet, pa bujë dhe ceremoni se do t’ i shërbente një misioni dhe ideali të lartë. Si e mbajti fjalën secili, e thotë dhe do ta gjykojë edhe më mirë historia.

Sot në sheshin e vjetër të Gjirokastrës janë vendosur barelievet me tre figura që cilësohen Nderi i Gjirokastrës: gjuhëtarit Eqrem Çabej, i cili provoi grushtin e hekurt mandej u rehabilitua, intelektuales Musine Kokalari, e cila u internua një jetë dhe mbaroi e persekutuar, si punonjëse krahu dhe e sëmurë, në Rrëshen të Mirditës, dhe shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, që po i “rikthehet” vendlindjes. Këtë përnderim e shpalli më 1 nëntor 1999 me një vendim të posaçëm këshilli bashkiak i qytetit.

Gjatë vlerësimeve të I. Kadaresë për personalitetet që nxori Gjirokastra nëpër kohëra, shkrimtari vlerëson shkencëtarin Eqerem Çabej, shkrimtaren dhe politikanen Musine Kokalari, diplomatin e ditur Rauf Fico, që shkrimtari e cilëson si Ministrin e Jashtëm më të mirë që ka nxjerrë Shqipëria nëpër kohë. (Raufi pajtoi Ataturkun me A. Ζogun. Κa qenë edhe ministër i Brendshëm në qeverinë e A. Zogut).

Shtëpia e pushtemadhit E. Hoxha ndodhej në krye të rrugës “Sokaku i të Marrëve”. U dogj më 1913 dhe e u rindërtua nga partia, më madhështore nga ç’ishte. Shtëpia e shkrimtarit, siç përmendëm, gjendej në fund të rrugës “Sokaku i të Marrëve”. Me kalimin e kohës, shtëpia e “fundit” doli në krye.

Është për t’ u vënë në dukje se politikani dhe shkrimtari, edhe atje në Tiranë, shtëpitë nuk i kishin larg. Shkrimtari “i ka botuar fabulat e veta në vetë qendrën e diktaturës dhe i ka shkruar vetëm disa qindra metra larg nga “Blloku”, qyteza e ndaluar ku jetonte nomenklatura” (Eric Faye, Parathënie në hyrje të veprës letrare të I. Kadaresë, botim i Fayard, Paris 1993).

“Ai e krahason Enver Hoxhën me perandorin Neron. Që të dy ishin diktatorë, që të dy ishin lavdidashës, të tmerrshëm dhe tekanjozë, që të dy kishin ambicje letrare, por ishin poetë mediokër” (Pia Maria Plehl, Die Presse, 2.3. 1992).

***

Gjirokastra ka pagëzuar disa institucione a mjedise me emra të bijve të saj: Emrin e Prof. Eqrem Çabejt e mban Universiteti i Gjirokastrës. Emrin e doktor Omer Nishanit – ish Ministër i Jashtëm dhe kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, e mban sot spitali i qytetit. Emri i pediatrit të shquar Vasil Jorgji, i është dhënë rrugës së gjatë që të shpie drejt spitalit të qytetit.

Teatri i qytetit vazhdon të mbajë emrin e folkloristit e shkrimtarit Zihni Sako, autor i disa prozave dhe pjesëve të shkurtra teatrale. Kurse kinemaja e qytetit, pasi u bë një film për Hysen Hoxhën, kryetari i parë i Bashkisë i qytetit, mori dhe mban emrin e tij. Rruga që çon drejt shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja (ish – Pedagogjike) dhe pavioni i pediatrisë i spitalit të qytetit janë pagëzuar me emrin e shkrimtarit dhe pedagogut Bekim Harxhi. Një rruge të Gjirokastrës iu dha emri i shkrimtarit për fëmijë dhe pedagogut Tasim Gjokutaj, nga Lumi i Vlorës, po ashtu iu dha edhe bibliotekës së fëmijve në qendrën kulturore “Fato Berberi” të qytetit.

Shumica e emërtimeve të rrugëve u vendos në periudhën 1999-2000, kur në këshillin e Bashkisë të Gjirokastrës mbizotëronin elementë nga krahinat e rrethit, shumica me orientim të majtë. Kështu, ndoshta, shpjegohet pse rruga më e gjatë, vertebrore e qytetit, nga Qafa e Pazarit, tek fusha e vjetër e futbollit, u pagëzua me emrin Alqi Kondi, nga Zagoria.

Sigurisht, e meritonte një rrugë e qytetit emrin e shkrimtarit që zgjeroi aq ndijshëm udhën e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Dhe fatin për këtë e pati udha mbi të cilën gjendet ndërtesa e Gjimnazit.

***

Në kryeqytetin shqiptar u bë një simpozium ndërkombëtar për figurën e Prof. Eqerem Çabejt. Prof. E. Çabej ka lindur në Erzerum të Turqisë, në mars të vitit 1908, në vitin kur në Gjirokastër lindi “trimi me fletë” Enver Hoxha, disa muaj përpara këtij. Shkollën fillore Eqeremi i vogël e kreu në Gjirokastër. Deri në vitin 1963, kur u bë rehabilitimi i shkencëtarit të shquar, dy personat bashkëqytetarë ishin në dy llogore të ndryshme, politikani në fron, kurse shkencëtari në hije. Profesor Eqerem Çabej i dha dorën kryepolitikanit që e ndëshkoi, vazhdoi të punojë për përfundimin e veprës shekencore voluminoze, nga e cila në të gjallë të tij doli në dritë një pjesë e vogël. Ishte së pari potenciali madhor intelektual e shkencor i E. Çabejt, që e detyroi politikanin e fuqishëm (me të cilin pati një vitlindje) ta riaktivizojë këtë kapital kombëtar dhe t’i japë dalengadalë vendin që meritonte.

Nga mjedisi gjirokastrit e nisi së pari E. Çabej mbledhjen e fjalëve rrënjë, fjalë plaka të gjuhës shqipe, për të arritur tek vepra madhore “Fjalor Etimologjik në Fushë të Shqipes” dhe në analiza diakronike mbi gjuhën shqipe si dukuri kulturore origjinale.

Nisur nga mjedisi kulturor gjirokastrit, E.Çabej bëri krahasimin midis motiveve parahomerike e të lashta greke dhe motiveve të folklorit shqiptar (gojëdhëna e përralla), përqasi heronjtë homerikë me heronjtë legjendarë të folklorit shqiptar, duke theksuar ndikimin helen por edhe karakterin burimor shqiptar. (Ndërkohë, në Shkodër përqasjen midis tyre e bënte At Gjergj Fishta).

Gjuhëtari Eqerem Çabej dha mësim vetëm tre muaj në gjimnazin e Gjirokastrës, atëherë ku shkrimtari nuk kishte shkuar ende në shkollë, por ai u bë profesor i tij në Universitet, mësues i nderuar i I. Kadaresë jo vetëm atje. Dhe I. Kadareja u bë, me mënyrën e vet, vazhdues dhe zhvillues i veprës qytetëruese të gjuhëtarit të shquar, i kumteve që ai dha qysh herët. Vlerësimin për figurën dhe veprën e E. Çabejt, I. Kadareja e shprehu në parathënien për monografinë “Eqrem Çabej” të Prof. Shaban Demiraj kushtuar shkencëtarit me prejardhje nga Gjirokastra. Është ky i vetmi artikull që I. Kadare ka shkruar për një bashkëqytetar. Edhe më pas, duke folur për të, shkrimtari e quajti atë si shkencëtarin më të madh shqiptar dhe një ndër më të mëdhenjtë në rrafshin evropian. Natyrisht, nuk munguan konsiderata për personalitete të tjera, ku spikatën vlerësimet për disidenten Musine Kokalari e sidomos për Ramize Gjebrenë, çështjen e së cilës e trajtoi në librin “Mosmarrëveshja”.

Në romanin “Kronikë në gur”, me gojën e një plake thuhet se djali i sjellur Enver Hoxha shpiku luftën e klasave. Kurse partizani që vrau xhaxhanë ballist në sofrën e bukës, na kujton Bahri Omarin për të cilin firmën e fundit e hodhi nipi i tij, E. Hoxha (edhe pse, sipas ndonjë thënie të kohëve të fundit, ai nuk ishte për dënimin me vdekje të Bahriut).

Lidhjet me gjirokastritë me funksione e poste të ndryshme përbëjnë një kapitull më vete. Disa prejt tyre pas Çlirimit ishin në Ministrinë e Arsimit, si Bedri Spahiu – Ministër i Arsimit deri në vitin 1955, mjaft zv. ministra, titullarë e kuadro në dikastere, në ushtri, gjykatës e prokurorë, mjekë, profesorë etj. Nga Gjirokastra e krahinat e saj dolën gjeneralë si: Bedri Spahiu, Tahir Kadare, Hulusi Spahiu, Shefqet Peçi, Dilaver Poçi, Ndreko Rino dhe “gjeneral Armate” Enver Hoxha.

Nga qyteti dhe rrethi i Gjirokastrës kanë dalë deri von një varg kryeministrash: Enver Hoxha, Pandeli Majko e Bashkim Fino – nga Gjirokastra; Adil Çarçani nga fshati Fushëbardhë, Petro Poga, Aleksandër Meksi dhe Fatos Nano nga Lunxhëria; Myfit Bej Libohova – nga Libohova. Gjirokastrite ishte mëma e kryeministrit të qeverisë së Pavarësisë, Ismail Qemalit, nga familja Alizoti. Gjirokastrit ishte kryeministri që doli nga Kongresi I Lushnjes i vitit 1920, Sulejman Delvina, me mbiemrin e hershëm gjirokastrit Drasa. Nga Kuvendi i Gjirokastrës, organizuar nga Abdyl Frashëri më 1881 e deri në shekullin që kaloi, Gjirokastra ka luajtur rol të posaçëm, me peshë e ndikim për mbarë botën shqiptare.

Në Gjirokastër dhe Tiranë shtjellohej edhe historia e disa familjeve të njohura gjirokastrite: Εnver Hoxha, Βahri Omari, Omer Nishani. Përkrah tyre, Ramize Gjebrea e pushkatuar mizorisht nga një shtab partizan, Liri Gega, anëtare e Shtabit të Përgjithshëm dhe e Byrosë Politike, pushkatuar më pas me foshnjen në bark, Musine Kokalari, e internuar deri në vdekje. Vite më parë I. Kadare foli e shkroi për Musinenë dhe Ramizenë. Tre femra gjirokastrite me fat tragjik. E katërta, në fakt e para krahasuar me to, Bule Naipi, u var në litar prej pushtuesve gjermanë. Një kapitull më vete, histori e përqendruar tronditëse. nga një mjedis i ngushtë, në një periudhë relativisht të shkurtër kohe.

Lidhjet e shkrimtarit me bashkësinë gjirokastrite ngjajnë të kufizuara, ca më tepër me kastën politiko-burokratike gjirokastrite në Tiranë. Lidhjet me ta, më tepër se lidhje interesash, ishin lidhje farefisnie ose qëndrime dhe opinione ndaj familjes që i përkiste personi. Këto qëndrime në jo pak raste ktheheshin në faktorë negativë, deri në prishje të ecurisë normale ose dënime të rënda prej njerëzve me pushtet.

Shkrimtari ishte i ri, kurse familja e tij vazhdonte të banonte në Gjirokastër. Kjo e thjeshtonte problemin. Dhe kryesorja: shkrimtari kishte vendosur ta çante udhën me zotësinë e vet, pa iu përulur e lutur dikujt. Ngjan se, me largimin nga Gjirokastra, shkrimtari i ri u distancua nga shumë gjëra të saj, duke e parë atë kryesisht si objekt përftimesh krijuese. Po ashtu, edhe njerëzit me pushtet, të cilët u reflektuan në tipat dhe personazhet e larmishme, tok me problematikën që mbartin.

Do të ishim jodialektikë po të mos ndriçonim e veçonim pikërisht shkëputjen e vendosur, kapërcimin e hatashëm të I. Kadaresë nga kuadri fillestar, ndikimin nga burimet e botës shqiptare e më gjerë, interesimet, motivet, energjitë që përftoi dhe prodhoi gjatë Ecjes. (Shkëputjen nga provincializmi mund ta vërejmë edhe në shkëputjen prej dialektalizmit, stakimin nga mendësia e tarafit, largimi nga normat patriarkale në familje).

Në këtë proces “largimi” bën pjesë edhe distancimi nga një lloj asketizmi, mbyllja në guaskë, që dikton ose injekton mjedisi provincial i vendlindjes; përpjekja e tij e ndërgjegjshme për të mposhtur e kapërcyer vetëfrenimin që diktojnë kanunet e ndalimit e të pengimit, drejt gëzimit të jetës, krijimit, mirëqënies. Ai është njeriu që aspiroi për të parë botën e madhe, e pa atë dhe hapi edhe për botën një dritare që ajo të njihte më thellë Shqipërinë.

Ajo dritare ishte kamera e parë e tij filmike, që i mprehu edhe aftësinë e të vëzhguarit. (Pas kthimit nga studimet e ndërprera në Bashkimin . Sovjetik. shkrimtari i ri u kthye me një kamera, aparat kinematografik, gjë aq e rrallë për kohën në Shqipëri, të cilin ia shiti rojes dhe mbikqyrësit nr. 1 të E. Hoxhës, Sulo Gradeci…).

Brenda rutinës dhe plogështisë së jetës në provincë, fëmija natyrshëm do të kërkonte diçka interesante, që t’i prishte ato.

Te “Qyteti i Jugut” dhe “Kronikë në gur” personazhi (pas gjithë gjasash, vetë autori) shkoi për vizitë me gjyshin dhe takoi “shpikësin” e fantaksur të aeroplanit, Dino Çiçon, një plak i lodhur e disi i hutuar, i cilisynoi perpetum mobile-n e parë në historinë e vendit. Emri i Dino Çiços qarkullonte në bisedat e gjirokastritëve si sinonimi i njeriut që kërkon të bëjë të pamundurën, por që dështon, sepse nuk ka aftësi për më tej e më lart dhe shpikja mbetet utopi. Shkrimtari iu qas me dashuri e respekt kësaj figure të aventurës provinciale, njeriut i cili, (gjoja?) refuzoi të japë patentën e aeroplanit të tij, kur ia kërkuan të huajt kundrejt një shpërblimi të mirë…

Përmes personazhit naiv fëminor, autori qëndroi në krah të xha Dino Çiços dhe xha Avdos, duke përjetuar dhimbjen e të pafuqishmit. Pas përjetimeve të tilla, ai synoi e ndoshta iu zotua vetes të dilte fitues, të triumfonte edhe për llogari të të dështuarve fisnikë.

***

Gjirokastra ishte dhe mbetet mjedisi gjeografik e kulturor ku qytetërimi shqiptar takohet e bashkëjeton me qytetërimin klasik dhe kulturën kombëtare të popullit grek. Sipas traditës evropiane, në klasën e parë të çdo gjimnazi zhvillohej lënda e letërsisë klasike greke. Ndikimi i letërsisë greke në veprën e autori ndihen sidomos në konceptimin e tragjikes, në temat që trajtoi dhe në interesimet kulturore më të hershme të tij. Ky ndikim duket në pëlhurën legjendare – mitologjike që endi në subjektet e ndryshme autori, në psikozën kasandrike që përshkon drejtimin e ngjarjeve dhe fatet e mjaft personazheve, ndoshta edhe në motivin e fajit fatal që kalon në disa breza (psh. tek “Breznia e Hankonatëve”). Analiza ekonomike e shtëpisë gjirokastrite përfshin harxhimet e përditshme per bukën, vajgurin e kripën, llogaritë e njeriut për jetesën e për jetën.

Gjirokastra është qyteti i madh jugor shqiptar më afër Greqisë. Ja si shprehet autori në intervistën dhënë gazetarit italian Abrashi:

“Shqipëria është një vend që kufizohet me Greqinë dhe ka qenë i rrezatuar nga letërsia greke. Atdheu i të gjithë neve poetëve është aty, ndonja 20 kilometra nga Gjirokastra, qyteti im i lindjes. Ishte qyteti i fundit shqiptar në jug, përballë Greqisë. Njëfarësoj qyteze. Në Ballkan nuk mund të paramendohet një vend që mund të ekzistojë pa u dëshmuar në ndonjë mënyrë armiqësore ndaj të tjerëve. Gjirokastra ishte qyteza shqiptare kundër Greqisë”.

Poema e hershme “Toka kufitare” e I.Kadaresë përcjell psikozën dhe tensionin e vazhdueshëm që përjetoi brezi i autorit dhe zona e Jugut në përgjithësi. Kufiri midis dy fqinjve të lashtë nuk kishte asnjë portë dhe në horizont nuk dukej dritë afrimi.

Në vëllimin “Koha” (1976) tek vjersha “Laokonti” ngrihet thirrja për syçeltësi dhe gjejmë vargjet për “grekët e liq” që morën me pabesi Trojën, përmes kalit të drunjtë. (A nuk e pushtuan otomanët kalanë e Argjirosë duke hyrë nga një shteg i fshehtë dhe me tradhti?). Pak më përpara ai kishte botuar tregimin “Hendeku”, me subjekt sipas dëshmisë së Resul Bedos, që fliste për vënien në vend të nderit!, nga një roje kufitare shqiptare…

Edhe novela “Përbindëshi”, botuar në revistën “Nëntori” 12, 1965 dhe e ribotuar me përpunim të pjesshëm më 1991, ka mesazhin e marrjes së kalasë nga brenda. Këtu personazh kryesor është konstruktori i kalit dhe Odiseu, e një tjetër personazh – mëndjelehti Lako (Laokonti).

Në vazhdim, përmes takimeve e pozicionimeve të ndryshme, I.Kadareja ka qenë i pranishëm e tepër veprues në dialogun për përmirësimin e klimës së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Koha punoi dhe punon për zhdukjen e barrierave dhe afrimin e bashkëpunimin midis dy vendeve dhe popujve fqinj. Dhe I. Kadareja, nga pozicioni i vet, dashamir dhe kritik, është në ballë të nxitjes së këtij procesi. Kuptimplote ishte që ai e “kapërcente” kufirin, shëtiste lirisht në “oborrin” e fqinjit, hynte në portikët e gjigandëve të artit klasik, kuvendonte me Homerin dhe Eskilin, përziente Trojën me Tiranën “Përbindëshi” i binte pragut që të dëgjonte dera.

20 kilometra nuk janë distancë e madhe, por veçimi, ndarja dhe ftohja kishin bërë punën e tyre, në dëm të të dyja palëve, të marrëdhënieve midis dy popujve. Shkrimtari i ri e ndjeu herët se nuk i takonte një province, por botës së madhe, botës së artit, që e priste të shkonte edhe në metropolin e saj të lashtë, Athinë, e në të riun, Parisin. Për afrimin e tij me Athinën, duhej lënë disi mënjanë një pjesë të pakëndshme e trashëgimisë historike…

Mund të themi se kjo mbështetje krijuese e gjithanshme dhe e gjithëkohëshme në arsenalin e letërsisë klasike greke nga ana e I. Kadaresë i parapriu heqjes së barrierave në kufirin jugor dhe ndaj qytetërimit perëndimor në përgjithësi. Këtë nismë, aspiratë edhe e brezave që përjetuan jo pa vuajtje ngrirjen e marrëdhënieve të natyrshme midis dy popujve fqinj, e ndërmori dhe e zhvilloi një djalosh gjirokastrit që kishte marrë shijen e parë të asaj kulture jo vetëm nga librat, por edhe drejpërdrejt nga elementet e qytetërimit grek që gjallonin edhe brenda territorit të vendit. Dhe I. Kadare, në çdo periudhë dhe koniunkturë politike është deklaruar adhurues i qytetërimit grek.

Pyetjes së Andi Krastës në nëntor 2007, se a ishte e kërcënuar Gjirokastra nga një lloj greqizimi që vinte nga poshtë, shkrimtari iu përgjegj:

“Kjo është një gjë shumë kundërthënëse. Mund të duket kështu sot, por në kohën kur unë kam qenë atje, adoleshent, fëmijë, ka qenë e kundërta. Po të shikoje qytetin, thoshe: si është e mundur që këtu banojnë vetëm njerëz të fisëm, ose në kuptimin me shtëpi të mëdha. Mendoje: ku janë të tjerët? Njerëzit e thjeshtë, pra nuk binin në sy. Një pjesë kishin pensione të larta dhe kishin prona në fshatrat afër, që ishin të banuara nga grekët, nga minoriteti grek. Kur isha fëmijë mendoja se Shqipëria e sundon Greqinë, sepse grekët punonin, ishin fshatarë, si të thuash, punonin në tokat e qytetarëve të Gjirokastrës, i kishin shtëpitë në tokat e gjirokastritëve dhe për mendësinë e qytetit, ishin si të thuash një popullatë e thjeshtë dhe ashtu ishin vërtet. Kjo ana senjorale e qytetit bashkuar me pronësinë, që ishte elementi ekonomik i rëndësishëm, krijonte idenë, sidomos te fëmijët e adoleshentët, që Greqia ishte nevojtare ndaj këtij qyteti, gjë që nuk ishte e vërtetë sigurisht, por kjo përshtypje krijohej. Plus kësaj, e gjithë kjo u shoqërua me një mjerim që i ra Greqisë gjatë luftës, ku mijëra e mijëra grekë, në zinë e luftës, kalonin në Shqipëri dhe kryesisht në Gjirokastër, të dërrmuar, të leckosur, lypnin për të ngrënë dhe kjo e theksoi edhe më tepër”.

“Me kundragaz në kokë u struk mes nesh Homeri” thoshte poeti i ri tek “Poemë e blinduar”. Te “Kronikë në gur” etj. paraqiti shkurt atmosferën e Luftës Italo – Greke periudhës 1940 – 1941. Me botimin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, më 1972 në Athinë, Greqia kulturore i bëri formalisht në distancë ftesën e parë, gjithsesi miqësore. Iu bënë lavdërime, iu bënë edhe vërejtje. Dhe një kapitull i madh lufte qëndronte ende i pahapur, i paprekur:) ishte një epope për popullin grek dhe një proces që mund të kishte afruar dy popujt fiqnj të lashtë.

Në vitin 1976 I. Kadare shkoi në Greqi me shkrimtarin Pano Çuka. Në kthim ai botoi reportazhin letrar “Vizitë tek fqinjët e vjetër”, me mbresa dhe mendime nga vizita në Greqi, me aftësinë e veçantë të tij për të gjetur pikat e përbashkëta dhe hollësi mbresëlënëse.

Përmes eseve, sidomos studimit “Eskili, ky humbës i madh”, autori ka hetuar e zbërthyer kumtet filozofike që arritën nga letërsia dhe filozofia botërore greke. Po ashtu, në trajtesat e ndryshme të tij ndriçohen pika takimi në kuadrin e kodit moral e zakonor, tipare të përafërta (mikpritja, koncepti i së drejtës, dëshira për bëma heroike, aspirata e dritës dhe e lavdisë, nderimi për të vdekurin etj.) të dy popujve fqinj, parakë në Ballkan.

Thuhet se Gjirokastrën me emrin e stërlashtë e paska përmendur edhe Homeri. Në prozën e hershme të tij I. Kadareja jep një fëmijë, djalë të parritur, që fut kokën në dritarezën e sternës (depozitës shtëpiake të ujit të shiut) dhe shqipton fjalën “Homer!”.

E nga errësira, jehona ia ktheu pas, rrëqethëse, atë fjalë mitike. Një përpjekje ende e pavetëdijshme kjo për të rezonuar, për të lidhur fijet e një pëlhure të lashtë, pellasgjike. Këtë fill autori e mbajti fort në dorë, gjithnjë e më i vetëdijshëm për rëndësinë e tij. Te ky evokim ishte synimi për t’i kthyer një ditë kulturës së popullit të vet aftësinë e dialogimit me fqinjët e lashtë, me qytetërimin e madh klasik, themel i qytetërimit evropian.

I.Kadareja u dallua herët si poet, u shqua mandej si prozator i kompletuar, duke u shkëputur dukshëm nga bashkëqytetarët e vet – njerëz të letrave, kalibra mesatarë e nën mesataren. Me këtë nuk nënvlerësojmë arritjet e penave lokale që iu kushtuan letërsisë dhe as talentet e reja shpresëdhënëse që janë shtuar mjaft. Por mendësia dhe praktika provinciale e ka zakon të shënojë në çetelen e saj jo pak autorët minorë, për të treguar se ka vlera kulturore. Gjithsesi, jo aq për kundërshtim, po sjell këtu dy vlerësime të Faik Konicës për dy autorë gjirokastritë:

“Mua vjershat shqip që më duken më të mbaruara, flas për të rinjtë, janë vjershat satirike si ato të Ramiz Harxhit që u kthye në Shqipëri, të Merko Koronit, që rron n’ Amerikë, e të disa të tjerëve. Ato vjersha kanë një kripë, kanë një shije të veçantë, se janë thjesht kombëtare, duke patur rrënjë të vjetra në Shqipëri”, (“Tomorri”, 31 Kallnor 1943, f. 3).

Në romanin “Qyteti pa reklama” (1959) qyteti provincial është peng i mediokritetit ose u paguan haraç antivlerave: “Ramiz Bilbili kishte shkruar një poemë të re kundër djemve që, për hir të nuseve, mohonin nënën…Jorgo Senica me Këthë Spirin qenë rrahur paq dhe kishin përfunduar në polici nja dy net. Thuhej se shkak për rrahje ishjte bërë një grindje estetike për vargjet pa rimë”, (f. 40 e botimit të vitit 2001, Tiranë). Konica, në shkrimin e cituar, vlerësoi vjershën “Melankolia” te studentit të Universitetit të Grazit – Austri, Eqerem Çabej:

“Kur unj kryet mi tryezë,

Del ngadal nga det’ i zëmrës;

Madhështore

Mbretëreshë, në të zezë,

Sy prej sfinksi, shpirt – lëngore,

O Μelankoli!”

Vargjet e Ramiz Harxhit nuk lanë gjurmë, kurse Eqerem Çabej (Prof. Aleks Buda e quan Çabeu), poet në potencë, e braktisi vjershërinë për t’u marrë me shkencë, duke lënë emër të madh në këtë fushë. E si një shprehje ndijshmërie dhe nostalgjie, ai veçoi e vlerësoi që në hapat e veta bashkëqytetarin e vet, djaloshin e talentuar I. Kadare.

Niveli arsimor dhe kulturor i mjedisit ku lindi e u rrit shkrimtari i shquar, theksohet edhe nga fakti se në atë pellg lindën e u rritën edhe një varg letrarë, piktorë, aktorë (Xhaxhiu, Kokalari, Dhrami, Fico, Paskali, Zhusti) me një dendësi që rrallëkund haset.

Νjohjen dhe vlerësimin ndërkombëtar të Ismail Kadaresë e tregojnë botimet e shumta, çmimet letrare, studimet dhe veprimtaritë përnderuese kushtuar shkrimtarit nga Gjirokastra. Kështu, më 28, 29 dhe 30 maj   të vitit 2008 në Universitetin Paris X (Nanterre La Défence) u mbajt Kolokiumi Ndërkombëtar “Lecture d’Ismail Kadaré”. Sipas organizatorëve të kësaj veprimtarie “ishte hera e parë që mblidheshin në një universitet francez në të njëjtën kohë ata që e kanë njohur, kanë jetuar me të në Shqipëri dhe kanë lexuar veprat e tij atje, si dhe sociologë, etnologë, specialistë të letërsisë, të ardhur nga Shqipëria, SHBA-ja, Australia dhe nga universitete të ndryshme franceze, për të ballafaquar aty shijen e përftuar pas leximit të veprës së Kadaresë dhe përvojat e tyre”.

***

Në programet shkollore të gjimnazit në vitet ’50 ishte edhe lënda e astronomisë. Ndonjëherë nxënësit kalonin nga teksti, në terren, për të vëzhguar në muzg hartën qiellore me ndonjë tejqyrë që kishte nisur të ndryshkej. Gjimnazi kishte pozicion të mirë për këtë dhe qielli mbi luginë ishte i mjaftueshëm. Ky takim me qielloren ishte si një thirrje që këndellte dëshirën e të rinjve për të dalë në botën e madhe. Ndoshta edhe djaloshi poet vëzhgoi me atë tejqyrë dhe kërkoi e gjeti   në qiell yllin e vet.

***

Në një vjershë të hershme poeti tregonte mërzitjen e babait të vet, nëpunës i thjeshtë, pse djalin e tij poet “në gazetë dikush kritikuar kish”…Në vazhdim autorit iu bënë shumë kritika, jo pak syresh të ashpra e dashakeqe, nga njerëzit me pushtet apo ordinerë, por ai nuk u tërhoq e nuk u thye. Ε shkurajoi, e dëshpëroi, por në rrugën e tij nuk e ndaloi as trysnia pushtetomadhe, as ligësia provinciale. Madje, qëndroi më i vendosur në pozicionimet e tij antikonformiste dhe devijatore. Në qëndresën e tij kishte diçka nga kokëfortësia shkëmbore e vendlindjes.

Ishte dhe mbeti një gur themeli edhe kur e pushtoi   “vetmia e madhe e gurit…”.

Eci në rrugën e vet “Edhe i vetëm trim në luftë” (titull romani i përkthyer ato vite) shpesh me zikzake, por gjithësesi në vijë ngjitëse. Vrulli i tij krijues i ngjan vrullit të përrenjve të vendlindjes, që vërshojnë drejt lumit duke shtyrë e rrokullisur gurë e kërcunj që u dalin përpara. Dhe biri i çuesit të gjykatës së qytetit mori shumë letra përshëndetje përlavdëruese, por edhe disa anonime me kërcënime, por rendi të shpërndajë nëpër botë Lajmin e Mirë, se Shqipëria shpëtoi nga izolimi komunist dhe iu rikthye Europës. Titulli “Shekulli im” i vëllimit poetik (1961) ishte ambicioz, mëtues dhe…profetik. Nga botimi i tij kaloi gjysëm shekulli krijimtarie, e cila   është e pandërprerë, intensive, dhe   jetëgjatë.

Në romanin “Kronikë në gur” midis dy personazheve fëmijë zhvillohet ky dialog (në çatinë e shtëpisë së vjetër):

– Flasim kundra?

– Si kundra?

– Ja, ashtu, xhundra – bullundra!…

Është kjo një hollësi pa rëndësi në dukje, por që ia vlen të ndalemi. Në këtë dialog është frika e njeriut të thjeshtë në mjedisin e mungesës së lirisë, të mbiqyrjes së çdo lëvizje (se ku më tepër se në atë qytet edhe muret kanë veshë?). Ky dialog naiv ishte edhe një spicë që i drejtohej lexuesit të një epoke të mëvonshme. E më gjerë, shkrimtari ishte nga ata që guxuan të flasin kundra (jo xhundra – bullundra) e të shkojë kundër rrymës. Kundër rrymës së provincializmit, konservatorizmit, kundër standardizimit dhe rrafshimit të personalitetit njerëzor, kundër rrymës së regjimit që kufizon lirinë e ndrydh njeriun. Dhe ja, qe ne prozen e tij të pare, ne fund te vitetev 1950, permes raporteve erotike të personazhit djalosh me dy motrat, shikojme se si ne strofken e konservatorizmit harbon liberalizmi.

Me mënyrën e vet në dukje objektiviste autori tregoi që herët   simptomat e para për krizën e regjimit komunist, lëshoi sfida e mund të themi se paratha rënien e atij sistemi, ndonëse, siç shprehet diku, nuk besonte se do të ndodhte në gjallje të tij… Rënia ndihet tek degradimi moral i pushtetarëve dhe “malli për zotërinjtë” në romanin “Dimri i madh”, vargjet për Majakovskin dhe “Fusha dimërore” (vëllimi “Koha”), dhe tek poema për “pashallarët e kuq”, nga e cila u trondit froni i kryepolitikanit dhe shtabi rrotull tij.

Herë – herë, me kursim por domethënie e larg-qitje, ai ka ndriçuar aspekte të luftës së klasave me zanafillë luftën për çlirim (kujtojmë “Kronikë në gur” dhe “Darka e gabuar”) por edhe për fushëveprimin e normave kanunore, të mekanizmave shtypëse në periudha të ndryshme, të vetëdijes kombëtare shqiptare me ngjyrat dhe trajtat përkatëse edhe të mjedisit gjirokastrit.

Në Gjirokastër, në kalanë e saj mesjetare, u ngrit përpara tri dekadash Muzeu Κombëtar i Αrmëve. Si shprehet Tefik Çaushi në librin “Shkrimtari përballë krimit” (Ombra, 2004, f. 191), I. Kadare ka ndërtuar një muze të armëve të krimit, që si ai nuk ka të dytë. Janë krimet e Mesjetës klasike dhe të Mesjetës së vonë shqiptare, ku gjithësesi vlerat, identiteti, aq sa mundën mbijetuan.

Mjeshtër i përshkrimit të dramave e gjëmave, autori nuk mundi të bëhej po aq pohuesi i ndërtimit të një Shqipërie me të vërtetë të re e plot dinjitet. Si për kompensim, jo rrallë vlerat morale dhe dinjitetin e shqiptarit ai e kërkonte dhe i projektonte në të kaluarën. Kjo ishte përpjekje për të plotësuar kuadratet e zbrazura, por edhe një kundërvënie ndaj tjetërsimit dhe antivlerave të imponuara nga sistemi monist.

Autori, nga Gjirokastra vrojtoi dhe projektoi Shqipërinë e vet. Andej nis përvijimi i shqetësimeve të përbashkëta, peripecive dhe psikozave ndërkrahinore (romani “Viti i mbrapshtë”). Autori fshikullon me mënyrën e vet dukurinë e dumbabizmit. Dhe realiteti jep fakte tronditëse si ai në Berat, prill 1915, i gjirokastritit Abdul Gjebrea -Bakiu – Gjirokastra, që ngriti po në Berat flamurin e Pavarësisë, dhe u dënua nga autoritetet pushtuese pse tradhtoi ushtrinë turke në Luftën e Parë Ballkanike dhe sepse ndihmoi me të gjitha fuqitë e tij Ismail Qemalin! (“Panorama”, 1 maj 2012, f. 20). Mësojmë se propozimin e bëri “i ndershmi komandant i operacionit, Myftiu i Tiranës, zoti Musa Qazimi”). I. Kadareja i është qasur vendlindjes shpesh me një predispozitë kritike, pa prirje sentimentale, as ekzotike e tradicionaliste. (Shikojmë tek tuk ndonjë lab me qylaf apo luftëtarët me këpucët me xhufka të kuqe). Pak u prir nga figurat konkrete historike të mjedisit gjirokastrit. Më tepër pasqyroi problematikën dhe karakteret e tyre. Disa herë këto figura ishin më tepër pikënisje dhe pika orinetimi për të dalë në teatrin e historisë kombëtare, i jepnin në dorë fije kolizionesh të mëdha. Dhe çdo subjekt lokal fitoi një përmasë të re përmes asaj që huhet përgjithësim artistik. Këtu qëndron edhe vlera njohëse dhe krijuese e pasqyrimit të Gjirokastrës në veprën e autorit. Përmes Gjirokastrës së tij bota hyri në atmosferën, realitetin dhe procesin historik të botës shqiptare brenda dhe jashtë kufijve.

Mund ta kishim shënuar që herët në “pajën” që i dha qyteti shkrimtarit, prirjen e gjirokastritit për të marrë sinjale dhe informacion nga bota. Sa e mbyllur dhe e shkëputur ngjante, aq e lidhur me botën ishte Gjirokastra. Në kuvëndimet e përditshme të banorëve të saj ishin Stambolli e Janina, Qabeja e Çanakalaja, Jerusalemi dhe Gjiriti, Moskovi dhe Sërbi, Italia dhe Ingliterra, Fuqitë e Mëdha, Αmerika, Çinmaçini e Filipistuni.

Në veprën e shkrimtarit do të gjejmë metropolet e mëdha: Moskën, Parisin, Nju Jorkun, Pekinin, të cilat pati fatin t’i njihte nga afër e nga brenda. Përveç prirjes së mësipërmne dhe etjes për të parë botë, këtu gjejmë synimin dhe prirjen elitariste të autorit për ta shtrirë vëmendjen në qendrat botërore të zhvillimit të ngjarjeve, edhe pse tek “Darka e Gabuar” ai qesëndis maninë e bashkëqytetarëve, që kujtojnë se qyteti i tyre është qendra e zhvillimeve botërore. Gjithsesi, një kundërpeshë ndaj minimizimit provincial, që, në rastin e shkrimtarit, dëshmon se edhe të vegjëlit kanë të drejtë të gjykojnë të mëdhenjtë e të mos mbeten një jetë po të vegjël.

***

E folura gjirokastrite është e pasur me karakterizime dhe ngjyrime. Për të qortuar a fshikulluar dikë, përdorej edhe fjala mërshuar (emër-shuar). Pra, njeriu duhet ta ruajë emrin e vet, të mos e humbasë, të mos harrohet, të mbahet mend për mirë, dhe, mundësisht, të bëhet i dëgjuar. Edhe këtë ambicje injektonte mjedisi gjirokastrit.

Gjuhëtari i shquar Eqerem Çabej, shkrimtarja disidente Musine Kokalari, shkrimtari me përmasa ndërkombëtare Ismail Kadare ishin të parët që morën vlerësimin e lartë “Nderi i Gjirokastrës”, shoqëruar me vendosjen e basoreljevit-medaljon në sheshin qendror të qytetit, përkrah Eqerem Çabejt, Musine Kokalarit dhe Dr. Vasil Labovitit, medaljoni i të cilit nuk është vendosur. Në të njëjtën ditë doli për të tre vendimi përnderues i Bashkisë, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në fushën e shkencës, letërsisë dhe lëvrues të mendimit shkencor”.

Në të njëjtën ditë u bë edhe përurimi i basorelievit në shesh, për të tre figurat.

Shkrimtari u ndie veçanërisht i vlerësuar dhe ishte befasues për të titulli “Nderi i Gjirokastrës”, gjë që duket në letrën e tij të mirënjohjes. Ky falënderim erdhi nga Parisi, nëpërmjet Radio Gjirokastrës, intervistës që i mori atij, shkrimtari dhe gazetari Odise Kote, atëherë drejtor i radios lokale dhe korrespondent i “Dojçe Vele”-s.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në katin e dytë të ndërtesës Këndella, ishte motra Kadrie kadare ajo që mori në duar vendimin përnderues, nga duart e kryetarit të atëhershëm të Bashkisë së qytetit, Υlli Asllani dhe ia dorëzoi zarfin Ismailit.

Në ceremoninë organizuar me këtë rast pasditen e asaj të hëne, kryetari i Bashkisë së Gjirokastres, z. Flamur Bime, lexoi para dhjetra të pranishmeve fjalën përshëndetëse që Ismail Kadare u dërgonte bashkëqytetarëve:

“Jam shumë i prekur dhe shumë i nderuar për titullin e lartë që më jep qyteti im i lindjes. Keto janë fjalë që zakonisht thuhen në raste të tilla, por duhet të më besoni, se në këtë rast unë kam ndjesinë dhe shijen se po i them për herë të parë. Kjo vjen sepse te gjitha nderimet qe mund te kete nje shkrimtar, nderimi në vendin e vet ose në vende të tjera kane diçka të mangët nëse mungon ai, nderimi fillestar, mungon vleresimi i qytetit, i vendit ku ai ka parë për herë të parë botën me sy. Qyteti i imi dhe i juaji njëkohësisht, më dha mua vizionin e parë te botës, më dha përfytyrimin artistik të saj, më mësoi ta shikoj, ta dëgjoj dhe ta shkruaj rrëmujen e kësaj bote, pamje të saj, dramën e saj.

Për Gjirokastrën, qytetin tonë janë thënë shumë vlerësime, janë thënë shumë fjalë, janë bërë shumë metafora dhe figura; unë do të shtoja dhe një gjë që më duket se, ose e kam përshtypjen, nuk është vënë në dukje: Gjirokastra, si rrallëkush qytet në Ballkan, jo vetëm në Shqipëri por në tërë gadishullin e Ballkanit, ka nxjerrë, ka lindur, ka prodhuar qytetarë, sepse qytetarët janë për fat të keq shumë të rrallë. Kanë qenë dhe mbeten ende sot. Historia e Ballkanit, historia që vazhdon ende sot, po e tregon këtë gjë. Pra, ky qytet i vogël me këto shtëpi të mëdha e të ftohta, vërtet i ka dhënë botës shqiptare dhe të gjithë botës ballkanase një sasi të madhe qytetarësh, që rrallë qytet në botë mund ta ketë prodhuar, për ato përmasa që ka ai dhe kjo është një gjë e mrekullueshme për një qytet të prodhojë atë që e dikton dhe emri i vet, pra, të prodhojë qytetarë.

Dy nga qytetarët që marrin bashkë me mua sot vlerësimin tuaj të lartë, gjuhëtari i madh Eqrem Çabej dhe shkrimtarja e shquar dhe e persekutuar mizorisht gjatë këtij gjysmë shekulli, Musine Kokalari, dy bashkëqytetarët e mi që unë i njoh dhe i çmoj shumë, dua t’ u falënderoj edhe një herë të gjithë ata që morën këtë nismë, Bashkinë e qytetit, dashamirësit e artit e të kulturës, të gjithë qytetarët e Gjirokastrës, që e mbajnë gjallë qytetarinë e saj’’.

Ky është ndoshta fjalimi i parë që shkrimtari mbajti, në mungesë, përpara popullit të Gjirokastrës.

Mësojmë se në ceremoninë e organizuar në formë spektakli u recituan poezi të I. Kadarese, u përshëndet nga intelektuale të njohur te qytetit, që kishin mbërritur enkas nga kryeqyteti i vendit.

Në tetorin e vitit 2004 në Bashkinë e Gjirokastrës u debatua rreth pagëzimit të një rruge të qytetit: të quhet Enver Hoxha, apo Ismail Kadare. Shumica në atë mbledhje u shprehën për të Dytin, por mbledhja përfundoi pa ndonjë vendim. Në një mbledhje tjetër, pasuese, u arrit në përfundimin që rruga nga “Qafa e Pazarit” deri tek shkallët e Gjimnazit të qytetit të mbajë emrin Ismail Kadare, kurse rruga nga shtëpia e E. Hoxhës deri në brendësi të lagjes “Palorto”, të mbajë emrin Hysen Hoxha. Hisenj Hoxha ishte i pari kryetar Bashkie pas shpalljes së Pavarësisë dhe kryetar Bashkie i Gjirokastrës në muajt e pushtimit të qytetit nga ushtria greke, në vitin 1914. Në përgjigjen e vet autori, me etikën e intelektualit të emancipuar, e kundërshtoi vendimin përnderues të Bashkisë, duke u shprehur se vetëm në diktaturë u jepen rrugëve e shesheve emrat e të gjallëve. (Megjithatë, Bashkia bëri të vetën, duke i dhënë emrin e tij rrugës kryesore që nis nga Qafa e Pazarit dhe përfundon në Gjimnazin e qytetit. Ngjan se njeriu që përjetësoi artistikisht vendlindjen ka fare pak dëshirë të përjetësohet prej saj).

Shkrimtarin, me siguri, e ka lënduar, në përvjetorin e 106 të lindjes së E. Hoxhës, që afronte edhe me përvjetorin e Çlirimit të Gjirokastrës, (shtator 2014), përvjetorin e çlirimit të Tiranës dhe të gjithë vendit, dalja në sheshe e rrugë e grupeve të manifestuesve me portretin e E. Hoxhës.

Në tetor 2014 komunistët dhe pasuesit e diktatorit të kuq kërkuan që rruga kryesore e qytetit, nga Qafa e Pazarit deri tek shtëpia e E. Hoxhës të mbajë emrin Enver Hoxha dhe të ngrihet një përmendore për të përpara asaj shtëpie, që është ende Muze Etnografik i Rrethit. Banorë të moshuar të qytetit, por edhe jashtë e larg tij, grupe qytetarësh kërkuan rivlerësimin nga shteti të figurës dhe veprës së E. Hoxhës.

Por shkrimtari e cilësoi krim çdo lloj nderimi që mund të manifestohet ndaj diktatorit gjirokastrit Enver Hoxha. Marrëdhëniet e tij dhe anasjelltas të diktatorit me shkrimtarin janë një kapitull më vete, që meriton të analizohet veçan, por themi shkurt se këto marrëdhënie tregojnë vendosmërinë e shkrimtarit për të çarë udhën me zotësinë e vet, për të mbijetuar e madje triumfuar. Jashtë shtetit, i pyetur nëse ka lidhje farefisnie me familjen e E. Hoxhës politikan, shkrimtari ka sqaruar se e vetmja gjë që e bashkon është se kishte lindur në të njëjtin qytet me të. Μë vonë ai ka sjellë pohimin e babait të vet, se kishin lidhje farefisnie, por ai nuk e shikonte me vend ta përmendte, si duket, për antipatinë që ushqente.

Kadare, pas vdekjes së diktatorit, e stigmatizoi me një patos të veçantë. Dhe i kërkoi llogari për shpërdorimet e përvetësimet e paligjshme klanit komunist që uzurpoi pushtetin dhe e mbajti peng të mendësive e praktikave anadollake. I. Kadare kërkoi të bëhen hetime për këtë dhe tërhoqi mbi vete sulmet e ish kuadrove të vjetra dhe të atyreve që nuk u leverdis ky hetim e kërkim llogarie. Por nuk munguan edhe palikarë të viteve të mëpasme, që përvetësuan të holla e vlera dhe ia mbathën larg Gjirokastrës, për të humbur gjurmët e për t’i shpëtuar llogaridhënies.

Lexuesi ka në dorë një material të gjerë analitik mbi veprën dhe jetën e I. Kadaresë, por edhe dëshmi e rrëfime të tij mbi rrugën dhe qëndrimet në rrethana të caktuara. Ai shpegon përse nuk e flaku ose theu penën, përse nuk iu dorëzua vullnetarisht e marrëzisht kafshimit të bishës, përse zgjodhi këtë apo atë mënyrë veprimi deri edhe mosveprimi. Në të gjitha këto rrethana e ndihmoi përvoja e jetës, vetëpërmbajtja e gjirokastritit, njohja e karakterit dhe taktikave të gjirokastritit të plotfuqishëm… Natyrisht, pati edhe dashamirë që e ndihmuan, i dhanë kurajë, e informuan, e paralajmëruan, madje, sakrifikuan për të. I tillë ishte edhe redaktori Sami Çabej, por edhe disa djem të rinj me kurajë, që mbajnë mbiemrat e vendlindjes së tij, në Tiranë (Çoçoli, Βabaramo, Çani, Loloçi, Kotro,). Nja-dy nga këta të rinj e burra me banim në kryeqytet u interesuan për gjetjen në arkivin e shtetit dhe publikimin e poemthit të “humbur” e në përgjithësi për vlerësimin e veprës së tij.

Në vitin 1972 studenti e më pas kritik letrar, Çapajev Gjokutaj, mbrojti temën e diplomës universitare në letërsi me   veprën e I. Kadaresë (“Koha në romanet e I. Kadaresë”, botuar një pjesë në gaz.etën “Drita”, 13 gusht 1972). E gjejmë përsëri firmën e studjuesit me përvojë në shtypin e ditëve tona, duke përsiatur për romanin “Kukulla”.

Bie në sy dëshira dhe aktivizimi i disa studjuesve të letërsisë e dashamirëve që kanë lindur ose kanë jetuar në Gjirokastër si, akademiku Prof. Jorgo Bulo, Prof. Ali Xhiku, Prof. Ymer Çiraku, Republika Çulli,   Mimoza Karagjozi, Roland Zisi, Viron Graçi e ndonjë tjetër me titull a pa tituj,   për të folur për veprën letrare dhe personalitetin e I. Kadaresë, siç u pa në sesionin shkencor organizuar për nder të shkrimtarit, nga Universiteti “Eqerem Çabej” në maj 2006.

Për veprën e tij, në 65 vjetorin e lindjes së I. Kadaresë, në veprimtarinë e organizuar me këtë rast në Tiranë nga L.SH.A., foli shkrimtari Koço Th. Kosta, nga fshati Suhë i Lunxhërisë.

Të përkushtuar posaçërisht për të nxjerrë në dritë vlerat e veprës letrare të I.Kadaresë kanë qenë edhe studjuesi Bashkim Kuçuku nga Konispoli, e poeti Sadik Bejko, nga Tepelena.

Në disa raste studjuesit dhe dashamirët kanë privilegjin se e njohin mirë edhe vendlindjen e shkrimtarit, duke krijuar edhe një farë intimiteti.

Prof. Agron Fico, gjirokastrit, , duke marrë shkas nga romani “Hija”, nga SH.B.A, ku emigroi botoi një studim gati shterues për vlerat e veprës letrare dhe veçoritë e stilit të shkrimtarit I. Kadare, studim nga i cili shkëpusim një pjesë:

“Shkrimtari nuk përdor limën, por daltën për të gdhendur në shkëmbin-mermer, ashtu si dikur Mikelanxhelo shpirtin e pamposhtur shqiptar, fisnikërinë e brezave, qe ndjenjën e lirisë e kanë në genin e vet njerëzor. Kjo sfidë e jetës me vdekjen, e lirisë me robërinë, e endrrës së bukur me një realitet politik e shoqëror primitiv, në penën e autorit është zbërthyer përmes analizave, zhbirime magjepsëse psikologjike, ku duket diku realizmi magjik i Gabriel Garcia Marquez-it, diku forca e penës së veprave tragjike të Shekspirit, por gjithnjë e kudo është vetë stili, dora e ndritur e Kadaresë, kudo origjinaliteti i tij i papërsëritshëm dhe ylberi i talentit të tij”.

Fatmir Beja i dërgoi nga Bostoni i SHBA. revistës letrare shqipe “Pegasi” në Athinë, korrespondencën për marrjen e çmimit “Princi i Asturias”: “Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, ka fituar çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Princi i Asturias për Letërsinë” (Prince of Asturias Award for Letters).

Çmimet u ndanë në Spanjë, ku Kadare triumfoi mes shkrimtarëve të njohur botërorë si, shkrimtari japonez Haruki Murakami, shkrimtari çek Milan Kundera, italiani Antonio Cabuçhi, holandezi Cees Nooteboom, autorë të njohur këta të brezit të Kadaresë. Me disa prej tyre Kadare konkuron shpesh në Europë.

Mediat e huaja shkruajtën se ishin 31 kandidatë pretendentë për të fituar Çmimin “Princi i Asturias për Letërsinë”, nga 25 vende të botes. Çmimi ndahet nga fondacioni “Prince of Asturias”, që u akordohet atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale, në fushat e letërsisë apo të gjuhësisë.

Gazeta spanjolle “El Mundo” shkroi se “Kadare është një studjues i madh i traditës shqiptare dhe i këtij vendi ballkanik”, (revista “Pegasi”, nr. 7, 2009, f. 26-27). Një intelektual europian e cilësoi I. Kadarenë: këngëtar i Shqipërisë legjendare.

Ai u mësoi bashkatdhetarëve ta shikojnë Shqipërinë me të mirat dhe dobësitë e saj, dhe të huajve të mos i kenë për të huaja Shqipërinë dhe Gjirokastrën.

Edhe disidenti A. Pipa, me prejardhje gjirokastrite, që padashur i bëri dëm shkrimtarit, kur foli për homoseksualizmin e E. Hoxhës, më pas në një letër plot vërejtje për redaktimin e romanit “Kronikë në gur”, përkthimi anglisht, thekson që përtej oqeanit se: “Episodi i thertores është një alegori e parashikuar e masakrave njerëzore që ndodhën gjatë luftës civile (varja e studentit komunist dhe dy vajzave partizane, vrasja e tre Karllashëve, përfshirë një grua, etj.). Therja e deleve dhe therja e njerëzve janë episode korrelative, që unë i quaj rimë e largët”.

Shoku dhe miku besnik i fëmijërisë I. Kadaresë, Bardhyl B., erdhi në vjeshtën e vitit 2015 në Gjirokastër dhe e filmoi nga jashtë shtëpinë e rindërtuar.

Janë shumë gjirokastritët që e kanë vlerësuar veprën e tij letrare, kurse ata që flasin me keqdashje numërohen me gishta. Të gjithe, edhe disa kundër dëshirës, i pranojnë si realitet të pakundërshtueshëm talentin dhe historine që shkroi me penën e tij. Disa merren me gjëra jashteletrare ose me   politizime të skajshme. Shkrimtari vijon të krijojë, të japë mesazhe të reja aktuale dhe kjo është mbrojtja më e mirë që mund të bëjë.

Dikur në klubin e LSHA, shkrimtari i shquar turk Jashar Qemal i kërkoi Ismailit që ky t’ia merrte një kënge popullore, vënçe, por Ismaili nuk e bëri. Jo se nuk dëshironte, por sepse nuk ia thoshte në atë krah. (Kadareja nuk është i këtyre planeve, shënon po atje Thanas Dino). Por autori diti të këndojë me mënyrën e vet të spikatur dhe kënga e tij të shoqërohet nga një iso e thellë miratimi e përtej kufijve.

Nga faqet e internetit shqiptar citojmë:

“Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve ’60 […] Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, që bëri histori prej prehistorisë. Pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute. Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë.

Kadareja qysh në vitet ’60 shënoi një kthesë në letërsinë shqiptare me poezinë dhe prozën e tij. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t’i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh.

E gjithë vepra e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës, sepse ashtu e meriton, ndihet të pohojë autori”.

***

Në vigjilje të përmbysjes së regjimit diktatorial komunist, takimet e tij bëheshin në “bodrumin” e vilës së familjes Pashko (vilë që dikur ishte e familjes pasanike të Selfatëve, të dënuar prej pushtetit popullor). Κy fakt nuk është pa rëndësi, që të mos kalohet në njëanshmëri. Shkrimtari kishte miq besnikë dhe e meritonte këtë. Të mos kesh me kë të diskutosh lirisht, t’i besosh kredon tënde, është e tmerrshme për një intelektual. Besimi i ndërsjellë, që nga Dhori Qiriazi, për të cilin na sjell një fakt tronditës Helena Kadare në librin e saj voluminoz, deri te Bashkim Shehu e Gramoz Pashko, zgjati tridhjetë vite, tridhjetë vite i patradhtuar, që nuk janë pak. Pa harruar shokun besnik të fëmijërisë, Bardhyl B., me të cilin, siç mësojmë nga libri më i ri i autorit, mbetën tridhjetë vite pa u takuar!

Shkrimtari nuk u dha rëndësi e kënaqësi mediokërve, nuk u dha pas pijes a llomotitjes pa vetëkontroll. E ruajti veten në shërbim të misionit që ndërmori që kur i hyri kësaj rruge. Sepse, mbi të gjitha për të ishte letërsia, ky domen hyjnor, së cilës ai iu përkushtua me gjithsej, ishin majat e letërsisë botërore ku dëshironte të ngjitej edhe vetë.

Nuk munguan hipokritët e kameleonët. Kështu, fill pas arratisjes së shkrimtarit, një kuadër drejtues rinie në Gjirokastër në protestën e vet për arratisjen e shkrimtarit midis të tjerave shprehej: “Harram qumështi i nënës!”. Por po i njëjti person, përsëri kuadër drejtues në epokën që pasoi, në një ceremoni me praninë e shkrimtarit, në hotel “Çajupi”, për shkrimtarin e anatemuar përdori sloganin e njohur “Ambasador i Gjirokastrës dhe i Shqipërisë në botë!”. Kur erdhi me helikopter për herë të parë në Gjirokastër pas kthimit nga ‘Arratia’, dolën për ta pritur fare pak njerëz. Hija e namit të keq vepronte ende. Kurse në ardhjen më të fundit mjedisi i kafes në hotel “Çajupi” ishte plot, sa do të ishte dashur një sallë e madhe për të zhvilluar veprimtarinë.

I. Kadare dëgjoi së pari thirrjen e ndërgjegjes së vet krijuese, pa llogaritur koston dhe vazhdoi udhën e vet. “Populli mësohet ta shikojë shkrimtarin si njeri-fajtor potencial dhe ai, e do, edhe e lexon dhe e përgjon nga ana tjetër. Kjo ka ndodhur me të gjithë shkrimtarët e shquar në ato vende që janë vërtet totalitare, ku ata mund të kenë mungesa në lirinë e tyre”, shprehet autori në intervistën e nëntorit 2007.

Dhe ky fajësim me forma, ngjyresa e ngarkesa të ndryshme politiko-psikologjike vijon edhe sot. Shkrimtari është mësuar me to dhe shpesh, i detyruar të sqarojë pozitën e vet, duke harxhuar një pjesë të energjisë dhe kohës së çmuar të tij. Se “shpeshherë nga shkrimtarët kërkohen gjëra të pamundura, kërkohet që ata t’ i përshtaten atij mendimi që ka lexuesi apo populli për ta. Po të ndodhte kjo, mendoj se do të ishte e mirë për ata, por ndoshta katastrofë për shkrimtarët”.

Mendim të përafërt shfaqi shkrimtari në janar 2007 në Athinë për praktikën e ndërhyrjes së spektatorëve ndaj skenës, në Greqinë e lashtë, që orvateshin në mënyrë brutale të impononin tek autori mendimin e tyre. Shkrimtari shqiptar iu nënshtrua pushtetit tiranik të letërsisë, u pajtua me ligjin e pamëshirshëm të mbijetesës në bazë vetëm të cilësisë së lartë të krijimeve, dhe u përpoq të mos i ngjajë kryepolitikanit hakmarrës, që lëshoi rrufe mbi dhjetra koka e jetë bashkatdhetarësh e bashkëqytetarësh. Madje, shkrimtari arriti të falë ata që i bënë keq. (Kujtojmë intervistën ku flet për dy sulmimet e D. Agollit, i cili nga ana tjetër mëton se e shpëtoi romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, që iu dha për recensionim nga shtëpia botuese).

Autori thotë se vjen nga qyteti i mërive të gjata dhe falja nuk është e lehtë. Megjithatë, lëshoi pe dhe “harroi” sa mundi. Shumë energji i hëngrën ligësia, meskiniteti dhe zilia e të tjerëve, por shumicën e energjisë e ruajti për punë të frutshme. Vështroi punën e vet, por edhe ndihmoi ndonjë koleg e talente të reja, për disa duke iu drejtuar me letra e mënyra të tjera njerëzve me pushtet, që të mos u bënin keq. Dhe. kërkoi falje publikisht në ndonjë rast. Kjo është dëshmi e distancimit nga meskiniteti dhe ngurtësia që injekton mjedisi i gurtë, i ngushtë provincial dhe psikoza e mendësia patriarkale.

Në librin e Maks Velos për zhdukjen e materialit të poemës “Pashallarët e kuq”, mësojmë se në ato vite shkrimtarit Kadare i pëlqente boksi. Pa e ditur kishte vepruar me dëshirën migjeniane: “O, si nuk kam një grusht të fuqishëm”!

Jam ndodhur dikur në shtëpinë e shkrimtarit në Tiranë rreth vitit 1967, tok me Petro Çerkezin, që më çoi atje. Atje pamë një ndeshje boksi, tok me Kadarenë. Ishte një televizor i vogël bardh e zi, që e kishte sjellë vëllai, doktor Shahini, nga Rumania. Në një çast të ndeshjes komentatori tha fjalën acannisimo, d.m.th, i qenësuar, i tërbuar. Ismailit i bëri përshtypje kur ia shpegova dhe më pyeti a di italisht. Dija fare pak. Vite më pas, në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” (1972) gjeta një skenë boksi dhe përdorimin e fjalës nokdaun.

Në librin e Maks Velos, botim i vitit 2002, f. 134, autori pohon: “Ishte e qartë se në ndeshjen e parë me shtetin shqiptar unë kisha rënë nock – dawn. Ti e di se nga gjithë sportet, i vetmi që më tërhiqte atë kohë ishte boksi. Dhe në ndeshjen e boksit, ajo që më intrigonte mbi të gjitha ishte pikërisht çasti i nock – dawn – it, atëhere kur boksieri, me shikim të zbardhur nga goditjet, përpiqej të ngrihej. Për herë të parë në jetë po ndieja kënaqësinë e sëmurë të rrëzimit…”.

Kadareja dha grushta të fuqishëm por edhe mori. Shpresoi shumë dhe u zhgënjye mjaft. Por cili mund të verë në dyshim atdhedashurinë e shkrimtarit, motiv dhe frymë që përshkon e kurorëzon gjithë veprën e tij? Mund të pohojmë pa u gabuar se, megjithë pozicionimet e ashpra ndaj disa mendësive lokaliste, për qëndrimin ndaj vendlindjes vlen konstatimi dhe deklarimi i tij për atdheun dhe kombin në tërësi:

“Eshtë dukuri universale, nuk është vetëm e jona, ne kujtojmë se ne shqiptarët jemi të prapambetur pse duam vendin tonë. Natyrisht disa e duan, disa e duan më pak, disa nuk e duan fare, është kudo në botë e njëjta gjë. Por ne na është fiksuar tani që të krijojmë simpati, të dukemi më modernë, të bëjmë përshtypje të mirë, sikur ne jemi ata që nuk çajmë kokën, nuk e duam. Çdo njeri, çdo popull e do veten e vet. Pjesa e dashurisë është më e madhe se pjesa e mohimit, ndryshe do zhdukej, prandaj pyetja në këtë rast është ndjenjë natyrale. Ti mund të bëhesh nervoz me një pjesë të popullit tënd, ti mund të bëhesh nervoz me një pjesë tjetër, mund të bëhesh nervoz edhe me kosovarët, me shqiptarët e Maqedonisë, në radhë të parë me shqiptarët e Shqipërisë, por prapë është një ndjenjë natyrale që nuk është turp ta duash atë që është familja jote, ajo që është geni yt, lidhja jote”.

Në studimin – ese “Poshtërimi në Ballkan” I. Kadareja flet për sëmundjet e vjetra që kanë cënuar popujt e rajonit, dhe për një lloj vetëposhtërimi që shqiptarët, nën trysninë e propagandës denigruese e keqdashëse, shfaqin ndaj vendit të tyre. “Shqipëria paraqitet sot si një vend që nuk e duan. Këtë pohim e ndan vetëm një hap nga formulimi: Shqipëria është një vend që s’ ka pse të duhet. E, nga kjo e fundit deri tek hedhja e idesë për thurjen e mëtejshme të saj, nuk ka veçse një hap.”. (f. 11).

Shkrimtari pret e beson që populli i tij të përmirësohet dhe që të huajt ta vlerësojnë më shumë e më drejt.

Pas kthesës përmbysëse të vitit 1990 ai, në mënyrë gati instiktive, vendosi një lidhje midis thasëve prej najloni në të cilat u futën kockat e ushtarëve dhe ushtarakëve italianë tek romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me thasët prej najloni që iu dhuruan refugjatëve tragjikë shqiptarë që zbarkuan në Itali:

“Ju e keni parë sesi janë pritur me qese plastike, të cilat përdoren për kufomat e të vdekurve. Këtë gjë ma ka thënë im vëlla, mjek, që i ka parë vetë. Dhe Levi e quan normale që unë të përshëndes këtë arratisje drejt aventurës dhe mjerimit. Populli duhet ndihmuar të qëndrojë në shtëpinë e vet dhe që aty të ndërtojë gjithçka i duhet për të jetuar”. Pra: guri i rëndë në vend të vet. (Me kusht që të mos i japin rrokullimën qeveritarët e tij…).

Ndërsa vizitorët e huaj mahniten me arkitekturën e Gjirokastrës, shkrimtari ndihet i plagosur përjetësisht dhe gati si refuzues i saj. Ashtu ngjan, por ai ka shpjeguar qartë se në veprën e tij nuk ka asgjë armiqësore ndaj qytetit. Kështu, në një intervistë dhënë gazetës “Metropol”, I Kadare thotë:

“Në studimin e tij A. Pipa i mëshon shumë një kinse armiqësie time ndaj qytetit të lindjes. Madje lidhur me raportet e mia me Gjirokastrën, ai bën analogji me raportet e Dantes me Firencen e tij. S’dua të zgjatem me këtë, por dua të them thjesht dhe sinqerisht se kjo nuk ekziston. Qyteti im i lindjes mua s’ më ka bërë ndonjë të keqe, e aq më pak të më ketë dëbuar siç ka bërë Firencia me Danten. Ndërkaq, po aq sinqerisht dua të pohoj se kur e kam lexuar këtë, jo vetëm s’ kam ndier ndonjë bezdi, por, ndonëse realisht nuk është e vërtetë, si gjetje, nga ana profesionale, më është dukur interesante. Ashtu siç është gjetje e bukur e A. Pipës, teza e transferimit të urrejtjes ndaj një njeriu kundër një qytetit të tërë”.

Shkrimtari I. Kadare, megjithë ndjenjat e qarta të protestës dhe mosdashjes, nuk ka kaluar në denigrim e mohim ndaj qytetit e bashkësisë përkatëse njerëzore. Papajtueshmëria me disa dukuri negative është nxitur pikërisht nga dashuria për njerëzit, që jo gjithmonë janë fajtorë për drejtimin që marrin ngjarjet, qoftë edhe në kuadrin e ngushtë të marrëdhënieve të ndërsjellta.

Shkrimtari nga qyteti i gurtë ndikoi për shembjen e murit shqiptar të Berlinit. U tregoi edhe një herë udhën bashkëqytetarëve të vet të cilësuar konservatorë. Këtë e gjejmë edhe në fjalët e Artur Paskalit, i cili, në korrik 1990 hyri në ambasadën gjermane dhe shkoi në Gjermani. Tani shkrimtari, në mërgim, nuk është vetëm, por ka në çdo hap bashkatdhetarë e bashkëqytetarë “perëndimorë”, me të cilët ruan lidhjet, çmallet dhe merr informacion.

Kadareja e quajti Francën atdhe të tij të dytë. E midis dy atdheve vendlindja ka vend të veçantë, si atdhe i vogël i papërsëritshëm. Shtëpia e tij në lagjen “Sent Mishel” të Parisit thonë se ka diçka nga ashpërsia malore e vendlindjes. (Kështu dhe arbëreshët disa shekuj më parë: i ndërtuan fshatrat e veta në brigje dhe relieve që u kujtonin ato të mëmëdheut dhe vështronin nga deti Adriatik).

Gjirokastra që prej një shekulli e më shumë ka patur djem studjuar në Francë, intelektualë me diplomë, lidhje me literaturën franceze, përtej programeve shkollore. Në periudhën që shkrimtari i ri ishte nxënës i Gjimnazit kishte pushuar së zhvilluari lënda e gjuhës franceze, ndoshta për mungesë kuadri. Disa vite pas largimit të tij për në universitet gjuha frënge hyri përsëri dhe sot ajo është lëndë në atë shkollë dhe në shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja në qytet. Pra, ekziston ura me kulturën frankofone dhe qytetërimin francez. Dhe I. Kadareja është një ndërlidhës veprues i dy mjediseve.

Përkthyesi i shquar Jusuf Vrioni, që dha në frëngjishte romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe me të i hapi udhën shkrimtarit drejt Francës dher Europës, u bë edhe mësues i frëngjishtes për të. Kështu, pas vajtjes dhe të jetuarit në Paris, nuk habitemi që I. Kadare jep intervista në kanalet televizive franceze, diskuton në mjediset akademike e intelektuale, duke forcuar edhe me këtë një traditë të vendlindjes.

Një urë e re, e padukshme, shpirtërore e kulturore, ngrihet për të midis Shqipërisë dhe Francës, Gjirokastrës, Tiranës dhe Parisit. Shkrimtari është tronditur thellë nga dy aktet terroriste në zemër të Francës, duke u distancuar prej tyre e ripërcaktuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën dhe me Lindjen. Është një rast më tepër për të theksuar se Shqipëria i takon botës së qytetëruar dhe se shqiptarët nuk janë e nuk mund të jenë pjesë e problemit të imponuar nga ekstremistët islamikë.

***

Gjirokastra, kjo minierë në qiell të hapur, është përherë atje ku e caktuan shekujt, në një ballafaqim të paprerë me malin e Lunxhërisë dhe Nemërçkën nga ku lind dielli, në ballafaqim të përhershëm me historinë, e patundur si të ishte vetë pavdekësia (figurë letrare e shkrimtarit I. Kadare për një urë të hekurt, në një shkrim të hershëm për Vietnamin).

U zhdukën qytete dhe qytetërime, u ndërruan regjime dhe qeveri, por ajo mbijetoi. Për statusin, mbijetesën dhe të ardhmen e saj dha ndihmesë të veçantë I. Kadareja, që është propaganduesi më i shquar i Gjirokastrës përtej kufijve dhe një arsye më tepër që nesër dikush, vendas apo i huaj, të shkojë e ta vizitojë Gjirokastrën, vendlindjen e tij.

Rindërtimi i shtëpisë, me mure dhe çati, është kryer përfundimisht. Tani pritet kthimi së brendshmi në identitet dhe bërja funksionale për vizitorët, si shtëpi-muze. Ecuria e saj drejt statusit të ri ishte e vështirë, me disa ngërçe të zgjatura. Në Gjirokastër në fëmijërinë e autorit (dhe timen) ishte e njohur loja “ngriva-shkriva”. Kështu ndodhi edhe me fazat e punimeve dhe përfundimin e restaurimit të kësaj shtëpie historike.

Shkrimtari kishte të drejtë të kërkonte mbajtjen e premtimit, zbatimin e projektit sipas radhës. Mund të kishte zbrazur me sarkazëm mllefin e tij: “Këta pushtetarët e rinj dinë vetëm korrupsionin”, por u përmbajt dhe priti me durim. “Unë ia kam falur qytetit, bashkisë, prej kohësh” mund të përsërisë edhe tani që shtëpia e rindërtuar po kthehet në muze.

Shkrimtari thotë se për shtëpinë ka patur fotografi me të cilat u këshilluan specialistët. Specialisti që iu qep shtëpisë qysh kur ajo ishte e pashkatërruar, është arkitekti Agron. Qysh student në vitin e fundit të Inxhinierisë, ai bëri skicën e ndërtesës. Dy vite më pas, në vitin 1970 ai paraqiti një projekt për rimëkëmbjen e saj, projekt që u miratua nga instanca e lartë partiake e Rrethit, por pastaj hasi pengesa.

Dhe u desh vitit 1996, kur Ministri Ylli Pango i hapi dritën jeshile projektit. Agroni kujton ata që u kujdesën për përshpejtimin e punëve, midis të cilëve edhe ministren Mirela Kumbaro. Dita e përurimit të shtëpisë së shkrimtarit i ngjan një dite dasme gjirokastrtite e më gjerë. Erdhi dita që edhe ai të gëzojë midis banorëve, dashamirëve dhe miqve të ardhur nga brenga e jashtë vendit. Përurimin e shtëpisë e mendoj si një ditë festive, si natën e dasmës, kur dhëndri shkon e fle me nusen. Natën e parë në këtë shtëpi të flejë shkrimtari (nëse do ta shikojë me vend e do të mund ta zerë gjumi…), mbi mindertet me velenxa e qëndisma, sepse krevat nuk do të ketë.

Shkrimtari e cilësoi Gjirokastrën si qytet me dy kështjella. Shtojmë edhe një të tretë: shtëpinë e tij të re, një minikështjellë e kulturës, e qytetërimit, që mban emrin e tij. Një shtëpi përmendore, që, më tepër për të huajt, ka hijen e një faltoreje.

***

I. Kadare nuk ka botuar veçmas e posaçërisht një libër me kujtime për vendlindjen. Mund të themi se thesari i kujtimeve është investuar së pari në veprën e tij letrare ose shkrime me karakter letrar e kronikal njëherësh. Kujtimet dhe mbresat e fëmijërisë dhe të rinisë janë bërthama dhe majaja e tyre. E, ndonëse shpesh ngushtësisht vetiake dhe me subjektivitetin e natyrshëm, ato janë mbresëlënëse dhe imponuese deri në shkallën e një dëshmie të mirëfilltë kronikale, dokumentare.

Dëshiroj të përcjell tek lexuesi ndonjë hollësi e mbresë timen modeste lidhur me shkrimtarin dhe Gjirokastrën: Një herë, të parën, e pashë të qëndronte mendueshëm te Qafa e Pazarit. Aty nga viti 1964-1965, teksa vijonte të mbante lidhjet me qytetin, I. Kadare lozte shah mbasditeve në mjedis të ngushtë afër derës, në katin përdhes të shtëpisë së kulturës, tek Bregu i Ciut, (ndërtesë dykatshe me gur të gdhendur, e cila u shemb për t’i hapur vend përmendores gjigande të E. Hoxhës në vitin 1988, ndërtesë që më pas, më 1991, gjithashtu u shemb nga të rrebeluarit). Më kujtohen prej atje dy prej shahistëve me të cilët luante shkrimtari: gjeologu gjirokastrit Dhori Kote dhe poeti mirditor Gjokë Beci. Pastaj mësuesi i letërsisë në gjimnazin tonë, Agim Shehu, na e solli shkrimtarin në një takim me anëtarët e rrethit letrar. Në mos gaboj, ai erdhi një herë me Dhimitër Xhuvanin. Me pjesë nga krijimet e tij (poezia   “Atdheu” dhe poema “Ëndërr industriale”, fragmente) nxënës, mora pjesë në një konkurs lokal recituesish, ku vendin i parë iu dha mësuesit nga fshati “Asim Ζeneli”, Delo Serjanit, i cili recitoi disa pjesë nga poema “Përse mendohen këto male” e I. Kadaresë, e freskët, botuar në gazetën “Zëri i popullit”.

Në një tetor festivali, ndoshta më 1973, në sheshin përpara hotel Turizmit (“Çajupi”) të Gjirokastrës, piktori Foto Stamo, ardhur nga Tirana, po punonte një peisazh me kalanë në qendër. I. Kadareja, përpara përmendores së Çerçizit, i sugjeroi që mbi kala qielli të bëhej i kaltër dhe jo pa ngjyrë e i zymtë. Mesazhi antiklishe i I. Kadaresë sugjeronte që t’i largohemi Bastijës dhe të çelim një dritësore, të vëmë në dyshim jetëgjatësinë e çdo lloj bastije. (Ngjan se Bastija franceze ka pjellë në shqipe fjalën bastisje…). Sugjerimi i shkrimratarit nuk u muar parasysh, ndoshta u quajt si shkelje e kanunit artistik, të cenimit të integritetit konceptuar klasik të objektit.

Dikur, kur u shpreh shqetësimi se pallati i madh i banimit në zemër të lagjes Palorto në Gjirokastër cënonte fizionominë e qytetit dhe traditën ndërtimore, I. Kadareja tha se kjo nuk është ndonjë gabim i madh dhe shtoi se thyerje të tilla në Stokholm apo Kopenhagen bëhen enkas: ruhet qendra e vjetër tradicionale, por bëhen edhe operime modernizuese në pjesë të ndryshme të qytetit kryeqytet. Këtu a në një rast tjetër, shkrimtari përmendi arkitektin me famë botërore Korbyze.

Piktori veteran Stavri Çati kujton se si dyzet vite më parë I. Kadareja i bëri vërejtje dashamire për punimin e diplomës, Punimi kishte në qendër figurën e Argjirosë. Ai i sugjeroi autorit që të studjonte rreth saj, në mënyrë që figura të dilte më e pranueshme nga ana e paraqitjes.

Të tilla sugjerime ose vërejtje aspak qejfbërëse shkrimtari u ka shprehur jo pak talenteve që i janë afruar me synim njohje dhe përkrahje. Nuk del kund se ai ka refuzuar të ndihmojë, aq më pak të pengojë ndonjë talent të ri. Thanas Dino, në librin “Prej kohe”, bot. 2015, shprehet me mirënjohje se fjalën e fundit për emërimin e tij në gazetën qendrore e dha I. Kadareja. Mund të ketë edhe ndonjë rast kur shkrimtari nuk e ka harxhuar fjalën e tij me peshë. Dhe nuk mund të quhet pengim qëndrimi kritik nga krijimeve konkrete dhe mosinkurajimi i të patalentuarve.

Me korrektësinë që e karakterizon, pasi lexoi librin e një autori gjirokastrit, shkrimtari iu drejtua me një letër, ku i kërkonte ta lejonte të përdorte në një libër të vetin një episod që kishte lexuar prej tij. Dhe autori pa mëtime të posaçme letrare e miratoi me kënaqësi kërkesën e shkrimtarit të shquar, bashkëqytetar e, sipas gjasash, edhe me afëri farefisnie.

Për vlerat e veçanta krijuese, por edhe për këto qëndrime I. Kadareja ka patur edhe dashamirë e adhurues. “Adhurimi për Ismail Kadarenë ishte një pjesë e natyrshme për gjithë rininë krijuese të asaj kohe, por edhe me komentet e tij (të mësuesit të lëndës, F.M.).na ndihmoi të gjenim dhe më lehtë farin në detin e errët e të mjegullt”. (Th. Dino, libri i cituar, f. 69).

Dhe dalim tek pyetja e shumëkujt: A është megaloman Ismail Kadareja? A ka tek ai shenja fodullëku si ato që qorton e fshikullon vetë më se një herë? Për mendjemadhësinë e supozuar shkrimtari flet vetë në romanin “Kukulla”, 2015, dhe për “mikrobin” e sëmundjen e mendjemadhësisë, për të cilën e qortonin në mjedis dhe e paragjykonte edhe nëna, sipas së cilës “fama dhe mendjemadhësia ishin e njëjta gjë”.

Por po sjell karakterizimin e përkthyesit rumun të I. Kadaresë, Marius Dobresku botuar në “Koha javore”, shtator 2002: “Kadareja është një njeri i thjeshtë dhe shumë i dashur, por nga ana tjetër, një nga mendimtarët më të thellë dhe më modernë që ka Europa”.

Disa herë shkrimtari besdiset nga prania e njerëzve të rastit, nuk dëshiron të përzihet me këdo, por nuk humbet rastin të mësojë sa më tepër, duke marrë shkas edhe nga hollësi në dukje pa rëndësi. Natyrisht, lexuesit dhe njerëzit në përgjithësi do të dëshironin një Ismail më të përzemërt në komunikim, por i tillë është ai:   flegmatik, me një frtohtësi të jashtme, që përplotësohet nga zjarrmia e brendshme e krijimit. Është e lehtë të qëmtosh nëpër librat apo intervistat e I. Kadaresë, për të përvijuar portretin e tij si shkrimtar dhe si qytetar, por nuk është aq e lehtë të gjesh në mjedisin gjirokastrit dhe gjetkë hollësi të mjaftueshme për   ta karakterizuar më gjerë e plotë në rrafshin njerëzor.

Shkrimtari ka vizatuar mjaft personazhje reale që njohu e me të cilët e lidhin mjaft ngjarje e kujtime. Po ata ç’thonë dhe si e vlerësojnë? Një pjesë prej tyre e përmendëm gjatë këtij vështrimi. Por ndihet mungesa e një përmbledhje me intervista bërë enkas për ta njohur lexuesit me hollësi me interes për njeriun Kadare.

Do të mund të bëhej një përmbledhje e gjerë me gjirokastritë që e kanë njohur në fëmijëri e më pas, që janë gjallë ose kanë lënë kujtime e shënime të ndryshme. Rrojnë moshatarë, bashkënxënës ose të moshuar që e kanë njohur nga afër autorin. Pak janë intervistuar mësuesit e tij, ose kanë dalë në dritë kujtime e shënime të tyre për të, natyrisht, nëse ekzistojnë, sepse sot nuk jeton asnjë prej tyre.

Në përgjithësi Ismaili nxënës ishte një tip i vetmuar. Gjatë pushimit midis mësimeve ai mënjanohej e gjente një cep për të qëndruar vetëm. Por mendja e tij punonte.

Në pranverën e një viti 2014 në Gjirokastër u ndodh studjuesi Myslym Islami, i cili, në një bisedë, (mësuar nga Thanas Dino, që ishte atje), tregoi për një episod që na jep më kuptojmë më mirë prirjen e talentit të ri, një prirje që e zhvilloi dhe u bë zotëruese në manierën e tij krijuese. Djaloshi vuri re një zhapik në faqen e murit të palestrës dhe u tha të tjerëve: “Një gjarpër! – Ku?!” dhe ata u turrën ta shikojnë e ndoshta ta vrasin, por nuk gjetën gjë, se zhapiku ishte larguar apo strukur diku. Efekti i shakasë nuk ishte i pakët, ndoshta edhe kënaqësia e atij që e shpiku fantazmën e frikshme. Prirja për zmadhim dhe psikoza rrëqethëse u bënë zotëruese në krijimet e mëpasme të djaloshit, që ndoqën njeri – tjetrin.

Nga të fundit që erdhën në Gjirokastër dhe folën për shkrimtarin përpara kameras ishin mjeku Adem Harxhi dhe Krenar Hashorva, të dy bashkënxënës me të. Për inxhinier Krenarin që punonte e drejtonte në Kombinatin e Tekstileve në Berat, në kujtimet e Helenës për periudhën që Ismaili ishte atje, shprehet se “Is thoshte se ishte sekretari i partisë më origjinal që mund të bëhej në gjithë Lindjen. Besnik në shoqëri, liberal në gjithçka. Ai ishte tip shumë i gëzueshëm, që entuziazmohej shpejt për çdo gjë”, (Helena Kadare, Kohë e pamajaftueshme, f. 161). Megjithatë, inxhinieri ndihej më tepër krenar për shokun se sa për veten dhe emrin që mban.

Dikush kujton se si në një veprimtari kulturore mbasdite në palestrën e shkollës nxënësit, i punuan një reng mësuesit Fotaq Kekezi, kur ky dërgoi një nxënës t’i blente dy pasta. Pastat ia blenë me krem. Mësuesi i hëngri me nxitim, por nxënësit i hapën dritat më shpejt nga ç’e pandehte mësuesi, që të dukej i latyrosur me krem. Në këtë reng kishte pjesën e vet edhe Malua i vogël, që o orvat ta “ëmbëlsojë” mësuesin simpatik. Një bashkënxënës i shkrimtarit, mësuesi Thanas Hoda, që ndodhet në SHBA, kujton se si bashkënxënësit shkrimtarin e ardhshëm e thërrisnin miqësish Zaçe. (Thanas Hoda ka shkruar librin “Rrugët e jetës më shpien në Labovë”).

Shkrimtari Sulejman Mato kujton se si shumë vite më vonë u njoh nga afër me Ismail Kadarenë, kur Ismaili dhe Dritëroi vinin shpesh në mbrëmjet e vallzimit, të studentëve, pasi në kursin e Sulës kishin të dashurat e tyre, Helenën, Ismaili dhe Sadijen, Driteroi. “Gratë e dy poetëve të cilët do të bëheshin dy shkrimtarët më të shquar të vendit dhe më popullorë”, përfundon ai. Mësuesja Donika Beqiri më tha se ato vite I. Kadare ka drejtuar edhe rrethin letrar të Institutit, rreth ku bënte pjesë edhe Helena, dhe më përmendi tregimin e parë të botuar të saj, me një titull që lidhej me tavanin, me rozetat ku kishte ngulur vështrimin personazhi, një studente e dashuruar.

Në mënyrë të çuditshme, disi të tërthortë, Gjirokastra ndikoi në jetën intime dhe familjare të autorit. Në vëllimin “Shekulli im” poeti i ri i drejtohej vajzës ruse me vargjet: “Se ti s’ ma dhe mua të huajit plotësisht dashurinë,/ ashtu si retë dëborën e virgjër/ nuk e hedhin mbi tropik,/ po e ruajnë për verinë”. Në atdhe e priste dashuria që i vulosi jetën intime dhe familjare, pa provuar dramën e mosbashkimit ose ndarjes së detyruar për shkak të tiranisë politike, që pasoi. Ajo, nxënëse gjimnazi në Elbasan, vajzë e emancipuar, nisi letërkëmbimin me autorin student në Moskë dhe kjo ishte pikëlidhja për të lidhur përfundimisht fatet e tyre një jetë të tërë. Intervista e mëposhtme, marrë në panairin e parë të librit shqiptar në Gjirokastër, e jep pikërisht nga ky kënd lidhjen e shkrimtarit me vendlindjen.

Intervistë me Helena Kadarenë:

“-Origjina ime është Gjirokastra. Këtë me sa vura re, pak njerëz e dinin në Gjirokastër, të cilët më treguan shtëpinë e njerëzve të babait në lagjen “Varosh”. Mandej u takova edhe me disa kushërinj me mbiemrin e vajzërisë, Gushi. Kur pashë shtëpinë, ndjeva një emocion të madh. Vitet e rinisë dhe fëmijërisë së hershme i kam kaluar në Elbasan, ku im atë punonte si farmacist.

– Ktheheni në Gjirokastër pas një mungese të gjatë. Sipas jush, çfarë ndryshimesh ka pësuar qyteti i origjinës së bashkëshortëve Kadare?

– Ajo që më ka befasuar gjatë gjithë kësaj kohe që Ismaili nuk ka qenë prezent, është dashuria dhe kultura e këtij qyteti. Dashuria njerëzore në radhë të parë. E shikoja në sytë e njerëzve në takimet e shumta që kemi patur. Gjirokastritët rrezatojnë një lloj fisnikërie.

 – A mendoni se ky qytet në pamjen e jashtme i ka ruajtur vlerat muzeale?

– Para së gjithash do të doja t’ju sillja një kujtim për rrugët, i cili më lindi duke shëtitur sot në këtë qytet. Kur Ismaili erdhi për herë të parë në Elbasan, gjatë gjithë mbrëmjes ai hapi disa fletë dhe filloi të më shpjegonte se si ishte qyteti dhe kryesisht shtëpia e tij. Ne jetonim në një nga lagjet e vjetra të Elbasanit, që ishte kështu me gurë dhe kalldrëm, si Gjirokastra. Ismailit, duke shëtitur në ato kalldrëme gjatë ditës, iu kujtua qyteti i tij. Unë akoma nuk e kisha parë Gjirokastrën dhe gjatë mbrëmjes më tregonte: “…ja si është shtëpia, ja si është stera”. Vite më vonë ato do t’i përshkruante tek libri “Kronikë në gur”. Unë isha me përshtypjet që ai më kishte treguar dhe në imagjinatën time ky qytet ishte shumë më fantastik.

Para disa vitesh, kur u zhvillua Festivali Folklorik, patëm mundësinë të bënim një shëtitje të shkurtër. Nuk arritëm të futeshim në shtëpi, por duke e parë nga jashtë, nuk m’u duk aq e çuditshme dhe e mrekullueshme, sa e kisha unë në imagjinatë, Ismaili më tha: “O po kështu duket nga rruga, duhet të futesh brenda, që ta kuptosh gjithë çudinë e kësaj shtëpie”. Në vizitën e fundit, kaluam në rrugën para gjimnazit dhe tek “Sokaku i të Marrëve”.

Ishte një mrekulli. U futëm brenda, megjithëse shtëpia ishte e shkatërruar e në ndërtim e sipër. Arkitekti po i tregonte Ismailit maketën dhe projektin e rindërtimit. Ismaili i sugjeronte disa elementë të origjinalitetit, nisur nga kujtimet që ai i ruante nga fëmijëria. Atë ditë maji kur bëmë një shëtitje tek “Sokaku i të Marrëve”, unë prisja çfarë çudirash do të kishte. “Do të ishte më interesante kjo shëtitje në qoftë se dita do të ishte e vrenjtur”, tha Ismaili. Por mua edhe kështu më ngjan e madhërishme e mjaft e bukur.

Hymë në shtëpitë gjirokastrite, që nga jashtë dukeshin të zakonshme. Më mahniti çasti kur hapeshin dyert, dukeshin sikur prisnin mysafirë. Njerëzit e prisnin Ismailin me shumë dashuri. Plakat, komshijet e dikurshme, i flisnin për prindërit e tij. Kemi shkuar edhe në shtëpinë e Kako Pinos, një nga personazhet e tij të dashura. Arrita të shikoj nga dera e hapur atë mrekulli pastërtie, që është aq e njohur për gjirokastritët.

Këtë e kam parë tek gjyshja, tek hallat e mia gjirokastrite. Jo vetëm nga familja e babait, por edhe në shtëpinë e Ismailit kur hyra si nuse, flitej me të njëjtin kolorit. E njoh dhe më jep emocion kjo lloj gjuhe. Çdo gjë ishte kaq e rregullt, e sistemuar bukur, deri edhe lulet mbjellë midis gurëve. Kjo më ka prekur jashtëzakonisht. Më mahniti arkitektura, pastërtia, thjeshtësia e njerëzve. Boll të hidhje sytë nga një portë dhe të ndjeje ngrohtësinë e tyre”.

Intervista e mëposhtme marrë në panairin e parë të librit shqiptar në Gjirokastër, intervistoi Agron Alibali

“Në takimin dhe bisedën në Athinë, në janar 2007, Helena Kadare më tha se edhe origjina e saj është nga Gjirokastra, nga Gushot e “Varoshit”. Helena ka lindur në Fier në vitin 1943. Pra, fati e solli që gjirokastriti Ismail të martohej e lidhte jetën me larg – gjirokastriten Elena. U bashkua ashpërsia e gurit të Gjirokastrës me butësinë e dheut së Myzeqesë. Midis surprizave për Helenën si nuse në Gjirokastër është edhe hollësia që përmend I. Kadareja në librin “Mëngjeset në kafe Ronstand”, nëntor 2014: “Një këngë e vjetër dasme gjirokastrite, që ia mori për ta mirëseardhur Helenën grupi karakteristik polifonik i qytetit. Ishte kënga që i mungoi kur u martua, ditën që hyri nuse në shtëpinë e Kadarenjve në Tiranë. “Njerëzit shpejtuan nëpër shkallë për të parë ç’ndodhte. Pamja ishte më shumë se tronditëse. Në mesoren e madhe të katit të dytë një radhë burrash me fustanella rreshtuar në një gjysmë rrethi solemn, këndonin gjëmueshëm një këngë të vjetër dasme.

Helena kishte ngrirë përpara tyre, si e zënë robinë.

Kënga këndohej për të. Ishte një këngë e famshme gjirokastrite, më e vjetra ndoshta e gjithë këngëve të dasmës dhe nusja ishte ajo. Nuse, ku kalle këmbët,.të rënçin dhëmbët. Me fjalë të tjera, këtu ku hyre do të rrish deri në fund të jetës.

Sytë e kënduesve, të errët, nuk i ndaheshin.

Kishte vonuar kaq vite, por më në fund kishte mbërritur. (Gazeta “Shqiptarja. com”, 16 nëntor 2014).

Vura re se Helena e do Gjirokastrën, e përjeton si diçka intime, pavarësisht se nuk jetoi e ndoshta nuk do të mund të jetojë në të. Ndoshta u përpoq që nga nëna apo motra e Ismailit, Kadria, të mësojë kuzhinën gjirokastrite, të gatuajë gjellë me të cilat bashkëshorti i saj u mësua që në fëmijëri. E krahas kësaj të kuptojë e bindet se gjirokastritët janë ca të sertë: kënaqen edhe me pak, veç të ajo të jetë e gatuar me shije dhe dashuri. Gjithsesi, një dëshirë e pashprehur e saj është që në shtëpinë e rindërtuar të bashkëshortit, një ditë ajo të gatuajë një tavë Elbasani”

***

I. Kadare vinte nga një qytet me pamje impozante dhe monumentale, një monumentalitet më tepër i jashtëm, i cili, po të ishte e mundur, të mënjanohej a të flijohej në emër të një jete më të mirë, më komode, më fushore…, më bashkëkohore për banuesit e saj…Që muzeale të mbetet vetëm pjesa e vjetër e qytetit dhe aspak njerëzit e rinj të tij.

 

Please follow and like us: