Ilir Levonja: Koha e legenëve, koha e xhuxhëve
Kjo dorëheqja e papritur e Ministrit të Brendshëm F. Xhafa, vërteton publikisht luftën e ashpër brenda mazhorancës. Verteton katërcipërisht luftën e egër të klaneve, oligarkëve përballë denoncimeve opozitare dhe presionit nga partnerët ndërkombëtarë. Se nuk ka si shpjegohet ndryshe kur në mbrëmje ministri i gëzohet arrestimeve, shpall publikisht një plan po arrestimesh të pritshme etj., dhe në mëngjes largohet me një buzëqeshje të sforcuar dhe një dorëheqje me vrarje shpirti. Eshtë nga ato luftra që edhe pse zjen me afshin e ziftit, prapë djeg, vret e pret në heshtje. Eshtë nga ato luftra ku ka marrë formë kolapsi social politik, është ulur këmbëkryq. Kjo për faktin se idetë a platformat elektorale në vendin tonë mbesin gjithmonë në minorancë karshi grupeve të interesit nga platformat e errëta të krimit, por edhe manjatëve që sponsorizojnë ardhjen në pushtet të një force politike. Në rastin konkret të të ashtuquajturës rilindja e Edi Ramës dhe e mjaftistit Erion Velia. E thënë shkoqur, është një dorëheqje haraç nga ato të dhunshmet, me dhunë kamorre. Si me thënë, fitoi grupi i xhuxhëve, i xhuxhit, i atij që pritej të arrestohej. Atij që e deklaroi me mburrje vet kryeministri me atë frazën tashmë legjendë bajate e tij, prisni se nuk keni parë asgjë akoma. Nëse do ishte ndryshe ministri në fjalë duhej të kishte dhënë dorëheqjen muaj më parë, duhej të promovonte standartin e atij drejtorit, Isarajt i cili demonstroi menjëherë mënjanimin sapo iu përmend emri i vëllai në ca afera droge e korrupsioni. Por ky është një. Ndaj standarti i dorëheqjes është vite drite larg në aktualitetin social politik të Shqipërisë. Aq më tepër që tani për tani në vendin tonë dominon një përzierje shkollash – ajo e ish sekretarëve të partisë së punës, sigurimit të fshehtë, ushtarakëve të liruar, dhe oligarkëve me biznese informale, sponsorët nga bota e drogës, krimit dhe prostitucionit por edhe e patriotëve të sëmurë. Shkurt në këtë luftën që djeg përbrenda, luftën e përbindëshave, luftën e grupeve të interesit, me këtë dorëheqje fitoi xhuxhi, jo Xhafa. Shkurt fitoi krimi. Dhe Rama le të ngërdheshet e qeshet sa të dojë.
Mirëpo kur i kthehesh krahut tjetër dhe shikon çunin e Fahrisë, situata social politike bëhet më tragjike. Një version lakonik që agravohet me ca studio gumëzhitje ku nuk merret vesh i pari me të dytin. Kjo ka domethënien e një pashpresmërie për faktin se më shumë se aplikimin e standarteve të demokracisë, forcën e ligjit, fuqizimin e ekonomisë etj., shqiptarët duan argalisjen mes batutave të çunave me faqe të parruara, modë e aktorëve turq, në studiot televizive, se sa standartet perëndimore të një demokracie normale. Sado të kënaqet njëra palë, sado t’i dalin fjalët opozitës, sado të dëshpërohet dikush tjetër, Shqipëria po përjeton edhe djegjen e një kohe për një pakt të madh social. Që domethënë shpërbërjen e kësaj qeverie dhe ardhjen e një të tillë, teknike a quajeni si të doni, pa elementët faktorëve kryesore të forcave aktuale. Qofshin këta socialistë, rilindas, lsista a pëdëistë të tipit të Fahrisë. Duhet një pakt i madh për arsye se aktualisht buxheti financiar që qarkullon krimi në Shqipëri, është më i madh se vet buxheti i bankës së shtetit. Kjo fal luftës së ashpër politike dhe pa kompromis, fal asaj lufte që për të larguar njërin apo tjetrin, zyrat a shtabet elektorale të të gjitha palëve ka pranuar me kënaqësi plikot me para, si sponorizim nga grupet e drogës dhe prostitucionit. Rilindja aktuale është shembulli më i përkryer dhe materiali më i bollshëm për studiuesit e etapave politike në vend. Dhe ajo që është më e çuditshmja, mirë këta të ashtuquajtur liderë, nuk duan ta pranojnë, por nuk po e pranojnë as ata intelektualë që fatmirësisht nuk i mungojnë atij vendi. Janë me shumicë, por një Zot e di pse lënë mënjanë kualifikimet e tyre, meritat, mendjet, zemrat dhe ia lënë fatin e vendit ca legenëve me tesera partie. Eshtë koha e legenëve, koha e xhuxhëve.