Lidhjet e pashkëputura letrare shqiptaro-rumune
Në 20 vjetorin e themelimit të revistës evropiane “Haemus”, bisedë me bashkëthemeluesin dhe bashkëdrejtuesin e saj, Ardian Kyçyku.
Në rast se hulumtojmë zhvillimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në dekadën (dhjetëvjetëshin) e fundit të shekullit XX, në qendrën e njohur kulturore evropiane në Bukuresht, përveç zhvillimeve të tjera të dekadës së sapopërmendur, filloi edhe botimi i revistës evropiane “Haemus”, e cila u themelua në vitin 1998 nga Kopi dhe Ardian Kyçyku, babë e bir, veprimtarë të çmuar të çështjes kombëtare shqiptare. Revista “Haemus”, qyshse u ngjiz dhe deri më sot pa shkëputje kontribuoi në njohjen e letërsisë shqipe përtej kufijve administrativë të të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës dhe qendrave të tjera ku zhvillohet kultura dhe letërsia shqipe, siç janë Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare. Kontributi thelbësor i revistës lidhet me publikimin e veprave letrare dhe me përkthimet e shkrimtarëve të njohur shqiptarë në gjuhën rumune dhe me përkthimet e shkrimtarëve rumunë në gjuhën shqipe. Ngjarje tjera të vlerësuara janë edhe konferencat dhe organizimet tjera të përqendruara në promovimin dhe avancimin e vlerave kulturore, artistike e letrare kombëtare shqiptare, si dhe veprimtaritë me synim thellimin e lidhjeve shqiptaro-rumune, të konfirmuara qysh nga koha e krijimit të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit. Mendohet se ekzistojnë sfida për letërsitë e vendeve të vogla, siç është Kosova, që të njihen nga lexuesi i huaj. Por, kur shohim kontributin e jashtëzakonshëm të Kopi dhe Ardian Kyçykut në zhvillimin dhe promovimin e vlerave tona letrare para lexuesit dhe kritikës rumune, me të drejtë edhe mund të shqetësohemi shumë për mosnjohjen e letërsisë sonë nga ky vend ballkanik dhe më tej. Përveç fushës së letërsisë, revista „Haemus”, ka dhënë ndihmesë të çmuar edhe në njohjen e historisë së re të Kosovës brenda hapësirës gjeografike të Rumanisë. Prandaj, për të njohur më thellë punën njëzetëvjeçare të revistës dhe lidhjen me trashëgiminë kulturore, letërsinë dhe historinë kombëtare shqiptare, do të bisedojmë me bashkëthemeluesin dhe bashkëdrejtuesin e saj, z. Ardian Kyçyku.
Ardian KYÇYKU (pseudonimi letrar: Ardian-Christian Kyçyku/Kuciuk), lindi në Pogradec, më 23 gusht 1969, autor i mbi 50 librave origjinalë në gjuhët shqipe e rumune. Kreu studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega: Gjuhë-Letërsi. Mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” në Universitetin e Bukureshtit, është doktorant në teologji në Universitetin e qytetit të Bukureshtit, profesor universiteti dhe rektor, bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i revistës evropiane “Haemus”; mori çmimin kombëtar të letërsisë “Penda e Argjendtë” për tregim (2012); u shpallë “Qytetar Nderi i Pogradecit” (2014); Akademia Kult ia ndau çmimin “Libri artistik i vitit/Shkrimtari i vitit” (2015); mori çmimin II “Katarina Josip” për Dramë Origjinale Shqipe (2016), çmimin e madh – Festivali Ndërkombëtar i Filmit Très court (2017). Krijimet e tija janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Një fragment shkëputur nga eseja “10 nga vitet e Ballkanit”
“… kur ishim në vdekje, revista Haemus u bë për ne jetë fjalë e fjalë jete; kur ishte jetë, Haemus-i mbeti mbi-jetë, ose folé mbijetese; kur u dynd kaosi, mbeti më e dukshmja pasuri e patundshme. Në njëfarë mënyre, historia e shkurtër e revistës sonë mund të këqyret edhe si një dramë e disave që nuk qëndruan dot në atdhe dhe e atyre që nuk ikën dot nga atdheu. U shtjellua si një dramë që prekte heraherës edhe trojet e tragjedisë së heshtur, edhe të komedisë së pavetëdijshme të të paftuarve dhe të cilën hapësira e mërgatës e përktheu dalëngadalë në një përmasë të re vështrimi. Jo pak vetë e shihnin ndërkaq kulturën si kopje të skllavëruar të gjeografisë, madje si një ngrehinë me kufij, zyra, roje, shefa, zëdhënësa, ministri, diplomatë, qenër kufiri etj”. (A.-Ch. Kyçyku, “10 nga vitet e Ballkanit”, Revista Haemus, 2009)
Z. Kyçyku, sivjet revista “Haemus” shënon njëzetëvjetorin e themelimit të saj. Për ju viti 1998 është shenjë që ju kujton këtë ngjarje të rëndësishme, ndërkaq për lexuesit kosovarë ky vit kujton pjesë të një periudhe të dhimbshme kur shqiptarët e Kosovës përballeshin me emigrim masiv dhe dëbim sistematik e të dhunshëm nga atdheu i vet. Në këtë pikë, lexuesit ndajnë një të përbashkët me ju, largimin nga atdheu. Ju jeni i lindur në Pogradec, në Universitetin Shtetëror të Tiranës keni mbaruar studimet e larta, në Bukuresht keni fituar titullin “Doktor i shkencave filologjike” dhe tani jeni doktorant në teologji në Universitetin e qytetit të Bukureshtit, ku edhe jetoni. Si ndodhi kjo shkëputje fizike nga Shqipëria, nga atdheu juaj?
Ardian-Christian Kyçyku: Ndodh shpesh që, për arsye nga më të ndryshmet, një komb të mos dojë t’ia dijë për dhimbjet e një shkrimtari, por s’ka shkrimtar të vërtetë që të mund të shkëputet nga trandjet e kombit të vet, madje as kur kjo i sjell qetësi, ose frymëzim. Sa më përket mua, kur nuk i bëj dot dhimbjet libra, nuk flas për to as me miqtë apo të njohurit. Për më tepër që, gjatë këtyre njëzet e ca vjetëve, shumë vetë kanë folur në emër e në vend të të tjerëve. Ndonjëherë një dhimbje e madhe është vetë zgjidhja e një drame dhe madje edhe shpërblimi për durimin e saj. U zhvendosa në Bukuresht në fund të vitit 1991 dhe e përjetova mërgimin radhazi: si mallkim, si bekim, si gjendje e përzier, por sidomos si “mposhtje” e shkallëzuar e realitetit përmes shqipes. Duke qenë mes dy mërgimesh njëherësh, më vonë m’u dha edhe rumanishtja. Jo pak nga librat e mi e përshkruajnë me hollësi këtë vdekje-ngjallje të shumëfishtë dhe që ka vlerë të pazëvendësueshme për letërsinë. Edhe drama “Si”, që sapo është botuar në Prishtinë nga Sh. B. Armagedoni, apo edhe romani “Home”, i botuar po në Prishtinë nga Sh. B. PA, trajtojnë disa nga përmasat e mërgimit, qoftë ai jashtë a brenda kufijve, qoftë jashtë a brenda vetes, përmes vuajtjeve dhe vegimeve që sjell ai.
Po shtoj se revista “Haemus” ia ka kushtuar dy numra të veçantë kulturës dhe historisë së Kosovës, qysh para shpalljes së Pavarësisë së saj. Numrat 3-4 (28-29) të vitit 2006, 400 faqe, hapen me shënimin: “Në materialet që po botojmë i është dhënë përparësi botës së pasur shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës, e cila përshfaqet në të gjitha aspektet e jetës së tyre plot përpjekje dhe arritje frymëzuese”.
Në rastin tim të “shkëputjes”, po i përdor thonjëzat, sepse jetoj në shqiptarinë kulturore, mund të them se atë që u sul ta shkatërronte historia, e shpëtoi letërsia.
Sot, kur shohim rezultatet e punës, kuptojmë se lëvizja juaj drejt Bukureshit është një fat për letërsinë shqiptare, të njohur pak në nivel ballkanik dhe global. Themi është fat, për faktin se ju bashkë me babain tuaj dhe me miqtë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, para njëzetë vjetësh filluat një veprimtari që sot shënon arritje të jashtëzakonshme në procesin e njohjes së letërsisë shqipe në nivel ballkanik. Si i kujtoni vitet e para të punës, ç`ju motivoi të themeloni këtë veprimtari?
Fat a fatkeqësi – shpërngulja ndodhi. Por qe e dyfishtë dhe, shumë më tepër se çrrënjosje, ishte ri-rrënjosje në Kujtesën e Përhershme të botës shqiptare dhe të asaj rumune. Ndaj edhe jam shprehur diku se „ika, që të mos mbetesha gjysmak”. „Ne na nxorën nga Shqipëria me pinca (forceps)”, u shpreh dikur im atë. Dhe vendosëm t’i mblidhnim e t’i përqëndronim thelbet e kulturave shqiptare e rumune jo vetëm në librat tanë (unë në letërsi e ai kryesisht në histori), por edhe në një revistë. Asokohe kultura jonë njihej pak dhe e cunguar. Tani vetëm arkivi i botuar i revistës „Haemus” i kalon shtatëmijë faqet, në shqip, në rumanisht e në gjuhë të tjera.
Aktualisht, keni përkthyer krijimtarinë e rreth dyqind autorëve shqiptarë, të periudhave të ndryshme letrare shqipe duke filluar nga periudha e romantizmit, ajo moderne, e deri deri te krijimtaria e ditëve të sotme, që do të thotë është një përzgjedhje me shtrirje të gjerë, mbi njëshekullore. Cili ka qenë motivi juaj që keni përfshirë të gjitha periudhat letrare shqipe në përmbledhjen e përkthimeve tuaja?
Ishte e domosdoshme të pranohej se letërsia shqipe nuk ka dalë nga hiçi, nuk përfaqësohet nga tubime, çmime e vetëm nga dy-tre emra, dhe ka ende të përkushtuarit, të ndaluarit dhe vlerat e veta të padiskutueshme, shumica ende të panjohura. Më ndihmoi mjaft edhe hulumtimi për doktoratën e parë (“Drejtime të modernizmit evropian dhe jehona e tyre në letërsinë shqipe të mes dy luftrave botërore”, ku përqasa veprat e Konicës, Poradecit, Kutelit, Nolit, Migjenit, Koliqit e Fishtës me përfaqësues të shquar të letrave evropiane). Tani gjithandej vazhdojnë të përkthehen pak emra, sipas kriteresh gjithnjë e më jashtëletrarë, edhe ngaqë lexuesit e zgjedhur janë pakësuar shumë, edhe ngaqë përkthyesit janë mësuar me dy-tre autorë, edhe ngaqë s’para i dinë të gjitha shqipet e Shqipes. Shtypi sundohet nga autorët zyrtarë, që vetëm krijojnë përshtypjen se trajtojnë tema të përmasave botërore dhe jo politically correct. Janë literally correct. E mira e kësaj gjendjeje që duket e dëshpëruar është se të ndalon të ndalesh. Bota shqiptare ende bën letërsi nga historia, por sidomos bën histori nga letërsia. E para është mëse e natyrshme, – po të ruhet baraspesha, – sepse mbron kujtesën dhe emrin. Ndërsa e dyta, sidomos kur bëhet nga të paftuarit, mund të shfarosë Kujtesën dhe Emrin, duke dëmtuar rëndë letërsinë. Këtu, në fakt, përqëndrohet thelbi i globalizimit: detyrimi për të gjetur, gjer edhe duke kafshuar gjuhën, aq ngjashmëri mes teje dhe çdo të huaji, saqë dikur të pushosh së gjalluari si emër. Falë hershmërisë së shqipes, autorët shqiptarë janë më të mbrojtur se të tjerët nga tretja në anonimat, por nuk janë jashtë rrezikut.
Përveç përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën rumune, kontributi juaj vlerësohet edhe për përkthimin e letërsisë rumune në gjuhën shqipe, duke filluar nga shkrimtari i njohur si zëri më i rëndësishëm poetik në letërsinë rumune, Mihai Eminescu. Si e vlerësoni, cili është relacioni i lexuesit shqiptar me veprën rumune që keni ofruar ju?
Nga rumanishtja shumë më tepër ka shqipëruar im atë. Kjo punë titanike nis qysh në vitin 1960, kur ai erdhi për studimet e larta në Bukuresht. Një pjesë e shqipërimeve janë përmbledhur në “Antologji e poezisë rumune moderne”, me pjesë nga krijimtaria e mbi 185 autorëve të rumanishtes. Di se kjo është antologjia më e pasur e poezisë rumune e përkthyer në një gjuhë të huaj. Pasoi në rumanisht “Bukuria që vret” – prozë shqipe, vëllimi I (2006) me pjesë nga veprat e Konicës, Kutelit, Poradecit, Migjenit, Camajt, Koliqit, Pashkut dhe Hiqmet Meçajt. Do të veçoja sonetet e Viktor Eftimiut, botuar në vitin 1999 nga “Dukagjini”. Ndërkaq im atë përktheu në e nga të dyja gjuhët, por edhe në italisht etj., vëllime poezish të zgjedhura, drama apo romane nga autorë të të gjitha trevave shqipfolëse, përfshirë Mërgatën, si dhe nga autorë të huaj në shqip. Shumë tituj të tjerë janë botuar në revistën “Haemus”, ose në revista kulturore të gjuhës rumune. Sa i përket Eminescu-t, poezia e tij është përcjellë në shqip nga Lasgushi, Mitrushi e të tjerë. Duke shqipëruar disa nga kryeveprat e Eminescu-t, me besnikëri të panjollë e shqipe të kulluar, im atë e “çliroi” poezinë e poetit kombëtar rumun nga çdo theks vetjak përkthyesi-shkrimtar, ia ridhuroi frymës së autorit, aq sa jo rrallë duken sikur Eminesc-u t’i ketë shkruar shqip. Veç vëllimit “Një alfabet i poezisë shqipe” (101 poetë shqiptarë në rumanisht, 2003), kam shqipëruar pak, më fort duke ndjekur shprehjen njëfarësoj hokatare të Lasgushit: “As unë s’e shkruaja dot më mirë”. Ndërsa, autorët e shqipes i përkthej për revistën „Haemus” dhe për revista të ndryshme letrare, gjithnjë falas, duke ia ruajtur secilit të drejtat e plota. Së fundi, në shtëpinë e njohur botuese rumune “Charmides”, doli vëllimi me poezi të zgjedhura i Arian Lekës “Biblioteka lundruese”, që befasoi jo pak lexues.
Tani të bisedojmë për krijimtarinë tuaj letrare si romancier dhe dramaturg. Libri juaj i parë në gjuhën shqipe është romani „Në perandorinë e gurit”, botuar në Tiranë, më 1993, ndërsa i pari në gjuhën rumune është romani “Viti kur u shpik mjellma”, botuar në Bukuresht, më 1997. Prej atëherë ju keni publikuar mbi njëzetë vepra në gjuhën shqipe dhe mbi njëzetë vepra në gjuhën rumune (romane, drama, studime, skenarë filmash). A do të thotë kjo se ju e pëlqeni më pak poezinë?
Duhet thënë se asnjë hapësirë tjetër nuk ka qenë kaq e mbarë për kulturën dhe historinë shqiptare sa ajo rumune. Po të kujtosh se në Rumani botuan së pari Naimi, Lasgushi, Mitrushi, Asdreni e të tjerë, pra, gati një letërsi shqiptare më vete, një lloj ishulli, nga i cili del një kontinent, jo anasjelltas, vetëkuptohet përgjegjësia, por edhe rëndësia e çdo botimi këtu, aq më tepër shkruar drejtpërsëdrejti në rumanisht (për disa milionë lexues të mundshëm). Historinë e botimit të romanit “Në perandorinë e gurit” e kam përfshirë në një roman ende të pabotuar. E ndonëse i kisha gati për botim qysh në vitet 1986-1988 disa romane të tjera, i pari për mua mbetet “Mortët”, përfunduar në Pogradec, në korrik 1988 dhe botuar me përkushtim nga “Dukagjini” në Prishtinë (1997), ku edhe erdha si i ftuar në shkurtin e vitit 1998. Për takimin kushtuar romanit, ish-presidenti Rugova na liroi zyrën e tij. Ka qenë një javë e paharruar për mua, me dendësinë e një jete të tërë. Pata fatin të njoh nga afër e të miqësohem jo vetëm me intelektualë e artistë të shquar, por edhe me lexues e njerëz të thjeshtë, që, kur merrnin vesh cili jam, shpesh përloteshin. Më duket se atëherë lexohej shumë më tepër e më thellë… Një natë, vetura me të cilën udhëtonim u bllokua në dëborë – dhe pesë zotërinj të shquar të kulturës kosovare, akademikë e shkrimtarë, më mbyllën brenda dhe e shtynë veturën mbi njëqind metra, në të përpjetë, mes acarit gati siberian. Mund të harrohet diçka e tillë?! Edhe intervistën e parë për shtyp po në Prishtinë e kam dhënë.
Bazuar në përvojën tuaj në fushën e përkthimeve, si e vlerësoni njohjen e letërsisë shqipe përtej kufijve kombëtarë, në veçanti nga lexuesi ballkanik?
Kur një letërsi ka fytyrë të pangatërrueshme, them se mjafton, të paktën në kushtet e tanishme gjeopolitike. Kjo fytyrë fiton tipare të qarta gjer edhe kur letërisa përkatëse nuk qarkullon si duhet dhe nuk përkthehet leht. Sprova kryesore vjen nga fakti se sot, pragmatizmi i shumicës së idealistëve dhe idealizmi i shumicës së pragmatikëve janë afruar tejmase dhe shpesh, me ndihmën e shtypit, qëllimisht, ose jo, ngatërrohen. Principatat e lexuesve janë aq të copëzuara e të përçara, saqë ndodh që të jesh i famshëm në një lagje apo kafene, dhe të jesh krejt askushi në lagjen apo kafenenë fqinje. Elitat e rreme, pavarësisht nga breznia, po duan t’i japin letërsisë, që mund të këqyret si një ilaç me veprim afatgjatë, natyrën e drogës a të seksit. Ndaj edhe shtypi trumbeton libra përshkrues, pas leximit të të cilëve mund të informohesh, por jo edhe të formohesh. Megjithatë, nga përvoja di se mëkati më i rëndë ndaj letrave shqipe është këmbëngulja e shumicës së autorëve, kritikëve, gazetarëve, zyrtarëve dhe lexuesve për të heshtur ndaj gjërave që s’i bëjnë dot vetë. Duan ta bluajnë edhe kafenë, edhe diamantet, ta themi, me të njëjtin mulli. Nga ana tjetër, nuk di sa autorë i bëjnë vetes pyetje të llojit: Ku mund të më çojë fama e skajshme? Për çfarë dhe si dhe sa mund ta përdor edhe në të mirë të diçkaje / dikujt tjetër veç vetes dhe nevojës për t’u bindur se një ditë nuk do të ik nga kjo botë? Sa ma shtojnë / mbrojnë përkthimet në gjuhë të huaja dhe fama lirinë e të shkruarit e sidomos të të shprehurit? Po frymëzimin, mprehtësinë e vështrimit, ngrohjen e zemrës, dhimbsurinë etj.? Tingëllojnë paksa fëmijërore dhe besoj që bash nga fëmjëria vijnë. Se pyetjen: “Ku do të të vejë shpirti, o i gjorë?” mundoheshin t’ia prisnin hovin pleqtë e dikurshëm poradecarë ndonjë të çarturi që turrej të pushtonte botën në të gjitha anët njëherësh, i gatshëm të shkelte mbi gjithçka e mbi gjithkënd… Thënë ndryshe: nëse nuk pranohen me vërtetësi e ndershmëri hierarkitë e brendshme letrare, të huajt do t’i njohin vetëm në mënyrë të mangët letrat tona, gjë që hëpërhë duket se u shijon. Por meqë letërsia ka natyrë të ndryshme nga ajo e ligjit, sepse këtu asnjëri s’është i barabartë me askënd, forumet e epërme të nivelit botëror, e njohin me themel ecurinë e çdo letërsie, si dhe atë të autorëve që vërtet thonë diçka, pavarësisht nga gjuha apo fama / mosnjohja e tyre në shtyp.
Jemi të vetëdijshëm se puna juaj është e pamundur të tregohet gjatë një bisede. Për ne, është fat i mirë që jetojmë në shekullin digjital dhe lexuesi i kësaj interviste, i motivuar nga këtu, mund të vazhdojë hulumtimin më tej, megjithatë a mund të na tregoni diçka për projektet tuaja të tanishme në fushën e letërsisë, si në përkthimin e veprës, ashtu edhe në krijimet brenda zhanrit të prozës, dramës apo ndonjë zhanri tjetër?
Le ta mbyllim me një shaka jo krejt të ëmbël: “Do të kenë përse të heshtin më tej”.
Intervsitën e realizoi Mimoza Hasani – Pllana/ express