Ida NURÇE: Fqinji i mirë jep edhe farë kosi
“Eshtrat” janë një nga çështjet më delikate të ndodhura prej kohësh në vendin tonë.
Në këtë “debat-skandal” janë të përfshira dy vendet, që nuk kanë një famë të mirë për marrëdhëniet mes tyre, Shqipëri- Greqi. Dy fqinje rivale pa shkak.
Të tregohemi pak asnjanës e t’i bëjmë një analizë të thjeshtë kësaj marrëdhënieje të ndërlikuar.
Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga të vetmet, të cilës ia drejtojnë sytë të gjithë, të cilës të gjithë duan t’i marrin nga një copë. Por është e vetmja, që nuk e zgjat kurrë dorën tek të tjerët, as për ndihmë e jo më për të marrë diçka në këmbim të asgjëje. Jemi popull i urtë dhe paqësor.
Por fati i keq i yni është që komshinjtë, jo të gjithë, nuk i kemi pasur aq paqësorë dhe dashamirës. Këtu po flas për Greqinë.
Është shteti fqinj i vetmi, te i cili nuk drejtohemi dot as për të kërkuar farë kosi, jo më të kërkojmë diçka më shumë. Kurse ky vend bën të kundërtën me ne, na futet në shtëpi dhe na e merr kosin me gjithë tenxhere. Dhe ne sërish, si popull i urtë që jemi, nuk i themi asgjë. Thjesht e shohim teksa largohet bashkë me tenxhere dhe fëmijët tanë i ushqejmë me sajesa që i gjejmë nëpër shtëpi.
Po a është normale kjo? Si e gjykojnë këtë çështje shtetet e tjera të Ballkanit, që të mos kaloj tek ato të Bashkimit Europian? A është normale kjo sjellje e Greqisë? Ky racizëm i saj për popullin shqiptar, i cili shquhet në mbarë botën si mikpritës?
Mos na lini ne shqiptarëve të flasim për këtë çështje, flisni ju si të jashtëm, pa një anshmëri! Gjykoni drejt, ju lutem: çfarë po i bën Shqipëria Greqisë, e çfarë po i bën Greqia Shqipërisë!
Po marrim skandalin e fundit, ku një grek u vra nga efektivët e policisë shqiptare.
Dakord, vrasjen nuk e justifikon asgjë, por fakti që këta njerëz na vijnë në shtëpi, rrahin kraharorin e na bëjnë si Zot shtëpie, është i pajustifikueshëm. Kjo ngjarje ndodhi në një ditë, që po mbahej ceremonia përkujtimore tek të ashtuquajturat ‘Varrezat e ushtarëve grekë’, të cilët u rivarrosën vetëm pak ditë më parë, në po të njëjtën tokë shqiptare. I dërgoj ngushëllimet e mia familjes, sepse është shumë e rëndë të humbasësh një familjar. Nuk mund të bëhem palë e atyre që thonë “shumë mirë ia bënë”, por as nuk mund të them që ai bëri një gjest heroik, sepse po të kishin qenë më shumë si ai, atë ditë, në atë vend, jam e sigurt, që numri i të vdekurve do kishte qenë më i madh dhe do ishte një shkëndijë shumë e mirë për t’u ndezur akoma më shumë zjarri mes dy shteteve dhe ndoshta edhe shkak i ndonjë lufte.
Me gjithë keqardhjen e mundshme për familjarët e viktimës, unë dua të ndalem pak te çështja e rivarrimit të eshtrave. A ka një arkeolog, antropolog, ekspert i fushës, që ka vajtur në atë zonë dhe e ka vërtetuar që ato eshtra i përkasin ushtarëve grekë? Jo. Asnjë nuk e ka bërë këtë gjë. Ato eshtra akoma nuk dihet kujt i përkasin, madje në rivarrimet që u bënë në janar, i pari varr që u hap, rezultoi të mbante eshtrat që i përkisnin një kapteri italian. Dhe pas kësaj shqiptarët nuk janë njoftuar më për asgjë, nuk ka pasur asnjë lloj transparence edhe pse në fakt po punohet në tokën e tyre.
Më 12 tetor të po këtij viti, është zhvilluar një ceremoni tjetër varrimi e eshtrave të 573 ushtarëve, të menduar grekë, të cilët janë rivarrosur në po të njëjtën zonë. Atë ditë është parë një numër i lartë i forcave policore dhe nuk u lejua askush të merrte pjesë, përveç familjarëve. Madje nuk u lejua as prania e mediave. Pse? Nga se po fshiheshin grekët? Mos ndoshta edhe ata brenda tyre e kuptojnë, që po na bien në qafë? Po nga qeveria shqiptare, pse nuk u bë asnjë prononcim për këtë ngjarje? Apo ngaqë është çështje me ndjeshmëri të lartë. Dakord, ndoshta doni që të shmangni konflikte, po pse nuk është askush transparent për këtë çështje?
Pastaj të lind natyrshëm edhe pyetja tjetër, nëse këto eshtra janë me të vërtetë të ushtarëve grekë, e nëse ata i përkujtojnë me kaq shumë mall çdo vit, përse nuk i marrin në vendin e tyre? Kështu e kanë edhe më të lehtë që t’i vizitojnë herë pas here, kur të duan, pa pasur nevojën të shkojnë e të ikin fshehtas. Por as kjo nuk bëhet, sepse atyre ju pëlqen herë pas here të na vijnë në shtëpi. Nuk ju ndahet shpirti nga ne. Më ngjan me atë fjalën e urtë “ai që të urren, të do më fort”
Por në fakt, diçka më bën më shumë përshtypje në të gjithë këtë histori. Si ndihen familjarët grekë, që qajnë e bëjnë ceremoni për eshtra të cilat nuk i dinë fare nëse janë të familjarëve të tyre apo jo? Çfarë kënaqësie apo mallëngjimi kanë ata të qajnë eshtrat e dikujt tjetër? Nuk e kuptoj fare këtë gjë. Nejse, punët e tyre.
Dua të mbetem te rivarrimet dhe ceremonitë që bëhen herë pas here. Nëse jeni me të drejtë dhe mendoni që nuk po bëni asgjë të keqe, jepini transparencë shqiptarëve të urtë! Mos zhvilloni ceremonira në kushte blindimi, të rrethuar nga forca të shumta policie, pa praninë e mediave! Vetëm kështu mund të shmangni vrasjet dhe protestat, apo ndonjë të arrestuar, që mund të jetë një protestues i thjeshtë për dashurinë që ka për të madhen tonë Shqipëri. Greqi të dua shumë, por unë jam bijë e Shqipërisë dhe në shtëpinë time vallen do e kërcesh si dua unë, jo siç do ti!