Arbër Ahmetaj: Në telashe për Kamynë e Gjergj Fishtën
Arbër Ahmetaj është një zë i njohur në letërsinë shqipe pas viteve 90-të. Përveç disa librave me publicistikë, ai është autor i katër romaneve: «Flethyrje për në varr», «Varri i braktisur», «I huaji, ai Kosovari», «Një natë te Luiza», i përmbledhjeve me tregime «Riva H.» dhe «69 gra» si dhe i një libri poetik shqip-frëngjisht «Më mori malli e dashur». Proza e tij është botuar në frëngjisht, rumanisht, anglisht, etj. Më poshtë ai vjen në një rrëfim mbi librat e zemrës për MapoLetrare…
Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?
Përgjigjja ime mund të zhgënjejë shumë nga lexuesit tuaj, që në fillim të kësaj interviste, por më duhet të jem i sinqertë me veten dhe me ata: «Cikli i Kreshnikëve». Ky tekst hijerëndë i gjuhës shqipe i përmban të gjitha elementet, personazhet, konfliktet, pasionet e një romani të madh. Ky roman i botuar disa herë, që nga vitet 30 të shekullit të kaluar, është vënë në harresë por, si minierat e arit gjysmë të shfrytëzuara, që ndjellin herë pas here eksploratorë, edhe ky monument i shkrimit, tërheq lexues e studiues e kurrë s’do të reshtë së mrekulluari lexuesit e vet.
Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?
Përrallat e të gjitha gjuhëve e kombeve të botës!
Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë quani si shkrimtarët më të mirë sot?
Përcaktimi kohor sot ma vështirëson përgjigjen, pasi ma merr mendja që ju kërkoni mendimin tim për autorë bashkëkohorë. Përgjigja ime është se koha e artit në përgjithësi, e letërsisë në veçanti, nuk përputhet me oraret apo kalendarët e përditshmërisë. Autori më i shquar për mua, pas aedëve të përunjtë të alpeve shqiptare që kanë krijuar Ciklin e Kreshnikëve, është Homeri.
Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?
Më pëlqen të lexoj tekste të mira letrare, në çfarëdo gjinie që marrin formë. Ato janë lehtësisht të lexueshme e të japin gjithmonë kënaqësi leximi. Le t’i përmendim disa: Njeriu i revoltuar i Kamyse është një ese-sprovë. Pjesët teatrore të Shekspirit, Ionescos, Naun Shundit, Poemat e Witman e të Dantes, poezitë e Ali Podrimjes, Hamit Alisë, tregimet e O’Henrit, Edgar Poes, Milan Kunderës, romanet e Steinbek, Kafkës, Zija Çelës, Patrick Suskind, Flutura Açkës, studimet mbi letërsinë teatrin etj. Nuk lexoj dot pamflete politike, libra mbi teori konspiracioni, romane si ato për Harri Poter etj. Por, në përgjithësi, gjinia e një vepre arti, është krejtësisht e parëndësishme. Ka romane që janë kthyer në pjesë teatri, skenarë filmash, ka tregime që u ngjajnë poezive, siç ka poema që janë si romanet.
Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?
Librat e miqve të mi! Shumicën i kam me autograf, por e rëndësishme është që i kam lexuar të gjithë. Miqtë e mi janë të talentuar dhe e meritojnë plotësisht vëmendjen time. I lexoj menjëherë, sapo më bien në dorë. Më dhimbsen librat e miqve të mi, sepse e di se me sa sakrifica janë shkruar, po aq me seriozitet. Të gjithë ata libra janë drita të ndezura, shkëlqimi i të cilave ka variacion e fuqi ndriçuese të ndryshme. Mes tyre ka edhe tekste të dobëta letrare, jeta është e shkurtër për të lexuar deri në fund një libër të dobët.
Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?
Nëse bëhet fjalë për heroin si model jetësor, s’kam asnjë! Nëse bëhet fjalë për personazh të një vepre artistike do përmendja Djalin e Rozafës. E ëma i ka të gjitha hijeshitë njerëzore, siç e ka edhe dramën. Ju e njihni legjendën. Ajo ka lënë një djalë. Për atë s’dimë asgjë. Si mund të jetë rritur Djali i Rozafës, nëna e të cilit është murosur, i ati i të cilit jeton me kompleksin e fajit, me xhaxhallarë besëprerë? Ai personazh, aq i padukshëm, për të cilin ne kemi vetëm një të dhënë, që është fëmijë për gjiri, ngre pyetje të përjetshme në mendjen time! Por në përgjithësi, letërsia ka personazhe shumë të mëdha, disa prej të cilëve na janë bërë si njerëz të shtëpisë. Ja një listë e vogël: Raskolnikov, Stephan Dedalus, Madame Bovary, Priam, Anna Karenina, Josef K., Xheladin beu, etj.
Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer!
Fëmijë me kureshtje kam qenë! Vëzhgoja gjithçka. Shpesh i mbyllja sytë fort, me shpresë për të regjistruar në kujtesë ndonjë njeri apo ngjarje. Në bibliotekën e shkollës dhe të qytetit merrja gjithmonë titullin “Mik i vogël i librit”. Në klasë të pestë krijuam me shokët “bibliotekën e klasës”. I sollëm të gjithë librat që kishim në shtëpi dhe i vumë në një dollap në klasë. I lexonim me radhë. Një xhaxhai i imi këndonte me lahutë, këndon edhe sot. Kishte në shtëpi një libër me këngë kreshnikësh. Tani e merrni me mend, sepse për mua ai është romani më i madh i të gjitha kohërave. Pastaj, një mik i moshuar i familjes sonë, një dervish me një sy, tregonte përralla të jashtëzakonshme. Kur kam lexuar Aventurat e Tom Soyerit e Hak Finit, kam kuptuar se gjithçka ndodhte në jetë, mund të bëhej edhe letërsi. Sigurisht, nevojitet “pak” talent, të paktën sa i Mark Twen!
A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?
Dy herë më kujtohen! Kur kam lexuar në vitin 1985 romanin “Mortaja” të Kamysë. Libri ishte përkthyer shqip në Prishtinë nga Rilindja dhe disa kopje i dërgoheshin bibliotekës së Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë, dikush e kishte marrë me autorizim, për ta lexuar. Konkurrenca ishte e tmerrshme. Kishim pak ditë në dispozicion. Mua më takoi vetëm për një natë. Nga ora dhjetë e darkës deri në mëngjes. Nuk arrita ta mbaroja dhe vendosa të mos e ktheja në kohën e duhur. Ju e merrni me mend se sa rëndë e dëmtonte kjo besueshmërinë time në atë rreth aq të ngushtë e të zgjedhur lexuesish në qytetin e mrekullueshëm alpin të Bajram Currit. E ngjashme me këtë, por pak më e rëndë, ka qenë leximi i “Lahutës së Malësisë”. Një miku im kishte miqësi me një vajzë, i ati i së cilës e kishte një kopje të këtij libri. E kemi “detyruar” atë vajzë t’ia vidhte librin të atit për disa ditë. Ia kthyem, por i nxorëm shumë telashe, siç thoni ju në pyetjen tuaj.
Po t’ju duhej të përmendnit një libër që iu ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte?
“Bufi i verbër” i Sadek Hedayat, një shkrimtari iranian, që ka jetuar e vdekur në Paris. Libri është përkthyer e botuar në Prishtinë dhe e kam lexuar në atë periudhë që folëm pak më parë. E kam lexuar më vonë edhe në frëngjisht e anglisht. Shkurt, është një roman marramendës!
Nga librat që keni shkruar vetë, cilin parapëlqeni më shumë, ose është më kuptimplotë për ju?
Pa dyshim “«Fletehyrje për në varr–Shënime për s’di se çfarë dreq vepre letrare”. Ky libër është botuar në vitin 1993 dhe ribotuar nga Skanderbeg books, në vitin 2012. Është botuar në Francë në përkthim të Edmond Tupes, me titull “La ville des ecrivains figés”. Por, më dridhet zemra për librat tjerë, më duket se jam i padrejtë. “Fletëhyrja…,” “Varri i braktisur” dhe “I huaji, ai Kosovari”, janë romane të së njëjtës arkitekture romanore, janë në njëfarë mënyrë projekti im romanor. “Një natë te Luiza” dhe “69gra” janë një regjistër tjetër, janë tekste letrare që mund të pëlqehen nga një numër më i madh lexuesish. Tre romanet e para janë shkruar si përpjekje, jo në kërkim të kohës së humbur, por si kërkim i lirisë!
Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?
“Rrno për me tregue”. Çdo president shqiptar, por edhe kryeministër duhet ta lexojë këtë libër. Pas një shekulli e ca vitesh pavarësi, shqiptarët flasin akoma për të keqen që u ka sjellë pushtimi i gjatë osman. Plagët e atij pushtimi janë të prekshme në kujtesën historike. Imagjinoni se sa e rëndë është për bashkohesit tanë, mosnjohja e plagëve të shkaktuara nga regjimi përbindësh komunist. Presidenti dhe kryeministri, si personalitete të zgjedhura nga shqiptarët duhet të kenë ndjeshmërinë më të lartë për këtë dramë të tmerrshme përmes së cilës kanë kaluar qytetarët tanë. Kjo gjë jo thjesht për anën e saj njerëzore, por edhe për domosdoshmërinë politike të paqes civile në vend. Jemi me miliona ne, që sa herë takohemi, flasim për plagët e së shkuarës, që siç thotë poeti Visar Zhiti, i “hapim mbi tavolinë, si xhevahire të një monstre vrasëse”.
Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?
Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Anton Pashku, tre prozatorët e mi të zemrës. Ose po të isha në një darkë ndërkombëtare do ftoja Markezin, Kafkën e Kamynë. Por nëse ju doni që autori i “Flethyrjes për në varr” të darkojë me shkrimtar të gjallë, do thërrisja tre njerëz e shkrimtarë të dashur Zijain, Fluturën e vëllain tim Bislimin. Por në kodin e mirë të sjelljes, miku që vjen me më shumë miq, është më i nderuari. Zija Çela, Flutura Açka dhe Bislim Ahmetaj, janë në garë me njëri tjetrin, që të sjellin sa më shumë miq të talentuar. Shpenzimet e darkës janë të miat!
Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë, për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa e mbaruar?
Kjo ndodh shpesh me këta librat që shkaktojnë ethe, të tipit Harry Potter, apo sagat me projekte filmash. Por kjo është si puna e etheve të Black Fryday. Për të shitur e blerë objekte, sende për të ngopur një uri të pashpjegueshme të mendjes. Roman e autor serioz që më ka “ftohur” është Haruki Murakami, librit të tij “1Q84” nuk i shkova dot as deri në gjysmë. Mund dhe duhet të ketë romane të tjera të mira. Në shqip unë lexoj veç miqtë e mi! Me ata kam një sjellje tjetër. Dhe kjo nuk do të ndryshojë.
Kë do të donit ta shkruante historinë e jetës suaj?
Unë s’kam ndonjë histori të madhe, as s’kam qenë lider, as i burgosur ndërgjegjeje. Kam menduar se letërsia do të më bënte të famshëm, ajo ia ka arritur të më bëjë njeri të lirë. Kjo ishte befasi e mrekullueshme për mua. Historia e jetës sime është shkrimi, shërbimi ndaj pacientëve në farmaci dhe familjes sime, angazhimi im në atë që e quaj përmirësimi i ngadalshëm e i përditshëm përmes artit, i cilësisë së jetës dhe lirisë së qytetarëve të mi, lexuesve të mi. Historia e jetës sime, edhe po të shkruhej nga Stefan Cvajg, nuk do të shitej aq shumë. Por nëse kjo shihet me më shumë optimizëm nga të tjerët, atëherë do të doja ta shkruante djali im.
Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?
Tek Iliada, tek Epi i Kreshnikëve, te Zarathustra. Lexoj e rilexoj kujtime të të huajve mbi vendin tonë, mbi sjelljet dhe traditat tona. Kemi shumë flori në gjirin tonë, të mbuluar me lecka.
Për çfarë librash ndjeheni keq që nuk i keni lexuar?
Ndjehem keq që nuk lexoj libra në gjuhën gjermane dhe ruse. Të dy këto letërsi, kanë autorë të mëdhenj bashkëkohor. Por, letërsia gjermane përkthehet pak, ndjehet shpesh e vetëmjaftueshme në kontinent. Për arsye krejt tjera, letërsia bashkëkohore ruse, e cila ka autorë modern të mrekullueshëm, është nën bllokadë kulturore. Ndjehem keq po ashtu që e kam të pamundur të lexoj të gjithë librat që kanë shkruar të huajt për ne. Më pëlqen shumë ai lloj teksti, mes rrëfimit të drejtë për drejtë letrar e kujtimeve./mapo.al/