Limani: Kudo që jemi të ruajmë me fanatizëm gjuhën e bukur shqipe
INTERVISTA/ Flet kryetarja e shoqatës “12 Qershori” Vjenë/ Austri, znj. Rolanda Limani; NATO-s dhe Amerikës i detyrohemi shumë
Kudo që jemi të ruajmë me fanatizëm gjuhën e bukur shqipe
Albert Z. ZHOLI
Ka lindur në Gjakovën historike por ka vite që banon në Vjenë. Rolanda është një aktiviste shembullore ku shoqata që ajo drejton ka bërë një sërë aktivitetesh jo vetëm në Austri por dhe në shumë vende të tjera të Europës me qëllim që të përhap kulturën shqiptare. Një punë të mirë shoqata bën edhe për ruajtjen e gjuhësh shqipe të fëmijëve të emigrantëve në Austri. E dashur, e qeshur, korrekte ajo kur i përmend emrin Shqipëri loton, pasi Tiranën e quan zemrën e trungut shqiptar.
Ditë festash nëntori, cili ishte qëllimi i ardhjes suaj pikërisht në këto ditë në Tiranë?
Qëllimi i ardhjes sime në Shqipëri ditët e fundit të nëntorit, ishte për ta festuar festën e flamurit kombëtar në shtetin amë dhe për të marrë pjesë në aktivitetin që do mbahej në Vlorën heroike nga fondacioni prestigjioz “Nermin Vlora Falaschi” me presidente, znj. Zenepe Luka, për ngritjen e shtatores se zonjës së madhe të kombit tonë Donika Kastrioti. Për këtë figurë të rëndësishme për kombin tonë kemi kontribuar me një sponsorizim edhe ne Dega e Fondacionit ne Vjenë/Austri si dhe sponsori kryesor, z. Nderim Istrefi (Nënkryetar i shoqatës “12 Qershori”).
Çfarë përbën për ju në Austri figura e Donika Kastriotit?
Ajo indetifikon gruan e fortë shqiptare. Andronika (Donika) Kastrioti ishte gruaja e Skënderbeut. Ajo ishte bija e princit të famshëm Gjergj Arianiti, njerit prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit osman. Andronika ishte një dukeshë. Ajo lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin, kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare, pothuaj një mbret pa kurorë, dhe u bë princeshë. Në gjuhën e sotme protokollare Andronika Kastrioti ishte gruaja e parë e Arbërisë. Andronika lindi në Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç. Andronikes i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit. Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë. U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjës, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti.
Si ju duk këtë vit Tirana?
Tirana ka qenë dhe do mbetet gjithmonë e bukur për çdo shqiptar dhe shqiptare kudo në botë, por për çdo vit ajo zbukurohet. Megjithatë dua të theksoj se në qendër janë bërë shumë kulla të larta që nuk i shkojnë dhe i mbysin frymën Tiranës tonë. Por në përgjithësi Shqipëria po ndryshon.
Kishit një ftesë nga Presidenti Meta për ditën e flamurit si u ndjetë nga Vjena në Pallatin e Brigadave në Tiranë?
Jam ndjerë shumë mirë pasi takova shumë miq dhe mike nga të gjitha trevat shqiptare. Ishte një mbrëmje mbresëlënëse pasi në të tilla raste takohesh me miq që i kërkon tërë jetën dhe nuk mund ti takosh. Mbetesh shumë e kënaqur kur këta miq i takon në festën e flamurit. Një festë që zgjati disa orë ku malli, lotët e befasitë ishin të pranishme në çdo moment. Por mbi të gjitha vetë Dita e Flamurit më bën të ndihem krenare, e fortë dhe plot dëshirë për të thënë me plot gojën, krenare që jam shqiptare.
Ju tashmë njiheni në mbarë komunitetin shqiptar në Austri por dhe në Europë dhe më gjerë për aktivitete të shumta me karakter kulturoro-patriotik. Si lindi kjo dëshirë për Rolandën aq më tepër në një vend të huaj?
Prindërit e mi dhe vetë dëshira ime ka qenë që qysh në fëmijëri të merrem me aktivitete kulturore, pasi kisha prirje dhe talent për te kënduar dhe vallëzuar. Isha shumë aktive ne çdo aktivitet qe organizohej atë kohë nga shkolla, ku me kalimin e kohës u inkuadrova edhe ne ansamblin e këngëve dhe valleve te qytetit “Asim Vokshi” si dhe ne SH.K.A “Ereniku” në Gjakovç. Me nostalgji i kujtoj vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës sime, ne vendlindjen time te dashur Gjakovën historike. Por duke qenë në vend të huaj, duke parë që pa këto aktivitete do të shuheshin traditat dhe virtytet tona, mora përsipër si mision të krijoj një shoqatë dhe të impenjohem tërësisht në aktivitete që kanë të bëjnë me kulturën e kombit tim të shumëvuajtur. Unë besoj se, nëqoftëse nuk punohet në ruajtjen dhe kultivimin e kulturës, nuk kemi se si të zhvillojmë dashurinë tek fëmijët shqiptarët për kulturën shqiptare. Për këtë arsye vendosa që të merrem me këtë punë dhe isha e bindur që kjo jo vetëm që do të ndihmojë shqiptarët në Austri të ruajnë identitetin e tyre por, po ashtu, të paraqesin dhe promovojnë vlerat e kësaj kulture kaq të pasur. Por pa një shoqatë të legalizuar, të mirëorganizuar këto aktivitete do ishin të zbehta. Kështu me një grup miqsh e pamë të nevojshme komunikimin me njeri-tjetrin por edhe me shqiptar të trevave të ndryshme, të formonim këtë shoqatë kulturore-atdhetare. Mbas shumë e shumë takimeve dhe diskutimeve, formuam dhe regjistruam sipas rregullave shoqatën aktuale “12 qershori” në vitin 2006 , ku ju shtua numri anëtareve dhe pjesëmarrja e tyre në kohë rekord. Tashmë në një periudhe 12-vjeçare na janë afruar dhe shumë miq austriak apo dhe emigrantë nga shtete të tjera , mbasi janë njohur me aktivitetet tona që kanë qenë të shumta.
Çfarë grupesh artistike keni formuar në këtë shoqatë?
Ne kemi punuar shumë dhe kemi arritur shumë, sigurisht me punë. Aktualisht kemi në funksionim të plotë prej disa vitesh grupin e valleve dhe këngëve të çdo krahine të kombit tonë duke aktivizuar fëmijët e lindur e rritur ne Austri. Me themelimin e degës së fondacionit mbarëkombëtar”NVF, kemi formuar edhe korin e parë të grave shqiptare në Austri i cili përbëhet nga vet ne anëtarët e kësaj dege dhe natyrisht nuk mungojnë as artistet (soprano) tona shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Vjenë. Ne kemi bërë prezantime të shumta të tradicioneve tona në ushqime që janë preferuar shumë nga të huajt. Po kështu kemi bërë prezantime të veshjeve kombëtare të disa krahinave. Pra i kemi njohur e kemi dhënë shumë nga kultura jonë, por edhe kemi marr shumë prej tyre. Por puna më e madhe bëhet me artistët e vegjël. Unë e pëlqej t’i thërras artistë të gjithë këto fëmijë të angazhuar në aktivitetet e “12 Qershorit”. Ato janë të gjithë shqiptar që jetojnë në kryesisht në Vjenë dhe që vijnë nga të gjitha trojet shqiptare, duke filluar nga Kosova, Shqipëria, Ilirida, Malësia e Madhe po ashtu edhe fëmijë nga Presheva. Momenti më i bukur është kur pas punës 1-vjeçare arrijmë të shohim fëmijët duke kënduar dhe recituar shqip si dhe duke vallëzuar nën ritmet e melodisë shqipe. Sa herë që arrijmë të prezantojmë denjësisht kulturën tonë, për mua emocionet janë te papërshkrueshme. Por ne në këtë rrugë kemi gjithmonë bashkëpunëtorë, si Ambasada e Shqipërisë dhe Kosovës në Austri, artistët shqiptar si në Austri ashtu edhe Shqipëri dhe Kosovë, biznesmenë shqiptar në Vjenë, klasa intelektuale shqiptare në Vjenë si dhe familje të shumta shqiptare, këtu shumë njerëz na kanë përkrahur dhe na përkrahin. Nuk dua të heq nga vëmendja se në çdo aktivitet të organizuar nga “12 Qershori” për festat kombëtare kanë marrë pjesë gjithmonë personalitete austriake. Surprizë e mirë për mua ishte ajo kur, Forumi i grave socialdemokrate – deputetja komunale Gabriele Mörk e cila, bashkë me Kryetaren dhe kryesinë e komunës (Qarkut 12) Vjenës, kishin vendosur që në Ditën Ndërkombëtare të gruas, në 9 mars 2016, të më nderonin mua për angazhimin tim social që po beja në integrimin me fëmijë dhe gratë tona shqiptare, pra me vlerësuan për merita te veçanta Gruaja e vitit 2016 duke më dhënë çmimin “Helene Potez ”.
Cilat janë objektivat e kësaj shoqate?
Motua dhe qëllimi i shoqatës tonë është ruajtja e indetitetit kombëtar, mos asimilimi i gjuhës shqipe (gjuhës së nënës) dhe mos humbjes së traditave apo zakoneve të bukura që na kanë ngelur nga të parët tanë. Tek shoqata jon ajo mund të shihet shumë thjesht, mjafton që të shikosh se si të gjithë këta fëmijë shqiptar, jo vetëm që nuk kanë humbur gjuhën shqipe por ato janë edhe krijues të këngëve,valleve dhe poezive në gjuhën shqipe kurse së dyti, bashkimi i komuniteti shqiptar na çon drejt përmirësimit dhe ngritjes së pozitës sonë shoqërore. Sot ky në emigrim besoj se është patriotizmi më i madh. Aktivitetet tona shtrihen jo vetëm ne gjithë territorin e Austrisë, por edhe vende të tjera të Evropës, në Shqipëri, Kosovë, ato janë të natyrës së kulturës dhe bartjes si dhe ruajtjes së vlerave kombëtare por dhe ato të natyrës sociale, që gjeneratat e reja të ruhen dhe mbrohen nga dukuritë negative që sot janë aktuale në gjithë botën. Njiherit dhe avancimin e femrës shqiptare si në vendlindje dhe aty ku jeton. Këto janë në forma të ndryshme, si koncerte, gara, platforma diskutimesh, grupe pune me tema të caktuara, etj etj….Çdo vit ne bëjmë përgatitje për kremtimin e datave të shënuara historike shqiptare siç janë 28 Nëntori dhe 17 Shkurti. Ne organizojmë koncertet më të mëdha shqiptare në Austri për nder të këtyre datave. Perveç këtyre datave historike, me themelimin e degës se fondacionit kulturor mbarëkombëtar te gruas shqiptare” Nermin Vlora Falaschi” Vjenë/Austri, ne planprogramin vjetor te shoqatës kemi shtuar edhe Eventin kulturor me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas “8 Marsin”. Në këtë mbrëmje kulturore-festive nën moton: “Gruaja si shembull për integrim” përveç programit të pasur kulturor, ne ndajmë dy çmime për gra të suksesshme të cilat kanë dhënë kontributin e tyre humanitar dhe shoqëror në përparimin e gruas shqiptare. Aktivitetet e shoqatës 12 qershori Vjene –Austri janë të lidhura ngushtë me komunitetin për procesin e intergrimit të mirëfilltë dhe ruajtjen e vlerave kombëtare. Avancimin kulturor dhe ngritjen e rolit te gruas në shoqërinë shqiptare dhe atë Austriake. Në kuadër të shoqatës “12 Qershori” dega e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, ka për qëllim avancimin e rolit të gruas shqiptare brenda komunitetit dhe në shoqërinë Austriake. Prezantimin e vlerave që lidhen ngushtë me figurën e nënës, gruas dhe motrës, synimin e barazisë së gjinive në të gjitha aspektet e jetës. Fondacioni synon bashkëpunimin e ngushtë dhe ndërrimin e përvojave të të gjitha grave që jetojnë në Austri, si ato te komuniteteve të ndryshme dhe grupeve autoktone. Temat që do i prekim janë ngritja e pozitës së gruas në shoqëri, jo vetëm në arsim, kulturë, zhvillimeve sociale etj por deri te ato vendimmarrëse.
Roli dhe përgjegjësia e gruas në zhvillimet shoqërore, është i pazëvendësueshëm. Gruaja në të gjitha ndryshimet pozitive që ndodhin mban mbi supe barrën e përgjegjësisë, njiherit është viktimë e të gjitha ndryshimeve negative që ndodhin në shoqëri cilado qofshin ato në botë. Edukimi, arsimi, shkenca dhe kultura nuk do kishin kuptim pa ndikimin e gruas. Forcimi i pozitës së gruas në të gjitha sferat e shoqërisë është i domosdoshëm. Format e bashkëpunimit dhe ndërrimin e përvojave të grupeve të grave janë të domosdoshme, ndaj kërkohet strategji zhvillimore për avancimin meritokratik të pozitës së gruas.
Pse ky emërtim “12 qershori ” dhe me cilat shoqata shqiptare në Europë bashkëpunon shoqata juaj?
Ky emërtim mban mbi supe një emër të madh përkujtimor , hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovën tone. NATO-s dhe Amerikës i detyrohemi shumë. Ne këtu kemi dhe shoqata te tjera si Shoqata e mësueseve shqiptar në Austri “Naim Frasheri” , “Liga shqiptare në Austri” , Shoqata e shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptar në Austri “Aleksandër Moisiu” ,” Këshilli koordinues i shoqatave shqiptare në Austri“, Shoqata humanitare “Kërcova” në Vjenë, Shoqata e Gruas “Kuq e zi” në Villah e shumë të tjera që punojnë dhe veprojnë në të mirën e kombit. Në këto shoqata si dhe në timen ka shqiptarë nga të gjitha trevat. Por shoqata jonë ka tjetër rol. Tjetër vizion. Gjatë dymbëdhjetëvjeçarit kemi shkëmbyer eksperienca e bërë vizita në disa shoqata në diasporë. Mbresëlënëse ka qene vizita në Berlin në Festivalin e Diasporës (viti 2006 dhe 2009) ku kemi qenë të ftuar nga miku ynë gazetari i njohur Hajriz Mamaj si dhe me shoqatat “Shqiponja” dhe “Oda shqiptare” në Berlin. Kemi lidhje me shoqatën “Jehona shqiptare” në Shqipëri ku tashmë “12 Qershori” çdo vit është pjesëmarrëse në Festivalin Kombëtar “Jehona Shqiptare” në Shqipëri ku edhe u mundësojmë fëmijëve vizitë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kjo i afron shumë artistët tanë të lidhen më shumë me rrënjët e veta dhe të rrisin dashurinë për kombin, gjuhën dhe kulturën.
Në gjithë këto aktivitete si i mbani lidhjet me atdheun?
Integrimi në një shoqëri të re nuk do të thotë që neve asimilohemi, e vërteta është se ruajmë indetitetin kombëtar dhe ata që jemi duhet të prezantohemi dhe jashtë. Kërkohet një angazhim më i madh në radhë të parë që gjeneratat e reja së pari të frymëzohen në familje, të kenë përkrahje dhe nga shteti amë dhe gjeneratat e reja respektivisht qytetarët me prejardhje shqiptare të krenohen me origjinën. Kemi mjaft vlera të ndryshme që mund të prezantojmë dhe të jemi krenarë me ato. Integrimi i mirë nuk do të thotë asimilim, pasi ruajtja e identitetit kombëtar gjuhës, duhet të ketë përgjegjësinë individuale dhe përkrahjen institucionale. Njeriu që s’ka identitet e ka më të vështirë të pranohet në një shoqëri të re. Sa më shumë që kultivohen lidhjet me origjinën jo vetëm ato me farefisin por si ato me përmbajte kulturore, arsimit, shkencës e shume lajmeve të tjera ato forcojnë lidhjen me trungun –rrënjët.