Çerçiz Loloçi: Qerim Vrioni rizbulon fotografinë e dhimbjes njerëzore
Çerçiz Loloçi
Libri i katërt i studiuesit Qerim Vrionit i titulluar “Pikëllim mbi një foto të vjetër” vjen pas tri botimeve të tjera që kanë në fokus gjithashtu artin e fotografisë. Në 2005 ai boton “Fotografia, një grusht diell” duke sjellë të parin botim në kulturën tonë për fotografinë, në 2007 është bashkëautor i albumit fotografik kushtuar 50 vjetorit të Universitetit të Tiranës, në 2009 siglohet si autori i librit “150 vjet, fotografi shqiptare”, ndërsa në 2013 publikon “Fjalori i fotografisë”.
Por nuk është vetëm kjo krijimtaria e Vrionit. Nën firmën e tij janë qindra artikuj dhe ese të botuara në mediat më kryesore brenda dhe jashtë vendit, është çelja e eskpozitave fotografike në Tiranë, Vlorë dhe Miçigan, është pjesëmarrja në ekspozitën ndërkombëtare “Il Lazio tra Europa e Mediterraneo”, etj.
Libri i fundit i studiuesit të fotografisë merr në analizë nga pikëpmja dokumentare historike, etnografike dhe estetike foton “Gjon Pali dhe e bija” që është realizuar në 1913 në Shkodër nga fotografi Kolë Maca (1882-1945).
Koha e realizmit të kësaj fotoje mendohet se është bërë midis tetorit 1912 deri në prill 1913) të Rrethimit të Shkodrës nga ushtria e Malit të Zi. Siç dihet Shkodra asokohe kaloi nga administrimi ushtarak turk në atë të forcave serbo-malazese, por nuk zgjati më shumë se 20 ditë sepse sërish iu kthye nga ndërkombëtarët shtetit shqiptar
Fotoja është botuar fillimisht në gazetën italiane “La Domenica del Corriere” më 25 maj-1 qershor 1913, me artikullin redaksional “La fine della Guerra Balcanica”, (Fundi i Luftës Ballkanike) si dhe u ribotua në qershor 1913 në librin “L’assedio di Scutari”, (Rrethimi i Shkodrës) të gazetarit italian Gino Berri, korespondent shtypi në Shkodër gjatë rrethimit të qytetit.
Gjatë kësaj periudhe në qytet e rrethina pati luftime të ashpra midis sulmuesve dhe mbrojtësve të qytetit me shumë të vrarë e plagosur nga të dy krahët. Njeri prej tyre, sipas shënimeve të gazetës është edhe i plagosuri që paraqitet në foto. Ai është dëmtuar rëndë në kokë e në dorë dhe pranë i qëndron e bija, ndoshta në momentet e fundit të jetës së tij, (siç e përcakton libri i Berrit).
Qerim Vrioni me librin “Pikëllim në një foto të vjetër” ka hulumtuar gjatë mbi këtë foto, ai ka gjetur, ndër të tjera, emrin e të plagosurit (Gjon Pali) si dhe fshatin nga është ai (Shllak), por edhe paraqitjen e saj në 2-3 botime të tjera. Po ashtu studiuesi e analizon foton edhe nga ana estetike, duke e vendosur atë në një vend nderi në historinë e fotografisë shqiptare.
Në mbyllje të librit autori ka paraqitur edhe një album të vogël me foto të zgjedhura nga krijimtaria e Kolë Macës që ngërthejnë gjini të ndryshme të fotografisë, një pjesë të botuara për herë të parë. Libri dallohet për gjuhë të pastër e të pasur shqipe dhe është botim i Shtëpisë Botuese ‘EMAL’. Bashkëpuntorë të afërt të autorit për librin janë konsulenti Dr. Zef Paci, redaktori Pandeli Koçi dhe autori kopertinës Dr. Shpend Bengu.
Libri është ndarë në 15 kapituj, mes të cilave: Fotojo ‘Gjon Pali dhe e bija”, vdekja e njeriut dhe pasvdekja në arte, përjetësimi në artin shqiptar, pasvdekja në foton botërore dhe vendase, dokumentim dhe estetikë, rrugëtimi i fotos në kohësi, Kolë Maca, etj.
Në mediat më të rëndësishme ekziston sot një rubrikë me kuptim metaforik: Foto sa një mijë fjalë. Edhe fotoja e Kolë Macës e ka këtë domethënie dhe ajo flet me më shumë se një mijë fjalë duke fiksuar një ngjarje historike të një shekulli më parë, mbrojtjen e Shkodrës nga pushtuesit e rinj serbo-malazezë.
Malësori dhe e bija në një moment të rëndësishëm njerëzor, i pari duke ikur në jetën tjetër dhe përjetimi i së bijës që ndahet përfundimisht me njeriun e afërt. Vajza ka pikëllim, por nuk duket qaramane, madje ka një nur bukurie të pashoqe edhe në këtë moment ndarjeje.
Babai i saj po vdes pas plagëve të marra në mbrojtje të vendit të vet, të vendlindjes Shkodër dhe ajo ndihet krenare për flijimin e tij. Pra fotoja ka brenda edhe historinë dhe personi i vdekur nuk është thjesht i krijuar në studio, por ka emër dhe mbiemër, ka vend dhe datë dhe përçon mesazhin e madh që për atdheun mund të jepet gjithçka, qoftë edhe jeta.
Qerim Vrioni zbulon thesaret e Kolë Macës, fotografit të “pikëllimave”
Mbi librin e ri “Pikëllim në një foto të vjetër” të studiuesit Qerim Vrioni
Fotografi Kolë Maca i Qerim Vrionit nuk i përket vetëm Shkodrës
Petrit Ruka: Mbi librin “Pikëllim në një foto të vjetër” të Qerim Vrionit
“Pikëllim në një foto të vjetër”, Qerim Vrioni në kërkim të të fshehtave të një imazhi
‘Pikëllim në një foto të vjetër’ i Qerim Vrionit në një kumtim
Harallamb Fandi: Ja që ka dhe një ‘Pieta’ shqiptare, monografia e Qerim Vrionit
https://www.gazeta-shqip.com/2018/12/18/a-mund-te-fotografohet-pikellimi/
http://www.panorama.com.al/gjon-pali-dhe-e-bija-lufta-dhe-dashuria-ne-nje-foto-te-vitit-1913/
http://www.gazetadita.al/gjon-pali-dhe-e-bija-ne-syrin-e-fotografit-shkodran-kole-maca/
http://www.gsh.al/2018/12/09/pikellim-ne-nje-foto-te-vjeter/
https://bulevardionline.com/nje-veshtrim-per-punen-e-respektuar-te-studiuesit-qerim-vrioni/
Pikëllim në një shkrepje fotografike – Nga Francesco S. Marchiano