Agim Janina: “Pikëllim në një foto të vjetër”
Titulli “Pikëllim në një foto të vjetër” është një gjetje artistike, shpreh brendinë e librit të studiuesit të pasionuar dhe serioz Qerim Vrioni. Është libri i radhës. Pikëllimi si ndjenjë emocionale, mbart në vetvete dhimbjen. Është dhimbja nga humbja. Humbja është thelbi i saj. Humbjet janë të shumta dhe të shumëllojta.
Nga kjo dhimbje vjen edhe krijimtaria e autorit. Si e tillë ardhja e librit nuk është një rastësi. Çfarë e lidh autorin me fotografinë? Ku janë zanafilla dhe rrënjët e tij?
Fëmijëria e njeriut është laboratori më i madh, ku mbrunjten e gjakohen dëshirat dhe ëndrrat më të mëdha dhe më të bukura.
I vogël, Qerim Vrioni ka parë në arkivin e familjes shumë fotografi. Ishin në to të parët e tij. Kishin mbajtur poste të rëndësishme e të larta qeveritare dhe shtetërore. Si të tillë ishin dokumentuar në foto të ndryshme. Djalë i ri, dëgjonte me gjysëm zëri, zulmet dhe bëmat e tyre…
Në njërën prej fotove nga arkivi i familjes ndalej gjatë, shumë gjatë. Emocionohej. E zverdhur nga koha ajo mbante një peshë të madhe. Paraqitej përcjellja e eshtrave të Çerciz Topullit dhe Muço Qullin nga Berati në shtator të vitit 1936. Tek arkëmorti dy burra hijerëndë. Tek njeri i mbesnin sytë. Ishte i ati. Sa krenari ndjente, por nuk mund ta tregonte, nuk mund ta dëshmonte…
…Shpesh do të dëgjonte nga prindërit, “Kujdes me këto foto. Mos ia trego njeriut”!
“Mos ia trego njeriut”! – ishte slogani i shumë familjeve gjatë rregjimit komunist. Ishte i dënuar, i persekutuar. Kjo i sillte vuajtje, jo thjesht shpirtërore, por mbi të gjitha intelektuale, artistike, dokumentare dhe historike. Kërkonte të dëshmonte dhe nuk mundte. Pamundësia kur ia di vlerën është tejet e rëndë. Peshën e saj e mbajti në vite të gjatë.
Sa shumë foto janë retushuar, fshehur dhe dënuar gjatë regjimit komunist! Dhunimi historik ishte i shumëfishtë. Mungonin autorë, foto, studio, vula negativë, filma… pikëllim i thellë.
Takimin me fotografinë Qerimi e ktheu në një synim, në qëllim të jetës. Pasioni rritej çdo ditë. Asht dhe ëndrra se një ditë do ia dilte mbanë t’i botonte.
Rritur në qytetin e Vlorës, ai bashkëjeton dhe e lidh jetën me artistët më të mirë vlonjatë të pikturës, teatrit, muzikës, shkencës. Ky mjedis artistik do t’i japë ëndërrim, por jo krahë.
Në atë sistem as që bëhej fjalë, që ai të botonte apo paraqiste për botim ndonjë studim. Në arshivën e mendjes ato flinin të gjalla. Ishin shumë dhe shtoheshin gjithmonë.
Në se ka një art shqiptar bashkëkohor me atë botëror është pikërisht fotografia. Qerimi i ishte drejtuar studimit dhe pasqyrimit të saj natyrshëm, duke sjellë e risjellë në vëmendjen e lexuesve personalitete të shumtë të fotografisë shqiptare dhe asaj botërore, të munguar dhe mënjanuar tragjikisht, kur fare mirë mund të përfaqësonin Fotografinë Shqiptare.
Duke iu kthyer librit, autori i drejtohet një teme tejet të prekshme në artin botëror, siç është ajo e vdekjes. Duke iu drejtuar asaj kapet vetë thelbi i jetës. Është binom i përhershëm, ekzistencial, domethënës.
Në libër vijnë të detajuar, që nga foto “Gjon Pali me të bijën”, të cilës i bëhet një studim shterues e deri tek kryevepra e Mikelanxhelos “Pieta” në Vatikan, tabloja “Masakrat” e Zef Kolombit, grupi skulpturor “Shokët e Odise Paskalit, analiza e fotove “Duke u venitur” e fotografit Robinson, “Vdekja e Bismarkut”, ekzekutimi në karrigen elektrike, fotografuar nga Tom Hovard, “Vdekja e republikanit”, nga i famshmi Robert Capa dhe deri autorët shqiptarë Kristo Shuli, “Në ditën e varrimit të Papa Llambro Ballamacit, “Vajtimi i Nasim Elshanit” etj., duke u ndalur gjatë tek foto e Kolë Macës, që për nga realizimi, të kujton tablotë e piktorit të madh holandez Rembrandt.
Libri të rrëmben gjatë leximit, jo thjeshtë për informacionin e thellë e të shumanshëm, për temën e patrajtuar më parë, por është edhe një udhëtim profesional përshkrimor dhe analitik i fotografisë.
Duke qëmtuar me kujdes e durim Vrioni ia del mbanë të dëshmojë historinë e fotografisë, kohën dhe personazhet në të. Është një udhëtim i bukur e mbresëlenës nëpër revista e gazeta të kohës, në Shqipëri e jashtë saj.
Duke qenë një udhëtar vizionar, Vrioni zhytet në gjetjen e vërtetësisë së fotografisë, në ndërgjegjësimin e vlerës fotografike, si dokument i shkallës së parë. “Hidhet” në Itali dhe shfleton gazetat e kohë dhe gjen në gazetën “La domenica del Corriere” fotografinë Macës… nuk ndalet këtu. Për ta shteruar historinë e fotografisë, bën takime, shfleton revista, gazeta etj., etj., një rrugëtim i gjatë, që shtjellohet bukur dhe me emocion në libër.
Vlerë mbi vlerë e punës hamngjitëse të studiesit Qerim Vrioni është qëmtimi, gjetja dhe përurimi i personaliteteve të fotografisë dhe fotove deri më sot të fshehura, të panjohura për publikun e gjërë, si në rastin e fotografit Kol Maca.
Punëtor i përkushtuar Qerim Vrioni po përgatit librin e radhës…/milosao/
* Studiues arti