Mihail Gorbaçov: Lufta që dikur i dhamë fund dhe paqja e sotme në rrezik
Ditën kur mësova për largimin e Xhorxh Bushit nga kjo botë, kujtova takimet e mia me të, ato që shënuan një pikë kthese në marrëdhënien tonë personale dhe në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.
Biseda jonë e parë serioze u bë në dhjetor të vitit 1987, ndërsa isha në një vizitë zyrtare në Uashington. Xhorxh ishte në atë kohë zëvendëspresident dhe kandidonte për postin e presidentit të SHBA-ve. Vizita kulmoi me nënshkrimin e Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme dhe të Shkurtër; më pas, unë do të nisesha nga një bazë e Forcave Ajrore. Sipas protokollit, ose ndoshta edhe sipas dëshirës së tij, zëvendëspresidenti do të më shoqëronte atje. Xhorxh sugjeroi që edhe ai të vinte me makinën time, diçka e pazakontë kjo – sigurisht jo sipas protokollit. Më vonë, në shumë raste, të dy e kujtuam atë bisedë në makinë.
Ajo shkoi shumë përtej shkëmbimit të zakonshëm të kortezisë. Të dy ramë dakord që marrëdhëniet mes vendeve tona po arrinin një nivel të ri dhe që mundësi të reja po hapeshin, dhe si të tilla, duhej të përdoreshin në maksimumin e mundshëm. Zëvendëspresidenti më siguroi se, nëse do të zgjidhej, ai do të vijonte atë çfarë kishim nisur me presidentin Regan. Dhe më e rëndësishmja, të dy ramë dakord që, në raport me vendet e treta, nuk do të minonim interesat e njëri-tjetrit. Megjithatë, pasi Bush u zgjodh president, kishte raportime në mediat e Shteteve të Bashkuara se administrata e re nuk do të ishte e gatshme të ndërmerrte angazhime serioze me ne që në fillim, dhe se po bënte një pauzë reflektimi.
Pse duhej të priste administrata?
Ne po na vinin të gjitha llojet e sinjaleve, por ishte e qartë se përkrahësit e qëndrimeve të ashpra në SHBA ishin gjithnjë e më aktivë. Në marrëdhëniet tona pasoi një humbje vrulli. Ne e dinim se disa anëtarë të administratës po e shtynin Bushin që të vazhdonte të luante lojën e lënies në pritje. Kështu që mesazhi i ardhur në shtator të vitit 1989 ishte i rëndësishëm: Presidenti ishte gati të takohej në një pikë në gjysmë të rrugës, madje përpara se të bëhej shkëmbimi i vizitave zyrtare. Çfarë ndodhi gjatë samitit të Maltës, që e bëri dhjetorin të përshkruhej pa ekzagjerim si një moment historik? Përkundër sfondit të trazirave në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe procesit të përshpejtimit të bashkimit të dy Gjermanive, përfshirë rënien e Murit të Berlinit, Bush tha: “Do të negocioja me kujdes.” Ai shtoi: “Unë nuk do të ngjitesha në atë mur, sepse ka shumë gjëra në lojë”.
Kur u takuan të dy delegacionet, Bush paraqiti një program bashkëpunimi mes vendeve tona në fusha të ndryshme, përfshirë çarmatimin, i cili ishte përgjithësisht konstruktiv. U përgjigja duke deklaruar: “Presidenti i ri i SHBA-ve duhet të dijë se Bashkimi Sovjetik, në asnjë rrethanë, nuk do të nisë një luftë… Për më tepër, Bashkimi Sovjetik është i përgatitur që të mos i konsiderojë më Shtetet e Bashkuara si armik dhe ta shpallë këtë hapur. “Kjo nuk ishte një vërejtje e bërë aty për aty, por një pozicion i miratuar nga udhëheqja sovjetike. Biseda jonë me presidentin e SHBA-ve vijoi me të njëjtën frymë. Samiti i Maltës i dha dorën e fundit çështjes së Luftës së Ftohtë. Kjo u bë e qartë kur ngjarjet në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe procesi i bashkimit të Gjermanive po përparonin me shpejtësi. Duke punuar së bashku, ne arritëm t’i mbanim këto zhvillime brenda një shtegu të qetë.
Pak muaj më vonë do të vinte një tjetër provë: pushtimi i Kuvajtit nga Sadam Huseini dhe përpjekja e regjimit të tij për ta aneksuar atë vend. Kjo krizë provoi se Lufta e Ftohtë i përkiste të kaluarës. Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-të morën një qëndrim parimor. Agresioni u ndryshua, por nuk pati pushtim amerikan të Irakut, asnjë “ndryshim regjimi”. E gjithë kjo po ndodhte njëkohësisht me zhvillimet në vendin tim – i cili ishte në fazën e kalimit në demokraci dhe në ekonominë e tregut – morën një kthesë dramatike. Qasja ime e llojit hap pas hapi, në lidhje me reformën, po sulmohej nga anë të ndryshme – jo vetëm nga ata që donin të ndalonin procesin demokratik dhe të kthenin kohën mbrapa, por edhe nga separatistët që kërkonin të copëtonin vendin, me mbështetjen e “kokave të nxehta” në Rusi. Në këto rrethana, ishte shumë e rëndësishme për mua që të kisha një ide të qartë për qëllimet e SHBA-ve. Unë e parashtrova pyetjen hapur kur u takova me presidentin në Londër, në korrik të vitit 1991, gjatë takimit të G7-s, ku drejtuesi i Bashkimit Sovjetik u ftua për herë të parë.
“Unë besoj, – tha Bush, – se suksesi juaj është në përputhje me interesat e mëdha të Shteteve të Bashkuara. Është në interesin tonë të shohim zgjidhjen e problemeve që ju keni në marrëdhënie me republikat. Dështimi i Bashkimit Sovjetik nuk do të ishte në interesin tonë”. Megjithëse në takimin e G7-s, partnerët tanë perëndimorë nuk arritën të ndërmerrnin hapa konkretë për të mbështetur transformimin e Bashkimit Sovjetik, unë i mora seriozisht vërejtjet e Xhorxh Bushit. Gjatë vizitës së tij në Bashkimin Sovjetik, pak më shumë se dy javë më vonë, ne patëm një diskutim serioz dhe më të gjerë. Ne jo vetëm që nënshkruam Traktatin për Reduktimin e Armëve Strategjike, por mbajtëm një diskutim të paprecedentë për një sistem të ardhshëm ndërkombëtar të sigurisë, që do të krijohej me përpjekje të përbashkëta. Megjithatë, kjo perspektivë, u fundos nga tentativa për grusht shteti në Bashkimin Sovjetik, në gusht të vitit 1991. Grupi në fjalë, i organizuar nga forcat reaksionare, dështoi, por e dobësoi pozicionin tim si presidenti i Bashkimit Sovjetik. Ne nuk ia dolëm ta ruajmë Bashkimin.
E mbaj mend si sot bisedën tonë telefonike më 25 dhjetor, pak orë përpara se të njoftoja se po tërhiqesha nga presidenca e Bashkimit Sovjetik. Ne rishqyrtuam rezultatet e bashkëpunimit tonë. Arritja jonë kryesore kishte qenë marrëveshja për të shkatërruar mijëra armë bërthamore, si strategjike edhe taktike. Së bashku, ne ndihmuam për t’u dhënë fund konflikteve në pjesë të ndryshme të botës. Ne vendosëm themelet për partneritet midis vendeve tona. Këto rezultate historike tani janë në rrezik. Bota është në prag të një konfrontimi të ri dhe një gare të re për armët. Xhorxh dhe unë, pas largimit nga qeveria, shpesh kemi diskutuar mbi tendencat alarmuese që kërcënojnë paqen botërore. Ndonjëherë qëndrimet tona mbi zhvillimet ndryshonin, por në një gjë binim gjithnjë dakord: fundi i Luftës së Ftohtë nuk ishte fitore e njërës palë mbi tjetrën. Ai ishte rezultat i përpjekjeve të përbashkëta. Sot, vetëm përpjekjet e përbashkëta mund të shmangin një konfrontim të ri dhe kërcënimin e një lufte shkatërruese, duke rikthyer kështu perspektivën e një rendi të ri botëror – më të sigurt, më të drejtë dhe më human.