Sollzhenicin, një disident i përjetshëm
Bajram Sefaj
Të martën e kaluar, po pikërisht, ditën e martë të 11 dhjetorit 2018, janë bërë njëqind vjet nga lindja (1918) dhe dhjetë vjet (2008) nga vdekja e shkrimtarit rus, Aleksandër Isajeviç Sollzhenicin (rusisht: АлександрИсаевичСолженицын).Vdiq në moshën 89 vjeçare. Këtij përvjetori të dyfishtë, masmediat franceze, shtypi i shkruar dhe ai elektronik, i kushtuan kujdes dhe hapësirë të konsiderueshme. Ky shkrim “lindi” ose më mirë, u inspirua nga jehona që iu bë këtyre dy përvjetorëve, njëqind vjetorit të lindjes (11 dhjetor 1918) dhe dhjetë vjetorit të vdekjes (2008) të shkrimtarit rus Aleksandër Sollzhenicin, që sipas vlerësimit të shtypit francez (gazetës prestigjioze ditore “Le Figaro”) ishte i vetmi që diktaturës diti t’i thotë jo!
Jo pse gjith aq, jam i pasionuar pas veprës se tij letrare, as njohës i hollë i jetës së tij nuk jam, ndonëse kjo e dyta, pra, jeta e tij, e bujshme, në kuptimin e keq të fjalës, (deri në kufij spektakli, tmerri, gjithmonë më ka intriguar, në atë masë sa të mos lëshoj, gati-gati asnjë shkrim, artikull apo intervistë dhënë shtypit të shkuar dhe atij televiziv, kudo e kudo që me ka rasti, veçmas në shtypin publik shqiptar, pa e lexuar.
Më intrigonte dhe shqetësonte fati i keq i këtij shkrimtari, që nuk ishte, mjerisht asgjë më e trishtueshme se jeta e shumë shkrimtarëve shqiptarë, kur ishin viktimë e regjimit komunist. Sollzhenicinj ishte shkrimtar i një letërsie të madhe, ndoshta më të madhes, asaj ruse, dhe rebelohej në shtetin më të madh të bllokut komunist, BRSS, prandaj edhe potera e rrëmuja e tij dhe rreth tij, ishte me e zhurmshme në krahasim me shkrimtarët shqiptarë dhe të tjerëve.
Sa i takon kryeveprës se tij “Arkipelag Gullag”, kurrë nuk ka arritur të tërheq vëmendjen e kureshtjen time, në atë masë sa të ulem e ta lexoj. Madje as atëherë kur, pikërisht për këtë vepër, në vitin 1970, fitoi Çmimin Nobel për letërsi. Si çdo lexues shqiptar, besoj, kisha një lloj alergjie, për të mos thënë mosdurimi, për atë farë Gullagun rus, nga se ne shqiptarët, kishim Gullagët tanë! Ndoshta më të egër se që ishte Gullagu i tyre.
Domosdo kam parasysh, “Goli otok-un”, famëkeq të Titos dhe argatëve të tij. Në“konakët” dhe përgjithësisht, gjithkah në “kthinat” e atij Otoku (lexo shqip: Otok – Ishull!) qindra e qindra, ndoshta edhe mijëra, shqiptarë nga Kosova, e të gjithë brez-moshave, (kujtojmë këtu e me këtë rast, gjimnazistin shtatëmbëdhjetë vjeçar nga Gjakova, Teki Dervishin që, disa vargje të cicërimave të tij të para poetik djaloshare, e çuan “për pushime” në ketë burg famëkeq.
Në të katër anët rrethuar me det! Duhet shtuar se, me eshtrat dhe me gjakun e tyre (shqiptar), ishin larë e shpërlanë shkëmbinjtë më të skajshëm atij Ishulli të mallkuar. Shumë intelektualë dhe veprimtarë të kohës, shqiptarë që një pjesë të jetës e kaluan në këtë “vendverim” ndoshta edhe me të tmerrshëm se që i tmerrshëm ishte Alkatraz-i i tmerrshëm amerikan. “Shtruar” në letërsinë dhe në kinematografinë së atje botëshme. Këtu duhet përmendur edhe burgun famëkeq të Nishit, me numrin më të madh të burgosurish (kryekëput të pafajshëm) politikë nga Kosova. Për shkak kësaj klientele të kallabëllakshme që e popullonte, Burgu i Nishit, mori nofkën “Hoteli i shqiptarëve”.
Ky nuk ishte i vetmi. Nëpër tërë hapësirat e ish republikave “popullore”, të ish Jugosllavisë, strehë të këtilla, “përmirësimi e riedukimi” kishte me bollëk. Siç ishte Burgu, po aq famëkeq, “Idrizovë”, në afërsi të Shkupit shqiptar, sa për ilustrim. Nuk mbesin jashtë kujtesës as burgjet e tmerrshme, kur ishin edhe kampe përqendrimi, në një farë mënyre, shpërndarë kudo, trupit të brishtë të shtetit tonë amë. Shqipërisë tonë të dashur.
Llakatundi, Spaçi, Burreli (tmerri)…, janë vetëm disa prej tyre. Fitohet përshtypja se, në trupin e hajthem të Shqipërisë, më shumë kishte burgje se shkolla e ente gjegjëse shkollimi e arsimimi. Më pas, më shumë bunkerë, së frymë banorësh, pa harruar këtu edhe Rubikun (shumë kubikësh të punës se rëndë e të dhunshme), e shumë të tjerëve si ky. (Ndërkaq Fitneja jonë legjendare, sikur krihej në hënë. Na mallëngjente me këngën “Me gëzim shkoj në punë!” Nga ky masivizim dhe popullaritet që gëzonin këta zgjiçë, torturimi e viktimizimi, lindi e ashtuquajtura letërsi e burgologjisë.
Cilët shkrimtarë, poetë, piktorë, kompozitorë, krijues në përgjithësi, të shquar shqiptarë që mezi, me shpirt nder dhëmbë, ndonjë (shumë) herë edhe pa shpirt, dolën nga birucat famëkeqe të xhaxhit mixhë E.H. Kemi vepra letrare e të tjera artistike me thelb të errët e motive trishtimi arqipel lagësh e gulla(ge)shesh të tillë. (At ZefPllumbi. Visar Zhiti, Zyhdi Morava, Pjetër Arbnori, Kujtim Spahivogli (nuk e di se i cilit Gullag ishte viktimë), por këtu detyrimisht mbyllet paranteza nga se ka shumë martirë e të persekutuarish që i bluari dhe i ngrëni ajo bishë e egër mishngrënëse në Shqipëri, nga se, emrat e gjithëve nuk i zë as një thes i pafund. Atë gryke gllabëruese thesi, quaje Gullag apo disi ndryshe. Si të duash!
Non, merci…
Në punë “vullnetare” në Rubik e në Bulqizë, vende të tjera, kësisoji…
Jo, faleminderit për çokollatë, “Non, mercipour le chocolat”, me ironi përkujtohet titulli i filmitartistik i regjisorit të njohur francez, të së ashtuquajturës “valë e re”, ClaudeLellouche, sa për të theksuar se sa e ëmbël vjen emri (fjala)çokolatë, kur ajo krahasohet me dheun e zi ( llaç,baltë e qymyr bashkë) të Rubikut tonë, meqë ra fjala!Jo, faleminderit, nonmerci…, për Gulagun, sovjetik. Kemi ne, sa të duash, Gullagë e përtej gulla(sh)gesh, made in shqiptaria!.
Që hyj kësaj, që mëse paku me përkiste mua që, siç e pranova në fillim, nuk kam kompetenca as dijeni për të qenë, pos që ja me erdhi deri në gabzherr, një mllef i egër, një si pilaf me gozhda, homazhi, in memoriam shkrimtarit rus, pa fije dyshimi, të madh, me jep shkas të drejtpërdrejt, me cytë jehona që masmediat franceze, përgjithësisht, shtypi i shkruar dhe ai elektronik, i benë këtij përvjetori. Qe, sikur të ishin në garë, kush më mirë e kush më shumë, do të hedh dritë mbi këtë përvjetor.
Ballon e hapi e valles i priu, asaj) Bernard Pivot, gazetar legjendar i televizionit (shtetëror) francez që të famshëm e benë pikërisht emisionet me shikueshmëri të gjerë kushtuar librit dhe qarkullimit të tij, nder masa të gjëra popullore …Mysafir i ftuar në këto emisione të B. Pivot, madje disa herë, ishte edhe shkrimtari ynë me famë botërore, IsmailKadaré. (Le të dihet edhe kjo!).
Pivot, tash në moshë të shtyrë, president i Akademisë Goncourt hapi kutinë kujtimeve (arkivin) e tij dhe atje hasi në dy materiale tejet interesante. Që dyja, të shënuar (xhiruara) jashtë studios. Herën e parë diku në SHBA, kur Sollzhenicinin, autoritetet kompetente qeveritare ruse e kishin përzënë nga Rusia dhe po e i bënte ditët e eksodit të dhunshëm diku në SHBA dhe herën e dytë, pas vitit 1994, kur ai kthehet në vend(lindjen)in e tij.
I ftuar në njërin nga (shumë) studio televizive franceze, Bernard Pivot, shpalosja e kujtimeve nga ato intervista, ilustrohej me storie të gjata filmike. Pastaj i erdhi radha, shtypit të shkruar. Faqe të tëra të shtojcave, për kulturë arte të gazetave të mëdha të ditës, sikurse është “Le Figaro litèraire” e datës 29 nëntor 2018. Nën titullin e madh të dosjes “Soljenitsyne, njeriu qe guxoi të thotë jo”. Me rastin e njëqind vjetorit të lindjes se këtij shkrimtari “problematik” rus, madje pesë mendimtarë e njerëz të shquar të letrave (Michel Ofray, Antoin Compagnon, Pierre Manent, Edgar Morin dhe Paul Greveillac), përgjigjën në pyetjen: pse ai që e tronditi BRSS gjer në atë masë, të ketë qenë i nënçmua në Perëndim?
Pavarësisht, nga përgjigjet e tyre, dhe reflektimet e tjera, për jetën dhe veprën e tij, e tërë biografie e pasur e këtij shkrimtari të madh rus, përmblidhet ne disa data (më) të rëndësishme të jetës se tij.
Është viti 1969 kur Solzhenici-i, përjashtohet nga Lidhja e Shkrimtarëve rusë, një vjet pas, më 1970 fiton Çmimin Nobel, per romanin historik, ”Arkipelagu Giullag” dhe i shkruan Akademisë suedeze se kur të ketë vizë, do të vjen për të marrë shpërblimin. Shumë vjet më vone, ose saktësisht më 22 gusht 1991, ai shkruan në ditarin e vet: “Na jetojmë ditë të mëdha. Krejt një jetë kaluar nën komunizëm – dhe ja që, megjithatë, bie. Kam pritur (duruar) mjaftë gjatë për të parë fundin e tij, për ta mbijetuar”.Me kaq edhe mbyllet kallëzimi i shkurte, kushtuar 100 vjetorit të lindjes se Solzhenjicit dhe jehona që masmediat franceze i kushtuan këtij përvjetori, kur ishte edhe dhjetë vjetori i vdekjes (2008) i këtij shkrimtari rus.