Mbi librin ‘Miqësi e Trazuar’ të ambasadorit Bashkim Zeneli
Eda Gemi
Si një nga ish-ambasadorët më karizmatikë të Shqipërisë në Greqi, lexuesi i drejtohet librit të Bashkim Zenelit me pritshmëri të mëdha. Sigurisht, pritshmëritë nuk kufizohen vetëm te konturimi i detajeve – ndoshta të parashikueshme – të një marrëdhënieje historikisht ‘të trazuar’. Në të vërtetë, këto pritshmëri shkojnë përtej vitrinës së ‘dramës’ diplomatike të marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Zakonisht, memoirs të këtij zhanri mbartin ngarkesa dhe përgjegjësi historike të “të vërtetave” ndoshta të pathëna ose pjesërisht të thëna, por që kanë përcaktuar fatin e kombeve dhe të popujve. Lexuesi pret t’i shfaqen ato plane të mizanskenës diplomatike ku prozhektorët e perceptimit të tij modest e kanë të pamundur t’i ndriçojnë. Pret, gjithashtu, të iluminohet prej dinamikës së një realitet kompleks dhe multidimensional i cili ekziston përtej informacionit të rëndomtë apo aftësive të tij ngërthyese. Akoma më intrigues është fakti se pasqyrimi dhe transmetimi i këtij realiteti presupozon një sy analitik ku lentet e sofistikuara eklektike të autorit pritet të kontribuojnë në konstruksionin e memories kolektive.
Ambasadori Zeneli e surprizon lexuesin pasi përzgjedh të tejkalojë stekën e pritshmërive të një memoir kujtimesh apo ditari diplomatik konvencional. Adhurues i civilizimit antik helen, autori pranon se qëllimi i librit nuk ka qenë “historia e marrëdhënieve shqiptaro – greke”. Rrëfimi i tij thur një rrjet virtual midis të kaluarës dhe së tashmes. Nëpërmjet sekuencave ilustruese në kohë dhe hapësirë ravijëzohet një ‘univers’ unik individual ku figurat mitologjike ‘takohen’ me politikanët e viteve 2000; ku tragjedia greke gjen protagonistë të rinj te shqiptari pengmarrës i autobusit, dhe ku poezia e Ritsos dhe muzika e Theodorakis përballet me realitetin e trishtë të shoqatave të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Megjithëse autori pohon se është tërhequr më shumë nga “antikiteti dhe kultura e popullit grek”, boshti referues i rrëfimit mbeten marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve si në kuadrin e bashkekzistencës sociale, ashtu dhe marrëdhënieve bilaterale që influencohen dhe influencojnë trajektoren e kësaj marrëdhënieje. Në këtë kontekst, autori pranon se filozofia e qasjes të tij është të qenit “përherë të gatshëm për kompromis me fqinjët”.
Brenda këtij peizazhi, emigracioni shqiptar në Greqi vjen të rikonturojë një realitet pothuajse unik në marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve pas viteve 1990. Fakti që komuniteti shqiptar në Greqi përbën pothuajse 70% të popullsisë migratore (të huaj) ka bërë që fenomeni i migracionit në Greqi të identifikohet me shqiptarët dhe prezencën e tyre dominuese në shoqërinë greke. Për më tepër, të qenit vende fqinje, me kufij të përbashkët, e ndërlikon akoma më shumë trajtimin e temës migracionit shqiptar pasi në të ngërthehen dimensione minoritetesh, kufijsh e identitetesh etnike që në Ballkan, historikisht, kanë prodhuar konflikte të përgjakshme. Një elementë akoma më interesant është fakti se na bashkon (dhe na ndan) një trashëgimi historiko-kulturore që në shumicën e rasteve është instrumentalizuar për krijuar dasi dhe ndarje artificiale. Kjo padyshim i ka rrënjët te moderniteti i vonuar dhe trashëgimia post-otomane; te mënyra e formimit të shtetit-komb në Ballkan dhe perceptimi i “Tjetrit” në kulturën politike.
Në tërësi, libri është strukturuar në mënyrë kronologjike bazuar në evoluimin e detyrave diplomatike dhe i pasuruar, njëkohësisht, me eksperienca personale siç është takimi me poetin e njohur grek Giannis Ritsos para pak vdekjes së tij në vitin 1990. Narrativja personale e z. Zeneli përshkon ngjarjet kryesore politike dhe diplomatike të periudhës 2002-2005. Stili i shkrimit është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë dhe erudit. Epilogu i librit është ndoshta pak i trishtë, por gjithsesi i suksesshëm në njohjen e kontributit të Ambasador Zenelit nga shteti shqiptar.