Emil Asdurian: Shumë pak për sa duket, shumë për ç’është
I.
Do të ishte marrëzi e paparë nëse do ta linin pa e shfrytëzuar këtë rast. Për më tepër që kish ardhur si dhuratë Zoti, në një kohë, kur të gjithat mënyrat, strategjitë, po të kish të tilla, në një gënjeshtër det të madhe, në një stuhi marramendëse të çorganizuar, me grupe të reja, që ishin lodhur së qeni të mundura, nga ata pak, që bënin sikur s’ishin, Zjarrëngrënësi q’u mbante fijet, kish dikë tjetër që i lëvizte të tijat, pas tij një tjetër, e kështu me radhë. Aktorë teatri kukullash, ndërroheshin shpesh dhe u shpështilleshin fijet. E megjithatë dështuan, derën ua përplasur në fytyrë. S’i qasën.
Dërguan Djallushin Shumëngjyrësh (Arlecchin) dhe Pëllumbesheën e tij, dhe Pierron e trishtuar me lotin prej glicerine ngrirë prej në faqe, në farsën e tyre dhe s’kish arritur gjë. Shkelmin u kishin vënë, por jo të gjithëve.
Flitej se i udhëhiqte dikush, një me studime jashtë, por nga rrëmuja dhe mungesa e një linje të vetme mendimi, edhe kjo, përjashtohej. Protesta kish ngelur varur si zbukurim i grisur feste, mbi bulevardin dikur Stalin, midis Komitetit Qëndror dhe Kryeministrisë. Njerëzit, me të drejtë, ishin mërzitur me partitë, politikanët, mediat, qeverinë dhe më vetë KM. Dikur kish qenë entuziazmi i studentëve dhe ajo masë banorësh, që u ngrit të rrëzojnë një idhul brenda vetes, të cilët, në një farë mënyre, kishin fshehur kurvën Katovicë. Bolshevikët, shumicët, në këtë rast të veçantë të historisë, ishin shtrirë gjerësisht nga partia tej në popullsi. Në çdo shtresë të saj, madje dhe tek të përndjekurit politikë, disidentë, q’i kishin bërë të mendonin si ata. Revolucionin e bardhë, pardesybardhë, ta shihnin dhe përjetonin si të kuq, me barazi e lumturi për të gjithë njëlloj. Udhëheqësit, po ashtu, unikalë dhe të pa qarkullueshëm. Partinë si piramidë besnikërie, shpërblim sipas rankut dhe jo, siç hiqej, fole e mendimit të lirë. Sëprapthi!
Pushtetin politik u ngjiz me paranë dhe polli, si në Kinë, komunistë oligarkë. Rokfelerë të kuq, të masave punonjëse, që dhe më shumë u ishin zvjerdhur vdekëtarëve, me rrugaçërinë e pështirë parlamentare. Veza, si akt përbuzjeje dhe tallje, s’ndikoi aspak dhe as filloi një revoltë të re, në kohën jashtë kohës. S’ish tjetër vec gjest për vëmendje
Mandej, erdh Berisha! Ai q’e dinte më mirë se të gjithë, përvojë e gjallë, siç kuptonte rëndësinë, nuhaste, thuajse fare pranë asaj që mendonte Rama, se sido që të vente puna, dhe për rrezik, asgjë s’do t’i cënonte as farepak:
* Nëse u shuajtë, (e ç’pastaj!), asgjë, do të zgjatej dhe më tej status quo-ja, ashtu siç ishin, atje ku ishin, mirë ishin. Bënin para!
* Nëse ashtu, do mbetej e paktë, e brishtë, kaotike, në të fundit, do hiqte disa ministra, do mund të arrihej nje koalicion i ri, po midis tyre dhe përsëri, vende pune, privilegje para. Madje, plani i Edit për Lindën, kundër Erionit do të vihej në lëvizje dhe do dështonte. Bijtë në krye, po bijtë prapë. Para.
* Nëse fatmirësisht, zgjerohej në një lëvizje popullare, aq më lehtë do e merrnin fuqinë në dorë dhe studentët tanimë dytësorë do të zbrapseshin. Do rikthenin nga nevoja, ata. “Të bëhem edhe një herë nuse, pa di unë si nusëroj!”
Ndaj, për të dominuar si hero, (gjithë CV e kish të tillë: legjendar nga familja, bëmat stërgjyshore, të tijat, andej e këndej, shumë më i plotë se i Dyti, ndoshta se Bjeshkët e Namuna, lindnin burra e jo “çuna mami”, dhishqipe e jo flutura, që si trembte hupja, i duhej dhuna. Ndaj thirrja, e dy kuptimtë, me dy fraza të ndara e në dukje pa lidhje:
“… po ju jap fjalën e nderit, se shqiptarët do e hedhin zgjedhën e krimit me çdo çmim dhe kjo do të bëhet “dhëmb për dhëmb”.
Dukshëm kercënim gjaku, siç vijon dhe pas skërmitjes së dhëmbëve:
“Mos vazhdoni kështu, miratoni amendamentin, (ea tetëshin) ju jap fjalën e nderit që nuk do të jetë larg dita kur në rrugë dhe sheshe do të ushtojë, “o djem rrëmbeni armët, ja vdekje ja liri”.
Bukur! Patriotike! Gënjeshtër vjedhacake, se nuk thotë se në emër të kujt dhe për çfarë do i rrëmbejnë armët. Kuptohej për të, se në të fundit ai ishte legjitimi, i Pari Mbret i Demokracisë!
Studentët s’lëvizën! Thjesht thanë jo, dhe pse vetëm.
“Nëse largohemi nga dhuna, kjo s’bëhet për shkak të ndonjë nevoje morale, por sepse dhuna s’mundet ta ndryshojë qenien njerëzore”.
Jayaprakash Narayan.
II.
Nëse do ta konsideroja tradhti, sado pak, qoftë dhe me më të voglën arsye, do të thosha zë lartë, më dëgjon apo jo ndokush, se është. Dhe aq më tepër, se dhe nëse nga padija, mjaft për aq ç’ish e ndërgjegjëshme edhe për atë fare asgjë, qe s’mori guxim ta bëjë. Si Dyli i gjorë, po karrocë, qoftë dhe si për metaforë, që s’dinte se ku kërcisnin dhe shkonin pjesët e qeres së tij, s’vajtën as tinëzisht t’u afrohen. Frikacakë, pritën të bëhen bashkë, në një mejhane a në ndonjë zyrë rektorati, grup, që të mos kish asnjë rrezik cënimi, larg qoftë, t’asaj ç’kishin fituar me vjedhje, gënjeshtër dhe para. Në grup, ata që me gisht a me gur të dënonin kush s’ish me ta, pra, të tjerët. S’kish nevojë të nënkuptohej. Pas pesëmbëdhjetë ditësh të strukur, dolën të kryenin tradhëtinë e dyte të Pjetrit. Mohim i parë, braktisja. I dyti, tetëpikëshi, mungesa e udhrrëfimit, bash atëhere kur u duhej më shume. I treti, morrën përsëri, si nënpunës të përulur, skrivamnë, anen e atij, q’i paguan!
Mendoni miq, sikur e drejta e pamundur të kish zbritur në shesh. Pse gjithmonë e ndrojtur, ngaherë e vonuar, shpesh e harruar, kur mashtrimi i shkathët renga luan në çdo cep:
Lëvizja e studentëve, vërtetë ju rrogëtarë shpirtshplarë, do të kishte nevojë për më shumë së një tetëpikësh rreckë dhe as për një shëtitje fillikat në pyll, siç e latë! Prisnit ujkun t’ua hiqte qafe jetimin. Ku humbi ideja flamur, njeriu simbol, këmishëbardhë, ëngjëlli modern? Kaq i thellë qe mashtrimi, si Kali, sa thellë e fshihni, sa s’ja falni dot vetes!
Ku shkoi, vate humbi, n’erë korrupsioni, oligarkia, pellgëzimqelbëzimi, varfëria, drejtësia dhe më keq morali?
Pse o mendimtarë ideatorë, nuk ravijëzuat një udhë përpara tyre, veç u ankuat dhe qate, jo për të mjerët edërrthyer, por për vete? Prisnit të pyesnin die Partei? Ç’dogjët me urdhërin e saj?
Pse ju, më shumë se kushdo, grup anëtare, s’u rreshtuat si individe të lirë, në radhët e saj? Nëse thoni e thoni ta bëjmë bashkë, pretendoni kështu nga katedra?
Kë thërisni të rrembejnë armët e të vritet për ju, në emër të atdheut, që ju grabitët, të pafajshmit?
Zot ç’iu kanë bërë, ende kërthi!
Mos gënjeni veten me çka s’bëtë!
“Në qilaret e dhunës, përgatiten gjithmonë të vërteta të reja”.
Antoine de St. Exupéry
Se atëherë do jetë vonë!