Sotir ATHANASI: ‘KASANDRA SHPËTON, POR EDHE SHPËTOHET’
PARAMNEZI*
( E regjistruar në TOP CHANNEL për të kërkuar ndihmë )
Zëri i skafistit me tonin e një harbuti:
– Po mbytemi, ore! Po mby-te-mi!!!
Zëri tejet i dhimbshëm i njërit prej viktimave: – Babë! Po mbytna! Shpresojmë vetëm te Zoti që të na shpëtojë!
Dhe skafi me dyzetë vetë nuk iu gëzua urgjencës dhe alarmit që ngrijti në kupën e qiellit KANALI TV.
I vetmi i mbijetuar ishte njëzetëepesëvjeçari sirian i quajtur: KAHREMAN JASEMINI**) Ky, pasi kishte luftuar gjithë natën me egërsinë e Detit Jon si me një kuçedër, nga lodhja ishte çorientuar keqas ndonëse kishte qënë detar. Dhe si i tillë, qe kujdesur për trupin e tij të rrethohej nga brezi i shpëtimit të cilën iu desh t’a fryjë në mes të dallgëve.
Në mëngjes, vendosi të braktisë drejtimin e brigjeve italiane që i dukeshin se po notonte në Oqeanin Atllantik, dhe t’i drejtohet farit të ishullit Korfuz. Dhe ç’është më e pabesueshme, sa i përket pozicionit në det, ai qe tejet i çorientuar. Nga ana tjetër edhe pse dinte se si t’i raciononte energjitë për të mos i humbur, ato po e linin…megjithatë.
Gjithsesi, nga lufta që kishte fituar me dallgët i rritej pushteti mbi to. Në një farë mënyre KAHREMANI… duhet të ndjehej si trimi me fletë, siç edhe përkthehej emri i tij në shqip, si të kish pushtuar një kështjellë. Por, a i shërbente kjo fitore mbi ujin kur ky ende e kërcënonte, qoftë edhe me qesëndisjen e tij duke u tallur me shkumën e bardhë si jargë që tek-tuk i kujtonin tallazin e asaj nate tmerri? Nga ana tjetër, i dukej vetja si gamilja që mezi pret oazin për të freskuar fytin me ujë.
Kahremani besonte shumë në ALLAH. E ndjeu se qe në prag të lindjes së diellit dhe kaloi me mënd një lutje. Për fat të mirë, nuk zgjati shumë dhe horizonti, ca nga ca u përflak. Ai u bë dy herë trim me fletë, kur pa se lindi dielli. Lindi shpresa. Veçanërisht se: një termus bosh që, për detarin-KAHREMAN, ishte si e dërguar nga vetë ZOTI. Ose po të flasim me gjuhën e tij: “Allahu ia kishte kursyer jetën dhe Ai si shpërblim për këtë duhet, patjetër një pjesë të trupit të tij, t’ia blatonte: në mos shpëtimtarit, dikujt, për të cilin të shndërrohej në Jetëdhënës.
“Të betohem ALLAH se do t’a bëj. Do të dal në mbrojtje të jetës së kujtdo që kërkon ndihmë”, – kështu kishte dhënë një premtim përpara ZOTIT dhe kjo për ‘të ishte e shenjtë që duhet t’a respektonte.
Këto i shpuri nëpër mënd dhe iu kthye termusit që iu shfaq në det. Ai e dinte se ajo enë i kishte shërbyer një nëne për të qetësuar fëmijën e saj që s’reshte së kollituri në atë gomonen e vdekjes. . .
Eh, sa vlerë kishte në atë çast ajo enë në det, kur në horizont rrezet e diellit, krejt hapsirën ujore vetëm pas ca dekikash e kishin kthyer në një Tepsi të ndritëshme! Notari-sirian dinte plot histori shpëtimi në det nga një pjatë frutash që kishte dhënë sinjalin e kërkesës së ndihmës. Prandaj, ai e quante atë frut i mundësisë për shpëtimin e jetës. Besimi në refleksin e saj i shtonte forcat, energjitë, shpresat.
1.
Atë mëngjes herët në brigjet e Korfuzit një skaf privat, ishte marrë me urgjencë me qira. Ai po shëtiste atyre ujrave të qeta, si të mos kishin qënë ato që, për gjithë natën me ulërimat e tyre tërbuan jo vetëm detin, por plotësisht ishullin.
Drejt brigjeve, por edhe kundër tyre, tufa të shumta zogjsh, shkonin e vinin me klithmat e tyre: herë të kthjellët që ndillnin gëzim e shpresë dhe herë të çjerrë e lemeritës që sikur donin të njoftonin mënxyrrën e madhe, kobin, skëterrën. Por edhe ndëshkimin nga një veprim i udhëhequr vetëm nga dëshira për t’i shpëtuar një tjetër ferri skllavërues.
Skafisti profesionist i varkës, hoqi për një moment dylbitë nga sytë dhe iu drejtua çiftit Dentakopulos me një zë të ulët që të mos dëgjonte e bija e tyre:
– Këta zogj me të tilla klithma, tregojnë se: ëndërra e vogëlushes Maria, nuk është pa gjë.
Për çiftin Dentakopulos, kjo nuk ishte befasim. Vajza e tyre, vetëm pesë vjeçare, vitin e shkuar kishte parë në ëndërr se në gardhin e një kishe të braktisur, ishte lidhur një qen i cili, nga të pangrënët prej shumë ditësh, qe katandisur në skelet i gjallë dhe s’kishte fuqi as të lehte.
Të nesërmen, pa u gdhirë mirë, shkuan te vënd, më tepër për t’i plotësuar dëshirën vajzës dhe për t’a bindur atë se: ëndërra janë ëndërra dhe s’mund të dalin ashtu siç i shikojmë. Por ata, u gjunjëzuar përpara një të vërtete. Ashtu siç nuk donin t’a besonin se e gjetën ende të gjallë qenin e mjerë të cilit, i rikthyen jetën. Na ndodh jo rrallë që të befasohemi me fëmijët tanë e prej tyre. Kështu, deri atëhere vajza, kishte treguar në më shumë se dy a tri ëndërra, vërtetësinë e të cilave, prindërit i kishin quajtur përkime rastësore, ose aksidentale. Por, shembulli i këtij qeni, i vuri vulën. Mamaja e vogëlushes Maria, Marinela Dentakopulos, i kishte thënë të shoqit:
– Jorgo! Vajza jonë është një Kasandër. Ajo parandjen rastet e fatkeqësive. Kjo duhet vlerësuar dhe të shkojmë te ndonjë pediatër, a psikolog.
Por, siç na ndodh rëndom të gjithëve, tërheq rutina e ditës. Ata nuk kishin shkuar te asnjë pediatër e aq më pak psikolog. Marinela, mamaja e vogëlushes, qe mjaftuar me atë që të flinte në një krevat me të bijën. Natyrisht, jo për të parë të dya të njëjtën ëndërr.
Ja pra, në të gdhirë, të këtij mëngjesi vajza ishte zgjuar me të thirrura:
– Mama! Njerëzit në gomone pas ulërimave, janë mbytur. Vetëm njëri me çallmë në kokë dhe Termus në dorë, ka shpëtuar. Por do të mbytet se s’ka më fyqi. Të lutem mami! Eja të shkojmë t’a shpëtojmë. Të lutem! Zgjuaje babin!
Kur ia thanë të gjitha këto skafistit profesionist, ai qe përgjigjur:
– Ka shumë mundësi që vërtet dikush…
– Me çallmë? – e ndërpreu Jorgo Dentakopulos, si të kishte gjetur gjënë më të pakuptimtë e qesharake që çvlerësonte çdo llogjikë.
– Po, me çallmë që do të thotë muslyman, – kishte arsyetuar detari me përvojë.
– Dhe me Termus në dorë? – tha sërishJorgo, duke I mëshuar emërtimit Termus si të ishte fjala për Diogjenin me fener në mes të ditës, apo si të nxirrte nga mënga Asin në lojën e bixhozit.
– Po, miku im. Se duhet të ketë qënë detar fatkeqi…
Dhe s’e kishin mbaruar ende përsëritjen e këtij dialogu tashmë në det, kur Skafisti thirri me entuziazëm:
– Zoti Jorgo, vajza juaj ia ka shkuar Kasandrës!
Çifti Dentakopulos, pa njëri-tjetrin në sy. Marinela e përkëdheli vogëlushen MARIA.
– TERMUSI I ÇALLMËS, REFLEKTOI NË DYLBI. ËSHTË SHUMË LARG. POR NE DO T’A MBËRRIJMË SHPEJT. – tha plot gëzim e me gjithë shpirt skafisti. Se, nuk qe rasti i parë që shpëtonte sirjanë. Dhe i sigurtë në atë që bënte, i shtoi shpejtësinë mjetit. Barka me motor nisi të çante ujërat si një autoambulancë në asfalt.
Fatkeqi Kahreman, ngrijti edhe njëherë Termusin kur duheshin jo më shumë se njëqind metra dhe skafi mbërrijti në çastin që dora e tij ra mbi ujë. Termusi u shkëput dhe skafisti bërtiti :
– Panajia***)
Ca sekonda më vonë skafi mbërriti. Skafisti kërceu në det. Gomën e shpëtimit ia hodhi…fatkeqit i cili për fatin e tij të mirë, zgjati dorën mbi të. Kjo tregonte se ishte ende gjallë.
Me të shpëtuarin shkuan menjëherë në urgjencën e spitalit. Kahremani dinte anglisht. Ai falenderoj të gjithë për ndihmën dhe kërkoi me këmbëngulje të mësonte emrin e shpëtimtarit. Kur I thanë se ishte vogëlushja Mari që e kishte parë në ëndërr, ai kishte thirrur:
– Allah-Allah!!!
Dhe kur kishte këmbëngulur së kërkuari mbiemrin e familjes shpëtimtare, i thanë se ishte çifti Dentakopulos.
Siriani kishte përsëritur tri herë emrin: Dentakopulos.
Dhe pastaj kishte shtuar:
– Mos pafshin kurrë keq këta njerëz! Por, në rast se do të ketë ndonjëherë nevojë, kësaj familje I kam borxh një pjesë të trupit tim,
2.
Pesë vjet më vonë.
Ishin në paradhomën e repartit të NEFROLOGJISË.
Një çift: burrë, grua me vajzën dhjetë a njëmbëdhjetë vjeç, qëndronin në dy vëndet e stolit vetëm trendënjëse
Në vëndin-bosh të stolit, sepse fëmijën e ëma e mbante në prehër, pasi mori leje, u ul një arab me veshjen karakteristike të besimtarëve muslimanë. Ishte ajo rrobë tejet e pastër kur besimtarët shkojnë në xhami. Ai pati kujdes të përqëndrohej në drejtim të portës së sallës e cila qe kthyer në arenë ku: mbase jeta luftonte me vdekjen.
Ndërkaq, çifti me fëmijën në prehër, u ngrijt. Binte në sy pakënaqësia e tyre që ishin të detyruar ( për “kulturë” ) t’i jipnin lejë këtij njeriu TË NDRYSHËM nga ata. Një tjetër “luftë” kjo, jashtë salle. Midis. . .
Tjetri (I NDRYSHMI) la stolin dhe si u ngrijt, u largua në një cep, sërisht me front nga porta e sallës së operacionit. Si për t’i propozuar “arenës” PAQE.
Vajza herë pas here e drejtonte vështrimin nga…I NDRYSHMI. Madje në një çast donte t’i fliste të atit për të, por s’guxonte.
Kirurgu kishte hyrë në operacion që prej dy orësh dhe ende nuk po dilte. Më në fund, porta u hap. Dikush la sallën dhe u shfaq:
– Pas pak mjeku kirurg do të dali dhe të njoftojë për TRANSPLANTIN.
Se thamë: ishin në paradhomën e repartit të NEFROLOGJISË.
– Për ç’transplant e ka fjalën kjo zonjushë, kur këtu, mua nuk po më zënë sytë asgjë nga ato për të cilat folëm dje me kirurgun? – iu drejtua gruas në krah, burri, në intimitet, ku spikaste pakënaqësia. Mesadukej ishin çift.
Tjetra i përkëdheli fëmijës flokët dhe tha me gjysëm zëri:
– Nuk ke pse i vë në dyshim fjalët e doktorit.
Fëmija buzëqeshi dhe qesëndia e saj fliste më shumë se ajo nënqeshje e cila në mos qe tallje, shpotitje ajo ish. Gjë që tregonte se nuk e bënte për herë të parë këtë grimasë. Për vajzën ajo shprehte mbase dhimbje ndaj prindërve, të cilët nuk e kuptonin. Sidoqoftë, pas një a dy minutash, kirurgu bëri ballë si për të dëshmuar se vogëlushja kishte të drejtë:
– Shoh se ka ardhur familja Dentakopulos, – tha ai i qeshur.
Çifti pohoi me tundjen e kokës. Burrit nuk i qe larguar ende hija, ndonëse e lehtë e pakënaqësisë së përshtypjes së më parshme.
I NDRYSHMI u drodh sekondat e para për të buzëqeshur lehtë. Por doktori e kuptoi menjëherë gjëndjen e tij dhe ndërhyri:
– Këtu paska ardhur edhe zoti…Kahreman Jasemini***). E thashë mirë? – iu drejtua në anglisht doktori TË NDRYSHMIT.
Tjetri u shkri së qeshuri dhe iu përgjigj po në anglisht:- Famously!****)
Doktori iu drejtua po në anglisht çiftit grek Dentakopulos:
– Nuk e njihni zotin Kahreman që do të thotë: Trim me fletë në greqisht?
– Sigurisht që jo, – tha z.Dentakopulos në anglisht ku hija e kthyer tashmë në shqetësim, vërehej ende. Madje, ajo qe ngarkuar tashmë edhe me një pakuptimshmëri, të cilën ai e mendoi në anglisht: “non sens”, por që nuk e tha.
– Zoti Kahreman Jasemini, është njeriu që vullnetarisht do të japi veshkën e tij për vajzën tuaj.
Dhe shtoi në greqisht:
– Për këtë zotni, ishte edhe spjegimi im dje. Por mua, tani m’u desh të flas për personin konkret. Kahremani ka dëgjuar thirrjen tuaj në televizion dhe erdhi dhe më foli për gadishmërinë e tij, pasi u sigurua për mbiemrin Dentakopulos.
Çifti Dentakopulos nuk po u besonte syve. Vogëlushja MARIA ndërhyri:
– E njoh unë babi. E njoh unë, mami. Ky portret më doli mbrëmë në ëndërr dhe më tha se do të më jepte veshkën e tij.
Kahremani në harmoni me vogëlushen Maria, përforcoi:
– Unë I kam dhënë fjalën ALLAHUT se shpëtimtarëve të mi do t’u jap një pjesë të trupit tim në qoftëse do t’u nevojitet.
Vogëlushja MARIE, ndërhyri për të spjeguar:
– Babi! Zotria me emrin e bukur KahremanJasemin, është njeriu me Çallmë dheTermus, që e shpëtuam në Korfuz.
– Jorgo, – foli Marinela Dentakopulos! Të kam thënë se vajza jonë i ka ëndërrat parashikuese si KASANDRA. Dhe, ka nevojë për një psikolog.
– Mirë. Shkoni edhe te psikologu, po deshët. Por, Ajo për të cilën jam përgatitur unë sot, – tha doktori buzagaz, – është transplantimi i veshkës, të cilën do t’ia heqim zotrisë të quajtur Kahreman Jasemin me vullnetin e tij të lirë dhe do t’ia transplantojmë vajzës suaj zoti Dentakopulos.
Ky befasim, çiftin Dentakopulos e vendoste në pozicionin më të vështirë të jetës së tyre. Shprehja: “Nuk e deshën veten”, e kishte tepër të vështirë t’a mbartte e as të duronte atë vetëfyerje, gjë që e kuptoi “I ndryshmi”, ose Kahreman Jasemin. Këtij, si një Trimi me fletë, iu vetëngarua detyra t’i çlironte ish Shpëtimtarët e jetës së tij nga barra e turpit. Dhe e gjeti zgjidhjen duke e këmbyer ‘dramën’ e tyre të etikës me atë të problemit të vogëlushes, MARIE. Prandaj tha në greqisht:
– Doktor! Me duart tuaja të arta dhe me ndihmën e Zotit na fut në sallë mua dhe vajzën e Jetëdhënësve të mi, t’u hedh Gomën e shpëtimit në këtë Oqean të jetës. Se: Përsosja i takon vetëm Zotit. Kurse njerëzve u njihen virtytet e jo mospërsosja.
—————————————
*) Paramnezi = Përzierje e realitetit me trillin artistik
**) Kahreman Jasemin = TRIM me fletë.
***) Panajia = Shën Maria
****) Famously = Shkëqyeshëm