Lahuta, Eposi i Kreshnikëve dhe UNESCO sot
Po, ishte lajm i keq ky i tashmi për regjistrimin e nominimit të lahutës si pasuri serbe në UNESCO. Ndonëse ajo e ka vendin aty, në UNESCO, nuk është edhe pasuri vetëm e një populli. Vlerësuesit e projektit kanë vepruar edhe politikisht në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Jomateriale, ose kanë qenë të lajthitur, lidhur me lahutën ndërkulturore, por jo edhe me këngën serbe, ku u bë regjistrimi i nominimit të projektit “Të kënduarit me lahutë’’, paraqitur nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Lahuta nuk është instrument muzikor vetëm i serbëve. ’’Këndimi me lahutë, një instrument i thjeshtë me tela, është një art antik i këndimit të poemave epike heroike, të praktikuara për shekuj si një formë e kujtesës historike dhe e shprehjes së identitetit kulturor”, thuhet në dekl-ar¬atën e UNESCO-s. Pra, del se nuk ka të tjerë aty, kur flitet për “poemat epike heroike’’ dhe për ‘’identitetin kulturor’’. Ashtu nuk është, sepse janë disa popuj që sot e përdorin lahutën, me disa dallime nga njëra-tjetra. Lahuta, si vegël e vjetër kordofone me një tel, ka pasur përhapje në Evropë e jashtë Evropës. Dëshmi janë edhe emrat e saj në gjuhët e disa popujve evropianë dhe aziatikë. Por, meritore duhet të konsiderohet fjala e ekspertëve të veglave muzikore popullore.
Shqiptarët e përdorin lahutën në pesë shtete të Ballkanit: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni Perëndimore, si dhe në viset shqiptare në Serbi e në Mal të Zi, sidomos për shoqërimin e këngëve të Eposit të Kreshnikëve, kryevlerë e gjallë e krijimtarisë gojore shqiptare dhe evropiane.
Lahutën e kanë vlerësur edhe etnomuziklogët tanë të njohur, Ramadan Sokoli, Pirro Miso, Ferial Daja, Rexhep Munishi, Vasil Tole, Nikolla Skalldaferi (Nicola Scaldaferri), Spiro Shituni, Sokol Shupo, Albin Sadiku, epikologët Maksimilian Lamberc (Maximilian Lambertz), Mill¬men Peri (Milman Parry), Allbert Llord (Albert Lord), Ernest Koliqi, Qemal Haxhihasani, Anton Çetta, Veis Sejko, Enver Mehmeti, Dejvid Ellmer (David Elmer), Agron Xhagolli, Zeqirja Neziri, Shaban Sinani, Rigels Halili etj.
Te shqiptarët, nderimi për lahutën është i madh. Ekziston edhe kulti ndaj lahutës. Dhe, ajo zbukurohet me gdhendjen e figurave të njohura mitike nga periudha e Antikës, e kulteve ilire të gjarprit dhe të kokës së dhisë. Zbukurimimi i saj bëhet edhe me figura të njohura historike të periudhës së Mesjetës, me portretin e gdhendur të Gjergj Kastriotit, për të shtuar krenarinë e dëgjuesve të këngëve epike me bëmat e famshme të fitoreve të popullit shqiptar, para rreth gjashtë shekujsh, me Skënderbeun në krye. Ajo zbukurohet edhe me flamurin kombëtar, ose me portrete të figurave të shquara të dy shekujve të fundit, nga Rilindja e deri te UÇK-ja dhe Adem Jashari. Ajo e ka vendin më të rë¬ndësishëm në odën e bu¬rrave. Varej mbi oxhak dhe asgjë tjetër nuk varej mbi të.
Lahutarët tanë kanë kënduar edhe mbi dhjetë mijë vargje të kreshnikëve. Në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës ruhet fondi i dy lahutarëve të tillë rugovas, forma e kënduar dhe shkrimore, në vitet ’80 të shekullit të kaluar, Haxhi Meta-Nilaj dhe Isuf Selmani-Kuklecaj, që kishin në repertor mbi 10 mijë vargje. Lahutarë të mëdhenj ishin edhe Sokol Martini (Mërtur), Shaban Groshi (Rugovë) e Gjokë Nonaj (Lezhë). Hapave të tyre kanë vazhduar Isë Elezi-Lekëgjekaj (Rugovë), Rrok Prenkoçaj (Malësi e Madhe), Fehmi Rama-Nishefci (Gallap), Kadri Zymeri (Ka¬ra¬dak) etj. Fondi arkivor i këngëve të kreshnikëve, në Tiranë, Prishtinë, Harvard etj. është rreth 600 mijë vargje (1897-2016). Fatkeqësisht, vetëm në Prishtinë, në IAP, janë 27 vëllime të pa botuara (Fondi ZUN).
Interesim kanë treguar edhe studiuesit e Universitetit të Harvardit, që nga vitet ’30 të shekullit të kaluar, për lahutarët tanë të Sanxhakut të Pazarit, të Rugovës, të Plavës e të Gucisë, të Malësisë së Madhe, të Dukagjinit, të Nikajve e të Merturit, të Malësisë së Gjakovës, të Rrafshit të Dukagjinit etj. Për këto këngë janë shkruar disa disertacione doktoratash në Padovë, Columbia (Nju-Jork), Harvard (Kembrixh), Prishtinë, Tiranë, Varshavë etj. Nga Harvardi e deri në Pekin janë mbajtur ligjërata ose kumtesa për to. Janë shkruar qindra studime, e ndër to janë mbajtur mbi 200 kumtesa vetëm në tri ko¬n¬fe¬renca shkencore ndërkombëtare për këto këngë epike heroike legjendare, në krye me Gjeto Basho Mujin dhe Sokol Halil Agën: Tiranë (1983) dhe në Prishtinë ( 2010 e 2014).
Eposi i Kreshnikëve sot është është ndër të vetmet epose heroike të gjalla në epikën evropiane. Se këto këngë jetojnë, kur shumë epika të mëdha të Evropës janë shuar, kjo u dëshmua edhe me projektin tonë hulumtues shkencor E5, 2012-2016, në Ballkan, që solli 15 vëllime të reja të Eposit të Kreshnikëve në arkivin e fondit kombëtar, nga rreth 300 rapsodë e tregimtarë në pesë shtete të Ballkanit. Projekti u vlerësua nga Europa Nostra në Madrid, në maj 2016, me Mendim Special, në kategorinë hulumtim. Ky projekt është pjesë e dosjes për nominimin e këtyre këngëve në UNESCO, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Dosja qeveritare e kryer e Eposit të Kreshnikëve, në fillim të vitit 2013, e planifikuar më 2008 dhe e nisur më 2009 në Institutin Albanologjik të Prishtinës, u realizua nga ekipi i ekspertëve të Prishtinës dhe të Tiranës, akad. i asoc. prof. dr. Shaban Sinani, akad. prof. dr. Vasil Tole dhe prof. dr. Zymer Neziri (kryesues), por nuk u dorëzua në UNESCO, para afër 6 vjetësh. Dosja i ka të gjitha argumentet se Eposi i Kreshnikëve duhet te shpallet vlerë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, kurse institucionet tona duhet të punojnë bashkë edhe në projekte të tjera të trashëgimisë jomateriale për UNESCO, siç janë gjama e burrave, xhu-bleta, fustanella, disa veshje krahinore të Veriut e të Jugut, disa valle epike e lirike etj.
Dorëzimin qeveritar të Dosjes qeveritare të Eposit të Kreshnikëve duhej ta bënte Tirana, më 2013, me pëlqimin qeveritar të Prishtinës, por pëlqimin nuk e pati. Kosova as sot nuk e ka statusin e anëtarit në UNESCO, prandaj atje nuk shkon dot as tash me Tiranën së bashku. Por, as tash nuk është vonë që këtë ta bëjë Tirana, natyrisht, me pëlqimin qeveritar të Prishtinës, sepse Tiranës nuk bën t’i mohohet asesi kjo e drejtë, kur dihet fort mirë se është pasuri e përbashkët e kombit shqiptar.
Pra, nga ky lajm i keq për regjistrimin e lahutës në UNESCO si pasuri serbe e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, besoj shumë se ministritë tona të Kulturës në Tiranë e në Prishtinë dhe institucionet përkatëse tashmë kanë marrë edhe mësim të mirë./ylliria press/