Monumenti shpirtëror i shkrimtarit në kohën kur s’dinim të qanim
Minella Aleksi
Një student që kërkon të shkojë te monumenti i Poetit. Gjatë përçapjeve nëpër bulevard kupton se është fjala për një monument ndryshe, ndërtuar jo duarsh, ndërtuar shpirtërash në fantazinë e çdo lexuesi, ndryshe nga monumenti i Carit në sheshin qendror të qytetit.
Kështu fillon libri i “Sunduesve…” të I. Kadaresë. Raporti tiran – artist analizohet në të gjitha këndvështrimet e këtij mekanizmi mizor tepër kompleks.
Njerëzit kanë nevojën që bazuar në ligj të qeverisen nga Shteti. Civilizimi perëndimor dallohet nga ai i Lindjes në diçka esenciale: njeh dhe respekton liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Me brutalitet në komunizëm njerëzve këto të drejta u mohohen nga tirani dhe mekanizmi i tij shtetëror. Prandaj fatet e artistëve të mëdhenj në të gjitha vendet komuniste janë shëmbëlltyrë e njëra tjetrës. Filmi gjerman “Jeta e të tjerëve”, është dëshmia më e qartë.
Historia njerëzore nga fillimet e saj ka qenë dhe është e ngërthyer në këtë raport kaq kompleks me tronditje dhe drama të mëdha historike. Përse atakohet arti i madh nga regjimet totalitariste?
Në veprat e artit njerëzit i zbulojnë vetes dhe të tjerëve vizionin e brendshëm që i orienton si komb. Ky vizion artistik lejon që qytetërimet të ndërtohen dhe të përparojnë. Arti dhe artistët e mëdhenj sipas natyrës së tyre qëndrojnë jashtë populizmit. Çdo avancim në historinë njerëzore, çdo shpikje, çdo shkëndijë emancipuese vjen nga këta vetmitarë gjenialë, nga impulset e energjisë së tyre krijuese.
Arti është trashëgimia më e çmuar e një kombi dhe firma me të cilën nënshkruan një civilizim. Gjenitë e artit mbartin tendencën e “bezdisshme” për të zbuluar të vërtetën, dhe për mbijetesën e çdo diktature e vërteta është e patolerueshme.
Me veprën e tyre ata na zgjojnë nga keqtrajtimi, duke na bërë që të mendojmë dhe të fillojmë të pyesim, ata janë testuesit e cilësive dhe vlerave tona humane. Në përballjen tiran-artist duket që sa më diabolik tirani aq më fuqishëm reziston dhe kundërgodet vepra e artistit të madh. Reaksioni i tiranit nëpërmjet shtetit ngjall kundërreaksionin e artit të madh. Tirani përdor të gjitha format, herë me presion, herë me brutalitet, me lajkatime e me favore për ta tërhequr sunduesin e letërsisë në anën e vet.
Monumenti shpirtëror i poetit në hyrje të librit më solli në mend momentin historik të tranzicionit shqiptar kur At Zef Pllumi i kërkoi shkrimtarit Kadare që të pranonte detyrën e Presidentit të Republikës. Sot kur koha i ka precipituar shumë zhvillime historike e politike pasi kam lexuar “Sunduesit” e kuptoj sesa e pavend ka qenë kjo lutje qëllim mirë dhe sesa i kthjellët në kohë e emancipues ka qenë refuzimi i shkrimtarit. Në kalendarin e historisë shqiptare Koha kur shkrimtarit i kërkohej të pranonte detyrën e presidentit përkonte me kohën kur tashmë shkrimtari e kishte krijuar jo duarsh por shpirtërash monumentin e tij jo vetëm kudo ku jetonin shqiptarët por po aq edhe në horizontet e largëta të lexuesve të huaj në Europë e nëpër botë. Mendoj se me këtë lutje naive që u përsërit edhe nga kryeministri i sotëm E. Rama, shkrimtarit i kërkohej që të përmbyste, të kthente me kokën poshtë monumentin e tij shpirtëror. I kërkonin që nga sundues i letërsisë të kthehej në të kundërtin. Natyrisht e kanë menduar lehtë, nuk kanë arritur që të peshojnë thelbin e misionit historik e shoqëror të shkrimtarit.
Duke qenë në listën e Nobelit që prej vitit 1974 shkrimtarit Kadare i ra shorti që të përjetonte krusmën e shkrimtarit rus. Kadare në çdo hap të jetës krijuese ka jetuar me këtë krusmë. Askush nuk mund të dinte sesa thellë do të shkonte sonda e tij eksploruese dhe me sa monstruozitete mizore do të përballej përgjatë krijimtarisë artistike.
I kish rënë fati që të ishte dëshmitar i fushatës shkatërruese të shkrimtarit Pasternak. Njëlloj si sivëllai i tij në Moskë, shkrimtari u befasua kur në miting në Tiranë shikon në pankarta emrin e tij e fill pas kësaj nis të dëgjoj përherë e më qartë klithmat kundër tij. Njëlloj në të gjitha vendet komuniste shkrimtari provonte diçka tepër të rrallë, ku e zeza dhe e ndritshmja përziheshin si askund tjetër: dehja e rrëzimit. Kjo mbartëse e terrorit psikologjik këmbëngulshëm kërkonte “kujdes nga kujdesi për vrasjen e ndërgjegjes” që ndryshe do të thuhej “kujdes nga kujdesi për zbutjen e luftës së klasave”.
Lufta që pa mëshirë i shikonte dhe i kërkonte armiqtë e proletariatit në të gjitha nivelet dhe strukturën e shoqërisë. Motoja “gju më gju me popullin” ishte goditja degraduese që u imponohej artistëve jo më me të keqen por me të mirën. Shkrimtari Shollohov shihej në fotografi me veshje tradicionale, enthusiast, ndërsa sivëllai i tij dërgohej nga Tirana në kooperativë bujqësore për dënim dhe riedukim “gju më gju me popullin”.
Ingranazhin tjetër në mekanizmin diabolik të represionit e përbënte “spiunimi i sivëllezërve artistë”. Nuk ishte fjala thjeshtë për spiunimet ndërmjet shkrimtarëve. Ishte e gjithë shoqëria e molepsur. I biri që kallëzonte të atin, gjyshja nipin, ministri rrobaqepësin e vet, gruaja burrin. Burgosjet jo vetëm ndaj atyre që konsideroheshin armiq, por burgosja e grave, e fëmijëve, e të dashurave si mjet terrori dhe trysnie ndaj artistëve ishin kapja e tyre peng nga ingranazhi shkatërrues i tiranit.
Shkrimtari kishte një grishje për të shpjeguar Shqipërinë nën një ndriçim lotësh, jo si më parë nën dritën e arkivave të Vatikanit, ose të dokumenteve mesjetare, ose të ideve të Marksit, por puna ishte se “prej kohësh ne s’dinim të qanim”. Te ne kishte prej kohësh vetëm entusiazëm, vrull dhe britma proletarësh. Edhe varrimet e pjesëtarëve të familjeve mbylleshin me sloganin: “Të rrojë partia”. Jetës njëlloj si pemës tharja i shtrihej drejt rrënjëve. Artisti ndiente sytë e turmës që nuk i ndaheshin, një pjesë me urrejtje, një pjesë me përçmim, tek tuk me dhembshuri. Shfrynte me vete: shaj popull i egër, pa tru dhe aty për aty për habinë e tij ndjente vetimin e një misteri, ndjente nderimin e sëmurë ndaj tij. E kishte parë turmën të brohoriste, të qeshur vdekshëm nëpër mitingje festive dhe befas të shfaqej hijerëndë, hijekeq e kërcënues dhe shfrynte përsëri: shaj, shkumbëzo, një ditë do të më falënderosh, ndoshta, që ta dhashë këtë kënaqësi. Njëlloj kishte ndodhur me artistët e mëdhenj në gjithë historinë e njerëzimit.
Të gjitha tensionet, ankthet në netët pa gjumë, momentet e ndritshme të krijimit, dëshpërimet e zhgënjimet prej kolegëve, urrejtja nga smira, xhelozia dhe bukuria e lavdisë, etj., gjenden në libër si hallka të prekshme që përbëjnë zinxhirin e gjatë të jetës krijuese të shkrimtarit Kadare.
Mendoj se gjithçka që përbënte sekret në shpirtin e shkrimtarit, çdo eksperiencë e tij me diktaturën, çdo cilësi sipërore e mendjes së tij gjeniale është pasqyruar, ndoshta më mirë të thuash “çliruar përmbyllshëm ” në këtë libër në mënyrë dramatike, ashtu si realisht kanë ndodhur në jetë.
Ndaj mendimin se kjo vepër rrezaton art të madh ngaqë këtu proza mbështetet në mënyrë solide në dy elemente cilësorë: arkitektura vibruese dhe gjuha e përsosur.
Shkrimtari Kadare në këtë studim analitik me stilin e tij krejt të veçantë ka ndërtuar një arkitekturë brilante. Stili është elementi esencial i të shkruarit. Fraza është një linjë e gjallë fjalësh ku logjika dhe lirika e fjalës shkrihen te njëra tjetra. Ritmi i tregimit, shtrirja e tij nëpër faqet e librit sipas një skeme ku thëniet dhe kundërthëniet, dyshimet dhe të vërtetat, diabolizmi tiranik përballë humanizmit, ruajnë një dinamikë me densitet të lartë, janë thelbi i mekanizmit që ka përcaktuar pulsin, shtyrjen përpara të lëndës artistike, tensionin emocional që të mban frymën deri në faqen e fundit.
Shprehen shkurt në mënyrën më të qartë gjëra të komplikuara. Në këtë libër, mendimi dhe vendosja e tij jashtë në gjuhë përbën një kualitet mjeshtëror të rrallë. Mënyra e shprehjes përbën substancën e stilit, fjalët e duhura në vendet e duhura. Fjalitë janë të qarta dhe të pastra si një kockë, Mendoj se kësaj analize eseistike i përshtatet mjaft mirë thënia e shkrimtarit rus Sergei Dovlatov mbi kualitetet e prozës sipërore: “Të limitosh prozatorin njëlloj si rima limiton poetin, dmth të ndërtosh fjalinë në mënyrë skrupuloze që të mos ketë dy fjalë që të fillojnë me të njëjtën gërmë”. Harmonia midis arkitekturës dhe gjuhës ka një përsosje që të kujton si rrallë përsosjen e linjave në pikturat e Rafaelos.
Të shprehurit me këtë gjuhe si te “Sunduesit” nuk do të mund të krijonte këtë harmoni në arkitekturën e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, apo “Prilli i thyer”, etj.. Për të arritur harmoninë e përsosur nuk mjafton vetëm talenti që të ndihmon për të bërë me lehtësi atë që për të tjerët është shumë e vështirë; kërkohet potenciali artistik i krijuesit gjenial.
Kur e mbaron së lexuari “Sunduesin” të krijohet përshtypja që shkrimtari ka pasur një projekt, të bëjë testin e kapacitetit të gjuhës që shkruan, të eksperimentojë edhe një herë të fundit duke e vendosur gjuhën shqipe në “bankën e provës” për testin e përsosjes së saj, Njëlloj si mjeshtrat e mëdhenj të instrumenteve muzikorë, njëlloj si piktorët gjenialë, vazhdon që nga fillimet e krijimtarisë së tij të eksperimentojë për të kapur majën më të lartë të fuqisë shprehëse të gjuhës shqipe. Te “Sunduesit” autori i ka shtrirë kualitetet e saj shprehëse, kuptimore dhe artistike deri në kufijtë ku arti dhe shkenca gjuhësore bëhen “Një”. Kjo vepër e dëshmon shumë qartë se gjuha shqipe në zotërim të magjistarit Kadare qëndron denjësisht krahas gjuhëve të mëdha..
Janë disa autorë të huaj që kanë shkruar histori dhe romane mbi raportet tiran-artist, raporte shumë komplekse, jo rrallë të pazbërthyeshme që historia njerëzore i ka përshkruar që nga fillimet e saj e në vazhdim. Lexuesit dhe studiuesit që tashmë janë njohur me librat: “Diktatori dhe artisti” të shkrimtarit Norman Manea, “Unë u martova me një komunist” të shkrimtarit Philip Roth, “Shostakoviç dhe Stalini” të Solomon Volkov, etj., me librin “Kur Sunduesit grinden” të shkrimtarit Ismail Kadare, do kenë mundësinë që të njohin një studim ese krejt të veçantë, me arkitekturë e gjuhë të mrekullueshme, ku spikat vezulluese krusma e kryqit të shkrimtarit që vjen nga brenda tiranisë komuniste.