AKADEMI PËRKUJTIMORE ME RASTIN E 75-VJETORIT TË KONFERENCËS SË BUJANIT…
Ibrahim Hajdarmataj
Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit, organizata e Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, në bashkëpunim me organizatën e Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, organizuan Akademi Përkujtimore, në vitin jubilar të 550-vjetorit të kalimit në amshim, të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Aktiviteti filloi me vendosjen e kurorës me lule tek varri i Sali Man Mulosmani në Bujan, nga Z.Afrim Deva, sekretari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Gjakovës me kolegun e tij të Tropojës, Z.Zeqir Hasanapapaj. Ndërsa tek Kulla e Sali Man Mulosmanit u vendos kurorë me lule nga Kryetari i Veteranëve të LANÇ-it të Gjakovës, Z.Skender Hoxha me kolegun e tij te Tropojës, Z.Rexhep Shpati. Në varrezat e Dëshmorëve të LANÇ-it të Tropojës, u vendosën kurora me lule nga Kryetari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, Z.Zija Mulhaxhaj dhe Kryetari i komunës së Rahovecit, Z.Smajl Latifi. Në qytetin e Bajram Currit u vendosën kurora me lule tek lapidari i luftëtarit Asim Vokshi, nga anëtari i kryesisë së LANÇ-it të Kosovës, Z.Shefqet Vokshi dhe intelektuali tropojan Sherif Mulosmani. Po në qendër të qytetit, u vendosën kurora me lule tek monumenti i Bajram Currit, nga kryetari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, Z.Zija Mulhaxhaj dhe kryetari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Z. Rexhep Shpati. Pjesëmarrësit e shumtë bënë fotografi të rastit. Pastaj pjesëmarrësit ndoqën me vemendje Akademinë Përkujtimore me rastin e 75-vjetorit të mbajtjes së Konferencës së Bujanit, në Pallatin e Kulturës “ Dardania “ në qytetin e Bajram Currit.
FJALA E PREFEKTIT TË QARKUT TË KUKËSIT
Z.ZENEL KUÇANA
– “ Konferenca e Bujanit mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së kombit shqiptar.
Këtu u perçua zëri i Kosovës, e drejta për t’iu bashkuar tokës mëmë e kurrsesi si pjesë e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene më vonë ish-Jugosllavia.
Bujani si krejt Malësia e Gjakovës tashmë ishte histori, vazhdim i traditës shekullore të burrave të Kuvendit dhe trimave të paepur.
Largpamësia e burrave të Malësise së Gjakovës e rrafshit të Dukagjinit dhe krejt Kosovës, qëndron në hartimin e Rezolutës së kësaj Konference që i’u dërgua Aleatëve Anglo-Amerikanë si dhe fuqive të tjera të kohës që kishte emërues të përbashkët :
Rezoluta e Konferencës së Bujanit mbetet gur themeli dhe në të njëjtën kohë, mbetet ëndërr e cdo shqiptari.
Kjo rezolutë u bë referencë shkencore për të gjithë ata miq të mëdhenj britanik, amerikanë etj. që mbrojtën cështjen e Kosovës në simpoziumet më të larta botërore, në Oxford apo në Harvard, apo në qendra të tjera të botës.
Duhet theksuar se Konferenca e Bujanit dhe Rezoluta e saj, u shfuqizua në Gusht të vitit 1945 në Konferencën e Prizrenit, ku të pranishmit, kësaj radhe shumë komunistë serbë e malazezë, me shumicë, votuan një rezolutë tjetër, e cila parashihte që Kosova të mbetej nën Serbi, ashtu sikur kishte qenë nën Jugosllavinë e Versajës.
Por pikërisht kur Kosova ishte nën flakët e luftës së fundit, Konferenca e Bujanit dhe rezoluta e saj, ishin nje argument më shumë, politik dhe juridik për ndërhyrjen e Aleancës Euro-Atlantike ndaj trupave gjakatare të Milloshevicit në Kosovë.
Vitet kalojnë e shumë gjëra ndryshojnë në historinë e popujve, shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare janë realizuar, por asnjë ngjarje sado e madhe që mund te jetë, nuk mund të retushojë apo deformojë magjinë e kësaj konference, historike në llojin e saj, pasi ishte thjesht pasqyrimi i një ëndrre që jeton edhe sot tek çdo shqiptar.
Koha, shqiptarët, po ashtu edhe miqt e tyre, po punojnë që rezoluta e Konferencës së Bujanit të bëhet realitet, bashkimin për shqiptarët ndoshta, në Bashkimin Evropian.
Misioni i Konferencës së Bujanit, vazhdon “.
Në fund Prefekti i Qarkut të Kukësit, Z.Zenel Kuçana, solli përshëndetjen e ngrohtë e vëllazërore të Qeverisë Shqiptare dhe personalisht të Kryetarit të Qeverisë, Z.Edi Rama, drejtuar Malësisë së Gjakovës, për Konferencën e Bujanit.
Me duartrokitje të vazhdueshme u percoll fjala e Kryetarit të organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, Z.Zija Mulhaxhaj, i cili bëri lidhjen vëllazërore të Kosovës me Shqiperinë Amë, si dhe mikpritjen, bujarinë, fisnikerinë që treguan vëllezërit tanë në Shqipëri për ne kosovarët gjate luftës…
Ndërsa Prof.Dr.Akademik Jusuf Bajraktari, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës referoi :
“KONFERENCA E BUJANIT – MËSIM PËR HISTORINË “
Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit.
Akademiku ndër të tjera tha :
“Në 75-vjetorin e kësaj ngjarjeje madhore, duhet pohuar se me gjithë mohimet, ndëshkimet dhe paradigmat politike, që janë bërë në të kaluarën, Konferenca e Bujanit, ka mbijetuar. Sa më shumë kanë kaluar vitet, ajo ka arritur të konfirmohet si një vlerë e përgjithshme që lindi në kohën e duhur, u mbajt në vendin e duhur, u miratua me pajtimin e të gjithëve nga përfaqesues të duhur, me prezencën e misionit anglez si misionarë të Bllokut Antifashist – fitimtarë të Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht për këto vlera dhe forcën e saj mobilizuese, jo vetëm në Kosovë, Konferenca e Bujanit meriton afirmimin dhe respektin e institucioneve të shqiptarëve kudo që janë. Mbështetur në burimet e kohës, mund të konstatohet se me 31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar1944, në Kullën e patriotit Sali Mani në Bujan të Krasniqes, në Malësinë e Gjakovës zhvilloi punimet me sukses të plotë, Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Aty në prezencën e 49 delegatëve përfaqësues të viseve të Kosovës, prej të cilëve 43 ishin shqiptarë dhe 6 prej tyre serb e malazez, u zhvilluan diskutime e debate të vlefshme dhe u miratuan dokumente të rëndësishme për punën e mëtejshme në terren. Në mbështetje të dokumentit me emrat e nënshkruesve ose firmëtarëve të Konferencës, shihet se ishin personalitete me përgjegjësi ushtarake si dhe me autoritet në mjediset prej nga vinin, si Fadil Hoxha – komandant i aradheve partizane, Mehmet Hoxha – prefekt, Zekirja Rexha – profesor i filozofisë, Hajdar Dushi – drejtor banke, Xhevdet Doda – drejtor shkolle, Rifat Berisha – prefekt dhe oficer, Bije dhe Xhafer Vokshi – të familjes së njohur patriotike Vokshi nga Gjakova, ndërsa nga Malësia e Gjakovës, Shkodra dhe Tirana vinin Tefik Çanga, Din Bajraktari, Mehmet e Jah Mulosmani, Veli e Maxhun Nimani ( Doçi ), Beqir Ndou, Shaban Haxhia, Avdyl Kerim Ibrahimi, vëllai i kryetarit të KMKK-së – Hoxhë Kadri Prishtina, e të tjerë, shumica e tyre me Akademi Ushtarake ose studentë të dalluar të asaj kohe. Po ashtu nga Plava e Gucia, merrnin pjesë Zymer Halili, Mehmet Dermani, Sadik Bekteshi e Bejto Shamani. Në anën tjetër, merrte pjesë edhe Pavle Joviqeviqi, sekretar politik i PKJ-së për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Të gjithë këta delegatë, përfaqësonin zona të rëndësishme për shtrirjen e Lëvizjes Antifashiste.
Padyshim se dokumenti më i rëndesishëm është Rezoluta, e cila bën fjalë për të drejtën e patjetërsueshme për vetvendosje. Aty pa ekuivoke thuhej :
“ Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht nje krahinë e banueme me shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipnin…” Kjo ishte pjesa, që me të drejte e mori primatin e vëmendjes së opinionit të gjerë.
Në Konferencë u shtruan për zgjidhje dy çështje fondamentale:
e para, formimi i Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, i cili do identifikohej me individualitetin e subjektivitetit politik-shtetëror të Kosovës dhe
e dyta, do të ishte zgjidhja e çështjes kombëtare për të ardhmen e shqiptarëve, gjë që paraqitet si risi për kohën në flakën e luftës”.
Në këtë Akademi Përkujtimore përshëndeti edhe nënkryetari i bashkisë Tropojë, Z.Astrit Margjeka, veprimtari, Z.Zenel Vidrica, intelektuali tropojan Z.Lirim Mulosmani, sekretari i organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Z.Zeqir Hasanpapaj dhe kryetari i organizatës se Veteranëve të LANÇ-it të Tropojës, Z.Rexhep Shpati, i cili lexoi përshëndetjen e kryetarit të organizatës së Veteranëve të LANÇ-it të Shqipërisë, Z.Rrustem Peçi me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Bujanit.
Në fund të kësaj Akademie Përkujtimore, anëtaret e pallatit të Kulturës “ Dardania” të qytetit Bajram Curri, dhanë një koncert të pasur artistik, me këngë e valle karakteristike të Malësisë së Gjakovës.
Jehona e Konferencës së Bujanit edhe pas 75 vjetëve, është në zemër e në mendje të shqiptarëve.