Bedri BLLOSHMI: Revolta e Qafëbarit dhe terrori komunist, 1943-1990 (7)
Përpara arkivoleve
Sot mbas 27 vjetësh, pas një hidhërimi të pa përshkruar me një dhimbje, që s’do të shërohet kurrë, për familjarët, dashamirët dhe ne bashkëvuajtësit, gëzojmë vetëm se ju gjetëm, atje ku ju groposi dora gjakatare, duke zhdukur çdo shenjë që mund të tregonte se ku ju morën jetën. Ju tani do të keni, jo gropën e errët të hapur prej Sigurimit, por një varr tuajin. Po varroseni me të gjitha nderimet e duhura, duke lënë pas guximin dhe lavdinë. Tani familjarët do ta kenë më të lehtë që t’ju qajnë me ligjet e vdekjes dhe t’ju kujtojnë duke ndezur qirinj sa herë të duan e ta dojë rasti.
Juve e ndjetë vdekjen, por nuk e ndjetë frikën. Juve patët të njëjtin përfundim me Govenin (personazhi i romanit “Viti .93” i Hygoit), por me një ndryshim shumë të madh. Goveni ecte lirisht. Ai s’kishte litar apo hekura as në duar e as në këmbë. Ecte krenar drejt gijotinës, për të futur kokën nën tehun e ftohtë të thikës. Ai vazhdoi dhe ky vend është një kodër!
Juve, kur iu zbritën nga makina shtatë vendëshe, të rrethuar nga pushkatarët ecët nëpër errësirë lidhur me duar mbrapa, me zinxhirë në këmbë, me kapuç në kokë të mbajtur prej krahësh nga sigurimsat e të shtrënguar fort sepse ua kishin frikën se ua njihnin guximin. Nga pas iu vinte skuadra e vdekjes me fytyra të maskuara, të tjerë civilë vinin pas duke iu mbajtur me anën e një litari. Nata ndërkohë po nxirrte në pah një dritë lavdie.
Unë nuk kam qenë kurrë në fushën e radio-antenës në Kuç të rrethuar me tela me gjemba, përveç rastit kur po kërkonim eshtrat tuaja. Këto që tregova i thotë plani i masave i hartuar enkas për atë natë mizore të 8 qershorit 1984. Unë di shumë gjëra për ju, por kaq janë mjaftueshëm për këtu dhe fjalën e rastit.
Këta dy shpirtra vëllezër tragjikë fluturuan në përjetësi bashkë me dritën dhe guximin e tyre, bashkë në tokë, bashkë në qiell.
Besoj se tani e kam përmbushur detyrimin tim moral.
Pushofshi në paqe e ju qoftë i lehtë dheu ju heronjve!
Qoftë lëvdue Jezu Krishti!
Lamtumirë miq! Tani dhe ne jemi të qetë!
Bashkëvuajtësi dhe miku juaj, Bedri Blloshmi
GROPOSJE TË TJERA NË PËRRUA
Nën terrorin dhe dhunën e përditshme, në këtë ferr në galeritë e thella, lanë kockat disa të dënuar. Ky terror mori përmasa më të tmerrshme pas revoltës në lidhje me ne të dënuarit. Me kushte çnjerëzore në galeritë e thella ku uji rridhte fillim e mbarim, nën prezencën e drurit e të torturave, dilnin vagonët e minerali të bakrit dhe të piritit nga duart e këmbët e gjakosura e me çizmet e çara të njomura në ujë, nën kërcitjen e zorrëve dhe dhimbja e stomakut nga që ishte bosh, ne punonim të heshtur pa asnjë shpresë se një ditë do t’i shpëtonim këtij llahtari nga dhuna komuniste. Çdo turn që futeshim në galeri, polici na shpërndante duke ulëritur: “Askush të mos mendojë se mund të dalë jashtë pa nxjerr vagonët me mineral!”. Sapo futeshim brenda nëpër fronte të punës, shikonim mineralin e hedhur nga plasja, që kishte bërë turni para ardhës dhe nën mjegullën e helmit dhe erës së dinamitit, fillonim të mbushnim vagonët, të realizonim normën patjetër. Kur nuk kishte material në frontin e punës çdo kush futej nëpër fronte të ndaluara pa marrë parasysh rrezikun se mund të lije kokën brenda. Nën këtë presion e këto kushte plotësonim vagonët e kërkuar. Nuk kishte rrugë tjetër, o të mbeteshe në barkun e nëntokës o t’i drejtoheshe ushtarit që qëndronte në karakoll me automatik në dorë për t’i dhënë fund jetës sonë. Secili ishte në dilemë se çfarë të zgjidhte për t’i shpëtuar dhunës çnjerëzore: plumbin apo tonelatat e dheut e të mbetej nën rrënjët e pishave shekullore, nën tunelet e errëta të gërmadhave vdekjeprurëse të Qaf Barit.
Nën këto kushte në Qaf Bari filluan të hapeshin gropat e para të të vrarëve. I pari që u vra më 7 tetor 1983 në galerinë 90/1, në fund të planit të pjerrët (i cili ishte nën tokë) në galerinë 64, ishte Fejzulla Çepi nga rrethi i Librazhdit, i dënuar me 25 vjet heqje lirie. Unë pata fatin të isha në ditën e groposjes të Fejzullait ngaqë i bëra presion brigadierit të dënuar se po të mos ndërhynte në komandë, që të merrja pjesë dhe unë në varrim, do ta vrisja në galeri. Brigadieri e takoi Mond Cajën dhe ia kishte thënë arsyen e takimit. Mondi e kishte kundërshtuar, u fut brenda në kamp dhe mua më thirrën në zyrën teknike.
“- Hë, – më tha, – ke kërkuar të shkosh për ta varrosur të dënuarin e vrarë?
– Po, – iu përgjigja, – jemi nga një anë dhe dua t’i hedh një grusht dhè.
Pasi më lidhën duart mbrapa, dy policë më mbanin për krahu dhe dolëm përpara arkivolit që e mbanin disa të dënuar të tjerë. Përpara kortezhit ecte me kapelën mbi sy Mondi i cili bënte muhabet me policët që e shoqëronin. Gati 500 apo 600 metra larg rrethimit të kampit, për nga rruga që të zbret për në Fushë Arrëz, në të djathtë është një përrua i thatë. U ngjitëm me shumë vështirësi deri në brendësi të pyllit. Gropa ishte hapur një ditë më parë. Mbasi e mbuluan arkivolin me dhè të zi nga rrënjët e pishave, një nga policët nguli një tabelë prej hekuri të shkruar me saldim nr. 1. Pra ja, nga e dimë se kush u vra i pari. Dhe sot e kësaj dite, kockat e Fejzulla Çepit treten në rrënjët e pishave të larta në Qaf Bari, në një pllajë në anën e një përroi.
I dyti, i varrosur pranë gropës së parë, është Agim Murat Agaraj, vdekur më 24.10.1983, nga Vlora. Agimi ndërroi jetë nga reaksioni i një peniciline që i bëri mjeku, një “specialist” kafshësh i cili nuk arriti dot të bënte kundëreaksionin.
Mbas revoltës së 22 majit të cilën jam munduar ta përshkruaj ashtu si e pashë me sytë e mi, ngjarjet tragjike ndoqën njëra-tjetrën.
Ka qenë 3 korriku 1984. I gjithë kampi vazhdonte të ishte nën valën e terrorit e të dhunës më të egër. Të dënuarit torturoheshin e rriheshin pa asnjë shkak e detyroheshin të qëndronin në galeri të pa ngrënë dy ose tre turne që të realizonin normën operative. Më 3 korrik u shemb galeria 70/40 në të cilën punonin të dënuarit Ilmi Çoçka nga Kolonja dhe Dilaver Hysi nga Vlora. Nivelisti dha alarmin se galeria ishte shembur e kishte zënë brenda anëtarët e grupit ku punonte. Vajtëm me vrap shumë të dënuar. Punuam me tre turne rresht pa pushim duke hequr mineralin me vagonë. Më në fund arritëm tek vagoni i shtypur nga pesha e gurëve e mineralit të shembur. Në krahë të vagonit, 2-3 metra larg, gjetëm njërin, të shtrirë e të dërmuar me lopatë në dorë të shtypur nga pesha e malit. E njohëm edhe pse fytyra i ishte dëmtuar krejtësisht. Ky ishte Ilmi Izet Çoçka, i internuar në Shtyllas të Fierit. E futën në një thes, ashtu të dërmuar copa-copa, e çuam në kamp dhe e vendosëm në morgun e infermierisë. Më 5 korrik, në mëngjes, Mondi u fut në kamp si zakonisht në prezencën e shumë policëve njëri nga të cilët lexoi një listë me emra ku ishte edhe emri im. Ishim 12 persona. Polici urdhëroi: “Kush dëgjoi emrin të shkojë në zyrën teknike!”.
Të gjithë të heshtur, të frikësuar, kokë ulur e duke u dridhur, u futëm brenda në zyrën teknike. Pasi hëngrëm disa shqelma e grushte, Mondi, i cili dukej se ishte argëtuar, u ul në tavolinë dhe i bëri policit shenjë me kokë, që do të thoshte “Mjaft!”. Polici ulëriti, duke fshirë me kurrizin e dorës djersët: “Ju do të transferoheni! Shkoni merrni plaçkat personale në depo!”.
Na hipën në një ZIS, na lidhën njëri me tjetrin e na prangosën, duke na fiksuar në 2-3 vende në spondin e makinës. Mondi hipi në makinë, kontrolloi të gjithë kyçet e prangave dhe ulëriti: “Nisuni se u bë vonë!”.
Kështu ne ikëm, duke e lënë Dilaverin nën peshën e tonelatave të malit, në barkun e asaj humnere. Sipas raportit të hartuar nga komanda, Dilaveri është nxjerrë i shtypur nga shkëmbinjtë më datë 7 korrik 1984 dhe është groposur në përroin e thatë, pranë të varrosurve të tjerë, por terrori dhe egërsia pas pushkatimit të Sokol Sokolit e Tom Ndojës e dënimeve të të tjerëve me burg shtesë, nuk kishte të sosur. Galeritë vazhdonin të merrnin jetë njerëzish.
Një tjetër i groposur nën rrënjët e pishave, atje në parcelën e hapur enkas për “armiqtë e partisë”, ishte Hariz Hysen Braho nga një fshat i rrethit të Korçës. Harizi, djaloshi i rritur në ambientet e një fshati, punëtor, i pa fjalë, i komunikueshëm me të burgosurit e tjerë edhe pse ishte në burg buzëqeshja nuk i mungonte. “Buzëqeshje në burg!?” Kjo nuk mund të ekzistonte në ambientin ku jetoje nën grykët e kallashit, 5-6 rrethime me tela me gjemba dhe torturat e tjera që ta shtonin pesimizmin. Gjendeshim çdo ditë nën peshën e torturave dhe shfrytëzimin skllavërues ku jeta na shkiste nën këmbë, duke humbur shpresën se një ditë do të merrnim frymë lirisht. E megjithatë Harizi shpresonte si ne të tjerët. Ai pothuaj e kishte mbushur kohën e dënimit. Ishte në muajin e fundit. Në kampin e shfrytëzimit të punës, në minierë, ishte bërë si traditë, që muajin e fundit nuk të nxirrnin në galeri pasi mund të ndodhte ndonjë aksident. Harizi i kishte kërkuar komandës (zyrës teknike) që të punonte dhe atë muaj për dy arsye: e para, fitoje dy ditë për t’u liruar më parë dhe e dyta, fitoje dhe ushqimin e nëntokës, pra mbushje barkun me më shumë bukë. Po të mos punoje, të jepnin ushqimin e papunësisë, pra 600 gram bukë. Harizi doli në punë dhe e caktuan në një nënkat për të bërë nivelin me vagonë (transport minerali brenda në galeri). Tremozha u bllokua (vendi ku hidhej minerali nga një lartësi tjetër). Harizi njoftoi ata që hidhnin mineralin nga sipër se ishte bllokuar tremozha. Për ta zhbllokuar atë, duhej të futej brenda dhe të thyente gurin që e kishte bllokuar. Sapo Harizi u fut brenda për ta zhbllokuar, dikush nga sipër hodhi një vagon me gurë minerali. Harizi u bë copë e thërrime. Ky ishte fundi tragjik i Hariz Brahos. Edhe ky u gropos në krahë të të vrarëve të tjerë që pa dyshim u kalbën dalëngadalë në pllajën e mbuluar me borë e në errësirën e përjetshme nën ulërimën e ujqërve e derrave të uritur të shkretëtirës.
Por e keqja apo ferri Qaf Bari kërkonte vazhdimisht gjak. Tmerret vazhdonin. Galeria qëndronte natë e ditë gojëhapur e donte ushqimin e saj se ishte mësuar me mish e gjak njeriu që vazhdonte t’i merrte. E kishte radhën një tjetër i dënuar, Pandi Vasil Sterio nga qyteti i Korçës, që do t’i shtonte gropat në përrua. Pandi Sterio u vra më datë 29 mars 1986. Thonë se i hodhën një vagon mbi shpinë për t’u bërë copa-copa. Edhe ky i dënuar ishte afër lirimit, por e vranë. Gjëma vazhdonte. Pas Pandit radha i erdhi të dënuarit Sefedin Ramazan Pula nga Fushë Kruja i cili u vra më 7 maj 1986. Arsyen për vdekjen e Sefedinit nuk munda ta mësoj, por jam i sigurt se edhe ky “fle” pranë të vrarëve të tjerë, atje buzë përroit, që në dimër vjen plot ujë të mbledhur nga majat e larta të maleve kushedi se nga ku për rënë mbi gropat e njerëzve të pa fat, duke i shkrirë dalëngadalë kockat e tyre.
I fundit, që plotëson nr. 8 në këtë gropë të mallkuar e cila gjendet në mesin e dy përrenjve, atje ku bashkohen dhe formojnë germën “V”, është Ndue Mihal Deda nga qyteti i Shkodrës, u vra më 3 tetor 1989. Edhe arsyen e vdekjes së Ndues munda ta mësoj, vetëm se emrat i kam gjetur në proces verbalin e mbajtur enkas për të vrarët, që ka të bashkëlidhur hartën e groposjes. Natyrisht që vend-groposjen unë e di. Kam qenë disa herë me shokët e mi të kalvarit komunist, madje kam dhe një fotografi të cilën e kam bërë nën hijen e pishave, nën diellin përvëlues të atij ferri. Ne, një grup ish të burgosurish kemi shkuar disa herë për të kujtuar ditën e përgjakshme të dhunës të pashembullt nën regjimin gjakatar të terroristëve të kuq.
Shqipëria gjatë këtyre 45 viteve numëron shumë drama e tragjedi të luajtura në kurrizin e mijëra familjeve shqiptare, që vuajtën dhe u sakrifikuan, duke derdhur gjakun e tyre për këtë copë Shqipëri. Mirëpo faktet tregojnë se kush e do vendin e tij, kush urren si pushtuesin ashtu edhe komunizmin, ishin të destinuar të shkatërroheshin në mënyrë sistematike dhe të flijoheshin kush e di se ku. Mijëra shqiptarë sot janë pa varre.
Më poshtë, të dashur lexues, do të kemi listën emërore të të vrarëve dhe vend-groposjen e tyre. Po ashtu do t’iu faktoj si dha shpirt oficeri nga Tropoja, Sandër Sokoli. Do t’iu tregoj raportin mjeko-ligjor me emra e mbiemra dhe si paraqitet kjo vdekje. Raporti është i tëri fiktiv, megjithatë lexojeni dhe arsyetoni në është real apo jo?! Në listën emërore të atyre të dënuarve që janë vrarë në minierën e Qaf Barit, Sandër Sokoli është rreshtuar i dytë. Kjo nuk është e vërtetë sepse siç e faktuam edhe më sipër i pari, që është vrarë në galeritë e errëta, është Fezulla Çepi dhe i dyti, është Agim Agaraj nga Vlora. Ja pra, edhe mjekët vrasin. Po, po, vrasin. Jam i sigurt se këtyre lloj mjekëve, që me majën e lapsit në dorën e cila iu dridhej, mbuluan e varrosëm të vërtetën, u shfaqen çdo natë fantazmat e të vrarëve. Besoj se këta mjekë nuk harruan t’u tregonin bashkëshorteve të tyre kur shkonin në shtrat të bënin dashuri se kishin firmosur një vdekje të dytë dhe të rreme, duke e fshehur të vërtetën. Kjo gënjeshtër, ky mbulim i një krimi ka për t’i rënduar gjithë jetën sado kohë që të kalojë. Hija dhe rënkimi i tyre para grahmave të fundit nuk do t’u ndahet as në botën e përtejme. Sado pak ndërgjegje të kenë, ajo s’ka për t’i lënë të qetë as në varr, për të mos thënë se koha hakmerret edhe pse këta mjekë komunistë nuk besojnë. Këta mjekë janë më kriminelë se ata që bënin pjesë në skuadrën e pushkatimit.
Vrasja në burgun e Burrelit në vitin 1967
Në vitin 1967 në burgun e Burrelit, mes shumë të burgosurve të tjerë, vuante dënimin edhe një i burgosur i quajtur Sazan Haderi. I ndjeri Sazan ishte në burgun e Laçit më përpara. Nga atje, si çdo i burgosur mendonte me çdo mënyrë të fitonte lirinë dhe, mendonte nga mëngjesi deri në mbrëmje si të arratisej e të dilte nga telat me gjemba e të shpëtonte nga kthetrat e terroristëve të kuq.
Pasi e kapën nga arratisja e burgut të Laçit e ridënuan dhe e mbyllën në burgun e Burrelit. Nga Burreli nuk kishte asnjë mundësi për t’u arratisur sepse ishe në kyç. Vetëm haleja ishte pa kyç dhe pa derë për arsye se ne hynim atje për të kryer nevojat personale e polici rrinte te dera duke zënë hundën me dorë e duke thirrur: “Hajde shpejt, shpejt, mos u vononi!”. Por dhe në këtë vend skëterrë Sazani bashkë me boksierin e njohur Dhori Gërnjoti dhe Adem Allçi gjeti mundësinë për t’u arratisur. U ngjit i pari në tarracën e burgut dhe ushtari që bënte roje me kallash në dorë e griu me të gjithë plumbat që kishte karikatori. Dhori Gërnjoti u plagos dhe mbasi e kapën atë dhe Adem Allçin ua shtuan dënimin me nga 25 vjet burg. Sazani i vetëdijshëm që do të vritej, kishte shkruar një letër për vajzën e tij dhe ia kishte dhënë një shoku të burgut. Unë arrita ta gjej këtë letër dhe bashkë me fotografitë e burgut (në të është edhe emri i prokurorit) ku tregohet Sazani i shtrirë, i vrarë, po i botoj.
Revolta e Spaçit më 21 maj 1973
Më 21 maj 1973 në Spaç të Mirditës shpërtheu revolta e të burgosurit politikë. Aty u ngrit flamuri pa yll i cili u valvit për tri ditë rresht. Katër persona u torturuan, më pas u pushkatuan e shumë të tjerë u arrestuan dhe morën dënime të rënda me shtesë burgu dhe u mbyllën në burgun e Burrelit. Ja dhe emrat e atyre që u pushkatuan dhe akoma sot e kësaj dite nuk dihet se ku janë groposur nga vrasësit e sigurimit:
- Dervish Bejko, 24 vjeç, nga Pogradeci;
- Hajri Pashaj, 32 vjeç, nga Tepelena;
- Pal Zefi, 30 vjeç, nga Durrësi;
- Skënder Daja, 21 vjeç, nga Fieri.
Në Spaç, pas pushkatimit të katër të burgosurve, terrori, dhuna, torturat dhe frika e futur midis të dënuarve vazhdonte edhe në kohën që vajta unë si i dënuar në fund të vitit 1977. Aty u njoha me shumë të dënuar, por në veçanti më tërhoqi njëri, Xhelal Koprëncka, nga Skrapari i cili kishte bërë shumë vite burg. Ishte shumë energjik, kurajoz, burrë me karakter. Në vitin 1979 Xhelali i shkroi një letër udhëheqjes komuniste të asaj kohe dhe më tregoi pak a shumë përmbajtjen e letrës që kishte dërguar. Ai më këshilloi të mos rrinim shumë bashkë duke bërë xhiro dhe biseda në kamp dhe të sillesha pak më butë me komandën, të mos flisja aq hapur e të mos kundërshtoja në atë mënyrë siç veproja unë. “Ti Bedri, duhet të kesh kujdes” më thoshte Xhelali “se vëllanë dhe kushëririn t’i vranë, ti vetë je dënuar një herë me pushkatim kështu që, duhet të kesh kujdes, duaje veten. Të gjithë ne, me shpresë jetojmë, mos u mërzit se një ditë do dalim nga këtu!” Një ditë na mblodhën në fushën sipër kapanonit dhe përballë nesh qëndronin kryetari i degës, prokurorë e civilë të tjerë. Prokurori shqiptoi: “Xhelal Koprëncka në emër të popullit arrestohesh!”. Xhelali, me kurajë e krenari dhe pa iu dridhur qerpiku u përgjigj pa u vonuar: “Jo në emër të popullit, por në emër të armiqve të popullit.”. Pas ca kohësh e nxorën në gjyq dhe e dënuan me 10 vjet burg të tjera. Siç duket udhëheqja ishte e pakënaqur, e donte të vdekur Xhelalin. Atëherë, Sigurimi iu vu punës dhe krijoi një “grup nacionalist” të burgosurish dhe Xhelalin e caktuan kryetar grupi. I nxorën në gjyq formalisht e Xhelalin e dënuan më pushkatim dhe e pushkatuan. Sot e kësaj dite Xhelal Koprëncka është groposur nga Sigurimi pa e ditur askush nga familjarët, miqtë apo. Prokurori dhe skuadra e pushkatimit heshtin! Xhelal Koprëncka është pa varr e askush nga vrasësit, që akoma vazhdojnë të jenë në pushtet, të fuqishëm e shumë të pasur, nuk do të tregojë. Askush nga pushtetarët apo organet kompetente nuk ka dëshirën e mirë që t’i detyrojë me ligj e t’i shtrëngojë që të tregojnë për groposjen e tyre.
Po të njëjtin fat patën edhe dy të pushkatuarit e tjerë, Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani. Të dy kishin bërë shumë vite burg. Edhe këta i dërguan një letër udhëheqjes. Fillimisht u dënuan me nga 10 vjet burg, por udhëheqja edhe këta të dy i donte të vdekur. Sajuan një grup të quajtur “revizionist” dhe e plotësuan me disa të dënuar të tjerë, aq sa u duheshin për grupin. Të ashtuquajtur anëtarë të këtij grupi u dënuan me shtesë në vite burgu ndërsa Fadili me Vangjelin nuk dihet se ku janë groposur. Edhe këta, si Xhelal Koprëncka, janë pa varr. Qarkullojnë shumë fjalë se ata janë pushkatuar të tre bashkë dhe janë groposur në Krrabë, përgjatë rrugës së Elbasanit. Po në vitin 1979 u arratis nga burgu, për të tretën herë, Ahmet Hoxha nga Tepelena bashkë me dy shokët e tij. Edhe ata i kapën dhe i nxorën në gjyq. Ahmetin e dënuan me vdekje, me pushkatim, ndërsa dy të tjerët me shtesë burgu. Se ku është pushkatuar e groposur Ahmet Hoxha nuk e di askush. Pra, edhe Ahmet Hoxha është pa varr sot e kësaj dite.
Në Spaç numërohen me dhjetëra vrasje të të dënuarve. Në galeri futeshim në kushtet më çnjerëzore në hapësirat jashtë sigurimit teknik të detyruar nga torturat për të mbushur vagonët. Aty shembej mali e duheshin me ditë të tëra pune me tre turne për të nxjerrë kufomën që kishte zënë mali brenda. Kishte raste, që punonim me javë të tëra me tre turne për të hequr mineralin e shembur që të nxirrej i vrari. Në këto raste policia e kishte në majë të gjuhës dhe shprehej: “Një armik më pak! Kush ua ka fajin që futeni në hapësirat në frontet e të cilave është e ndaluar të punosh.”. Jo rrallë vriste dhe ushtari nga karakolli. Për këtë shërbim ai shpërblehej me 15 ditë leje pranë familjes.
Unë përmenda rastet më të veçanta që ndodhnin në minierën e ferrit të Spaçit. Atje pothuajse çdo ditë kishte ngjarje të dhunshme dhe askush nga komanda nuk shqetësohej për këto humbje në jetë njerëzish. Shqetësim për komandën përbënte vetëm kur nuk realizohej plani (numri i vagonëve me mineral) ose në ndonjë rast kur arratisej ndonjë i dënuar, duke ngritur në këmbë gjithë populli, çetat vullnetare, kooperativistët që rrinin natë e ditë jashtë me armë në dorë deri sa i dënuari të kapej.
Vrasje tjetër, që më ka mbetur e pashlyeshme në kujtesë, është ajo e Rexhep Gocit nga Tropoja, njeriut babaxhan që punonte shumë. Kërkonte dhe përpiqej jashtë çdo mundësie që të fitonte ndonjë lek. Sa herë më thoshte: “Bedri, ti të paktën je pa martuar s’ke detyrime, ndërsa unë i lashë fëmijët të vegjël, të zbathur e pa bukë. Kush do mendojë për ata veç meje?”.
Pasi vranë Mehmet Shehun, pjesa tjetër e udhëheqjes bëri një amnisti për të burgosurit politik. Rexhepin për 11 ditë nuk e zuri falja. Të nesërmen na dërguan në zonën e dytë se duhej pirit patjetër. Aty erdhi dhe Rexhepi që punonte si armator në galeri. Vajti të merrte trupat aty pranë galerisë kur papritur filloi ulërima e automatikut që s’pushonte së vjelli tym e flakë nga gryka. Rexhepi u shtri në shpinë dhe fjalët mezi i dilnin nga goja e mbushur me gjak: “Po ç’pate që më vrare more ushtar? M’i le fëmijët jetim, janë të vegjël! Kush do t’iu shpjerë për të ngrënë Ç’pate…”.
Trifon Xhagjika,poeti i pushkatuar në vitin 1963
Trifon Xhagjika lindi në vitin 1932 në fshatin Zagori (Gjirokastër). Pasi kreu studimet e larta shërbeu në ushtri. Më vitin 1963 u arrestua me disa të tjerë. Kur e nxorën në gjyq fjala e tij e fundit ishte: “ Më jepni një top të qëlloj sistemin!”. U pushkatua po në vitin 1963 dhe sot e kësaj dite nuk është gjetur se ku e groposi sigurimi famëkeq. Trifon Xhagjika është pa varr! Ai është tretur pa e ditur askush nga të interesuarit. Ata që e vranë, sot shëllehen nëpër kolltuqet e zyrave që u ka siguruar sistemi i sotëm neokomunist. Askush nuk merr mundimin t’i shtrëngojë këta vrasës që të tregojnë.
Ja dhe një nga poezitë e Trifon Xhagjikës:
Ndihmomëni të qesh!
Nuk mundem
Nuk mundem
Nuk mundem
E pashë atdheun lakuriq
(vetëm pa miq e pa shokë)
Mundohej të këpuste një degë dafine
Nga lavdija e shekujve.
Atdheun e dija të rritur!
Porsa i vogël qënka!
Asnjë degë nuk e këpuste dot.
E mora për dore
Ta rrit në zëmrën time,
Vëllezër
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj,
Atdheu është lakuriq.
Vazhdon pushkatimi i poetëve
Genc Bardho (Feim) Leka
Genc Bardho (Feim) Leka lindi më 23 mars 1941 në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Ai ishte djali i vetëm i Bardho Lekës i cili pati edhe dy vajza. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Në vitet 1959-1962 studioi Shkollën Pedagogjike në Elbasan si nxënës i jashtëm. Në vitet 1962-1966 punoi si mësues në zonat e thella të Librazhdit. Në vitin 1950 babai i Gencit, Bardho Leka, u arratis në Jugosllavi dhe në vitin 1968 vdiq në Prizren. Në vitin 1966 Genc Leka u pushua nga puna, duke e larguar një herë përgjithmonë nga arsimi. Shërbimin e detyruar ushtarak e kreu në vitet 1967-1968 në brigadë pune në Sopot të Librazhdit dhe në Cërrik. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak punoi në fermë dhe në ndërmarrjen pyjore ku bënte vetëm punë krahu. Në vitin 1962 Genc Leka u martua me Zhulietën dhe pati dy fëmijë, Petrikën dhe Eglantinën. Zhuljeta Rodhe ishte nga qyteti i Korçës. Ajo vinte nga një familje e pasur dhe nacionaliste. Babai i saj ka qenë deputet në kohën e mbretërisë. Pas vitit 1944, ai si të gjithë nacionalistët e tjerë u burgos dhe vdiq në burgun e Burrelit.
Në 31 gusht të vitit 1976 Genc Leka u arrestua nga sistemi diktatorial dhe pas 11 muajsh torturash në hetuesinë e Librazhdit, u akuzua për “sabotim, agjitacion e propagandë” bazuar në akuzat e sajuara dhe më 13 qershor 1977 u dënua me vdekje (pushkatim). Më 17 korrik 1977 së bashku me kushëririn e tij Vilson Blloshmi, që ishte dënuar për të njëjtën akuzë si Genci, u pushkatuan në të njëjtin vend në mesin e natës në vendin e quajtur “Përroi i Firarit”.
Vepra e plotë e Gencit përmban poezi, studime etnografike dhe gjurmimet në fjalë e shprehje të rralla. Poezitë janë marrë nga Arkivi I Ministrisë së Punëve të Brendshme. Sigurimi i Shtetit nga krijimtaria e Genc Lekës “zgjodhi” poezinë “Oxhaku” dhe e çoi për ekspertim. Ekspertizën e kësaj poezie e bëri bashkëpunëtorja e sigurimit, redaktorja e gazetës “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve, Diana Çuli. Babai i saj, Jorgo Çuli, ka hyrë në Sigurimin e Shtetit në vitin 1950 dhe nga viti 1974-1982 ka qenë shef i hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pra thirrja e Dianës në Ministrinë e Brendshme nuk ka qenë e rastësishme, por e zgjedhur nga Sigurimi që ta bënte punën sipas porosisë. Dhe Diana e zbërtheu rresht për rresht poezinë e Gencit. Ja poezia dhe ekspertiza:
OXHAKu[1]
Bora mbulon tokën e gjërë,
Dhe natyra duket në gjumë;
Ky oxhak e dogj një pyll të tërë,
Ky oxhak ka parë ngjarje shumë!…
Dhe kur shpesh fryn era dimërore,
I kujtohen këngë partizane,
Miq… biseda… gjurma… flokëbore,
Gjithçka që mbeti kësaj ane!
Ndaj oxhaku tymin nxjerr përpjetë,
Si një plak që qetë pi duhan…
Në mendime bije nëpër netë;
Dhe në shpirt diçka të shtrenjtë mban…
E sa gjurmë mbetën kësaj ane
(E sa miq ka pritur ky oxhak…)
Këtu rodhën këngë partizane
Diku rrodhën disa pika gjak!…
Bora prapë mbulon tokën e gjërë,
Prapë natyra duket si në gjumë;
Ky oxhak që dogj një pyll të tërë,
Është i thjeshtë, por ka parë shumë!…
Krimi vazhdon. Një tjetër poet vritet, Vilson Sami Blloshmi
Vilson Blloshmi lindi më 18 mars 1948 në Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Shkollën 7 vjeçare e mbaroi në fshatin Bërzeshtë ku dalloi si një nxënës i shkëlqyer kështu që familja vendosi ta dërgonte në Elbasan ku edhe mbaroi shkollën pedagogjike.
Për arsye të biografisë Vilsonit nuk mund t’i jepej bursë për të vazhduar shkollën. Ai e filloi pedagogjiken si nxënës i jashtëm. Rrinte te një mik i largët i familjes e cila e paguante këtë mik për të gjitha detyrimet që i duheshin për mbajtjen e Vilsonit.
Në vitin 1963 i arrestuan babain, Samiun. Vilsoni erdhi në shtëpi shumë i mërzitur dhe i tha xhaxhait, Bukurshit, se do ta linte shkollën ngaqë nuk donte t’i bëhej barrë familjes. “Do vi të punoj me ju në Stravaj” e mbylli bisedën Vilsoni. Xhaxhai, Bukuroshi, i mërzitur nga burgosja e vëllait tjetër e nga hallet që sa vinin e shtoheshin, i tha se duhet të vazhdonte shkollën dhe se detyra e tij ishte të mësonte dhe vetëm të mësonte, por Vilsoni këmbëngulte në vendimin e tij. Atëherë xhaxhai e urdhëroi të kthehej në shkollë.
Vilsoni në vitin 1966 mbaroi shkollën pedagogjike, u diplomua dhe pas kësaj u paraqit disa herë në Drejtorinë Arsimore të rrethit të Librazhdit, por ata nuk e morën parasysh asnjëherë diplomën e tij. Kjo diplomë mbeti një copë letër pa asnjë lloj vlere. Meqenëse Blloshmët nuk ishin anëtarë të kooperativës (sepse kulakët nuk i pranonin) Vilsoni u detyrua të punonte në Stravaj ku bëri vetëm punë krahu.
Në dhjetorin e vitit 1968 e thirrën për të bërë shërbimin ushtarak të cilin e kreu në Tale të rrethit të Lezhës në brigadë pune. Atje ai njohu një prift i cili e ndihmoi të studionte gjuhët e huaja dhe i dha një mori librash. Meqenëse në maj të vitit 1968 Blloshmët u lejuan të futeshin në kooperativë, Vilsoni pasi mbaroi kryerjen e shërbimit të detyruar ushtarak në vitin 1970, filloi edhe ai punë në kooperativë. Punët që kryente Vilsoni ishin nga më të rëndomtat: kafshar, roje, bari lopësh dhe punë krahu në bujqësi. Gjatë periudhës së dimrit kur bënte roje në malin e Turjes dhe në mes të borës miqtë e tij të vetëm ishin libri, ariu dhe ujqërit.
Në vitin 1975 e hoqën nga miniera e Përrenjasit ku punonte 1500 m nën tokë dhe e çuan të punonte sërish në kooperativë. Në nëntor të po këtij viti Vilsoni u martua dhe më datë 9 shtator 1976 i lindi vajza të cilën e quajti Enrieta.
Më 5 gusht të vitit 1976 Vilsonin e arrestuan në Librazhd dhe e nisën menjëherë për në Tiranë. Pas një viti torturash si në hetuesinë e Tiranës dhe në atë të Librazhdit ku i gjymtuan dorën e majtë nga prangat të cilat nuk ia hiqnin gjatë 20 orëve. Më 6 qershor të vitit 1977 e nxorën në gjyqin formal pasi vendimi qe marrë me kohë nga Komiteti i Partisë. Pretenca u dha: dënim me vdekje (pushkatim)! Vendimi i gjyqit të 13 qershorit 1977, vendim i cili nuk ndryshoi as në seancën e Gjykatës së Lartë as edhe në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Kështu, më 17 korrik 1977 u zbatua urdhri i ministrit të Punëve të Brendshme i cili urdhëronte ekzekutimin e Vilson Blloshmit në orën 00. Në mesin e natës së kësaj date pushoi së rrahuri zemra e këtij 29 vjeçari.
Gjatë viteve 1966-1976 Vilsoni krijoi në shtëpi një bibliotekë të pasur me autorë të huaj, kryesisht francezë. Studionte ditë e natë pa e hequr nga samari i mushkës si librin ashtu edhe fletoren e tij të përkthimeve. Autorët e tij të preferuar ishin Viktor Hygo, Lukreci, Shatobriani, Lamartini, Edgar Alan Poe, Theofil Gutier, Rasini, Bodleri, Vërleni, Malarme, Pol Klodel, Artur rembo, Guliem Apoliner, Pol Eluard, veprat e të cilëve i përkthente nën dritën e kandilit e nën flakën e zjarrit në mes të borës kur bënte roje në pyllin e Turjes, kur punonte në sektorët e Holtës, Blacës, Lirasit.
Për të udhëtuar drejt Tiranës pasi linte punën nga nëntoka e minierës së Përrenjasit merrte trenin e mbrëmjes, duke udhëtuar kështu gjithë natën dhe po natën kthehej për në shtëpi i ngarkua me libra. Asnjeri nuk e dinte nëse kishte ndonjë mik ose shok në Tiranë, Elbasan e Korçë të cilët e ndihmonin të gjente këto libra.
Me ndërrimin e sistemeve filloi edhe rehabilitimi i figurave dhe personaliteteve të persekutuara nga sistemi diktatorial. Kështu në vitin 1994, ditën e rivarrimit presidenti i atëhershëm, z.Sali Berisha, i dha Vilson Blloshmit dekoratën “Martir i Demokracisë”. Në vitin 1995 një nga shkollat 9 vjeçare në Librazhd mori emrin “Vilson Blloshmi” dhe po këtë vit Vilsoni dekorohet “Mësues i Popullit”. Më 30 qershor 2006 nën kujdesin e Minisitrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ministrit të saj dhe deputetet i rrethit të Vlorës z.Bujar Leskaj dhe në prezencën e presidentit të republikës së asaj kohe z.Alfred Moisiu u përurua memoriali i dy poetëve martirë të domokracisë, Genc Leka e Vilson Blloshmi po më datën 30 qershor 2006 kryebashkiaku z.Shaqir Kuka i shpalli “Qytetarë Nderi” të rrethit të Librazhdit dhe po këtë vit u realizua dokumentari kushtuar këtyre dy poetëve me titull “Kur vriteshin poetët” me skenar të z.Sadik Bejko dhe regji të z.Namik Ajazi. Po këtë vit u kompozua edhe kënga kushtuar dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Në vitin 2008 po nën kujdesin e MTKRS-së u botua vepra e plotë e Vilsonit. Në janar tët vitit 2009 Vilson Blloshmi mori çmimin kombëtar “Lasgush Poradeci” si poeti më i mirë i vitit dhe në 14 dhjetor të po këtij viti në Akademinë e Shkencave u mbajt sesioni shkencor “Vepra Postum” kushtuar dy poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi. Në maj të vitit 2010 presidenti i republikës z.Bamir Topi i dorëzoi familjarëve të Vilson Blloshmit dekoratën “Nderi i Kombit”.
Vilson Blloshmi përveç krijimtarisë së tij poetike e cila numëron pothuaj 32 poezi nga të cilat ajo me titull “Saharaja” u dërgua për ekspertim nga Sigurimi i Shtetit. (Ja poezia dhe ekspertiza që u bë nga bashkëpunëtori i sigurimit Koçi Petriti.
SAHARAJA[2]
Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç‘ e saj e zezë s’ka ç‘të mbulojë.
As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.
Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne mallkohemi mes nesh.
E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.
Prandaj kur urrejtje e fortë e nxehur
Mbi dikë mallkon e shfryn e shan,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.
Kur mallkimi çfryn e kur kujtimi
Në pusin e harresës tret…
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.
25.10.1973 / 25.10.1974
Poeti në litar në vitin 1988, Havzi Nela (1934-1988
Havzi Nela lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz, të rrethit të Kukësit. Ai mbaroi shkollën fillore dhe të mesme. Qysh në shkollë të mesme u shfaqën kundërshtitë e tij të para ndaj padrejtësive të regjimit komunist. Me pas ai filloi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti Luigj Gurakuqi). Më pas ai arriti të përfundojë Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës me korrespondencë. Ai punoi si mësues në fshatra të ndryshme të tilla si Kruma, Lojma dhe Shishtaveci deri në vitin 1967, kur ai u transferua në Topojan. Topojani ishte vendi ku filluan ngjarjet më dramatike të poetit dhe familjes së tij. Havzi Nela, me gruan e tij Lavdie, marrin rrugën për të kaluar kufirin në Kosovë më 26 prill, 1967. Ndërsa kalonte vijën kufitare, ai shkroi në një copë letre, “Lamtumire, atdhe i dashtun, po të la, por zëmërplasun…” dhe e vendosi në degën e një peme lajthie që ta gjenin rojet e kufirit. Një fat më tragjik do ta ndjekë atë në Kosovë. Ushtarët jugosllavë i vunë prangat Havzi Nelës dhe së bashku me gruan e tij, i burgosën në burgun e Prizrenit. Me 6 maj 1967, jugosllavët kthyen Havziun dhe Lavdien në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të atdhetarëve shqiptarë nga Kosova. Më 22 maj 1967 Nela u dënua me 15 vjet burg ndërsa Lavdia me 10 vjet burg. Më 8 gusht 1975 ridënohet dhe i shtohen dhe 8 vjet burg. Më 19 dhjetor 1986 lirohet nga burgu. Më 12 tetor 1987 e internojnë në fshatin Arrën. Në datë 3 gusht e arrestojnë. Më 10 gusht 1988, ora 2, I hedhin litarin në qafë. E mbajnë të varur në mesin ne qytetit të Kukësit deri në orën 11 të ditës për ta parë populli. Me litarë në qafë e duar lidhur nga mbrapa e me këmbë të lidhura është vizituar edhe nga sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Kukësit Miti Nito.
Pas pretencës së prokurorit Nikollaq Helmi ku kërkohet varje në litar, i pyetur se ç’ka për të thëne, Havziu u përgjigj shkurt: “Nuk kërkoj asgjë nga gjykata, pretenca e prokurorit të zbatohet.”. Ndërkohë të njëjtin vendim kishte dhënë edhe Gjykata e Shkallës së Lartë që drejtohej nga Fehmi Abdiu, Fatmira Laskaj dhe Lili Robo apelimit në këtë gjykatë nga Havzi Nela.
Treshja e Kolegjit të Gjykatës së Lartë:
- Fehmi Abdiu
- Fatmira Laskaj
- Lili Robo
Ora 02 e datës 10 gusht 1988, ishte ora e tmerrshme që ndali zemrën e Havzi Nelës. Deri në orën 11.00 të 10 gushtit 1988 qëndroi i varur në sheshin pranë agjencisë së autobusëve.
- Prokurorë: Nikollaq Helmi
- Gjyqtar: Agim Hoxha
Grupi hetimor:
- Vangjel Canellari
- Kastriot Muço
- Aristidh Came
- Overatov: Islam Guri
Dosja 13532/1 dhe 13532/A të cilave iu referuam. Më datë 24/06/1988 fillon gjyqi i Havzi Nelës.
Hetuesia ka zgjatur vetëm 7 ditë. Në faqen 2 të dosjes 13532/ A “Për çështjen 60”, gjyqtari Agim Hoxha, shkruan dy ditë para gjykimit se “duke parë çështjen në kompleks, interesin e partisë në rreth si dhe përhapjen e veprimtarisë armiqësore në rrethin e Kukësit, duhet të jepet dënimi kapital. Që t’i shërbehet më mirë parandalimit të veprimtarisë armiqësore në rreth, duhet t’i jepet si mënyrë ekzekutimi: vendimi me vdekje e varje, ku mund të ekspozohet i dënuari.
Probleme organizative të gjykimit: “Çështja do të gjykohet në sallën e gjykatës, pasi nuk ka interes të bëhet para popullit të Topojan, i pandehuri, si armik i betuar, mund të agjitojë edhe në gjyq.
Agim Hoxha”.
Pas viteve ’90 u zhgropos nga vendi ku e kishte ngjeshur Sigurimi famëkeq i Shtetit. Poeti Havzi Nela u varros me të gjitha nderimet dhe u dekorua nga presidenti i republikës z.Bamir Topi me urdhrin “Nderi i Kombit”.
Poezi nga poeti Havzi Nela
I
Kur të mësoni se kam vdek
Kur të thoni ndjesë pastë
A e dini se çfar kam hjekë
Unë poeti zemër zjarrtë?
II
Kur të pyesni ku e kam vorrin?
Kur të kërkoni me ma gjetë
Thoni ai e urren mizorin
Thoni dheu s’ka me e tretë.
III
Thoni ai deshi jetën
Jeta n’vuajtje e dërrmoi
Thoni se ka mbrojtë të drejtën
Grusht tiranësh nuk duroi.
IV
Thoni dritën ai kërkoi
E vetë dritë nuk pa me sy
Thoni për njerëzit këndoi
E për vehte mbajti zi.
V
Thoni se e qërroi terri
Thoni Dielli nuk ngrohu
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha “Çohu”.
Terrori vazhdon
Terroristët komunistë në vitin 1945 e në vazhdim filluan hapur krimet në Shqipëri. Arrestimet bëheshin në ato familje që kishin qenë kundërshtare gjatë luftës civile. Megjithëse kishin bërë masakra në familjet nacionaliste qëllimi ishte që t’i shuanin fare pjesëtarët e familjeve të mbetur gjallë mbas luftës civile.
Arrestonin, grabisnin pasurinë, vrisnin pa gjyqe dhe me gjyqe që drejtoheshin nga injorantë barinj dhish apo mullaxhinj që dinin vetëm fjalën vdekje (pushkatim), grabitjen e pasurisë së tundshme dhe të patundshme. Ata që arrestoheshin të cilët nuk donin të vrisnin, i dënonin me burgim të përjetshëm dhe i linin të vdisnin nga torturat e tmerrshme qelive të nëndheshme. Ndërkohë hapën burgje në çdo pëllëmbë të Shqipërisë dhe i shfrytëzonin në maksimum të burgosurit. Në Vloçisht të Korçës me dhjetëra të burgosur i kanë mbytur në llucë. Vetë komandanti i kampit i shkelte me këmbë dhe i ngjishte në baltë të dënuarit duke i mbuluar me lopatë. Kur nuk dëgjoheshin më ulërimat, britmat e rënkimet e te dënuarve kuptohej se nuk kishte nevojë më për t’u hedhur llucë sipër. Shumë herë kur i burgosuri ngecte në llucë (baltë) kapteri vendoste një dërrasë mbi të burgosurin e shtrirë e mbi dërrasë kalonte karroca me llucë për ta çuar në një vend tjetër.
Uria ishte e pranishme, lodhja dhe stërmundimi nuk kishin kufi, të gjithë këta lusnin dhe thërrisnin vdekjen e cila ishte më mirë se të ishe gjallë. Po aty ekzistonte edhe një formë tjetër formë vrasjeje. Polici ia merrte lopatën të dënuarit dhe e godiste në shpinë ose ku të mundej derisa i dënuari shtrihej në llucë. Më pas e hidhte lopatën jashtë tabelave të lejuara dhe e urdhëronte, duke e sharë dhe fyer: “Shko merre lopatën dhe ishalla nuk e bën normën!”. I burgosuri tërhiqej zvarrë-zvarrë për të marrë lopatën, atëherë dëgjohej tërsëllëma e automatikut që e bënte shoshë me plumba.
Kur u duhej të pushkatonin një apo më shumë sajonin grupe për arratisje dhe vrisnin sa donin dhe kë donin. Në çdo burg apo kamp përdoreshin shumë forma për të vrarë të burgosurit politik. Terrori komunist nuk kishte të ndalur. Mendjet djallëzore punonin pa pushim. Për të zhdukur intelektualët, profesorët dhe inxhinierët e talentuar që kishin mbaruar studimet në perëndim, dhe konkretisht ne Vjenë të Austrisë, Itali e Zagreb të cilët punuan me mish e me shpirt atdhetari për tharjen e kënetës së Maliqit, gjetën formulën dhe i akuzuan për “SABOTIM” dhe agjenturë me SH.B.A-në. Nxituan dhe ngritën trekëmbëshat në fushën e Maliqit, aty ku kalon lumi i Devollit sot e kësaj dite e sa të jetë njerëzimi, falë projektimit e punës të këtyre inxhinierëve të talentuar e thanë kënetën. Aty u varën këta intelektualë, dy prej të cilëve iu kaluan në qafë lakun e ftohtë të litarit dhe fjala e tyre e fundit ishte: “Do të vijë dhe dita jonë!”. Ndërkohë u dëgjua ulërima e kallashnikovit të villte flakë dhe tym, duke marre jetën e 5 të tjerëve. Ja pra, ky ishte komunizmi dhe lakejt e shërbëtorët e tij që e përqafuan dhe nuk e ndalën derdhjen e gjakut për 45 vjet rresht, duke vrarë popullin e vet. Ky ishte komunizmi që predikonte “lumturi, barazi dhe lulëzim”. Dhe në realitetin e jetuar mbolli mjerimin, derdhi gjak pa hesap, hapi varre, krijoi lumenj lotësh dhe vuri me mijëra shami të zeza në kokat e mijëra nënave, la me mijëra djepe bosh e mbylli me mijëra dyer, thau mijëra gjokse nënash. Mbolli tmerrin e përjetshëm kjo piramidë famëkeqe e krimit. Dy ishin shtyllat kryesore të krimit komunist: komunistët, dallkaukë e injorantë dhe Sigurimi i Shtetit që së bashku i sollën tmerret këtij populli të shumëvuajtur e të telendisur që s’mbushi qoftë edhe një herë barkun me bukë për 45 vjet rresht, por e mbyti me gjak e mjerim.
Tmerr dhe gjak mbi klerikët
Tragjedia e priftërinjve, hoxhallarëve dhe e baballarëve filloi menjëherë sapo komunistët pushtuan vendin me ndihmën e jugosllavëve. Ashtu si me pjesën tjetër të popullit, kryesisht intelektualët, tregtarët e të gjithë ata që nuk e donin komunizmin, filloi lufta e pamëshirshme. Vranë, burgosën e internuan me mijëra familje, por më e intensifikuar lufta u bë në vitin 1967. Udhëheqja komuniste, në mbështetje të revolucionit Kinez, filloi një tjetër shkatërrim të vlerave kombëtare, atë të prishjes së kishave, xhamive, tyrbeve e të gjithë priftërinjtë, hoxhallarët e baballarët i shkuan në satër, i futën në burgje dhe i çuan në internime. Ja dhe emrat e klerikëve që u pushkatuan:
BEKTASHINJTE E PUSHKATUAR
- Sali Niazi Dede
- Baba Zylfo Turani
- Baba Qamil Gllava
- Baba Ali Tomorri
- Baba Shefqet Koshtani
- Bedri Cakrani
- Dervish Ali Kocia
VDEKUR NE BURG
- Baba Myrteza Kruja (Paja)
- Dede Kamber Prishta (Meçe)
- Baba Mehmet Zyka
- Baba Islam Leskoviku
TË BURGOSUR – TË INTERNUAR
- Baba Bajram Mahmutaj
- Baba Islam Jangolli
- Baba Hilmi Kurtesi
- Dede Ahmet Myftari
- Dede Reshat Bardhi
- Baba Hajro Progonati
- Baba Sherif Canametaj
MUSLIMANET E BURGOSUR
- Sheh Qerimi Delvines
- Sheh Ibrahim Karbunara
- Hafiz Ali Korça
- Hafiz Musa Dërguti
- Hafiz Ismet Dibra
- Hafiz Ibrahim Dalliu
- Hafiz Ali Kraja
- Hafiz Sherif Lëngu
- Hafiz Sabri Koçi
- Hafiz Bakalli
- Hafiz Myrtja
- Hafiz Muhamet Bektashi
- Hafiz M. Varoshi
- Sheh Ali Pazari
- Sheh Reiz Sinani
- Sheh Qazim Hoxha
- H. Adem Metalia
- Vexhi Buharaja
- Jonuz Buliqi
- Shaban Demiri
ORTODOKSE TE BURGOSUR
- Imzot Visarion Xhuvani
- At Gjergj Suli
- At Dhimitër Leka
- Imzot Kristo Bozdo
- Imzot Kristofor Kisi
- At Sifi Papamihali
- Imzot Irine Banushi
- Episkop Kozma Qirjo
Klerikët e pushkatuar nga komunistët
- Patër Gjon Fausti
- Patër Daniel Dajani
- Patër Gjon Shllaku
- Patër Anton Harapi
- Patër Bernard Llupi
- Patër Çiprian Nika
- Patër Leonard Tagaj
- Patër L. Mazreku
- Imzot Gjergj Volaj
- Imzot Frano Gjini
- Imzot Nikoll Noga
- Patër Mat Prendushi
- Dom Zef Bici
- Dom Mark Dushi
- Dom Engjell Kovaci
- Dom Ded Malaj
- Dom Luigj Pici
- Dom Luigj Prenushi
- Dom Lazër Shantoja
- Dom Anton Zogaj
- Dom Ndre Zadeja
- Dom Alafons Tracki
- Mons.Nikoll Deda
- Sem.Mark Çuni
VDEKUR NË BURGJE R TORTURA
- Patër Florian Berisha
- Patër Pal Dodaj
- Patër CIRIL ÇANI
- Patër Klement Miraj
- Patër Karlo Sereqi
- Patër Gasper Suma
- Patër Serafin Konda
- Imzot Vicenc Prenushi
- Imzot Gjergj Haberi
- Mons Jul Bonati
- Dom Kolec Prendushi
- Dom Jak Bushati
- Dom Anton Muzaj
- Dom Engjell Deda
- Dom Mark Hasi
- Dom Pjeter Gruda
- Dom Nikoll Gjini
- Dom Pjeter Noga
- Dom Lec Sahatcia
- Dom Pjetër Çuni
- Dom A. Sirdani
- Dom Mark Gjani
- Fratel Gjon Pantelia
- Dom Lazer Jubani
Disa nga burgjet në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë
- Vloçisht
- Nishavec
- Kalaja Gjirokastër
- Beden
- Gos e Vogël
- Ura Vajgurore
- Shtyllas
- Vlashuk
- Bulqizë
- Rinas
- Zadrimë
- Tërbuf
- Bubullimë
- Laç
- Ballsh
- Jubë
- Batër
- Martanesh
- Burrel
- Elbasan
- Krujë
- Kripore – Vlorë
- Sarandë
- Spaç
- Qaf bari
- Rubik
- Zejmen
- Tiranë
- Varibab
- Thumanë
- Kakavijë
- Tiranë – Pallatet Agimi
- Porto Palemro etj., etj.
Kërkoj ndjesë nëse kam harruar ndonjë prej emrave të burgjeve.
Në këto kampe shfarosëse të Shqipërisë Socialiste të bandës komuniste qeverisëse pati me mijëra viktima, me mijëra të pushkatuar, me mijëra të mbyllur në qelitë e errëta e të lagështa të cilët punonin në kampet e galerat shfarosëse që bëheshin gaverrno nga pleviti e keq ushqyerja. Qindra djem nënash kanë pësuar tronditje psikike nga torturat çnjerëzore nga kasapët e komunizmit duke i mbyllur në çmendinë me qëndrim të përhershëm. Ja dhe pak shifra të të pushkatuarve:
Të pushkatuar 6535 burra dhe 450 gra;
Të burgosur politikë 26 768 burra dhe 7367 gra;
Të çmendur dhe të mbyllur përjetësisht në çmendinë 308 e shumë më shumë se kjo shifër;
Të vdekur në burgje 1065.
Këtu nuk është shifra prej 22 500 martirë të luftës civile të vrarë nga terroristët komunistë.
——-
[1] Këto poezi të Genc Lekës, bashkë me ato të Vilson Blloshmit, janë nxjerrë të fotokopjuara prej Bedri Blloshmit nga dosja gjyqësore që ndodhet në arkivin e Ministrisë së Rendit Publik. Poezitë u morën nga policia gjatë bastisjes së shtëpisë së Genc Lekës në Bërzeshtë një ditë pas arrestimit të tij më 31 gusht 1976. Poezitë e Genc Lekës dhe të Vilson Blloshmit iu nënshtruan ekspertimeve letrare të politizuara dhe kanë shërbyer si material provë në mbështetje të akuzës për përmbysjen e pushtetit dhe të sabotimit në ekonomi, akuzë që ata i nxori para skuadrës së pushkatimit më 17 korrik 1977. Renditja e librit dhe shënimet janë tonat (S.B.).
[2] Është e vetmja poezi e daktilografuar prej hetuesisë. Dorëshkrimin nuk e njohim.
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.