Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e artikujve të Kadaresë dhe Berishës në komunizëm

Dashnor Kaloçi

Dokumenti që po botojmë paraqet mjaft interes, pasi ai hedh dritë e ndriçon më së miri jo vetëm pozitën e raportet e shkrimtarit Ismail Kadare me politikën zyrtare të kohës në gjysmën e dytë të vitit 1990, që njëkohësisht do të shënonte edhe fundin e regjimit komunist, por edhe me situatën tepër të vështirë ekonomike në të cilën kishte mbërritur e ndodhej Shqipëria, si dhe gjendjen morale e politike në të cilën gjendej udhëheqja e lartë e PPSH-së në muajt e fundit të ekzistencës së saj. Ashtu siç është e njohur tashmë për të gjithë ata që e kanë jetuar atë kohë, përgjatë vitit 1990 në disa organe shtypi si “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi” etj., u botuan disa artikuj që bënë mjaft bujë dhe patën një jehonë të madhe jo vetëm për atë periudhë kohe, por ato u diskutuan gjatë edhe në vitet që pasuan. Madje mund të thuhet se ato artikuj e shkrime “kontroverse” për kohën dhe vijën politike që ndiqte regjimi në fuqi, vazhdojnë të përfliten e diskutohen edhe sot e kësaj dite. Arsyeja: Mjaft njerëz besojnë dhe mbrojnë tezën se ato shkrime të botuara nga disa prej intelektualëve më në zë të asaj kohe dhe më pas, si: Ismail Kadare, Ylli Popa, Sali Berisha, Besnik Mustafaj, Gramoz Pashko, Neshat Tozaj etj., u lejuan nga vetë udhëheqja e asaj kohe që mbulonte propagandën…?! Dhe këtë version ata e mbështesin me teorinë e “Lëshimit të butë e gradual të pushtetit…”?! Por siç shihet dhe nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike, i cili mban siglën “sekret”, udhëheqja e lartë e asaj dhe sektorët përkatës që mbulonin propagandën, jo vetëm që nuk i kanë lejuar vetë, por ata i kanë kërkuar llogari deri në një, Foto Çamit, sekretarit të Komitetit Qendror, i cili kishte përgjegjësi direkte për propagandën e partisë dhe shtypin gjithashtu. Jo vetëm kaq, por anëtarët e Byrosë Politike i kërkonin llogari Foto Çamit, sepse nuk ishin botuar më pas shkrime të tjera që të hidhnin poshtë artikujt e Kadaresë, Ylli Popës, Berishës etj. Kjo gjë duket qartë nga tonet në të cilat është zhvilluar mbledhja në fjalë me diskutimet e të pranishmëve aty, ku bie në sy, Xhelil Gjoni, i cili edhe për ato qëndrime të rrepta, fanatike e konservatore, vazhdoi të mbante poste partiake deri në ditët e fundit të ekzistencës së PPSH-së. Një gjë tjetër që të bie në sy teksa lexon procesverbalin sekret të mbledhjes së Byrosë Politike të datës 4 dhjetor 1990, është dhe fakti se në të gjitha pikat e rendit të ditës, nuk ka asnjë çështje që diskutohet për ekonominë, por vetëm probleme ideologjike, politike dhe ato që bënin fjalë mbi Diktaturës e Proletariatit, siç është ajo “Mbi të arratisurit dhe refugjatët”. Por ajo çka është dhe më kryesorja e që del qartë nga diskutimet e pjesëmarrësve në atë mbledhje të Byrosë Politike, duke filluar nga Ramiz Alia e deri te të ftuarit nga komitetet e partive të rretheve që ishin thërritur aty për të raportuar, është: “Si… dhe në ç’mënyrë duhej punuar e luftuar për të mos e lëshuar pushtetin”?! Dhe në këtë kontekst, Ramiz Alia dhe anëtarët e tjerë të Byrosë diskutojnë problemin e vrasjeve në kufi, duke i përligjur ato vrasje, në një kohë që arratisja nga Shqipëria nuk quhej më “tradhti”, por kalim i paligjshëm kufiri…?! Të gjitha këto bëhen të qarta nga ky dokument, të cilin po e botojmë me shkurtime.

 

 

PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

KOMITETI QENDROR

Sekret

-Sektori i Përgjithshëm-

 

 PROCESVERBAL

MBAJTUR NË MBLEDHJEN E BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT

QENDROR TË PARTISË

Më 4 dhjetor 1990

Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë, në mbledhjen e saj të datës 4 dhjetor 1990, mori në shqyrtim këto çështje:

  1. Raport: “Mbi rritjen në nivele të reja të punës ideopolitike dhe të propagandës në përshtatje me stadin e zhvillimit dhe të situatave që zhvillohen sot në botë”, paraqitur nga aparati i komitetit Qendror të Partisë. Me gojë raportojnë komitetet e Partisë të rretheve Tiranë, Shkodër, Korçë e Gjirokastër.
  2. Studimi: “Mbi disa ndryshime në përcaktimin e gjendjes shoqërore të anëtarëve e kandidatëve për anëtar partie”, paraqitur nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë.
  3. Informacion: “Për të arratisurit dhe refugjatët”, paraqitur nga Ministria e Punëve të Brendshme.
  4. Të ndryshme: “Mbi zhvillimin e një aktiviteti partie ose mbledhje të zgjeruar të Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë në fund të dhjetorit.

Mbledhjen e drejton shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë. Marrin pjesë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike shokët: Adil Çarçani, Besnik Bekteshi, Foto Çami, Lenka Çuka, Hajredin Çeliku, Hekuran Isai, Kiço Mustaqi, Muho Asllani, Pali Miska, Xhelil Gjoni, Vangjel Çërava, Simon Stefani, Llambi Gegprifti, Niko Gjyzari, Xhemal Dymylja, Qirjako Mihali, Pirro Kondi, si dhe shoku Abdyl Backa, anëtar i Komitetit Qendror dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë.

Për pikën e parë të rendit të ditës janë ftuar shokët: Manxhar Binaj, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Gjirokastrës.

Nga aparati i Komitetit Qendror janë ftuar shokët: Nexhmije Hoxha, anëtare e Komitetit Qendror dhe drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, e cila është ftuar dhe për pikën e dytë të rendit të ditës, Muharrem Xhafa, shef i sektorit të edukimit dhe Sofokli Lazri, drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare dhe ndihmës i Sekretarit të Parë të KQ.

Për pikën e dytë të rendit të ditës janë ftuar shokët: Faik Çina, shef i sektorit të kuadrit; Dhimitër Shandro, shef i sektorit të statutit; Pëllumb Kapo, shef i Sektorit të organeve të Punës të Brendshme dhe të pushtetit, i cili është i ftuar për pikën e tretë të rendit të ditës.

          ZHVILLIMI I MBLEDHJES 

SHOKU RAMIZ ALIA: Për pikën e parë të rendit të ditës “Mbi rritjen në nivele të reja të punës ideo-politike dhe të propagandës në përshtatje me stadin e zhvillimit dhe të situatave që zhvillohen sot në botë”, raporti na është paraqitur nga shoku Foto. Ç ‘pyetje keni?

SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Kam unë një pyetje. Lidhur me artikujt çoroditës që u lejuan të shkruheshin në organet e shtypit, pse u botuan dhe kush e ka përgjegjësinë? Në faqen 5 të materialit të paraqitur thuhet, se shpesh propaganda jonë ka qëndruar dhe qëndron në pozita mbrojtëse, tregohet e ngathët, reagon me vonesë, mungon përpunimi i tezave, vuan nga formalizmi. Pse të gjitha këto mangësi? Si duhet të veprojmë në të ardhmen? Ku duhet të godasim me propagandën tonë? Gjithashtu, thuhet që këto organe të mos jenë të centralizuara si drejtim, po kush do ta bëjë bashkërendimin e punëve të tyre?

SHOKU BESNIK BEKTESHI: Unë mund të mos e kem ndoshta të drejtë këtë, po materialin e kam lexuar 2-3 herë me vëmendje, po ç’do të bëjmë në përgjithësi? Ç’mendim i propozohet Byrosë Politike? Ç’rrugë? Pse nuk ka një projekt-vendim për këtë? Disa muaj më parë është ngritur një grup pune për propagandën. Ç’mund t’i thuhet Byrosë Politike në lidhje me rezultatet e këtij grupi pune? Unë mund të kem një mendim, por para se ta shpreh atë, dua të di ç’rezultate ka dhënë ky grup, puna e tij në drejtim të propagandës për të eliminuar në maksimum të metat që janë evidentuar dhe që diskutohen dhe ç’faktorë kanë ndikuar?

SHOKU QIRJAKO MIHALI: Në faqen 4 të materialit ka një shprehje të tillë: “Shpesh situata është paraqitur ashtu siç do t’iu pëlqente atyre lart dhe jo ashtu siç ka qenë realiteti”. Për kë bëhet fjale kur thuhet “atyre lart”?

SHOKU SIMON STEFANI: Kam një pyetje. Në material thuhet, dhe kështu është, se ka mjaft probleme teorike, të cilat duhen studiuar. Po ç’është bërë deri tani? Janë Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, Shkolla e Partisë, aparati i Komitetit Qendror të Partisë, katedrat përkatëse të Universitetit. Është thënë se “nuk e kishim të qartë, prandaj nuk shkruam artikull për revolucionin e tetorit”. Sa do të vazhdojë kjo? Janë ngritur apo do të ngrihen grupe për t’i studiuar e për t’i parë këto probleme të propagandës?

SHOKU RAMIZ ALIA: Në material flitet për rritjen e cilësisë së informacionit dhe jepen disa të dhëna për televizionin, për gazetat e për mjetet e tjera të informacionit. Pyes: A është përpunuar ndonjë platformë nga ana e sektorit të edukimit përgjithësisht për të tëra këto çështje të shtypit, televizionit, të ceremonive që bëhen, sloganeve që përdoren? Meqë e shikoni të arsyeshme që duhet të ndryshojë diçka, çfarë është parashikuar? Është bërë ndonjë platformë, është përpunuar ndonjë mendim? U është dhënë ndonjë porosi komiteteve të Partisë, organeve të shtypit, të propagandës?

SHOKU VANGJEL ÇËRRAVA: Propaganda shpreh të dytën, keqësimin e gjendjes, që në disa drejtime përputhet dhe me realitetin. Pastaj shtrohet dhe pyetja tjetër: Për të gjitha këto, kush e ka fajin? Një gjë e tillë nuk po thuhet. Jepet, për shembull, emisioni me disa seanca në televizion për objektet e papërfunduara, ku janë ngurtësuar qindra milionë lekë. Opinioni shqetësohet dhe nuk sqarohet dhe me atë çka thotë shoku Pandi Carapuli (drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Industrisë Mekanike), që unë nuk di gjë, se nuk ka qenë drejtor në atë kohë. Por, ama, dikush ka qenë në atë detyrë dhe pse është lejuar të fillojnë të tjera objekte pa mbaruar të parat? Njerëzit flasin se janë nevojtarë për strehim, nuk bëhen shumë apartamente, se nuk ka materiale ndërtimi. Ne këto vështirësi ua themi, po e kemi të vështirë ta bindim, sepse të thonë: përse ngurtësohen këto materiale ndërtimi kur nuk kanë fonde valutore për makineritë? Për të gjitha këto probleme ne përpiqemi të sqarojmë, por e ndiejmë edhe vetë që për shumë gjëra nuk i bindim, sepse më shumë se kurrë, puna bindëse sot bëhet me veprime konkrete, ka kaluar koha kur ajo bëhej dhe me fjalë. Theksova disa probleme shqetësuese për rrethin tonë, të cilat nuk e errësojnë gjendjen, por që kërkojnë ndërhyrje konkrete për t’i përballuar. Masat punonjëse të rrethit të Korçës me më shumë punë e sakrifica do të kapërcejnë vështirësitë që kemi aktualisht. Zgjidhja e probleme që varen nga Qeveria dhe dikasteret, do të na ndihmojë të kapërcejmë me sukses anomalitë e krijuara dhe do të forcojmë më tej besimin e masave punonjëse te Partia dhe pushteti popullor.

SHOKU XHELIL GJONI: Në materialin që na paraqitet nga shoku Foto, mua më duket se konstatimet janë të drejta, po ashtu dhe disa nga konkluzionet, por kam mendimin se nuk u jepen përgjigje disa pyetjeve: Si duhet të flasë Partia? Pse u lëkund besimi në mjaft nga njerëzit tanë? Si ka qenë ky formim dhe ç’duhet të korrigjojmë në të? Ç’duhet të bëjmë dhe ku duhet të synojmë për të ardhmen?

E para, dhe në material nuk është tamam siç, thuhet, se ishin mësuar me një punë të qetë, me një punë që gjente kudo miratim e duartrokitje dhe se vetëm predikonte e moralizonte dhe nuk ndeshej me mendimet e kundërta. Më duket nuk është reale, as historike po të gjykohet kështu, “do të bënim gabim parimor dhe do të mohonim punën dhe luftën e Partisë”, kur dihen betejat klasore që ka zhvilluar ajo me armiq të betuar jashtë dhe brenda vendit dhe brenda radhëve të Partisë. Dihen këtu grupet armiqësore të luftës dhe të pasluftës, të lidhur me armiqtë e jashtëm. Kjo logjikë e ashpër e luftës së klasave zhvillohet dhe sot sipas parimit leninist: Kush? Cilin? Tërheqja e vëmendjes që na bën shoku Ramiz, se sot kërkohen kokat tona, kokat e komunistëve dhe përmbysja e pushtetit popullor, më duket se ka të bëjë tamam me këtë moment që po kalojmë. Këtë nuk e kemi kuptuar mirë dhe ne në organet drejtuese të Partisë, të shtetit dhe të ekonomisë. Këtë nuk na e kanë kuptuar redaksitë e shtypit dhe të propagandës, që nga disa kryeredaktorë e drejtorë shtypi e televizioni e redaktorë në redaksi.

E dyta, them se liria në shtyp është kuptuar disi mbrapsht. Diskutimi në shtyp, për mendimin tim, është i çorganizuar, pa konkluzione dhe lë në ankth lexuesin. Këtë situatë ne vetë e kemi lejuar që këtu në Komitetin Qendror. Në këtë rast, unë bëj përgjegjës shokun Foto dhe në përgjithësi ai duhet ta drejtojë në mënyrë më energjike, më me nerv dhe më qartë dhe më prerë punën ideologjike, që i është ngarkuar sektorit të tij. Drejt u tha këtu, dhe në material thuhet që mund të kalojë një artikull i mbrapshtë si ai i Ismail Kadaresë në “Zërin e Rinisë”, apo i Ylli Popës në “Zërin e Popullit”, por më tej nuk duhet të lejoj më. Ç’ kuptoj unë me këtë që nuk duhet të lejojmë? Në qoftë se do t’i lejonim, do të thotë që e kanë konceptuar dhe se ç’përgjigje do të japim, ç’konkluzione do të nxjerrim dhe ç’veprime do të ndërmarrim. Në shtyp kurrë nuk duhen lënë gjërat në mëdyshje, t’i vërtetojë koha. Them se parimi leninist i partishmërisë në shtyp, përderisa ka luftë klasore, ka parti, që mëshiron dhe mbron interesat e klasës, të masës dhe është më e drejtë dhe ne si parti leniniste duhet t’i përmbahemi fort. Më duket se po lejojmë një gabim të pafalshëm dhe të palejueshëm. Botoi Ylli Popa artikullin, në të cilin kishte ide racionale, për mendimin tim, po të kishte dhe një konfuzion ideologjik e konkluzione të gabuara. Redaksia e ndihmuar dhe nga sektori i shtypit e propagandës këtu në aparat, duhej detyrimisht të tërhiqte shkrime, në qoftë se ishim të ndërgjegjshëm për këto konkluzione të gabuara, që të hidhnin poshtë me argumente idenë e tij të gabuar, se e “paskemi humbur kohën”. Ne të gjithë jemi në një mëndje se mund të kemi bërë dhe gabime, dhe gabime kemi bërë, po nuk e kemi humbur kohën. Ai që duhet të jepte llogari për këtë kohë të humbur duhej të ishte shoku Ylli Popa me shokë, që kanë qenë të privilegjuarit, do të thosha unë, në planin shkencor dhe në planin shoqëror. Këtë nuk e bëri redaksia, këtë nuk e bëmë dhe ne. Ç’do të thotë humbje kohe? Do të thotë se vija ka qenë e gabuar. Të ketë qenë e gabuar vija politike, do të thotë të rishikosh historinë. A nuk ishte kjo një nga tezat themelore të opozitave në vendet e Lindjes evropiane? Po kështu në shkrimet e Ismail Kadaresë, Sali Berishës, Besnik Mustafait, Neshat Tozës apo të Gramoz Pashkos, cili është gabimi? Nuk po hidhen poshtë dhe të jepen mendimet e vërteta dhe të drejta që të orientohet lexuesi dhe dëgjuesi ynë.

E treta, mua më duket se nuk e kemi kuptuar drejt kur shtrojmë çështjen e politizimit dhe të ideologjizimit të gjërave apo apolitizmit dhe të ç’ideologjizmit të tyre. Ky problem, si në propagandën gojore dhe atë të shkruar, nuk konceptohet drejt. Madje do të thosha që abuzohet padrejtësisht. Jo rrallë identifikohen ideologjizimet dhe politizimet me parimet bazë të socializmit. Shumë gjëra që kritikohen në shtyp, në mbledhje, nuk janë në natyrën e rendit tonë socialist dhe të politikës së Partisë, por ato nuk i distancon propaganda jonë nga sistemi ynë. Për shembull, të marrim demokracinë dhe demokratizmin. O është demokracia në natyrë të socializmit, o të asnjë rendi tjetër shoqëror nuk mund të jetë. Pse? Nuk është vendi këtu të flasim, po a zë vend kjo në propagandën tonë? Unë kujtoj se nuk zë vend si duhet. Të marrim një problem tjetër bazë: barazinë në jetë dhe ligji themelor i socializmit: mirëqenia e masave të gjera punonjëse, që është një nga problemet, parimet bazë dhe preokupacionet bazë të Partisë sonë. A gjen pasqyrim si duhet ky ligj që të zbërthehet?

E katerta, parimi i shpërblimit sipas punës në sasi e cilësi e secili sipas aftësive. Nuk na e ka fajin parimi, po e kanë fajin deformimet. Atëherë ta marrim në mbrojtje këtë parim të socializmit dhe të gjejmë mënyrat më të përshtatshme të realizimit të tij. Flasim se i kemi mëshuar luftës së klasave dhe kemi lënë demokracinë. Për mendimin tim, as kjo nuk është reale. Si çdo punë, mund të ketë teprime herë në një krah, herë në një tjetër, por kjo nuk varet vetëm nga ty, varet dhe nga kundërshtari, nga forca, taktika dhe mundësitë e armikut. Me këtë dua të them se këto janë disa parime që formojnë përmbajtjen e ideologjisë marksiste. Ato dhe të tjera, që të realizohen, duan politika të caktuara: ekonomike, diplomatike, organizative, kulturore, sociale, Pra nuk duan politizime dhe nuk mund të jenë ideologjizime. I theksova këto dhe për disa arsye të tjera, se shoh një ndrojtje në propagandën tonë për të folur me plot gojë mbështetur në këto parime. Rrallë përmendet fjala socializëm, luftë klasash, patriotizëm, kooperativizëm, pronë kolektive, pa lërë pastaj diktatorë e proletariatit, që në fund të fundit çfarë është? Është klasa e organizuar në pushtet. Subjektet më vete që po shpallim aktualisht, këtë organizim kanë për qëllim.

E pesta, kemi elemente brenda vendit që thërresin nëpër klube t’i lëmë mënjanë klasat, të shohim kombin. Këto janë parulla të borgjezisë së vjetër dhe borgjezëve të rinj. Në këtë parullë po na sulmon dhe reaksioni i jashtëm, llumi i kombit, që nga poetucët. Martin Camaj, Elez Biberaj, “Leka i madh” e deri tek intelektualët e nderuar kombëtare kosovarë, si Rexhep Qosja e shkencëtarë të nderuar të tjerë kosovarë…?!

Mbajti procesverbalin

Fatmir Zaloshnja

Please follow and like us: