Jorgos Seferis: HELENA
HELENA*
“Bilbilat nuk të lenë të flesh në Platres*”.
Bilbil i turpshëm, mes qetësisë së gjetheve,
ti që u blaton freskinë melodioze të pyllit,
atyre që janë të ndarë me trup e me shpirt,
atyre që e dinë se kurrë më s’ kanë për t’u kthyer.
Zë i padukshëm që shfleton memorjen e errësuar,
hapa edhe shënja duarsh, nuk do guxoja të flisja për puthje,
dhe trazimin e hidhur të skllaves së egërsuar.
“Bilbilat nuk të lenë të flesh në Platres”.
Kush është Platres? Kush e njeh këtë ishull?
shkova tërë jetën time duke dëgjuar emra të rinj:
vende të panjohura, marrëzi të reja të njerëzve
apo të Perëndive,
fati im që dallgëzon,
në mes të shpatës së fundit të një Aianti,
dhe një Salaminë tjetër,
më solli këtu, në këtë breg.
Hëna
doli nga deti porsi Afërdita,
mbuloi yjet e Shigjetarit, tani shkon të gjejë
zemrën e Akrepit, dhe të gjitha i trazon.
Ku gjendet e vërteta?
Kam qenë edhe unë shigjetar në luftë,
dhe fati im, ai i një njeriu që u kthye duarbosh.
Bilbil vjershëtor,
një natë si kjo e sotmja në bregdetin e Proteas,
të dëgjuan skllavet spartane dhe vunë kujën,
dhe në mes tyre – kujt ja merrte mendja – dhe Helena!
Ajo që ne e ndiqnim kaq vite në Skamandër*.
Ishte atje, në buzët e shkretëtirës, e preka dhe më foli:
“Nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë!” bërtiste.
“Nuk hipa në anijën kuvertëgjelbër.
asnjëherë nuk e shkela Trojën trimërore”.
Me lidhësen e thellë të gjoksit, me diellin në flokë,
dhe atë kurmin e saj të hijshëm,
hije dhe buzëqeshje ngado
në supe, në ije, në gjunjë,
lëkurë e gjallë, dhe sytë
me qerpikët e shkruara,
ishte aty, në bregun e një Delte*.
Po në Trojë?
Hiçasgjë në Trojë – një imazh.
Kështu e deshën Perënditë.
Edhe Paridi me një hije shtrihej thua se ishte krijesë
e gjallë,
dhe ne dhjetë vjet therreshim për Helenën.
Dhimbje e hatashme kish mbuluar Greqinë.
Kaq trupa të hedhura
në nofullat e detit, në nofullat e dheut,
kaq shpirtëra,
të bluara në mokrat e mullinjve, porsi gruri.
Dhe lumenjtë fryheshin përmes baltës dhe gjakut,
për një dallgëzim mëndafshi, për një mjegullnajë,
spërderdhje e një fluture, pupël e një shtergu
për një këmishë boshe, për një Helenë.
Dhe im vëlla?
Bilbil, bilbil, bilbil,
kush është Zoti? dhe kush jo Zoti? dhe ç’ ka aty në mes tyre?
“Bilbilat nuk të lenë të flesh në Platres”.
Zog i pikëlluar,
në Qipron që puthet me detin,
që e taksën për të më kujtuar atdheun,
shtanga i vetmuar me këtë përrallë,
nëse është e vërtetë që kjo është një përrallë,
nëse është e vërtetë që njerëzit nuk do ndjekin,
mashtrimin e lashtë të Zotave,
nëse është e vërtetë
se një tjetër Teukër, pas shumë vitesh,
ose një Aiant a Priam a Hekubë,
ose një i panjohur, një anonim që pasi
ka parë një Skamandër të mbytur nga kufomat,
nuk do të ketë fatin të dëgjojë
kobsjellësit që vijnë për t’ i kumtuar
se kaq dhimbje e kaq jetë,
shkuan në ferr
për një këmishë boshe, për një Helenë.
Shqipëroi Arqile Garo, Janar 2019.
HELENA* – Titull i tragjedisë homonime të Euripidit.
Për të kuptuar sa më mirë poezinë e mësipërme duhen patur parasysh dy momente nga mitologjia greke.
a- Miti i Teukrit: Teukri, bir i mbretit të Salaminës Telamonit dhe vëlla i Aiantit, mori pjesë në luftën e Trojës ku u shqua si shigjetar. Kur u kthye në Salaminë, i ati nuk e qasi, duke e fajësuar se nuk i qëndroi pranë të vëllait Aiantit, që u vetëvra pse Akejtë nuk i dhanë atij në shenjë mirënjohjeje armët e Akilit. Atëhere Teukri duke ndjekur këshillën e Apolonit, vajti në Qipro, ku ndërtoi një qytet dhe i dha emrin Salaminë për të nderuar vendlindjën e tij.
b- Miti i Helenës: Në një nga versionët të tij Afërdita nuk i dha Paridit Helenën e vërtetë, por një sozi të saj. Helenën, Hermesi me urdhër të Herës, e çoi në Egjipt në pallatin e mbretit Proteas, ku e takoi Menelau në kthimin e tij nga Troja. Këtë version të mitit trajton Euripidi në tragjedinë Helena. Aty Helenën e takon edhe Teukri, që kalon nga Egjipti gjatë udhëtimit për në Qipro.
Platres* – qytezë në Qipro.
Skamandër* – lumë në Trojë, Karamenderesi i sotëm.
Delta* – delta e Nilit.