Tre mendje brilante
ARKIMEDI. Shpikësi par excellence
“Më jepni një pikë mbështetjeje dhe unë do të ngre botën”, i tha dijetari Arkimed mbretit Geroni II i Sirakuzës. Mbreti e vuri menjëherë në provë dhe i dituri pranoi: pa në kantierin e portit anijen Syracosia, e mbushur me cfarëdolloj malli për t’ia dërguar mbretit të Egjiptit dhe shpiku një sistem levash dhe karrocash me të cilat, mes befasisë së të gjithëve, ngriti anijen pa patur nevojë që ta shtynte në det me punën e skllevërve.
Do të mjaftonte kjo anektodë, apo ajo tjetra, sipas së cilës gjeti zgjidhjen e një problemi teksa ndodhej brenda vaskës së një banke publike dhe rendi lakuriq nëpër rrugë duke thirrur Eureka! (e gjeta), për të krijuar idenë e gjenisë së Arkimedit të Sirakuzës: jo vetëm një prej matematicienëve më të mëdhenj të lashtësisë dhe shpikës-zbulues, por një mjeshtër i shkencës-spektaklit, i aftë të shushaste të mëdhenjtë e kohës, miq dhe kundërshtarë, duke vënë dijen e tij në shërbim të qytetarëve. (Bota.al)
Vepra e tij shkencore, kryqëzohet me atë të qytetit të tij. I lindur në Sirakuzë në vitin 287 para Krishtit dhe me shumë gjasa bir i astronomit Fidia, i cili i transmetoi pasionin e madh për shkencat, i riu Arkimed studioi në Aleksandrinë e Egjiptit, ku ishte nxënës i Euklidit. Mes viteve 264 dhe 250 realizoi shpikjen e tij të parë: një planetar, që u bë i famshëm në të gjithë botën e lashtë dhe që ishte në gjendje të stimulonte lëvizjen e dukshme të Diellit përreth Tokës. Më pas studioi lëngjet dhe forcat duke realizuar shtytjen e famshme që ngrinte ujin, një odometër (paraardhësi i lashtë i numëruesit të kilometrave) si dhe një orë të saktë ujore.
I parapriu llogaritjes së integraleve dy mijë vite para Njutonit dhe Leibnicit, por sukseset e tij më të mëdhenj i përkisnin fushës së gjeometrisë. Në vitin 240 shkruajti disa prej veprave të tij më të rëndësishme matematikore: “Mbi spiralet” dhe “Mbi sferën dhe cilindrin”, në të cilat llogariste se vëllimi i një sfere është sa dy e treta e vëllimit të cilindrit që e rrethon, një zbulim për të cilin ai ishte kaq krenar sa që kërkoi që të paraqitej si epitaf në varrin e tij. Vec kësaj ai përllogariti katër shifrat e para dhjetore të fi-së (3,1416).
Sipas Plutarkut, Arkimdei ishte kaq i magjepsur prej gjeometrisë saqë harronte të hante: kur skllevërit e tërhiqnin zvarrë në banjë për ta larë dhe vajosur, ai vizatonte në hi figura gjeometrike. Megjithatë, jeta publike e thirri në mbrojtje të qytetit. Kur, me shpërthimin e luftës së dytë kartagjenase konsulli romak Marcello rrethoi Sirakuzën nga toka dhe nga deti, fshatarët e terrorizuar shkuan të gjejnë shpëtim tek burimi më i cmuar që kishin: gjenia e Arkimedit. Në fakt, matematicieni shpiku dhe perfeksionoi makina të jashtëzakonshme lufte: katapulta dhe hedhëse gurësh për të bombarduar anijet e armikut, grepa të fuqishëm hekuri për t’i ndalur dhe fundosur, pasqyra për t’u vënë flakën.
Fama e tij ishte aq e madhe sa që konsulli Marcello, kur pushtoi qytetin, urdhëroi që t’i falej jeta. Por mjeshtri sirakuzian, sipas legjendës, u vra gabimisht nga një ushtar.
Abu Rayhan Al Biruni – Matematicien, historian, farmacist…
Një prej shkencëtarëve më të mëdhenj të epokës së artë të Islamit, dhe një prej më të mëdhenjve të të gjithë kohërave, edhe pse pak i njohur në Perëndim, ishte Abu Al-Rayhan Muhammad Ibn Ahmad al-Biruni (973-1048). Ishte astronom, matematicien, fizikan, historian, gjeograf, udhëtar, gjeolog, kartograf, antropolog, astrolog, filozof, farmacist. Shkrimtar i spikatur, brenda jetës së tij firmosi 146 vepra, ndër të cilat 35 libra astronomie, 15 libra matematike (8 aritmetike, 5 gjeometrie, 2 trigonometrie), 23 libra astrologjie, 16 letërsie, 10 topografie dhe kartografie, 4 libra që i përkisnin astrolaboratorëve, 9 libra gjeografie, 2 libra mjekësie dhe farmacologjie, 4 libra historie, 3 libra feje dhe filozofie, dhe dy libra për veprimtarinë minerare. I përpirë nga kurioziteti, Al Biruni ka qenë edhe një udhëtar i palodhur dhe një poliglot shumë i aftë: fliste persishten, arabishten, sanskrinishten, greqishten e lashtë, dhe kishte një njohje edhe të siriakes, hebraishtes dhe latinishtes.
Një ikonë e vërtetë e “gjenisë universale” pra, që përfshin në vetvete prototipin e studiuesit të epokës së artë të Islamit, aq sa ka marrë nofkën Al Ustadh “Profesori”.
I lindur në Corasmia, një rajon i lashtë në veriperëndim të Persisë, sot në Uzbekistan, në atë kohë nën kalifatin arabo-islamik të Abasidëve, Al Biruni ishte një talent i hershëm: kur ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjec përllogariti lartësinë e qytetit të Kath duke u bazuar në lartësinë maksimale të dukshme të arritur nga Dielli, në moshën 22 vjec publikoi një studim mbi projeksionin e hartave.
Shumë shekuj përpara pjesës tjetër të botës, ai përshkroi rrotullimin e Tokës përreth boshtit të saj, Rrugën e Qumështit, bëri përllogaritje të sakta të gjatësisë dhe gjerësisë gjeografike, dhe si fizikan përcaktoi peshën specifike të 18 elementëve. Përdori edhe algjebrën për të formuluar ekuacione trigonometrikë dhe përdori astrolabion për të përcaktuar këndet.
Por kontributi më i njohur i shkencëtarit pers për gjeninë universale ishte vepra e tij kolosale e matjes së Tokës.
Arriti në fakt të masë rrezen e Tokës 6339,6 kilometra, duke përmirësuar vlerësimin 6314,5 km të kryer nga Eratosteni në vitin 230 para Krishtit dhe duke qenë shumë pak larg vlerave të sotme (6356,7 kilometra është masa e rrezes polare) që u realizuan në Perëndim vetëm në shekullin XVI, gjysmë mijëvjecari më vonë. E jashtëzakonshme ishte dhe mënyra si e realizoi: pa instrumenta përllogaritës, në majën e një mali në Indi.
Ndryshe nga paraardhësit e tij të famshëm, përfshirë Eratostenin, që kishin matur perimetrin e Tokës duke vëzhguar Diellin njëkohësisht nga dy vende të ndryshëm, Al Biruni i hapi shkencës një rrugë të re: zgjodhi në fakt një metodë të re të bazuar në përllogaritjen trigonometrike të këndit drejt horizontit që, bashkë me lartësinë e malit, i mundësoi të përllogariste me saktësi përkulësinë e Tokës. Gjë që i mundësoi si pasojë të maste perimetrin dhe rrezen e saj.
Entuziasmi i tij për shkencën sintetizohet në këtë shprehje të famshme, që i pëlqente ta përsëriste shpesh: “Allahu është i gjithëdijshëm dhe nuk e justifikon injorancën”. Pikërisht sic i ndodhi Arkimedit, për nder të tij, disa shekuj pas lindjes, emrin e tij e kanë marrë një asteroid (9936 Al Biruni) dhe krateri Al Biruni që ndodhet në Mare Marginis në Hënë.
Marie Curi – Vullneti i patundur
Nëse shkenca ka arritur të shpjegojë strukturën më intime të materies, dhe të gjejë një përgjigje për jetën dhe vdekjen e yjeve, të përllogarisë moshën e Tokës me disa miliarda vite dhe jo disa mijëra si shkruhet në Bibël, kjo ka ardhur falë zbulimit të radioaktivitetit. Pra, mbi të gjitha falë Marie Sklokovska Curie, më e njohur si Madame Curie. Historia e saj është vërtetë unike dhe ajo është demonstrim se si gjenia është frut i një vullneti të fortë dhe të patundur: ishte një ndër të parat gra që fitoi famë mbarëbotërore në një fushë shkencore mashkullore, e para grua që siguroi një vend në katedrën e Universitetit Sorbona në Paris, një universitet shumë prestigjoz. Por mbi të gjitha, ishte e para grua që mori një Cmim Nobel, në 1903, në Fizikë, dhe i pari person që mori disa vite më vonë një të dytë, në Kimi, në 1911.
Por e saja, ka qenë mbi të gjitha një aventurë shkencore dhe njerëzore e jashtëzakonshme. E lindur në Varshavë, në Poloni, në 7 nëntor 1867, nga një nënë pianiste (e cila vdiq nga tuberkulozi kur ajo ishte më pak se 11 vjec) dhe një baba docent në Fizikë në liceun publik të qytetit, Marie ishte një enfant prodige: pasi përfundoi shkollën e lartë kur ishte 15 vjec, për tetë vite të tjerë punoi si guvernante për të financuar studimet e mëtejshëm të saj dhe të motrës. Në moshën 23 vjec i hipi një vagoni treni të klasit të katërt me vetëm 40 rubla në xhep, dhe duke qenë se Universiteti i Varshavës nuk ishte i hapur për gratë, u transferua në Paris për të studiuar në Sorbonë. U diplomua në Fizikë dhe Matematikë; këtu pati takimin e jetës së saj: Pierre Curie, docent i Fizikës në të njëjtin universitet, që në vitin 1895 u bë fillimisht bashkëshorti i saj, më pas “shok laboratori” dhe baba i dy bijave të saj, Irene (fituese e Cmimit Nobel për fizikën në 1935) dhe Eve.
Me pak mjete dhe shumë mundime, të dy Curie iu dedikuan me mish e me shpirt kërkimit dhe patën nuhatjen gjeniale që shkatërroi konvincionet e kohës: radioaktiviteti ishte një cilësi atomike, dhe nuk vinte pra nga jashtë por nga brenda trupave. Edhe prej fatit, duke analizuar një mineral arritën të izolojnë dy elementë radioaktivë deri në atë moment të panjohur: poloniumin, i pagëzuar kështu për nder të atdheut të Marie, dhe radiumin. Një zbulim i shpallur në një buletin të Akademisë së Shkencave të Francës në korrik 1898, për të cilin Marie, bashkë me bashkëshortin e saj dhe Henri Becquerel, zbulues i radioaktivitetit, morën cmimin më të lartë të mundshëm: Nobel për Fizikën “për shërbimin e jashtëzakonshëm në kërkimin për elementët radioaktivë”.
Bashkëshortët Curie i dhuruan njerëzimit rezultatet e kërkimeve të tyre, duke mos patentuar elementët, as poloniumin dhe as radiumin, gjë që do u jepte atyre pasuri të jashtëzakonshme. Tre vjet më vonë, Pierre vdiq për shkak të një aksidenti, por Marie vazhdoi përpara: vazhdoi kërkimet, zuri vendin e bashkëshortit në Sorbonë dhe në 1911, e vetme, fitoi Cmimin e dytë Nobel “për kontributin për progresin e kimisë përmes zbulimit të radiumit dhe poloniumit”.
Marie e pagoi shtrenjtë gjeninë e saj. Edhe sepse nuk kishte një karakter të lehtë: fama e irritonte, e bënte të humbiste kohë. Kandidatura e saj për Akademinë e Shkencave të Francës në 1910 u refuzua, ndonëse kish fituar Nobelin, dhe shtypi e vuri në shënjestër duke sulmuar talentin e saj si shkencëtare. Miqësia me fizikanin e ri Paul Langevin, i martuar e me fëmijë, konfirmoi idenë që shkenca nuk u shkonte për shtat grave, pasi i bënte “imorale”. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore i dedikoi cdo përpjekje Francës, duke bredhur në spitale me një prej makinave të shpikura prej saj, të pajisura me rreze X.
Disa vite më vonë, marie u sëmur me leucemi, shkaktuar prej ekspozimit të saj ndaj radioaktivitetit dhe vdiq në 1934 në senatoriumin e Sancellemoz, në Savojën e Epërme. Gjatë një takimi, një vit para se të vdiste ajo tha këto fjalë për veten: “Një shkencëtar në laboratorin e tij nuk është vetëm një teknik, është edhe një nxënës i vënë përpara fenomeneve natyrorë që e impresionojnë si një rrëfenjë zanash… Njerëzimi ka nevojë për njerëz të veprimit, por edhe për ëndërrimtarë”. / Focus – Bota.al