E rrallë, historia e një gjyshi të mirë dhe të mençur
Bardhyl Berberi
Reportazh
Gora është krahina më e vjetër e vendit me 49 fshatra të ngjeshura në gjoksin e maleve të larta që shkojnë nga 1000 m deri në 1500 m mbi nivelin e detit. Gora shtrihet në trekëndshin midis Pogradecit–Gramshit dhe Korçës. Krahina përshkrohet nga lumi Devoll i cili formon djepin e krahinës ku rriten dhe kultivohen bimësi të ndryshme bujqësore me mollë, dardha, qershi më plantacione të pafund pyjesh dhe xhepa të shumtë luginash ku mbarshtrohet bagëtia. Në të djathtë të lumit Devoll ngrihen madhështore malet e Lenies, Guri i Kamjes, një gur madhështor dhe hijerëndë që është si porta hyrëse e krahinës së Gorës. Fjala “Gorë” që ka marrë emrin krahina rrjedh nga sllavishtja që do të thotë Gorë –mal malësi. Ne qëndruam në Grunjas, një nga fshatrat me emër të Gorës. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte një takim me 92 vjeçarin Hekuran Dokon, plakun e urët dhe të mençur nga Grunjasi i Gorës. Sapo takohemi më thotë ‘kur u zhduka athere, ju gazetarët shkruat në gazetë se është zhdur një plak i moshuar, por ja që atherë kanë kaluar shumë vite, unë shkova në Greqi, emigrant shkollova mbesën Enkelejdën dhe më pas u bëra stërgjysh, nipi im në Tiranë sapo është bërë 5 vjeç”.
Xha Hekuran, 80 vjeç të shkoni emigrant në Greqi?
Kanë kalur 12 vjet dhe unë atherë isha 80 vjeç dhe më lindi një ide e çmendur pa ja treguar asnjeriu që të shkoja në Greqi dhe të punoja dhe të mblidhja lekë për të shkolluar mbesën time Enkeledën që kishte fituar të drejtën për të vazdhuar studimet në Universitetin e Tiranës. Këtë ide nuk ia tregova asnjeriu pasi e dinja që do të më pengonin, pasi isha plak por mundësi tjetër nuk kishte pasi të gjithë ishin papunë dhe djali im Nexhua merrej me të shoqen Tatjanën pasi ajo është e sëmurë kështu që mbetesha unë dhe palka ime kështu që vendosa ta ndërmarr këtë vendim.
Ju thashë se do të shkoj tek vajza ime në Sheqeras ku ajo është e martuar, por në të vërtetë me 2 mijë lekë të vjetra u nisa në drejtim të Tresenikut tek një miku im që quhet Adil. Ai u habit dhe për disa moment shtangu, por kur pa këmbënguljen time ma mbushi çantën me ushqime dhe më përcolli deri tek vija e gjelbar e kufirit grek. Kam udhëtuar me shkop në dorë tre ditë e tre netë dhe më pas mbrita në një fshat të Kastorja (Kozanë) që quhet Vatero.
Futem në një kafe dhe meqënëse dija pak greqisht nga koha e luftës italo – greke pasi në shtëpinë tonë kishin mbajtur disa emigrantë grekë. Sapo u futa në klub ju fola greqisht. Ishin disa grekë dhe e kuptuan se nuk isha vërtet grek dhe më thanë se çfarë kërkoja në Greqi. Aty ishte një pronar grek, Jorgos Panajoti quhej ai.
Me buzë në gaz më tha: “Ore plak i mirë, çfarë kërkon ti në Greqi”?
-Nepraviat, – i thashë unë greqisht, dua të punoj si çoban, kam hall se më duhen lekë për të shkolluar mbesën është nxënëse e shkëlqyer, por s`kemi asnjë kacidhe leku?
Jorgua qëndroi një moment dhe më tha: “Unë kam një stan me 200 dele dhe më duhet një çoban, por nuk e di a do ta bësh dot, je plak, nuk e shikon që je për në azil, të ka harruar vdekja more i uruar”?
I thashë që të më provonte nëse nuk ia mbaja mirë bagëtitë mund të më përzente.
Filloj punë që të nesërmen, bëmë pazarin 50 euro në ditë dhe të më jepte edhe ushqimin greku. Fillova punë, të them të drejtë, lodhesh pa masë. Ishte tufë e madhe nga njëri cep tek tjetri i tufës. Lodhesha shumë kur shkoja për të fjetur, bija si i vdekur nga lodhja por më pas rezistova.
Po familja?
Nuk dinte gjë fare, vetëm pas 9 muajsh më kishte parë një bashkëfshatari im Enver Liço dhe ju kishte thënë në shtëpi se më kishte parë në Greqi. Familja ku nuk më kishte kërkuar tek njerëz të humbur nëpër gazeta. Kur u kur u ktheva në shtëpi pas dy vjet e gjysëm pasi kisha bërë gati lekët për të gjitha vitet e Univesitetit. Solla një biçikletë për Enkeledën, rroba dhe lekët që i mbaja të fshehura nëpër çorape kur isha në Greqi. Gruaja ime Mevludja kishte vënë shami të zezë më dinin të vdekur.
A e justifikoj mbesa sakrificën tënde?
Po, po. Enkeleda mbaroj Universitetin në Tiranë për gjuhë – letërsi dhe tani punon në parlamentin shqiptar, është martuar në Tiranë dhe pikërisht këto ditë nipi im është bërë 5 vjeç. Dëgjo o gazetar, njeriu në jetë edhe mund të humbi por duke lënë një vepër të mirë, por ka raste që të fitosh duke vjedhur të tjerët edhe pse mund të fitosh në këtë mënyrë je i humbur tërë jetën …Shkollimi është baza e jetës, ata me shkollë nga ata pashkollë ndryshojnë si të vdekurit me të gjallit. Dëgjo o gazetar, lekët e xhepit prishen, ndërsa ato të mëndjes të ngelen. (E shoqja Mevludia thotë pyete për politikën një çikë se tërë ditën lajme dëgjon qesh).
Si mendon xha Hekuran a do të bëhemi ne si Europa?
Duhet një burrë si Qemal Ataturku në Turqi. Po pastaj ne nuk kemi vetëm një hall të korrupsionit, tek ne gjykakat i kemi viran, të grijnë nga lekët, të kesh një hall, shëndetësia po ashtu, të shtrohesh në spital duhet të marrish ilaçet me vete…arsimi po ashtu, ja në fshatin tonë ka tërë ata djem që kanë mbetur analfabetë. Jemi si një varkë që ka shumë vrima dhe i hyn uji nga tërëa anët.
Nuk shihni ndonjë perspektivë që politikanët tanë të meren vesh?
Meqëse kam punuar çoban po të tregoj një histori nga krahina jonë. Ishte një djalë nga Gora dhe kur i erdhi vakti mori një nuse në fshatin fqinjë, por nusja i vinte vetëm kondra. Ishte ftohtë ajo i hapte dritaret, ishte vapë ia mbyllte. Ai i thoshte ‘ma ngroh gjellën’ ajo ja jepte të ftohtë, me një llaf bënte të kundërtën. Një ditë ky çobani vjen nga mali, e kishte zënë shiu dhe e hap gunën e leshtë për t’u tharë mbi kapakun e posit, ndërkohë që kapukun poshtë gunës e le hapur .I thotë së shoqes ‘mos e trazo gunën atje ku e kam lënë’. Sapo ikën i shoqi, si tip që ishte kundra ajo ulet mbi gunë por s’kishte kapak dhe ikën në fund të pusit dhe mbytet. I thonë ‘eja se të është mbytur gruaja’. ‘Jo, thotë ai, më është mbytur guna, s’kishte punë gruaja mbi pus…’. Ma kuptove ku e kam llafin, kështu janë edhe këta politikanët tanët…I vënë shkopinj njeri-tjetrit …I fiton zgjedhjet njëra palë, respekto popullin lëri të punojnë.
Populli i Gorës është i hershëm. Fshatrat janë të vendosura rrëzë malesh dhe kodrash të ndërtuara me shije pranë venburimeve. Shtëpitë janë grumbull në shpatullat e njëra-tjetrës. Shtëpitë zakonisht janë dy katëshe të ndërtuar me gurë dhe të mbuluara me Plloça dhe që larg ngjanë si shkëmbinj të latuar nga erërat. Francezi Boucart Jaques që ka qënë në Gorë gjatë Luftës së Parë Botërore ka shkruar: “Në Gorë pashë njerëz të thjeshtë, shtat mëdhenj dhe shumë mikpritës me fshatra piktoreske me pyje pafund dhe burime të shumta uji”.