Ataturku dhe Turqia moderne
Mustafa Qemal Ataturku, më pas Qemal Ataturku, ishte një ushtar-shtetar i jashtëzakonshëm, i gjysmës së parë të shekullit të XX-të. Ai dallonte nga diktatorët e periudhës në të cilën jetoi në dy aspekte domethënëse: në politikën brenda vendit dhe themelimin e një sistemi politik që arriti t’i mbijetonte kohërave. Në frymën e këtij shpirti realist ai rigjeneroi vendin e tij, duke e shndërruar Perandorinë e vjetër e të shkatërruar Otomane në një republikë të re dhe të njësuar. Ataturku nuk ishte një turk i zakonshëm.
Kishte lëkurë shumë më të çelët nga bashkëkombësit e tij, me mollëza të kërcyera dhe sy blu të mëdhenj. Ishte truppakët dhe i matur në lëvizje. Rrezatonte energji, madje edhe kur ishte në prehje; sytë e ftohtë i shndrisnin me gjallëri të pazakontë dhe përçonin dritën e gjendjeve të tija kontradiktore. Herë ishte shumë shprehës e herë fjalëpakë.
Herë tensioni i brendshëm i dilte fuqishëm së jashtmi, përmes një shpërthimi të ashpër e herë qetësohej, duke i dhënë fytyrës një pamje sharmante e të përpunuar qytetare. I dhënë pas pamjes së tij të jashtme, vishej në mënyrë të stërholluar, lakonte vetullat në mënyrë të vetëdijshme, krenohej për gjymtyrët e tij të mirëformuara, të cilat parapëlqente që t’ua paraqiste miqve të tij të afërt me shkakun e futjes në pishinën që e kishte ndërtuar në kopshtin e shtëpisë. Nuk i parapëlqente brohoritjet popullore, por i duheshin për detyrën që i kishte vënë vetes. I përçmonte, por edhe mashtrohej prej tyre.
Kur në një rast një shok i propozoi që të bënte një veprim përshëndetës para njerëzve, ai iu përgjigj me përbuzje duke ia pritur: ”Unë nuk veproj për opinionin publik. Veproj për kombin dhe për kënaqësinë time personale”. Të dy motivet ishin të sakta. Për aq sa Ataturku ishte i aftë që të donte, ai e donte vendin e tij.
Ambicia, e nxitur fuqishëm nga imagjinata, nga një natyrë zotëruese si dhe një vullnet i pamposhtur, ishte për pushtetin, por për një pushtet që donte t’ia jepte popullit, sipas mënyrës së tij, sipas asaj çka kishte vendosur në mendjen e tij se ishte më e mirë për ta. Kishte një mendje që nuk pushonte kurrë, të mbrujtur me parimet e civilizimit perëndimor që ndikuan liberalët turq që në shekullin e XIX-të. Kishte një mendje që thithte në mënyrë të vazhdueshme idetë e të tjerëve, të cilat i përpunonte dhe i shiste si të tijat, por gjithmonë bazuar në praktikë, duke mos i besuar shumë teorive. Në metodë ishte pragmatist.
Mundohej të bënte zap mungesën e durimit për të bërë përpara, “hap pas hapi drejt objektivit të synuar”. Megjithatë, hapat ishin të shpejtë. Qëllimet liberale shpesh arriheshin përmes mjeteve jo liberale, përmes trajtimeve të pamëshirshme të miqve dhe armiqve bashkë. Edhe pse ndonjëherë tregohej i pandjeshëm ndaj jetës së njerëzve, Ataturku, personalisht nuk ishte çnjerëzor. Ai e njihte dhe e çmonte qënien njerëzore, individualisht, apo në masë, duke ia vlerësuar karakterin dhe parashikuar veprimet përmes intuitës.
Në trajtimin e njerëzve ishte shumë i luhatshëm. E dinte se kur duhet t’i bindte, kur t’i miklonte, kur duheshin kërcënimet, kur duhet të komandonte dhe mbi të gjitha, ishte mjeshtër i finesës politike. Shpesh kishte prirje gazmore dhe i shijonte shoqëria me njerëzit, madje qeverinë e tij e mblidhte në tryezën e darkës. Parapëlqente që me një zë rezonant e të pastër, i krahasuar me atë të një versioni mashkullor të Sarah Bernhardt, të fliste gjithmonë hapur, shpesh pa pushim, me nënkuptime e mënçuri sarkastike e me kthesa të menjëhershme të frazës.
Dikur për Kryeministrin e vet, Ismet Inonu, pati thënë: ”Rreth belit të tij rrotullohen 50 dhelpra, por asnjëra syresh nuk kap dot as bishtin e tjetrës”. Ataturku e transformonte jetën rreth tij. Ai shijonte dhe u përgjigjej hapur admirimit të grave. Në klimën e ndryshimit që pasoi vdekjen dhe pasimin e tij në pushtet nga konvencionali Inonu, një admiruese e Ataturkut tha: ”Turqia ka humbur dashnorin e saj dhe më në fund duhet të mbledhë mendjen të gjejë një bashkëshort”. Ishte një ndjesi me të cilën shumë turq ishin dakord.