Albspirit

Media/News/Publishing

Romani “Përdhunuesit” i Dhimitër Xhuvanit i ngelur përgjysëm në Pogradec

 

 

10 vjet pa Xhuvanin

 

Bardhyl Berberi

 

Po mbushen 10 vjet që na mungon një mik i shtrenjtë, romancier dhe skenarist i shquar. por mbi të gjitha njeri, njeriu i mirë Taqo. Kam pasur nje miqësi të gjatë me Taqon, madje në shum romane të miat Taqua ka qënë redaktor i tyre…

Pogradeci përveç se është qytet i turistëve të shumtë, është njëheri edhe qytet i poetëve, shkrimtarve dhe artistëve.

Pogradeci ka patur një mysafir krejt të veçantë dhe çdo verë shkrimtarin Dhimitër Xhuvani që në 75 vitet e jetës së tij, 73 vite tre muaj të verës qershor-korrik-gusht i ka kaluar në Pogradec (vetëm në çmendurinë e vitit 1997 ai nuk ka ardhur në Pogradec) deri sa u nda nga jeta në vitin 2009…

Dhimitër Xhuvani ka lindur në vitin 1934 në qytetin e Pogradecit. Ishte djali i mësuesit të nderuar elbasanas Kostaq Xhuvanit. Në vitin 1944 familja e tij shpërngulet nga Pogradeci kur vijnë gjermanët në qytet dhe ikën muhaxhir në Mokër ku, pasi qëndron deri sa çlirohet vendi, më pas kthehet në Elbasan. Dhimitri, pas përfundimit të shkollës së mesme mjekësore, punon në spitalet rurale të Gramshit, Librazhdit, Cërrikut, Peqinit. Më pas do të shkëputet nga mjekësia dhe do të vazhdojë studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji dhe më pas do të shkojë të studiojë në Institutin ‘Gorki’ të Moskës.

Jeta e ka detyruar që krahas punës së shkrimtarit të ushtrojë edhe profesionin e mësuesit, gazetarit, redaktorit, montatorit, elektriçistit dhe saldatorit. Motoja e krijimtarisë së Dhimitër Xhuvanit ka qënë dhimbje dhe indinjatë. Është autor i më shumë se 40 veprave si romane, drama, skenarë filmash, përmbledhje me tregime, novela dhe përralla për fëmijë. Është fitues i shumë çmimeve letrare si dhe laurant i çmimit të Republikës. Shumë nga veprat e Dhimitër Xhuvanit janë përkthyer në disa gjuhë të botës si në italisht, frëngjisht, anglisht, rusisht, kineze dhe japoneze.

 

Le të kujtojmë disa çaste dhe biseda intime me Dhimitër Xhuvanin

 

Mëngjes herët. Nga një vilë tre katëshe, fare pranë bregut të liqenit delte një çift të moshuarish të kapur pas dore. Ishte shkrimatari i mirenjohur Dhimitër Xhuvani dhe bsshkëshortia e tij Fatmira. Ata dalin qetësisht dhe çap ngadaltë buzë bregut të liqenit. Dhimitri qëndron një çast dhe vren me kujdes qetësinë e liqenit që më pas përzihet me klithjen e pulbardhave. Vazhdon ecën përgjatë parkut të madh të qytetit i humbur mes kujtimesh të largëta nga ky qytet ku ai ka lindur dhe nuk i është ndarë asnjë verë pa kaluar pushimet këtu në qytetin e Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit me perëndimet e vagëlluara, mbrëmjet si pëlhurë, dergjjet e përgjumshme të liqenit, qetësinë, zallin e shkretuar, pritjen metafizike të varkave dhe shkrumbin e natës…

Me vështrimin e qetë dhe pamjen e tij serioze dhe meditative ai përshëndet kalimtarët prej të cilëve ka shumë e shumë të njohur dhe miq në këtë qytet. Veshja e tij sportive e tregon Dhimitrin  më të ri dhe dinamik .Më pas qëndron pranë një kafeneje që ai preferon…

Dhimitri tret vështrimin përtej qelqeve të dritares së kafenesë në breg të liqenit. Avujt e kafesë së ngrohtë ngatërruar me fjollën e tymit të cigares së tij, i japin një tis të ëndërrt rrëfimit të vet që e detyron atë të baresë në një kohë tjetër. Ishtë starti i tij prej prozatori që jo vetëm daton larg prej këtej por afron të sotmen me kujtime të përziera: emocione të herës së parë, pëshpërima lexuesish të magjepsur, përgëzime kolegësh, ngacmime kureshtarësh, trumbeta suksesi, por dhe zëmërimi i diktaturës nga pasqyrimi realist i ngjarjeve dhe fenomeneve. Vepra “Tuneli” që i hapi jo pak telashe duke e çuar në prodhim për t’u “riedukuar në gjirin e klasës punetore” Dhimitri nuk ka qef ta zgjati bisedën për këtë temë. Diktatura kishte kornizat e saj dhe duhej që të qëndroje brenda këtyre kornizave, por kuptohet të dilje nga këto korniza do të thotë që të prisje pasojat.

Por ne zhvilluam një interviste me shkrimtarin e mirnjohur Dhimitër Xhuvani i cili me kënaqesi iu është përgjegjur pyetjeve tona

 

Z. Xhuvani, pse kjo lidhje kaq e ngushtë me Pogradecin?

 

Unë në Pogradec kam lindur, kam kryer shkollën fillore dhe jam larguar në moshën 10 vjeç në kohën e Luftës së Dytë Botërore për t’u rikthyer më pas çdo verë nga tre muaj në këtë qytet turistik me njerëz të mirë dhe natyrë të mrekullueshme. Pogradecarët janë njerëz të dashur dhe mikpritës. Kur të japin çelsin e shtëpisë me qera ku pushon të duket sikur e ke shtëpinë tënde, pra kur merr çelsin e shtëpisë bëhesh mik me ata.

 

Z. Xhuvani, ju e keni kaluar çdo verë në Pogradec a ka ndikuar kjo në krijimtarinë tuaj?

 

Shumë,  pothuajse të gjitha veprat e mija janë shkruar në Pogradec në këtë qytet me një sharm krejt të veçantë ku ka buruar muza ime e krijimtarisë. Unë po iu rreshtoj disa nga veprat e mia që janë shkruar në Pogradec: romanin “Përsëri në këmbë”, skenarin e filmit “Mëngjese lufte” me regji të Kristaq Dhamos, “E djela pas vdekjes”, “Jeta në arkivol”, “I mbijetuari i Otrantos”, “Kupa e Helmit”, “Letra e Sonjës”, “Dashuri e harruar” apo skenaret e filmave “I dashur armik”, ’Një ditë nga një jetë”, “Lindje-Perëndim” që është duke u xhiruar me regji të djalit tim Gjergj Xhuvanit e shumë e shumë përmbledhje me tregime dhe novela.

 

Z. Xhuvani, po fabula a janë marrë nga ky qytet dhe krahinat përreth?

 

Patjetër Pogradeci është një zonë me një kulturë të veçantë vetëm një javë pas hapjes së Mësonjtores së parë të shkollës në Korçë është hapur shkolla e parë në Pogradec. Ja psh si për ilustrim, ju e keni parë filmin “Një ditë nga një jetë”, unë atë film ia kam kushtuar një infermieri pogradecar Laqo Bushos. Një hero i vërtetë, nuk ka lënë derë pogradecare pa i bërë injeksione dhe mjekuar plagë, njeri që rrezaton mirësi dhe dashuri tek njerezit. Laqua është mëshirimi i njeriut të mirë. Ai duhet të ishte patjetër “Qytetar Nderi” për Pogradecin, por ky njeri që është shkrirë tërë jetën dhe nuk merrte asnjë grosh përveç rrogës simbolike ndonëse nuk ia ka dhënë këtë titull Këshilli Bashkiak i Pogradecit titullin ia ka dhënë populli pogradecar që e respekton dhe ky titull është më i vlefshëm se ata që të japin pushtetarët. Laqua sot jeton në varfëri me një pension modest…Apo skenari i filmit “Mëngjese Lufte” ku është tërë fëmijëria ime në qytetin e Pogradecit gjatë luftës të vështruar nga sytë e një fëmije të vogël.

 

Z. Xhuvani, përveç një skenari filmi “Mëngjese lufte” skenarët e tjerë shkruar nga ju janë ekranizuar nga djali juaj Gjergj Xhuvani?

 

Po patjetër me djalin tim Gjergjin i kam realizuar dhe do t`i realizoj edhe në të ardhmen. Në familjen tonë shpesh bisedat rreth temave të ndryshme artistike që diskutojmë kthehen në një debat  artistik që padyshim unë marr edhe mendimin dhe sugjerimet e Gjergjit dhe të nuses së djalit aktores së Teatrit Popullor Liza Xhuvani. Po iu them që merr pjesë në këto debate edhe gruaja ime Fatmira; kështu filmi “I dashur armik” ka lindur nga një rrëfim i gruas sime mbi një ngjarie të kohës së luftës që kishte ndodhur në familjen e saj. Gruaja ime rrjedh nga familja e elbasanase Belegu. Ajo ka qënë një familje e nderuar që e mbante derën hapur për miqtë dhe njerezit që kërkonin ndihmë. Vëllezerit e nuses kanë studjuar në Vjenë, madje dhe njërën nuse e kanë austriake (Pola). Në shtëpinë e tyre vinte edhe Baba Faja Martaneshi, vinte strehohej edhe ndonjë partizan i plagosur që kërkonte ndihmë, strehohej edhe  ballist i plagosur, një ushtar italian që kishte dezertuar, fshihej një hebre, vinte si mik një gjerman…Pra në këtë familje nuk që primare politika, por njerzillëku. Kjo familje ka patur si parim bazë: Të njoh-të hap derën, të kam mik-të pres si mik, nuk të njoh por kërkon ndihmë-përsëri të pres dhe të jap ndihmë. E gjithë kjo histori nga është marrë kjo fabul ka ndodhur në familjen e vjehrrit tim e rrëfyer nga gruaja ime Fatmira e cila na ngacmoi me Gjergjin dhe unë shkrova skenarin ‘I dashur armik” dhe Gjergji e realizoi regjinë e këtij filmi.

 

Z. Xhuvani, çfarë iu pëlqen dhe çfarë nuk iu pëlqen në Pogradec?

 

Në Pogradec më pëlqejnë njerëzit, janë shumë miqësore dhe të dashur, kanë një të folur të figurshme, prindërit i trajtojnë fëmijët e tyre si të rritur. Më pëlqen natyra, liqeni. Nuk më pëlqen kaosi urbanistik, ndërtesat shumëkatëshe që kanë bllokuar bregun e liqenit. Në Pogradec kanë ardhur në vitet e trazicionit shumë më tepër banorë sa mund të mbajë qyteti realisht. Shoh se ka shumë papunësi dhe varfëri në qytet dhe kjo më trishton…Ashtu siç më vjen mirë që qyteti ka siguruar ujë të pijshëm 24 orë dhe ka mbaruar pjesa kryesore e kolektorit të ujrave të zeza dhe ato nuk derdhen më në liqen apo ndryshimet e infrastrukturës e qytetit në rrugë dhe parqe.

Gjithesesi Pogradecin e dua me të mirat dhe të këqiat e tij, sigurisht që dua që të mirat të evolojnë sa më shpejt dhe të metat të frenohen.

 

Çfarë po shkruan këtë vit Dhimitër Xhuvani në Pogradec?

 

Sapo ka dalë në treg romani “Dashuri e harruar” që e shkrova verën e kaluar, ndërkohë që jam duke shkruar një roman të ri të titulluar “Përdhunuesit”. Këta të romanit tim të ri nuk janë përdhunuesë ordinerë që rrëmbejnë me vetura femra tek dyert e gjimnazeve apo në disko, janë disa lloje të veçantë përdhunuesish të veshur me kostume “Versaçe”. Është ai takëm agallarësh të rinj pushtetarësh apo drejtuesë institucionesh që pasi iu jep karriken e madhe mundohen që të “privatizojnë” edhe femrat e reja dhe të bukura që ka institucioni dhe t`i quajnë si pronë të tyre. Madje edhe kur shpallin konkurset dhe një nga kushtet është të jetë e bukur dhe me moshë të re!

Por përbri këtij takëmi është edhe një takëm tjetër që unë do të futja pronartë e firmave apo bosat, siç e quajnë veten presidenti X firme, edhe kjo kategori abuzon dme femrat duke i tunduar me rritje rroge apo pushim nga puna. Këta për mua, në romani e ri, janë një lloj përdhunuesish që shfrytëzojnë paratë dhe karriken për të shtënë në dorë femra të bukura të cilave iu shkatërrojnë jetën e tyre…Kam zgjedhur një fabul shumë interesante dhe e kam konturuar romanin dhe kur të vij në Pogradec në verën e vitit 2010 do ta përfundoj.

Por vdekja nuk e la shkrimtarin e urtë dhe të mirë që të mbaronte këtë roman, por ai ka lënë një një galeri të tërë veprash dhe skenarë filmash që padyshim janë si gurë të çmuar në kulturën tonë kombëtare.

 

Please follow and like us: