Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Thomas NYDAHL

Thomas Nydahl ka lindur më 27 qershor 1952 në Malmoe të Suedisë. Është autor i 40 librave dhe gazetar i pavarur. Nydahl shkruan për jetën e vetmuar dhe tekstet e tij janë shpesh të zhveshura nga figuracioni. Nydahl është gjithashtu një shkrimtar i tepër i përkushtuar në blogun e tij Nydahls kustvandringar. Shkrime të ndryshme të tij janë të publikuara në revistën finlandezo-suedeze Astra Nova.

 

ARTI I TË LINDURIT

Të hapësh shalët s’është mjaft

Të lindësh do të thotë të japësh jetë

Jeta vjen mahnitëse

Fëmijën e lind

veç dhembshuria për mish e gjak.

 

ARTI I TË PIRIT

Ndjenjë lehtësimi

Vera në gojë: dritë dielli

që e lyen qiellzën kuq a bardhë, çdo grimë e lëkurës

shkrirë nga përqafimet e rrushit, befas

me një ndjesi që kaplon krejt kurmin.

Kokë e këmbë, duar e gjinj, sy e veshë,

vera i ngacmon ndërsa e lemë në punën e vet, të ngacmojë

e të përjashtojë. Ngacmon: shpatet e vreshtave.

Përjashton: zbrazëtinë dhe hallakatjen stresuese.

 

ARTI I TË JETUARIT TË FADOS*

Tek zgjohem një mëngjes, tek gjej një tjetër faturë

të paftuar, tek e gjej e mërzitem me të

Tek ulem në tavolinën e mëngjesit, tek marr

një vëllim të vjetër me poezi portugeze

Tek e lexoj, fjalë për fjalë, sikur të mësoja përsëdyti

si të lexoj: “Gjuhët e tyre, prej guri, gjithashtu”,

tek rrekem ta nis ditën paçka faturës, tek rrekem

të rroj siç dikur më rrëfyen në Lisbonë: pa kurrfarë

iluzioni a hidhësie, por duke i pranuar ditët

siç vijnë e shkojnë, duke i parë si gurë kilometrikë

në një jetë vetë zgjedhur, në një jetë ndriçuar me

kujtime netësh të vona me fado dhe dashuri diellore

________

* Fado – muzikë folklorike portugeze, zakonisht melankolike, ose valle që shoqëron këtë lloj muzike.

 

ARTI I LARGIMIT PREJ DITËS KOMBËTARE

Pri biletë veç për ikje, hipi

trenit. Në tren ngulu

deri në ndalesën e fundit. Kqyre imët

qytetin ku ke mbrritur,

po s’pe ndonjë flamur a të tjera

simbole kombëtare të vendit tënd,

qetohu, bli një gotë birrë e pije

ngadalë, ndërsa riformëzon historinë tënde.

 

ARTI I BIRMINGHAM-it, Mbretëria e Bashkuar

Ngrini ngadalë një qytet, me dorë ngrijeni

Ndërtoni tërë fabrikat, krah njëra-tjetrës

ndanë ujrave, shtrëngoni çdo fëmijë

të punojë në to, ditë e natë

Lërini fabrikat të punojnë nga njëra luftë

e madhe në tjetrën dhe kur paqja të rivendoset

shkatërroni gjithçka, rrënojeni tullë mbas tulle

Ngrijeni sërish qytetin dhe hiquni sikur fabrikat

e puna cfilitëse as paskëshin qënë ndonjëherë, pallatet

vezullues kundroni përballë

 

ARTI I QËNDRESËS

Zgjoje trupin e përgjumur

çdo mëngjes, pa përjashtim,

Nga e Hëna në të Hënë

Duke u plakur e dobësuar. megjithatë

gjithmonë duke sfiduar errësirën

Thelonious Monk*

këndon “Fatmirosh më qënke”

Tjetër buzagaz në fytyrë…

_______

*Thelonious Monk – (1917-1982) Jazz, muzikant i shquar amerikan. Titulli origjinal i këngës në anglisht “You are a lucky guy”.

 

ARTI I MISIONIT

Filloje ditën duke thënë

trupi i njeriut është

Tempulli i Zotit

Largoju vogëlimave,

në vend të tyre drejtoju Ngritjes hyjnore

dhe shfaqu i pafaj në çdo pasqyrë

Thuaji gjithkujt përreth

se pija po ndyn

Tempullin e Zotit

Kurrë mos kthe fjalë kur

ndokush thotë jeta është mirë e keq,

bardhë e zi, mbaj vendin

e shenjtërisë që të përket.

 

ARTI I TË VDEKURIT

Prehe kokën në zemrën e të dashurës

Zemrën e saj prehe në mendje

Hidhi tej gjithë faturat e borxhet

Merr një çarçaf të bardhë prej shtratit

Mbështille rreth gjinjve dhe vitheve

Të së dashurës, kundro bukurinë e kurmit të saj

Ngadalë gudulitja gjinjtë me dorën e majtë

Ndërsa dora tjetër po të çlodhet mbi sy

Brenda saj qëndro. Qëndro gjersa agu të vijë

Dhe do kuptosh se

ke ikur e prapë brenda saj je.

 

ARTI I LAMTUMIRËS

Tepër, tepër, tepër i zënë, sytë

i mbaj në horizont, hundën në mjaltë, gjithçka bie erë

normale e unë gënjej veten

se asgjë s’ka për të ndryshuar,

duke kqyrur qosheve për

surpriza të reja, sikur kjo

të mos ishte e madhe mjaft. Kokën në rërë,

sytë mbyllur e pa ndjerë lot,

po iki sërish, me fjalët e tua

që më jehojnë ndërmend.

 

ARTI I MBIJETESËS

Kthehu në barkun e nënës,

aty rri, sa lajme të reja të marrësh

prej shtypit a motrës.

Në barkun e nënës: bëj plane

për të ardhmen, mos i beso

tërë llogjet për paqen.

Përktheu nga anglishtja Arben P. Latifi,  Janar 2019.

Please follow and like us: