Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: MBI LIBRIN E KADARESË “Kur sunduesit grinden” (1)

 

BRENGËPENGU
(Një ese për veten pa përjashtuar të tjerë)

E dini, siç dhe e di, që leximi i librave është, në radhë të parë, si çdo art, për kënaqësi, qoftë dhe për të emertuarën estetikë. Por jo gjithnjë. Ka libra të cilët i duhen shoqërisë në çdo kohë për të gjetur veten atje ku ka humbur në një udhëkryq historie apo dhe në një mendësi balte qe nuk e le të dalë. Shqipëria ende është aty, ndaj sot më shumë se kurrë kërkon të çlirojë ndërgjegjen e saj. Dhe nëse do arrijë të kuptojë se vërtet për këtë ka nevojë, për t’i shpëtuar mallkimit, nëmës së lashtë, se e meriton si kudogjetkë udhëheqjen që ka. Ne pothuajse për një shekull kemi të njejtën. Nuk flas për ndryshim petkash apo ngjyrash dhe po përmend pas shpalljes së pamvarësisë, edhe pse pesëqind vjet më parë, u sunduam gjithashtu nga vendaspashallarë. Çudi kjo, kur shumë nga fisi ynë i dërguan në trava te largëta si vezirë. Nëse na duhet të rishikojmë ndërgjegjen tonë dhe nëse duhet të rrokim një tjetër mendësi, shumë nga përgjigjet do t’i gjejmë në librin e fundit e shkrimtarit Kadare: “Kur Mposhten Sunduesit”. Ah, po, por ky nuk është titulli i vërtetë. Se mund të kish ndoshta edhe trembëdhjetë të tjerë, për secilin version të tij, atje ku do të përqëndroheshim më tepër. Por këtë përzgjedhje titulli apo teme, në bukurinë e vet, i takon ta zbuloje, ta gjejë, ta gërrmojë çdo njeri nga ne në pyllin-Moskë, në malet e letërsisë dhe ndoshta në një gadishull jugperëndimor të nëndërgjegjes…

Ishin mbledhur tre më kryesorët me disa dosje shumëfletëshe. Sigurisht pasi kishin biseduar në zyrë apo me telefon më parë, se sekretaret dhe sekretari i të Madhit, nuk kishin pse të përziheshin në të gjithë këtë. Për çështje të tilla të rëndësishme duhej të ruhej veç pamjes së jashtme dhe sekreti. Kuptohej, mendja ta thoshte që e gjithë skena, do luhej në zyrën e Tij, në KQ të partisë, në trumendjen e gjithë vendit, që me gjithë kazmën dhe pushkën, (drapëri ish rrëzuar mbase si shumë rus), ku përveç ndjesive që vinin nga çdo ind i skajshëm merrej dhe me lajthitjet e veta, ëndrrat dhe thashethemnajat, duke kontrolluar çuditërisht gjithçka që i përkiste kombit. Por jo, Ai kish zgjedhur shtëpinë e tij. Thua të ishte kjo një shenjë e tërthortë për të ftuarit për “darkë”? Darkë mort? Çuditërisht në darkë, drekëmort, (s’ish dëgjuar mëngjesmort) edhe çoku qeshej për një festim të gëzueshëm jete mbasi ish varrosur vdekja. Njerëzit e dinin këtë, ndaj dhe e merrnin për shenjë a ogur. Shkuarja tek varrezat apo vërtetimi i saj me mungesën e frymës, parrahja ne qafë dhe gjoks, si dhe mos shkelqimi i syve, ishin veç e kundërta: ngjallje, ngritje, sundim i vdekjes. Vetë ftesa, koha dhe vendi, dhe dy gjëra e papranueshme qe i bashkonin, gjithësesi anonin drejt një fije shprese. Garë mes dëshirash e arsyesh në mendjet e secilit nga thikarët për të mos vrarë.! Se ç’kish në ato dosje, qe sigurimsat i shkarkuan nga xhipset pak kohë para se të mbërrinin të ftuarit, diku përpara se të ulej në fron muzgu, dihej. Për nga rëndësia merrej me mend që çeshtja ishte e rëndësishme, (Nacionale). Se kish të bënte me artin, pra me rrafshin ideologjik, që jo më kot, edhe pse në dukje i parëndësishëm, frenat i mbate dora Vetë, me ndihmën e Institutit të Letrave Marksiste, ku drejtoreshë jo rastësisht dhe intelektualisht drejtoreshë ish bashkëshortja. Partia në dukje e punëtorfshatarëve, ish në të vërtetë ajo e besnikëve.
Me flokë të rënë alla Ulianov, me fytyrë të butë si busti i një patrici romak, i patrazuar dhe tepër i edukuar, thuajse kurrë nuk e kishin dëgjuar të ngrinte zërin, ndryshe nga kryeministri, i rrinte në anën e djathtë, në cep të divanit si vashëzë virgjërore, ndërsa përballë pak majtas, (djallisht) rrinte ai i holli si thikë, me një hundë si një vargmal i pjerrët, bërë enkas që gjaku të rrëshqiste lehtë anash, si prej një sqepi grabitqar. Shkak ish bërë një poemë, (jo vjershë pa fillim), por jo dhe aq vetëm ajo, se kish aty këtu dhe shenja të tjera në dukje të pafajshme, si kërkime për një stil letrar më të gjetur, por kur mblidheshin bashkë, pa përmendur dëshmitë e spiunëve, provokatorëve dhe kolegëve-shokë, kuptohej se ishte kompllot. Në të gjithë këtë ai ishte vetëm. Vendi i maleve të lartë nuk kish Pasternak. Madje dhe më keq, s’kish miq. E kush kish, dhe në Bllok, thurrur me lidhje të fshehta gjaku dhe martesash, nuk kish miqësi. Ku tjetër?

E ndjente. E nuhaste, zhurmën që gumëzhinte pas tij nga shikimet e njerëzve. Shtrënguar përkrahu të dy sikur të kishin ftohtë, a sikur do t’i ndanin përsëgjalli, gjë qe ishte fare e mundshme dhe e pritshme. Ai, mbërthyer me një pardesy të errët, me një shall ngjyrë mavi, gjaku të mpiksur, pas syzeve që mbronin sytë dhe hundën pak me majë lart, që linte të dukeshin buzët. Ajo, bjonde, trupdrejtë, vetullat e holla pak të ngritura me kënd në mes, zbulonin sytë e mëdhenj, të kaftë. Buzët e saj ishin më të holla se të tijat, sikur të kishin role të ndryshme. Dhe kishin. Ai i heshturi, i prekshmi, i brishti poeti dhe ajo mbartësja e luftës dhe e brengës së të dyve. Ecnin, rallëherë, në bulevardin e “xhiros”, paradën hulumtuese të lajmeve, bëmave dhe gënjeshtrave, gjarpëri që gëlltiste bishtin e vet, me hap të vendosur ritmik, për të biseduar larg përgjuesve, pa fjalë, por me një farë kodi mors, me shtrëngime gishtash mbi krah. Të deshifrueshme vetëm prej tyre. Shpresat ishin aty, në vetë ngjarjen. S’kish miq
të pyesnin për të, thikë kjo me dy presa, por më mirë se asgjë. Nëse Pasternaku do kish ko… do dinte të përgjigjej. Shpesh burrat kanë një pjesë të trurit aty. Por, njiheshin familjarisht prej brezash. Lidhje, krushqi. Kish shkruar për këtë një roman të tërë, të cilin Ai e kish pëlqyer pamasë. Në poemë (poemën vetëvrasëse) gjithësesi Ai dilte jo vetëm shpëtimtari, (si mbreti në komeditë e Molierit), por madhështor. I vetmi largpamës mes të verbërve pashallarë. Gjenerali i tij, tashmë botërisht i njohur i thurrte hymne si skrivan i devotshëm, asnjanës, luftës që ai e kish fituar me aq gjak. Kështjella, triumfi i shpartallimit të hordhive me të mëdha e më të egra të botës e krahësonte me më të madhin hero kombëtar… kish pasur aty këtu ca rrëshqitje … por në të fundit gjithë ajo vepër s’qe pak. Ecnin të mos mbërrinin në banesën e tyre, që ish shenja e ngritjes në përgjegjësi, pa post dhe titull. Ecnin më hap të matur, jo shumë të shpejtë dhe kodonin e çkodonin prekjet e gishtave.

“Pa dyshim që i duhej. Përveç se e kish nga lagjia e tij, nga i njejti qytet me një legjedë për emër dhe kështjellë, që ndryshe, pa ata të dy, s’kish për çfarë të mbahej mend. Ai, pa asnjë dyshim, kish arritur atë që dhe i Madhi Skënderbej, s’e kish arritur dot dhe gjithë pas tij. Një bashkim i tillë i një populli te mjerë, brenda dhe jashte kufijve,(mendoi Kosovën, e kish pikë të dobët) i tëri rreth Partisë për fitorie të reja, që as mund të ishin bërë kurrë pa të. E megjithatë, ky shkrimtaruc i mefshtë, bizantin dinak, që fliste rallë, guxonte të aludonte me disa forma që nuk ishin aspak të paqarta. Çfarë kujtonte se vetëm ai dinte të shkruante? Se ish arti i tij, që e mësoi në Gorki, që prapë se prapë e dërgova unë, siç bëra për shumë Gavroshë jetimë të tjerë. Harroi i shkalluari i shkarë se çdo gjë, madje edhe gruan e tij, e ka prej meje. Aty është gjithçka gati, për një varrim të plotë harrese. Eh, çmendonte e kujtonte ky mjeran brekëgrisur, çifut makut, që s’kish asnjë çmim, lëre pastaj një Nobel, se kush do ta shpëtonte Franca, Moska, Italia apo kush tjetër? Ai ishte vetëm. Askush s’do t’i dilte në krah. E dinte këtë. Të dy veçmas e dinin. Dikush i kish thënë tërthorazi, se një burgim, internim apo dhe pushkatim me grupet armiqësore, nuk do të shihej mirë si në Perëndim ashtu dhe në Lindje, do prishej a shprishej imazhi i Shqipërisë. Ah, ai i institutit marksist ia kish thënë një gjë të tillë dhe ai hizër edepsëz, e dinte që këtë doja të dëgjoja, pra s’qe ajo që mendonte. “Do të dëmtonte thellë letërsinë dhe artet e posa krijuara, më në fund të pastërta nga çdo e vjetër borgjeze e feudale, (nënkuptonte, ne e vumë në këtë piedestal, ne i ngritëm këtë shtatore)”, shtoi pastaj më frikë dhe sytë përdhe. Kish edhe mënyra të tjera fare të thjeshta si aksidentet në rrugë, me avion, helmimet si dhe sëmundjet mendore apo të tjera të pashërueshme për ta shëruar. Një arsenal i bollshëm nga shkolla e Xherxhinskit. Harrojnë së dhe ëdrrën dhe thashethem ua kontrolloj. Mundem dhe mundem. S’jam Lenini zemërbutë i Krupskajas, që iu lëpi Gorkit”!

Edhe pse përmëndet vetëm një herë Dostojevski për parathënien që Freudi shkroi nē përkthimin e Vellezerit Karamazov, në të gjithë librin, si tek motra Tone e Kolë Idromenit, një pengbrengë e madhe fshihet në atë vello versionesh, në çdo ngjarje e histori, qoftë dhe ajo e thëna dhe e stërthëna nga të gjitha këndet e mundshme të vështrimit. Ndëshkimi. Madje më shumë së dhe vetë ai. Vetndëshkimi, i pafund i Pasternakut. Por ky nuk do të ishte titulli as i saktë dhe aq më pak artistikisht m’i përshtatshmi.

Please follow and like us: