Nga Kozma Jano te Bujar Sheshi; a mund të besohet më Autoriteti i Dosjeve?
Rasti i tanishëm i Bujar Sheshit që ka fituar garën për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por po rezulton me njollë në biografi, nuk është i pari në kuadër të procesit të verifikimit të figurave që krijon dyshime mbi seriozitetin e institucioneve shqiptare.
Fiks një vit më parë, në janar të vitit 2018, në garën për KLP u verifikua një tjetër penetrim i paidentifikuar nga institucioni i Autoritetit të për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Kozma Jano, që vinte në garë nga Avokatia, u denoncua nga Partia Demkratike si një njeri që kishte patur lidhje bashkëpunimi me shërbimin sekret të kohës së Enver Hoxhës dhe për këtë shkak më vonë ai u përjashtua nga gara. Edhe atë kohë, Jano doli me një deklaratë për të thënë se akuzat nuk ishin të vërteta, por megjithatë ai u dogj. Një vit më parë, drejtoresha e Autoritetit, Gentiana Sula do të ankohej se dëshmia për Janon u lëshua në bazë të dokumentacionit që disponohej dhe se provat e PD-së nuk gjendeeshin në arkivën e tij. Më vonë, zonja Sula, në një intervistë për TemaTv, do të ankohej për gjendjen e keqe të arkivës, dëmtimin e saj, shpërndarjen në disa mjedise dhe për mungesë punonjësish.
Sot kemi Bujar Sheshin, i cili në nëntor të vitit 2018 është votuar si anëtar i KLP-së pasi ka kaluar vettingun. Dokumenti për verifikimin e raporteve të tij me Sigurimin e Shtetit është depozituar në datën 26 tetor 2018 dhe është protokolluar nga Autoriteti më 31 tetor. Autoriteti thotë në njoftimin e sotshëm se i ka dhënë përparësi shqyrtimit të kërkesës së ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme e cila shoqëronte shkresën me vetëdeklarimin e z. Sheshi. Duhet thënë se të dyja institucionet, pra Prokuroria dhe Autoriteti, kanë theksuar se sqarimi i pozitës së kandidatit që garon për në KLP me Sigurimin e Shtetit nuk lidhet me afate ligjore, ndaj në këtë kuptim, si njëri institucion, ashtu edhe tjetri, e kanë përdorur këtë argument për të mbrojtur veten.
Prokuroria për të justifikuar zgjedhjen e Sheshit si pjesë e KLP-së duke i dhënë fund një bllokimi që erdhi për shkak të mosaplikimeve. Autoriteti për të thënë se nuk ka detyrime për përgjigje në ndonjë afat të caktuar. Por megjithëkëtë, sot, Prokuroria e drejtuar nga Arta Marku ka çmuar se duhet të konsiderojë shkeljet e mundshme penale si nga prokurori Sheshi, për vetëdeklarimin e tij, ashtu edhe nga Autoriteti i Dosjeve që ka marrë 3 muaj kohë për t’u përgjigjur. Zonja Sula edhe kësaj radhe nxjerr alibinë e arkivës dhe mungesës së punonjësve, të hetimit të thelluar etj.. Por në ndryshim nga rasti i Kozma Janos, kësaj radhe vonesa e saj, pavarësisht vigjilencës, kanë njollosur një proces që ka marrë shumë energji. Nuk është e qartë nëse këto dy institucione komunikojnë me njëri-tjetrin apo jo, por është fakt se organi i akuzës ka menduar të mos pranojë këtë goditje duke kaluar në hetim të procesit të punës së autoritetit për vonesë.
Mbetet po ashtu shumë i paqartë roli i Autoritetit përderisa një prej anëtarëve të tij, Marenglen Kasmi, ka votuar kundër vendimit që Sheshi të cilësohet si person me lidhje me Sigurimin, pasi gjeneralitetet e përcjella për të nuk përputhen dhe nuk ka asnjë të dhënë për aktivitetin si bashkëpunëtor.
Dikush pra ka eliminuar prokurorin në fjalë që sot gjatë mbledhjes së KLP-së, la të kuptohet se po goditet në shenjë hakmarrjeje për detyrën e tij. Këtu është e qartë se kush synon bllokimin e krijimit të SPAK, por e pakuptueshme është se çfarë roli ka zonja Sula dhe Autoriteti në një marrëdhënie që po ndikon për keq dhe po i heq çdo seriozitet hallkave certifikuese të këtij procesi./respublica/