Bardhyl Berberi: Shqiptarët e Parisit
Reportazh
Sa herë që të shkosh në Paris, ai të trondit me bukuritë e tij befasuese. Mbrëmjet në Paris janë vërtet magjike. Deti i dritave që mbulon Parisin nga avioni ngjan me një prush qiellor. Në horizont shquhen konturet e kullës Ejfel. Ajo zotëron tërë qytetin dhe ngjan me një kafshë prehistorike sikur ruan me fanatizëm këtë bukuri magjike që shtrihet poshtë këmbëve të saj…
Befasi dhe të papriturat në Paris nuk kanë të sosur.Shëtit nëpër bulevardin Shanz Elize nga më të bukurit në botë dhe është e vështirë të dallosh se je në një bulevard apo në një parajsë, “Harku i Triumfit” – madhështor tej normales, ai është ngritur si homazh për fitoret e Napolon Bonapartit. Ky monument masiv dhe hijerëndë i ndërtuar sipas traditës romake ka fituar hijen dhe peshën e simbolit. Aty takohen 12 rrugët e Parisit…Notre Dame e famshme, një katedrale gjigande që sapo ka mbaruar restaullimin…Parku i Bulonjës, kopshti Luksemburgut, pallatet e Versajës me kopshtin magjik Sheshi Konkord, sheshi Etual, restoranti vjetër dhe luksoz “Fuke”, “Ura e Almës” ku princesha Dajana humbi jetën ku ende hidheshin lule dhe ndizeshin qirinj…
Lagjia La Defance e ndërtuar në vitin 1980 me ndërtesa qiellgërvishtëse me supermarkete e dyqane luksoze ku bën pazar ajka e Parisit. Rreth e rrotull peizazhe të lodhura nga qetësia, re të bardha në qiell duken sikur janë vendosur nëpër kartolina. Nëpër Paris ngado që të ecish syri do të shohi një bukuri një vepër arti.
Shikon nëpër rrugë e parqe shumë të moshuar me qen për dore. Francezët fëmijët i ndajnë shpejt sa bëhen në moshë të ecin vetë. Kështu dashurinë në mungesë të fëmijëve e kanë fat qentë e panumërt, një dëshmi e pakëndshme…
Sena me një qetësi perëndie nanurit e qetë nën peshën e tragetëve të shumtë me vizitorë që e shohin Parisin edhe nëpërmjet lumit…Duke vizituar Parisin ke lëkundur në dorë një kaleidoskop që në çdo lëvizje të nxjerr një mozik të veçantë shumëngjyrësh…
Në gjurmët e shqiptarëve në Paris
Në një nga ditët e qëndrimit planifikova një vizitë në Luvër, ndonëse e kisha vizituar disa vite më parë kur kisha qënë në Paris. Vërtet ndihesh mirë dhe krenar kur në listën e 15 antarëve të bordit drejtues të Luvrit ishte emri i Ismail Kadaresë dhe në gjuhët e ndryshme ishte shkruar orari i Luvrit edhe në gjuhën shqipe…Ndihesh më mirë kur shihje reklamat për koncertet e Tedi Papvramit apo të Inva Mulës. Gazetat franzeze shkruan ato ditë edhe për një akt civilizues të Ivna Mulës, që gjatë operacionit në zemër që zhvilloi në Paris ish burri i saj Piro Çako, ajo i kishte qëndruar gjithë natën tek koka.
Me superlative flitej në Paris për kirurgun tiranas Adri Xhuvani që prej shumë vitesh punonte në një nga klinikat prestigjoze të Parisit apo balerinit pogradecar Ilir Llakmani që punonte si solist në operën e Parisit.
Tek ura përballë kullës Eifel pashë shumë të huaj që blinin vizatime të një djaloshi nga të ri me syza. Është shumë i famshëm, foli dikush aty pranë, është piktori më i preferuar për turistët e huaj. Është shqiptar, tha një kolegu i tij aty pranë nga Portugalia.
I afrohem pranë dhe i zgjat dorën.
– Ju jeni shqiptar, më tha ai dhe mu afrua të më përqafojë si të njohur të vjetër. Madje u shkëput nga klientët e shumtë dhe zhvilluam një bisedë miqësore. Më foli që ishte konvertuar në francez se përndryshe nuk do të merrte dot pasaportën franceze nga Astrit Repishta ishte konvertuar Mario –Astrit Repage. Astriti ishte nga Shkodra dhe kishte kryer Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Në sajë të talentit të tij ai kishte blerë shtëpi në një zonë të preferuar të Parisit. Ishte martuar me një vajzë franceze me të cilin kishin pak kohë që ishin ndarë.
– Ishte vajzë shumë e mirë dhe kaluam shumë vite të lumtura bashkë, por u ndamë papritur se francezja nuk pranonte që të lindëte fëmijë. E pra ne, shqiptarët duam që të lemë pasardhës. Jemi ndarë por kemi ngelur miq të mirë me vajzën franceze.